Konferencë shkencore: “800-vjetori i Urdhërit Françeskan në Shqypni – 1219-2019”

Vijojnë veprimtaritë përkujtimore të Françeskanëve. Nesër, 9 nëntor, kuvendi françeskan i Gjuhadolit organizon konferencën e titulluar “800-vjetori i Urdhërit Françeskan në Shqypni – 1219-2019”.

R. SH. – Vatikan

Vijojnë veprimtaritë përkujtimore të Françeskanëve. Nesër, 9 nëntor, kuvendi françeskan i Gjuhadolit, në Shkodër, organizon konferencën e titulluar “800-vjetori i Urdhërit Françeskan në Shqypni – 1219-2019”.

Konferencën, drejtuar nga Kujtim Shala dhe Arben Prendi, do ta hapë Át Mirash Marinaj, zëvendës-provincial i Françeskanëve. Më pas do të vijohet me kumtesat, duke nisur nga kumtesa me temë, “Kremtimi jubilar i 800-vjetorit të bijve të Shën Françekut në Shqipni”, që do të mbahet nga Át Viktor Demaj. Për të vijuar me kumtesën e Kujtim Shalës “Fretënt e mëdhaj (Shkolla letrare), me atë të Aljula Jubanit “Át Marjan Prela, frati që i shërbeu historisë, përmes dokumentimit të së vërtetës”; me atë të Vinçens Markut, “Mbamendjet e mia, të Át Pierbattista Gumellit”; të Evalda Pacit “Jeta dhe bëmat e Gjergj Kastriotit në studimet e etërve françeskanë shqiptarë” dhe të Ledri Kurtit “Rreth mendimit estetik  të Át Gjergj Fishtës”. Kumtesa e fundit titullohet; “Etnogarafia juridike  e At Shtefën Gjeçovit”. Kjo, seanca e parë.

Në të dytën do të ndiqet kumtesa e Gëzim Hoxhës e Sergio Gazeas: “Dëshmi arkeologjike mesjetare mbi praninë françeskane në Kishën e Draçit, në Ishëm“; e Mimoza Prikut: “Hylli i Dritës në fokusin e albanologëve italianë”. Temat e tjera akoma, do të jenë “Françeskanët në Shkodër e rrethina, gjatë mesjetës dhe shekujve të parë të pushtimit osman”; “Kontributi i Át Justin Rrotës në fushën e sintaksës shqiptare” dhe “Memoristika e At Zef Pllumit”. Do të mbahen përkatësisht nga Anisa Kosteri e Zamira Shkreli, Edmond Mala, Bora Logu e Anisa Kosteri dhe Arben Prendi.

Gjatë konferencës do të promovohen edhe botimet e reja: “Mbamendjet e mia” nga Át Pierbattista Gumelli; “Shqypnija serafike” dhe “Misioni shetitës i françeskajve nëpër Shqypni gjatë shtatë shekujve, prej vjetit 1240 deri në vjetin 1967” nga Át Marjan Prela si dhe “Letra dhe relacione nga misionarët françeskanë ndër shqiptarë” Botime Françeskane, Shkodër, 2019.

Tematika e pasur e Konferencës nuk ka vetëm prirjen të rrokë 800-vjet veprimtari françeskane në Shqipëri, në të gjitha fushat e dijes, por edhe, e sidomos, të sjellë kontribute të reja lidhur me veprat e Françeskanëve, gurë themeli të kulturës kombëtare shqipe! E të mbushë zbraztësinë e krijuar nga 50 vjet heshtje për veprimtarinë 800-vjeçare të Bijve të Shën Françeskut në trojet shqiptare.