Kongresi i Manastirit, ABC-të origjinale shqiptare, si u krijuan? Cila është udha e shkronajve që shkruajmë ne sot

Saimir Lolja

Në fillim të fillimit

Zanafilla 1:1 – Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën (Libri i Parë i Dhjatës së Vjetër, Orthodox Jewish Bible, English Standard Version Bible, Genesis 1:1).

Zanafilla 6:4 – Kishte në fillim mbi tokë në ato kohë, madje edhe më vonë, kur bijtë e Perëndisë iu afruan bijave të njerëzve dhe këto u lindën atyre fëmijë. Ata janë heronjtë që jetuan në kohët e lashtësisë, janë njerëzit e famshëm të atyre kohëve. (Genesis 6:4)

Zanafilla 11:1 – Dhe tërë toka fliste të njëjtën gjuhë dhe përdorte të njëjtat fjalë. (Genesis 11:1)

Zanafilla 11:6 – Dhe Zoti tha: “Ja, ata janë një popull i vetëm dhe kanë të gjithë të njëjtën gjuhë; dhe kjo është ajo që ata filluan të bëjnë; tani asgjë nuk ka për t’i penguar ata të përfundojnë atë që kanë ndërmend të bëjnë (Genesis 11:6).

Numrat 13:33 – Dhe aty pamë nëfillimët (pasardhësit e Anakut rrjedhin nga nëfillimët), përballë të cilëve na dukej se ishim karkaleca, dhe kështu duhet t’u dukeshim atyre” (Libri i Katërt i Dhjatës së Vjetër, Numbers 13:33).

Dritëza nga e shkuara

Viti 1210 – Dorëshkrimi i Teodor Shkodranit, i gjetur në Vatikan, është botimi më i vjetër i njohur deri tani i gjuhës shqipe. I tëri është në pergamenë dhe ka 208 faqe. I gjithë dorëshkrimi është i shkruar me shkronja latine dhe i tëri në gjuhën shqipe, në të folurën e veriut. Dorëshkrimi ndahet në tre kapituj, në faqet 1r-97r mbi teologjinë; faqet 98r-146r mbi filozofinë dhe faqet 147r-208r mbi historinë. Ndërsa në fund, autori ka firmosur vetë duke shkruar: “Mee nihemmen zze dessirnnee e phorte t’ Lummnummitt ZOT e mbaronjj n’Vitte MCCX dittn ee IX t’ Mmarxxitee. THEODOR SSCODRAANNITTEE”. Rëndësia e këtij libri, dhe e të tjerëve që nuk janë abetare, është se tregon se ka pasur shkrues, botues dhe lexues të shkolluar të Shqipes në vitin 1210.

Viti 1332 – Kryepeshkopi francez i Tivarit, me emrin Brokard dhe i udhëtuar nëpër Shqipëri, në një letër të përcjellë në latinisht të vitit 1332 shkruan: “Sado që shqiptarët kanë një gjuhë fare të ndryshme nga gjuha latine, prapë ata kanë në përdorim edhe në tërë librat e tyre shkronjat latine”.

Fillim shekulli XIV – Një libër Dhjate i shkruar në italisht dhe në Shqip ku, për shembull, një fletë e tij përmban: “Scala I. Ligierata VI. Si e krijoi zotne Adamne et Evene. Të paretë tanë print”.

Viti 1462 – Formula e pagëzimit e shkruar nga kryepeshkopi i Durrësit, Pal Ëngjëlli, gjatë një vizite në dioqezën e Matit më 8 nëndor 1462, e cila është: “Un të pagëzonj pr’emen’t Atit e t’birit e t’shpirtit shenjt”.

Viti 1497 – Fjalori i udhëtarit Arnhold von Harff përmban 26 fjalë shqip, 8 shprehje dhe numrat nga 1 deri 10 dhe 100 e 1000. Fjalori modest i udhëtarit Arnold von Harf është i pari dokument në shqip i shprehjeve dhe numrave.

Fillim shekulli XVI – “Perikopeja e Ungjillit të Pashkës” është një dokument fetar i shkruar në gjuhën e kishës lindore (greqisht) dhe mendohet se i përket fundit të shekullit XV ose fillimit të shekullit XVI. Ky dokument përmban dy pjesë të vogla nga Dhjata e Re në gjuhën shqipe me gërma të gjuhës së kishës lindore.

Viti 1504 – Marin Barleti përmend në librin e tij në latinisht “Rrethimi i Shkodrës” se ai kishte shfletuar libra historikë të shkruar në gjuhën shqipe (arbërore).

Viti 1555 – “Meshari” i Gjon Buzukut është i pari libër i njohur deri më tani në gjuhën shqipe. Cilësia e gjuhës së shkruar pohon për një gjuhë shqipe të organizuar. “Meshari” i plotë ka pasur 110 fletë (200 faqe) dhe nga këto janë gjendur vetëm 94 fletë. Libri është kishtar i shkruar me germat latine dhe përmban 154.000 fjalë. Meshari është i shkruar simbas të folurës veriore dhe origjinali gjendet në Vatikan.

Viti 1592 – Arbëreshi Lekë Matrënga boton përmbledhjen fetare “E mbësuame krishterë” ku përfshin edhe vjersha të tij. Ai ishte njëkohësisht prift i ritit lindor në bashkësinë shqiptare të Sicilisë.

Viti 1618 – Prifti katolik Pjetër Budi boton librin “Doktrina e kërshtenë” duke përfshirë edhe 54 faqe me vjersha fetare ku një pjesë janë origjinale të tijat. Në vitin 1621 boton librat “Rituali Roman”, “Cusc zzote mesce keto cafsce i duhete me scerbyem” dhe “Paschyra e t’rrëfyemit”.

Viti 1635 – Peshkopi katolik Frang Bardhi boton një fjalor latinisht-shqip “Dictionarium latino-epiroticum”, më 1636 një libër për Gjergj Kastriotin dhe një përmbledhje për krijimtarinë popullore.

Viti 1685 – Peshkopi katolik Pjetër Bogdani boton prozën e parë të njohur origjinale në shqip të titulluar “Çeta e Profetëve”.

Vitit 1731 – Vjershëtari popullor Ibrahim Nezimi nga Frakulla e Fierit botoi vjersha në shqip duke përdorur germa arabike, si dhe një fjalor të tillë shqip-osmanisht.

Viti 1762 – Arbëreshi nga Kozenca e Italisë së Jugut dhe njëkohësisht prift katolik, Jul Variboba, botoi në Romë librin me vjersha të titulluar “Ghiella e Shën Mëriis Virghiër”.

Viti 1770 (përafërsisht) – Sulejman Naibi nga Berati shkruan vjersha e këngë në shqip me germa osmane, si për shembull “Mahmudeja e stolisurë”.

Viti 1777 – Arbëreshi Nikollë Keta nga Kundisa (Contessa Entellina) në Sicili boton vjersha në shqip, përfshirë edhe sonetin e parë poetik shqiptar.

Viti 1800 (përafërsisht) – Hasan Zyko Kamberi nga Kolonja boton vjersha të ndryshme në shqip me germa osmane, si për shembull “Gjerdeku”, “Paraja” etj.

Gjysma e dytë e shekullit XIX – Arbëreshi Zef Serembe nga Kalabria në Itali të Jugut boton vjersha dhe përkthime në shqip.

Abecetë origjinale shqiptare (1761-1844)

Dorëshkrimi Elbasanas i Ungjijve njihet si Anonimi i Elbasanit (1761) është shkrimi më i hershëm shqip i shkruar me një abece origjinale. Autor ishte Gregori i Durrësit, i njohur edhe si Gregori i Voskopojës, i cili qëndroi 15 vjet në Elbasan para hartimit të dorëshkrimit. Ai u përpoq të shkruante në një gjuhë të përbashkët që ta kuptonin shqiptarët nga krahinat e ndryshme. Një gjë bie në sy në Dorëshkrimin Elbasanas: ka shumë pak fjalë të huaja, vetëm tri fjalë latine dhe shtatë fjalë turke. 59 faqet e përkthimeve biblike në Dorëshkrimin Elbasanas përmbajnë 6113 fjalë të shkruara me një Abece prej 40 gërmash: 35 gërma të zakonshme dhe 5 gërma të rralla. Shumica e gërmave të kësaj Abeceje janë krijime të reja pa ndikim të gjuhëve dhe abeceve të popujve fqinjë.

Gjithashtu, në kapakun e Dorëshkrimit Elbasanas të Ungjijve gjendet një vizatim dhe 12 fjalë të shkruara me një Abece që ndryshon krejtësisht nga Abeceja e dorëshkrimit; por e pa zbërthyer akoma.

Abeceja e Todri Haxhifilipit (1730-1805) nga Elbasani, e cila është një sistem i ndërlikuar prej 52 gërmash që u përdor aty këtu në Elbasan nga fundi i shekullit XVIII.

Abeceja e Kodeksit të Beratit (1764-1798), një dorëshkrim prej 154 faqesh, Shqip e greqisht. Për shembull, me shkronja të kishës lindore është një vjershë e titulluar “Zonja Shën Mëri përpara kryqësë”. Në faqen 104 janë dy radhë Shqip të shkruara me një Abece origjinale prej 37 gërmash të ndikuara nga glagolishtja.

Nga Gjinokastra kemi një Abece tjetër nga fundi i shekullit XVIII ose nga fillimi i shekullit XIX, e cila është një sistem prej 22 gërmash, por pak i përhapur.

Një Abece tjetër e lindur në Jugun e Shqipërisë është ajo e Jani Vellarait (1771-1823). Ai ishte autori grek i shënimeve gramatikore greqisht-shqip të vitit 1801 për t’i mësuar shqip grekërve. Gjuhën shqipe e shkroi me një Abece origjinale prej 30 gërmash në bazë të latinishtes dhe të greqishtes.

Abeceja e Naum Veqilharxhit (1797-1846) nga Korça prej 33 gërmash të botuara në abetaren e tij Shqipe në vitin 1844. Jehona e kësaj Abeceje, e cila i ngjan një lloj armenishtje të pjerrët, ishte e pakët.

Ajo periudhë njëqindvjeçare 1750-1850 përmban një shumëllojshmëri shkrimesh nga shqiptarët. Pas vitit 1850, gjuhës shqipe të shkruar sipas shtatë Abeceve origjinalë të lartpërmendura iu shtuan edhe tre përshtatje të Abeceve të gjuhëve latine, greke dhe arabe. Është për t’u çuditur që kultura shqiptare arriti ta dallonte veten dhe të mbijetonte me një madhështi e krijimtari të tillë letrare. Ekzistenca e tyre çjerr njëkohësisht poshtërsinë me të cilën u ndesh delegacioni Shqiptar në Kongresin e Berlinit më 1878 ku iu tha JO për shtetin Shqiptar të kërkuar me “arësyen” se “nuk mund të kishte komb pa gjuhë të shkruar”. Ndërkohë që kishte jo një, por dhjetë Abece që mund të përzgjidheshin e zbatoheshin.

Kongresi i Manastirit ose ndryshe Kongresi i Abecesë (14 nëntor 1908)

 Atdhetarët shqiptarë përpiqeshin me këmbëngulje të zgjonin kombin e tyre dhe ta bashkonin tërë popullin duke i kujtuar atij misionin që kishte për t’u kujdesur dhe trashëguar vlerat dhe historinë mijëravjeçare. Atdhetarët përballeshin me një përçarje dhe përgjumje në popull që shkaktohej nga politika Përça-e-Sundo e qeverisë osmane dhe armiqve të tjerë, nga ngrehinat shoqërore feudale-fisnore në Shqipëri, nga një shpërndarje e palidhur e popullatës dhe nga animet e ndryshme fetare të cilat përdornin osmanishten, greqishten, italishten e gjermanishten në vend të Shqipes. Në ato kushte hutimi por edhe lulëzimi kombëtar, shoqëria Bashkimi e Manastirit thirri më 14 Nëntor 1908 kongresin e parë të përgjithshëm për diskutimin dhe miratimin e një Abeceje të njësuar.

Aty ishin të pranishëm 150 delegatë të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë dhe nga bashkësitë shqiptare në Rumani, Turqi, Egjypt, Itali, Amerikë e gjetkë. Ata zgjodhën si kryetar Mithat Frashërin, të birin e të shquarit Abdyl Frashëri që pat kryesuar Lidhjen I të Prizrenit. Përfaqësuesi i Shoqërisë Biblike Gjergji Qiriazi u zgjodh nënkryetar, kurse prifti protestant nga Korça Grigor Cilka mori pjesë bashkë me të në Komisionin e Abecesë të përbërë prej 11 vetësh. Parashqevi Qiriazi, e Shkollës së Vajzave në Korçë, shërbeu si sekretare e komisionit. Ajo ishte e vetmja grua delegate në Manastir dhe e para grua në histori që mori pjesë në një forum mbarëshqiptar. Zonja Fineas Kenedi, një misionare amerikane në Korçë, e pranishme aty si vëzhguese, shkruante për poetin Gjergj Fishta: “Kumtesa më e mirë u mbajt nga një prift katolik nga Shkodra, fjalët e të cilit bënë që dëgjuesve t’u rridhnin lotë; një hoxhë u prek aq shumë, saqë rendi dhe e përqafoi para gjithë të pranishmëve”.

Kongresi nëntëditor vendosi me votë të plotë që shqiptarët ta linin mënjanë Abecenë e Stambollit me dhjetë shenjat e saja të veçanta dhe ta shkruanin gjuhën e tyre vetëm me Abecenë latine. Abeceja e hartuar në Manastir përmbante 36 shkronja apo bashkime shkronjash latine. Duke qenë se para kësaj mbledhjeje gjuha shqipe ishte shkruar me shkronja lindore (arabe, cirilike apo përshtatje të tyre), vendosmëria e këtyre delegatëve për t’i kthyer sytë nga perëndimi ishte haptazi një shpallje kulturore e pavarësisë, gjë që shkaktoi kundërveprime të ashpra nga bizantinët (qeveria osmane e moslemanët, qeveritë fetare sllave e greke).

Një pjesëmarrës i shquar në Kongresin e Abecesë ishte atdhetari nga Shkodra prifti jezuit Ndre Mjeda. Tetë nga trembëdhjetë parashtrimet e tij u miratuan nga Kongresi i Manastirit. Ndonëse jetoi në disa vende të huaja dhe mësoi të fliste 13 gjuhë, poeti Ndre Mjeda mbi gjuhën Shqipe nuk vinte gjë tjetër:

 

Ndër komb’ tjera, ndër dhena tjera

ku e shkoj jetën tash sa mot,

veç për ty rreh zemra e mjera

e prej mallit derdhi lot.

Nji kto gjuhë, qi jam tue ndie

janë të bukra me temel;

por prep’ këjo, si diell pa hije,

për mue t’tanave iu del.

Kongresi vendosi gjithashtu ngritjen e Shtypshkronjës Shqipe në Manastir nën drejtimin e Gjergj Qiriazit, e cila u bë shpejt e njohur anembanë vendit si shpërndarëse e librave dhe gazetave Shqipe. Por shpejt qeveria osmane i mbylli të gjitha shtypshkronjat shqipe. Megjithatë më 1911, Hoxhson, përfaqësuesi i Shoqërisë Biblike të Kostandinopojës, raportonte: “Të gjitha shkollat shqipe janë mbyllur pa pikë mëshire, kurse përpjekjet ngulmuese për ndalimin e gjuhës dhe zhdukjen e letërsisë Shqipe nuk kanë reshtur kurrë. Gjendja e rëndë politike mund të marrë flakë nga çasti në çast”. Tashmë shqiptarizmit i kishte shpërthyer lulëzimi me një përhapje e ripërtëritje që nuk do i ndaleshin më. Shqiptarët e Kongresit të Abecesë e kryen misionin e tyre; të tjerët kishin misione të tjera për të kryer në shekullin e sapofilluar dhe në shekujt e mëpasëm. (Shkrimi është mbështetur edhe në botime të autorëve Musa Ahmeti, Robert Elsie dhe Edwin E. Jacques).