Korça nën  furinë e “rilindjes urbane” ose shenjtërimi i mëkatit

Fakti që nuk mendoj si ju, nuk do të thotë se e dua vendin tim më pak se ju..,

Musine Kokalari

 

Nga Vladimir Toroveci

Pas periudhës totemistike, në agim të qytetërimit helen, në ishullin e Kretës u ngjiz një mit, ai i Minotaurit, përbindëshit me trup njeriu dhe kokë demi, frut i çiftimit mëkatar të Pasifeas, gruas së mbretit Minos dhe demit të shënjtë.

Me urdhër të mbretit, arkitekti athinas Dedali, për të fshehur dëshminë e mëkatit të mbretëreshës prej talljes dhe përgojimit, ndërtoi për Minotaurin një labirint të errët e të fshehtë.

Në këtë labirint, Minotauri ushqehej me kurme virgjëreshash athiniote dhe atje, ai jo vetëm jetonte në bollëk por edhe adhurohej si  perëndi e gjithëfuqishme. Pra, kjo mostër e përçudnuar, pjellë e tradhëtisë dhe imoralitetit, jo vetëm nuk u përçmua por edhe u shndërrua në një qënie të shënjtë që ngjallte frikë dhe habi, tek të gjithë nënshtetasit e mbretërisë. Ai pushoi së ekzistuari vetëm atëhere, kur kreshniku i Athinës Tezeu, i ndihmuar nga bija e Minosit, Ariana e bukur e dashuruar me të, e mbyti duke i shpëtuar kështu athinasit nga tagri në gjak që i detyroheshin mbretit.

Historikisht ka plot shembuj, kur krimet më të errta, mashtrimet më të mëdha, mëkatarët dhe shenjtorët e rremë, jo vetëm nuk janë ndëshkuar por edhe janë çmuar e adhuruar, teksa bëmat e tyre janë fshehur me dinakëri pas veprave madhështore dhe monumentale.

Pra, simbas ketij arketipi, labirintet metaforikisht shërbejnë për të fshehur të pisten dhe mëkatin. Vetë format e ndërlikuara që kanë, të diktojnë të mendosh se ato shprehin dhe pasqyrojnë me besnikëri synimet e vërteta të krijuesve të tyre. Dhe përgjithësisht, është e keqja ajo që fshihet dhe maskohet për të mos u dukur si e tillë, përkundrazi për të ngjarë si e kundërta e saj, pra si e shënjtë.

Një rrugëlabirint e tillë, në miniaturë, u ndërtua edhe tek ne. U prish rruga e gjërë dhe magjistrale dhe u shndërrua në një rrugicë të spërdredhur dhe me një kalim. Arsyet për të cilat u bë kjo ishin të shumta, por ajo më kryesorja, e cila u propagandua me të madhe, ishte gjasmë disiplinimi i qarkullimit të automjeteve dhe kalimtarëve.

Nëse në kohën e regjimit komunist, u prishën banesa për t’u zgjeruar e hapur rrugët, tani ngushtohen dhe spërdridhen ato për t’u perfituar troje ndërtimi..! Nese atehere edhe kur u prishen kisha u ndertuan bibloteka, tani prishen bibloteka dhe ndertohen saraje pushteti. Dhe e gjitha kjo kërkohet të mbulohet me një propagandë arrogante dhe të shfrenuar si të tentoje të fshehë dicka të pistë dhe kriminale !…

Po çfarë mëkati orvatet të fshihet në objektet e kësisojme? Kush është Minotauri i rizgjuar që bulurin në thellësitë e rropullive të labirinteve moderne? Mos ndoshta përbindëshi i grykësisë, lakmisë dhe korrupsionit..?!

KULLAT

Semantika e paraboles biblike të kullës së Babelit, ngërthen brënda vetes një varg kuptimësish dhe mbi të gjitha, n’a kumton se; është arroganca dhe mëndjemadhësia, shtysa e sipërmarrjeve të tilla  boshe dhe aspak të dobishme.  Bile përgjithësisht, për të identifikuar bartësit e këtyre shprehive, lipsen edhe këto lloj objektesh si impulse dhe sublimime të ëndërrave te vagullta për madhështi dhe pushtet.

“Njeriu primitiv  është i nxituar, tek ai mendimi shndërrohet menjëherë në veprim, veprimi për të, si të thuash, zëvendëson mendimin…” shënjon Frojd në librin e tij “Totemi dhe tabuja”.

Ndaj, për individin e sotëm të qytetëruar, përkundër njeriut primitiv, është mendimi dhe llogjika ato që duhet të paraprijnë sendërtimin e objekteve të kësisojëshme. Ndërtime të tilla të projektuara paraprakisht me imagjinatë, duhet të udhëhiqen nga  arsyet  e nevojës, dobishmërisë apo ato estetike, pastaj të sendërtohen në realitet.

Në adoleshencën e herëshme, kam njohur dhe kam parë dy kulla mesjetare të rrethinave të qytetit ; kullën e Malavecit dhe atë të Turhanit, dy fshatra këto të ngritura në mes të fushave pjellore dhe të begata, ku ngrehina të tilla shërbenin zakonisht, për të vrojtuar rrugët dhe për të kontrolluar bujqit që punonin në ara.

Përgjatë viteve, duke shfletuar libra historike dhe të gjinive të tjera, vura re se këto lloj objektesh nëpër botë, ishin të shumta dhe të ndërtuara për arsye të ndryshme; nga ato të lashtat që shërbenin për mbrojtje dhe vrojtim dhe deri tek kullat qytetase të sahateve apo ato modernet nëpër metropolet e shteteve të fuqishme, si seli të kompanive tregëtare  dhe biznesit.

Pa dashur të futem në hulli që s’janë objekt i këtij shkrimi, dua të shënjoj se të gjitha këto më shkuan ndër mend kur në qendër të Korçës, si një dordolec mes një are, pa lejën e të zotit të saj, filloj të hidhte shtat një kullë e betontë, pa asnjë lloj kohezioni dhe identiteti me ndërtesat përqark.

Rreth meje, si gjithmonë në të tilla raste, dëgjoheshin zëra aprovues por edhe të revoltuar e tallës.

I intriguar dhe pre e dilemës qytetase, edhe unë duke përsiatur i shtrova vetes  pyetjen:  A duhej kjo kullë dhe nga cilat motive u shtynë projektuesit e saj, kur ndërkohe askush nuk vëren ndonjë vlerë estetike apo utilitare të spikatur, duke zhbërë kështu një nga sheshet më të bukura dhe historike të qytetit..?

Argumentet e aprovuesve që përgjithësisht, ishin zëra konformistësh, dukeshin jo vetëm të pabesueshme, por edhe paralelizmat që ata bënin  me kullën Ejfel  ngjanin  tepër naive dhe të ekzagjeruara. Thëniet dhe ëndërrat me sy hapur, se qyteti do fitonte famë dhe para nga dyndja e turisteve dhe vizitoreve për të parë kullën, ishin jo vetëm  foshnjore por edhe qesharake. Dhe kjo nuk di pse më kujtoi ndodhinë me shtatoren nudo të Aferditës së Praksitelit,  e cila në lashtësi e porositur nga banorët e ishullit të Kios, me magjinë e vet bëri që nga të gjitha viset e Heladës, të dyndeshin vizitorë duke e shndërruar në pak kohë ishullin e varfër, në një Eldorado të begatë. Por, të krahësosh kryeveprën e Praksitelit dhe joshjen e saj me një vepër mediokre prej betoni të ditëve të sotme, është njësoj si të krahësosh vezullimin e diellit pranveror me dritën e venitur të kandilit.

I intriguar prej deklaratave televizive të një beniamini të pushtetit se; kulla është një çudi arkitektonike dhe si e tillë ajo do vizitohet prej qindra turistësh në ditë, unë i ulur  pranë një lokali përbri saj, kam vrojtuar ditë me rradhë dhe nuk kam parë pothuaj askënd, të kacaviret shkallëve të thepisura, apo të marrë ashensorin për t’u ngjitur lart. Ndaj vërshimi i parave imagjinare, rezultoj thjesht nje alibi e mjerë që nuk e mbuloj dot dështimin e ëndërrave të autorëve të saj, për lavdi dhe pasurim.

Pergjithësisht, qysh në shkrimet e shënjta,  grishur nga ndjenja të fuqishme egocentrizmi dhe kryelartësie, janë vërejtur prirje të njeriut për t’u identifikuar, përmes realizimesh të tilla butaforike dhe për të qënë mospërfillës ndaj cdo lloj fuqie tjetër, me të madhe se e tij. Parabola e kullës së Babelit apo ajo e Suresë Kasas ajeti 38 ne Kur’an e dëshmojnë këtë, ashtu siç pohojnë edhe pamundësinë e njeriut për të  sfiduar kohën dhe Perëndinë.

Ndërkaq, në qytet ka edhe objekte të tjera kësisoj. Po nëse kambanaret apo xhamitë, janë objekte kushtuar Zotit dhe ngritur për lavdinë e tij, kullat e tjera pa domethënie, hymnizojnë fuqinë e parasë e të pushtetit duke u orvatur të glorifikojnë bartësit e tyre. Pikërisht, kjo ka bërë që edhe në vënde të tjera për to, të mos mungojnë aludimet se; objekte të tilla janë të ngarkuara me kode të fshehta dhe simbole masone, ( sic thuhet rëndom për kullën Ejffel, statujën e lirisë, apo dhe të tjera sojesh ) dhe se ato, trasmetojnë mesazhe të kuptueshme vetëm për një pakicë të zgjedhurish, por jo për shumicën e njerëzve të zakonshëm.  Gjithsesi, çfarë mesazhesh apo simbolesh mund të mbartë kulla jonë e çuditëshme dhe sureale, që mbiu pa pritur një ditë, në një prej shesheve më të dobishme dhe funksionale të qytetit ..? Shumë shumë, një objekt i tillë, mund të jetë vetëm simbol i revoltës së një psikike të frustruar..!

Sundimtarët përgjithësisht, zhvillojnë në perfeksion aparatet e  spiunimit dhe të përgjimit, jo vetëm të kundërshtarëve politikë por, edhe të nënshtetasve të tyre. Kjo nevojë mbijetese, ka bërë që një prirje e tillë të shndërrohet gati- gati në një instiknt për ata që kanë frikë mos humbasin pushtetin. Ndërkohë edhe dëshira për t’u identifikuar dhe  për të kontrolluar mjedisin social rreth e rrotull tyre, i shtyjnë shpesh individët të kuturisin në aventura të tilla iracionale. Dhe ç’domethënie tjetër mund të ketë një ngrehinë e tillë, varur mbi oborret e vogla të shtëpive, rrethuar me avlli të larta, ku banorët e trembur nga shekuj të tëra dhune dhe keqtrajtimi, shtyjnë ditët e ekzistencës së tyre apatike.

Kulla të tilla, përveçse dëshmojnë dhe kremtojnë fuqinë dhe madhështinë e pushtetit, janë edhe simboli i dukshëm i kontrollit të tyre, që prej zyrave dhe kthinave, ku siç pëshpëritet, çensorë modernë, nëpërmjet mjeteve kompiuterike, përgjojnë kundërshtarët politikë dhe tentojnë t’i identifikojnë ata.

Nuk ka se si, objekte të tilla, me konture sureale dhe pa asnjë lloj përfitimi ekonomik, t’i referohen llogjikës, pra racionales dhe vetëdijës. Ndërkaq, mbetet që ato të jenë produkte të impulseve të pavetëdijës që në mënyrë spontane mishërohen në të tilla ngjizje halucinante, si pjella të mentaliteteve imperiale të autorëve të tyre. Pema njihet nga frutet, njeriu nga veprat e tij.

Ndërkohe kulla jonë, si një periskop mbi detin prej betoni,  ngrihet prej rropullive të qytetit, prej skutave dhe gjirizeve, ku shpirtra të errët thurin plane dhe ngrehin kurthe, të shfytyruar prej nepsit në ferrin e tyre të grykësisë.

Objekti monstruoz, ngjan më tepër me një instrument përgjimi se sa me një veper arti me të cilën të mund të krenohet qyteti. Si mishërim i dëshirës përvëluese për të mësuar se ç’thonë njerzit për oligarket dhe bashkëpuntorët e tyre në pushtet, si një enigmë që të nxit të pyesesh:  Për lavdi të kujt është ngritur kjo mostër në mes të qytetit dhe kujt i kushtohet, Zotit apo satanajt..?!

I VDEKURI QE QESH

Jam i vdekuri që qesh

Pa shkak i balsamosur

Në një pejsazh të zhveshur…

Këto vargje mbyllnin dikur njërën prej poezive me të njëjtin titull, të poetit të ndjerë I. Belliu, dhe mua s’di pse m’u kujtuan sot e më kumbuan në tru, me fuqinë e një parathënie tronditëse. Kjo, teksa rrija e mendoja, zhvillimet e kohëve të fundit në rafshin e performancave urbanistike dhe ndërtimeve publike në qytet.

Përpjekjet e “rilindasve” për të “estetizuar” dhe “shpluhurosur” gjithcka të lënë trashëgim nga e kaluara, janë padyshim të lavdërueshme, sa i përket shpenzimeve marramëndëse dhe efekteve propagandistike, por jo funksionalitetit të hapësirave publike. Dëshiroj që në këtë konteks, të shënjoj disa mbresa domethënëse për mua.

Një paradite vjeshte me diell, së bashku me familjen, isha në një manastir në rrethinat e qytetit. Mbas përfundimit të meshës, dolëm në oborrin e kishës dhe po bisedonim. Ndërkohë më afrohet një i njohuri im mësues dhe duke e ditur nga mediat sensibilitetin tim qytetar m’u drejtua:  – E keni parë sa i bukur është bërë Parku Rinia, si një përrallë?!..

Jo- i’a prita-  se kam parë, kam qënë i pa mundur dhe, nuk më ka rënë rasti të kaloj andej pari – dhe kalova!..

Trasformimi ishte vërtet mbreslënës dhe sidomos më bëri përshtypje, luksi me të cilën ishte trajtuar hapësira, dikur aq natyrale dhe e bleruar ndërsa tani, e tjetërsuar nga materialet e përdorura dhe shtresat e pafundme me pllaka dhe tulla xhami. Në vend të leheve me lule të dikurëshme dhe, lëndinave me bar, mbizotëronte çimentoja dhe materia inorganike. Beton, pllaka shumëngjyrëshe dhe mure qelqi..! Përbri parkut, në një hapësire të fituar nga ngushtimi i rrugës, mbi një platformë gjigante betoni dhe gurësh të përpunuar, ishin vendosur një mizëri skulpturash parku si në një ekspozitë sureale. S’di pse më ngjau e gjitha kjo, me një mauzole mbretëror dhe ndërkohë edhe me statujat e gurta të ishullit të Pashkës, për të cilat flet Tor Hejerdal në librin e tij, “Aku- aku ose ishulli i gjigantëve”.

Më erdhi për të qeshur me analogjinë dhe për argëtim u shtyva me tej në këto përsiatje. M’u kujtuan teoritë konspirative në lidhje me “Moait”, pra statujave prej guri të ishullit të Pashkëve. Hipotezat se; ishin krijuar prej alieneve dhe me imazhet e tyre përcillnin, kumtet misterioze të Ufove, duke bartur kështu, simbolikat e autoritetit dhe të fuqisë së atyre që i kishin ngjizur. Të gjitha këto, jo vetëm më intriguan, por dhe më bënë të besoj në diçka të ngjashme, sepse përndryshe, asnjë lloj arsyeje nuk mund t’a përligjte kompozimin e çoroditur skluptural mbi plasdarmin prej betoni. Të tilla vepra arti që mishërojnë një mori shkollash apo, formimesh artistike, idealesh estetike dhe ngarkesash mistike, të pranëvendosura pa asnjë kriter, jo vetëm të hutojnë, por të krijojnë idene e kaosit para lindjes së dritës dhe vendosjes së rregullit.

Përgjithësisht, skulpturat e parkut, e kanë vendin në mes të barit dhe të pemëve, atje ku me format e tyre primitive, janë në harmoni me natyrën dhe bimësinë, duke mëtuar kështu, të zgjojnë nostalgjinë e kohërave të dikurëshme, kur hipokrizia dhe materializmi ende nuk ishin bërë elementë mbizotërues të shoqërisë njerëzore dhe ndërkohë, t’a shtyjnë njeriun në ngasje, për të përsiatur mbi vlerat e humbura përgjatë rrugës së tij të gjatë dhe, ato të fituarat shpesh herë edhe në kurriz të të parave.

Nga ana tjetër, zëvendësimi i së natyrëshmes, spontanes dhe jetësores, me materiale të ftohta dhe inorganike, bëjne që të humbasë komunikimi i brendshëm i njeriut me mjedisin. Pamja e ftohtë dhe solemne, i ngjall atij më tepër një sërë emocionesh të turbullta si droje dhe hutim, sesa dashuri, intimitet dhe mirkuptim.

Prirja, për të krijuar vepra monumentale dhe hijerënda, jo vetëm që është e vjetër sa historia njerëzore, por edhe e instrumentalizuar prej qeveritarëve, me synimin për t’a shndërruar njeriun e zakonshëm në një qënie të vogël dhe të pa rëndësishm, pothuajse në një hiç, përballë “pjellave perandorake” të imagjinatës së tyre të sëmurë.

Edhe pazari i vjetër i qytetit, që ka qënë një prej vlerave historike më të vyera, u trajtua me të njëjtin mentalitet. Restaurimi i tij, që po serviret si një sukses i aplikimit të strategjisë urbanistike të “Rilindjes”, është pa dyshim një realizim mbresëlënës, që ruan vlerat identitare të asamblit arkitektonik të tregut, duke i dhënë shkëlqimin e dikurshëm mjedisit mesjetar, por fatkeqësisht vetëm në siperfaqe dhe në imazh, jo në funksionalitet. Dhe mua, nuk di pse më ngjan me një prej atyre shesheve të dikurëshme të xhirimit, ku në plan të parë, synohej krijimi i skenave dhe dekoreve, për filmat e realizmit socialist.

Vizioni për funksionimin e kësaj nyjeje të rëndësishme është jo vetëm produkt i frymës etatiste por edhe i  një qëndrimi arogant dhe arbitrar, pas të cilit fshihen synime të errta dhe pragmatiste të individëve të lidhur me pushtetin. Askush, nuk mund t’a ndalë kohën, sado i fuqishëm qoftë ai. Pazari nuk është ndërtuar për të qënë skenë dhe dekor për kartolinat e vitit të ri, apo për realizime videoklipesh, por për t’iu shërbyer banorëve të qytetit dhe rrethinave të tij. T’a përdorësh atë si një vitrinë ku reklamohen dhe shiten dënglat e pushtetit, do të thotë t’a zhveshësh nga funksionet jetike për të cilën është ngjizur dhe t’a shndërrosh thjesht në një organizëm të vdekur e pa asnjë dobi. Sepse vetëm kufomat, sado të duken sikur qeshin, sado ti stolisesh dhe t’i zbukurosh me lulka dhe llampa shumëngjyreshe, mbeten thjesht “Të vdekur që qeshin”.

Pra, të gjitha këto male betoni dhe fasada vezulluese, nuk e justifikojnë, qëllimin për të cilin propagandohen. Vendosja në fillim, mbas restaurimit të pazarit, e shiritave të tatimeve dhe të mbylljes së  dyqaneve dhe shitoreve, të krijonte idenë se aty ishte kryer ndonjë krim monstruoz. Dhe vërtet, është krim të imponosh politika etatiste, duke anashkaluar parimet e ekonomisë së tregut. Janë pronarët që duhet të administrojnë pronat e tyre, dhe jo pushtetet.

Ndërkohe, sheshet e qyteteve janë sinonime të lirisë. T’i kufizosh dhe ngushtosh hapësirat e tyre, me përbindësha betoni, do të thotë t’iu marrësh frymën qëndrave urbane dhe t’i asfiksosh ato. Sado të thurin hosanara dhe ditirambe, dallkaukët dhe servilët, lavdet e tyre nuk mund t’a mbulojnë dot të vërtetën e thjeshtë se; tjetërsimi i shesheve, nuk është gjë tjetër veçse, tjetërsimi i lirisë.

Dhe ndërkohe, ashtu siç pohon Nice: “E cdo të thotë për ne një bukuri ndërtese ? Po çështë bukuria e një gruaje pa shpirt; doemos diçka e ngjashme me një maskë!”. Pra kullat e betonit, ndërtesat dhe teatrot impozante me xhama dhe mermer, mund të jenë të bukura, por është jeta dhe historia, lidhja me mjedisin social dhe njerëzor, ajo që i pajis me shpirt dhe i bën të mos jenë maska të realitetit ekzistues…

NE VEND TE EPILOGUT

Çfarë ëndërrash shohin ata që krijojnë këtë botë të ftohtë dhe aspak njerëzore, me gur dhe beton..? Si mund t’iu japësh liri impulseve të pavetëdijës për të konceptuar mjedise të tilla sureale, si në ndonjë epokë futuriste, të tharë dhe të mpirë nga materializmi dhe shterpësia..? Epokën e grykësisë, të fitimit me çdo kusht, duke shkelur cdo vlerë njerëzore dhe çdo aritje në fushën e humanizmit!

Një botë haluçinante, të sendërtuar në nxitim e sipër, si të trembur se nuk do t’i lejojnë dhe nuk do t’iu mjaftojë koha për t’a përfunduar, ndaj pikërisht prej këtij nxitimi, gjithçka del e shtrembër e deformuar, qesharake.

Butaforija sidomos, shpërfaqet paturpshëm në pedonalet, të cilat shpesh identifikohen me zhvillimet moderne të mjedisit urban. Hapësirat e tyre, si të jenë skena te një teatri kukullash, mbushen me gjithfarsoj imitimesh fëmijënore prej plasmasi duke shkërbyer flutura dhe lulka, flluska llastiku apo umbrellka, maska dhe bufonë karnavalesh, si të duan t’i ndihin krijimit të një bote virtuale e të lumtur, të stisur me qëllim nga pushteti,  ku pupacet oborrtarë dhe marionetat e pudrosura, lëshojnë pasthirma admirimi e habie, edhe të dehur prej duhmës së gjirizeve që shperthen gulfa- gulfa prej pusetave pa sifon, ku  neqezllëku i tendertarëve shfaqet ashiqare. Kjo sidomos, mbasditeve të verës, kur vapa mbytëse e ndezën edhe më keq ashkun kudërmues të nëndherit.

S’ka më mjedise, që të shërbejnë si “Agora”, apo si instrumenta të nevojshëm ku publiku të shprehë opinionet, kënaqësitë apo pakënaqësitë e veta, ku të manifestojë kërkesat e tija për problemet politike apo komunitare që e shqetësojnë.

Tentohet të hapen rrugë nëpër male dhe ngushtohen e mbyllen rrugët nëpër qytete, si të duan të ushtrojnë presion mbi vozitësit dhe ti frustrojnë ata. Krijohen parkime nëpër “folecka” të pa volitëshme, që të kujtojnë kthinat e celulave të dikurëshme dhe në emër të zgjerimit të hapësirave për këmbësorët, ngushtohen dhe më shumë trotuaret.

Priten pemë dhe betonohen mjediset në rrethina, ndërkohë që mbillen pemë mes shesheve me pllaka, ku thahen vit pas viti dhe rimbillen përsëri.

Para, të bëra rrush e kumbulla për saraje pushteti dhe objekte me funksionalitet të dyshimtë ku vlerat propagandistike dhe vaniteti, shpërfaqen paturpësisht në sytë e habitur të qytetarëve të frustruar prej një të kaluare traumatike, të cilët as i pyet kush dhe as guxojnë të thonë një fjalë. Skuta të errta të arenduara në luks, ku të fuqishmit zhgryhen në orgji dhe mëkate, ku hartohen lista proskripcionesh të kundershtareve dhe ku mishi i bardhë, mbushën ropullitë e minotaurëve modernë. Dhe unë si në një ëndërr apokaliptike, shoh betonin që mbulon lulet e barin, dheun e qiellin dhe më kujtohet “ Il ragazzo della via Gluck” kënga e Celentanos së madh me vargjet: “Është fat, të lozësh këmbëzbathur nëpër livadhe, ndërsa në qëndër të qytetit frymërohet çimento…” apo “Tashmë djaloshi me para mund të blejë gjithçka. Kthehet, po ku t’i gjejë miqtë që kishte..? Vetëm shtëpi mbi shtëpi, katran dhe çimento..!”

Nga pafuqia shtrëngoj dhëmbët, sytë më mbushen me lot nga marazi që s’mund t’a zmbraps dot, magmën e pashpirt të betonit…