Konferenca e Paqes 1919 dhe Papa Benedikti XV që mbrojti Korçën nga shovinizmi grek

Imzot Luigj Bumçi i shkruan nga Kallmeti, më 30 Mars 1934 Papës Benediktit XV: Fort i Nderti Át, Ma falni, Ju lutem, pse vonova me i pergjegjë letres s’Uej, me të cillen më lypshi si pat rrjedhë puna se pështoj Korça e Gjinokastra nga akordi Tittoni-Venizelos – akord i cilli ja lëshonte Greqís te dyja provinçet shqyptare të siperpermendme. Qe si ndolli puna: Qyshë në Qershuer të vjetës 1919 kjeçë zgiedhë Kryetár i Dergatës s’Onë në Paris.

R.SH. – Vatikan

Konferenca e Paqes 1919 dhe Papa Benedikti XV që mbrojti Korçën e Gjirokastrën nga grekët, me ndërmjetësimin e klerit katolikë shqiptar

Po i paraqesim, miqve të Radio Vatikanit e Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Komunikim, një dokument historik që paraqet fakte që sot shumë pak dihen ose anashkalohen, rreth asaj se çfarë ndodhi në Konferencën e Parisit në vitit 1919 në lidhje me kufijtë e Shqipërisë.

Të dhënat janë marrë nga revista françeskane: Hylli i Dritës, 1934 vj.X – Mâj – nr. 5, fq. 219-222.

Është fjala për një letër të Emzot Luigj Bumçit, aso kohe ipeshkëv i Lezhës, që ja dërgon redaksisë së revistës “Hylli i Dritës” në vitin 1934 për botim. Kjo letër hedh dritë mbi ndërhyrjen që bëri Papa Benedikti XV pranë ambasadorëve të Anglisë e të Amerikës, duke i shpëtuar nga aneksimi që deshi t’u bëj Greqia dy krahinave shqiptare: Korçës dhe Gjirokastrës.
Në konferencën e Parisit kishin shkuar shume delegacione shqiptare si përfaqësues të Shqipërisë. Këto delegacione nuk arritën të bashkohen për të pasur një delegacion të vetëm, pse ishin të gjithë të përçarë sepse i përkisnin rrymave të ndryshme politike që në atë kohë kishin dëshirë dhe ambicje të merrnin drejtimin e vendit. Atëherë u vendos që si përfaqësues i të gjithë shqiptarëve të ishte Emzot. Luigj Bumçi me delegacionin e tij që përfshinte të gjithë shqiptarët e të gjitha krahinave. Si sekretar u vendos Át Gjergj Fishta që me këtë rast pat përgatitë edhe fjalimin e famshëm “Të drejtat e Shqipnisë dhe kufijtë e saj”.
Kjo dëshmi e Ipeshkvit Luigj Bumçit që u botua në të përkohshmen françeskane nuk u kundërshtua nga ata pjesëtar që kishin marrë pjesë në delegacionin për në Konferencën e Parisit, ku disa prej tyre ishin ende gjallë kur u bë publike kjo dëshmi historike. Kjo gjë e përforcon edhe më, dhe e vërteton si një fakt historik të ndodhur ashtu siç na e difton Emz. Luigj Bumçi, protagonisti kryesor i atyre ngjarjeve jetike për vendin tonë.
Sigurisht mund të themi se ndërhyrja e Benediktit XV për të mbrojtur Korçën dhe Gjirokastrën nga rreziku grek nuk u bë për arsye fetare, pse sikurse dihet këto dy krahina ishin me shumicë myslimane, por nga drejta natyrore që çdo komb ka për kufijtë e vet. 

 

Selia e Shenjtë dhe “çështja shqiptare 

Përpara se të kalojmë të ekspozimi i letrës – dokument, duam t’i hedhim një vështrim sintetik historisë së Shqipërisë në marrëdhënie me Selinë e Shenjtë, ku vërejmë se kjo nuk është hera e parë e as e vetme që një Papë ndërhyn në mbrojtje të çështjes shqiptare. Kjo mbështetje e Selisë së Shenjtë vinte edhe nga fakti se Shqipëria ishte një vend me fe katolike dhe që kishte pësuar një kalvar të dhimbshëm për këtë identitet, jo vetëm për këtë, por kjo ndihmesë morale, politike e kulturore donte të tregonte se çdo popull dhe komb ka të drejtë të vetëqeveriset dhe të jetoj i lirë në trojet e veta, të këtë gjuhën, zakonet dhe historinë e tij.

Papët në mbrojte të pamvarësisë  territoriale

Po lëmë jashtë vështrimit kohën e lavdishme të fatosit kombëtar Gjergj Kastriotit ku pati mbështetjen e disa Papëve përkatësisht katër Papëve. Mbas pushtimit turk Shqipëria u fut në një labirint vuajtje, persekutimi fetar dhe mjerimi më shumë se sa popujt e tjerë të Ballkanit. Por as në këto kohë të zymta nuk u harrua nga Selia e Shenjtë, dhe gjatë kësaj periudhe ne konstatojmë se mbështetja e Papëve nuk i mungoi dheut të arbënit, pra është e lidhur ngushtë me pavarësinë tonë kombëtare.

Po e rreshtojmë këtu sa më shkurtë disa fakte konkrete në lidhje me këtë çështje.

Papa Pio V në vitin 1571 mendon të emëroi një kardinal për Shqipërinë, dhe i jep si mbrojtës kardinalin Santoro që të merret me çështjen shqiptare. Pas këtij emërimi kemi emërimet e disa kardinalëve tjerë që të merren më problemin e Shqipërisë pra për lirimin e saj nga pushtuesi anadollak. Papa Gregori XIII viti 1584 mendon për lirimin e Shqipërisë nga zgjedha aziatike, ndërsa Papa Klementi VIII në vitin 1593 merr parasysh lutjen që i bëjnë krenët e Shqipërisë për liri dhe në vitin 1595 jep një shumë të hollash për realizimin e këtij qëllimi. Po ashtu në vitin 1597 anijet e Papës me ato të Venedikut mundohet të lirojnë Vlorën nga kthetrat osmane. Ndërsa Papa Pali V në vitin 1603 ia rekomandon mbretit të Spanjës Filipit III çështjen e lirisë tonë si dhe i porositë dy të dërguar nga Shqipëria që kishin shkuar për këtë çështje. Urbani VIII në vitin 1624 grish Patriarkun e Ohrit që të bashkohet me të në luftë kundra Turkut. Gjithashtu në vitin 1684 Papa sëbashku me anijet e Venedikut mundohen me i ardhë në ndihmë Shqipërisë e lirojnë Prevezen. Papa me gjak shqiptar, Klementi XI, në vitin 1711 ndërmjetëson pranë Republikës Veneciane për me i ardhë në ndihmë malësorëve të Kelmendit që po luftojshin për liri. (Shih revistën Leka 1937, 457 – 460). Edhe mbas këtyre viteve deri në 1912 nëse konsultojmë analtet e Urdhrit Françeskan si dhe ato të Selisë së Shenjtë, kronikat e ndryshme, ditarët e disa misionarëve, hasim në shumë raste të tjera ku Papët interesohen për çështjen shqiptare, për gjendjen e saj shoqërore, kulturore e territoriale.

Ndihmesa e Papëve në përhapjen e kulturës shqiptare 

Në këtë paragraf të shkurtër duam të sjellim në kujtesën tonë ndihmesën e vyer që dha Selia e Shenjtë për përhapjen e Kolegjeve, shkollave shqipe si dhe botimin e librave po në këtë gjuhë përgjatë shekujve jashtë kufijve të tokës arbnore. Për punën e madhe që bënë klerikët e Kishës Katolike e në veçanti misionarët françeskan për përhapjen e kulturës dhe të shkollave shqipe në Shqipëri gjatë pushtimit osman, meriton një studim të gjatë e një trajtim në vete. Një herë tjetër do të merremi me këtë.
Në vitin 1577 kemi Kolegjën e ritit grek themeluar në Romë edhe për shqiptarët arbëreshë prej Papës Gega (Gregori) XIII. Po në vitin 1584 – 85 ky Papë mendon edhe për një Seminar shqiptar në Bari e Leçe ku gjendeshin shumë shqiptar të shpërngulur nga dheu i tyre. Mbas kemi themelimin e Kolegjës Ilirike të Loretit, e rithemeluar nga Urbani VIII në vitin 1627 edhe për shqiptar. Po ashtu i njëjti Papë me datë 17 dhjetor të vitin 1631 me një breve të posaçme mëkambi rishtas Kolegjën Baziliane në Romë. (Shih: Hylli Dritës, 1921, n. 4, fq. 163) po ashtu kemi edhe themelimin e Kolegjës Ilirike e Fermos nga Aleksandri VII në vitin 1631.

Ndërsa në Himarë çilen dy shkolla njëra prej Klementit IX 1670 e tjetra prej Klementit X. Papa Klementi XI me origjinë shqiptare jep një shumë të hollash për shqiptarët në Kolegjën e Propagandës.

Në Romë në kuvendin Françeskan San Pietro in Montorio me 20 prill 1711 u vendos me urdhër të Papës Klementit XI të jepej si gjuhë mësimi edhe gjuha shqipe për misionarët qe do te vinin në Shqipëri.

Si fryt i kësaj iniciative u shkrua Gramatika e parë shqip në vitin 1716 nga P. Françesko Maria Da Leçe. (Shih: Hylli i Dritës, vitit 1931, n. 4, fq. 217 – 218; Hylli i Dritës, 1933, n. 5-6, fq. 239). Në Palermo ku janë të vendosur shumë arbëresh u themelua Kolegja në vitin 1730.

Kemi edhe Kolegjën e Ulanos të hapur në vitin 1732 prej Klementit XII, italo-shqiptar nga nëna. Në vitin 1740 Klementi XII duke çuar në vend dëshirën e Klementit XI themeloj kolegjën italo-shqiptare di San Adriano në S. Demetrio Corone. (Hylli i Dritës, 1921, n. 4, fq. 163).

Nuk mund të lëmë pa përmendur edhe Kolegjën e Grottaferratës në Romë, ku në bibliotekën e saj ruhen edhe dorëshkrime në gjuhën shqipe, etj.  Jo vetëm në hapjen e shkollave, seminareve për shqiptarët, por Selia e Shenjtë dha një ndihmesë të çmuar edhe në botimin e librave shqip në atë kohë kur Shqipëria lëngonte e robëruar nën Turqi. Propaganda Fide (Propaganda e Fesë) e themeluar në Romë në vitin 1622 dha një ndihmesë të madhe dhe vendimtare për botimin e librave në gjuhën shqipe, kjo ndihmesë vazhdoi për gati pesë shekuj. Për botimin e librave në gjuhën shqipe mund të themi shkurtazi se kemi më shumë se 31 libra të botuar me anë të shtypshkronjës së Propagandës në Romë, duke filluar që nga viti 1618 me Budin, Mons. Fr. Bardhin, me Fra Françesko Maria Da Leçe, etj. Të gjithë këto libra kanë një rëndësi të madhe për ruajtjen e identitetit gjuhësor e kombëtar të Arbnorve. (Shih revistën Leka 1937, 460 – 461).

Në shikim të parë mund të duken shumë pak 31 libra të botuar në atë periudhë për kohën që jetojmë sot, por për atë kohë për çdo botim në gjuhën shqipe ose edhe nëse të gjenin libra në gjuhën shqipe rrezikoje jetën dhe persekutime nga më të ndryshme.  Kjo që thamë më lartë është thjeshtë një penelatë nga ajo që mund të shkruhet mbi ndihmesën dhe kontributin që Papët dhe Selia e Shenjtë i dhanë popullit shqiptar nëpër rrjedhat e historisë së tij.

Nji fletë e ré në historín kombtare

Ndolljen me tana rrethanat, si tregon shkresa, të cilen, fjalë për fjalë ktû po e botojm, patem rasë me ndie mâ se nji herë prej sa misvet të dergatës shqyptare në Paris. Kshtu flitte i ndjeri Luigj Gurakuqi, kshtu na e verteton Drejtori i jonë Á. Gjergj Fishta, at herë sekretár i Dergatës, e kshtu, pat mirsín, si mbas kerkesës s’onë, me na e vertetue edhe me shkrim i Përndritshmi Emz. Luigj Bumçi, at herë kryetár i dërgatës shqyptare në Konferencën e Parisit. Per randsí qi ká ky dokument në historín e ndertimit t’onë porsì shtet e per skjarim të sa paragjykimevet të tashme e t’ardhshme mbi kontributin e klerit katolik per çashtjen kombtare, teksualish i a njohtojm publikut shkresat e çmueshme qi kemi në dorë. Ky dokument ka randsí nji herë mâ të madhe, kurse Korçë e Gjinokaster nuk janë vise të banueme prej katolikve. Sh. R.

Fort i Nderti Át
Ma falni, Ju lutem, pse vonova me i pergjegjë letres s’Uej, me të cillen më lypshi si pat rrjedhë puna se pështoj Korça e Gjinokastra nga akordi Tittoni-Venizelos – akord i cilli ja lëshonte Greqís te dyja provinçet shqyptare të siperpermendme.
Qe si ndolli puna:
Qyshë në Qershuer të vjetës 1919 kjeçë zgiedhë Kryetár i Dergatës s’Onë në Paris.
Me 9 Tetuer t’asajë vjete fletorja “il Giornale d’Italia” lajmon çiltas se “mas akordit Tittoni – Venizelos dy Provinçiet Shqyptare, Korça e Gjinokastra do t’i epen Greqís”. Dergata e jonë at herë me të shpejtë i paraqiti Konferencës së Pagjës nji protestë kundra ktí akordi.
Me 9 Nanduer 1919 po ajo Gazetë boton prep ato fjalë, d.m.th. mas akordit Tittoni-Venizelos Korça e Gjinokastra do t’i dorxohen Greqís.
At kohë Dergata e jonë më ngarkoj me u pa me Z. Tittoni-n qi ndollej në Paris mas hikjes së Z. Orlando-s e Sonnimo-s, qi ishte Kryetár i Dergatës italiane. Edhè une u takova me tê, por gjâ konkrete prej bisedimit nuk mujta me xjerrë.
Në mbledhje qi Dergata mbajti n’e nesre, ja diftova gjith misvet bisedimin me Z. Tittoni-n.
Prep me 9 Dhetuer 1919 fletorja “il Giornale d’Italia” e persritë po ato fjalë mbi Korçen e Gjinokastren. N’at kohë Z. Tittoni nuk gjindej në Parisë, e vendin e tí e kishte xânë Z. Scialoja.
Shkova edhè te ky, por pa kurrfarë rezultati.
Ishte, per sá mbajë mênd, 21-22 Dhetuer 1919 kurse në mbledhje qi patme, të gjith misat e Dergatës, e nder ta ma i nxeti e ma i pari, e ndieri Z. Myfid Libohova, m’u lutne t’a bâjshe nji sakrific per atdhen t’onë e t’u nisëshe për Rome, ku të bâjshe çë mos per me pase audjencë prej Shêjtnís së tij Papës Benedikt XV. Atí të Ja parashtrojshe gjendjen e rrezikshme të dy provinçeve t’ona, Atí t’i lypshe ndimë qi Shêjtnija e Tí t’i pështonte.
Ju pergjegja shokve n’at mbledhje se lutja n’at punë nuk kishte vênd, se çashtja e Shqypënís ishte çashtja e të gjithve bashkë e e secillit nder né: prá kjè se Dergata e shef të nevojshme qi une si Kryetari i sajë t’a bâj udhtimin per Romë, ket udhtim e kam me detyrë. Kështu u vêndue qi unë bashkë me Z. Mehdi Frasherin t’u nisëshim per Romë.
Me 26 të Dhetorit u nisme e me 28 mërrime në kryeqytetin e Italís.
S’kaluen trí kater dit xora audjencën e u gjeta perpara Shêjtnís së Tij Papës Benedikti i XV.
Bisedimi nuk kjè i gjatë, kjè i shkurtë mjeft, por edhè pse i shkurtë kje i mjeftueshem per qellimin t’onë.
Si ja diftova pse kishe marrë udhtimin per Romë, e pse u gjindëshe perpara Shêjtnís së Tij, kuvêndin e mbylla me kto fjalë: “tesh pra, Shêjtní, të gjith misat e Dergatës shqyptare qi janë në Paris e qi shumica âsht mysliman, më kan çue ktu perpara Shêjtnís s’Uej e të gjith per nji gojë U luten qi me fuqn t’Uej morale e me influencen e madhe qi keni në boten marë, të na epni ndihmen t’Uej të vlefshme si e ku dini Ju Vetë, qi të na pështojnë dy provinçet shqyptare Korça e Gjinokastra, të cillat janë në rrezik prej akordit Tittoni-Venizelos”.
Mbasi marova fjalët e mija, Papa Shêjt, si pat ndêjë nji grimë herë pa bâ zâ, u suell e me tha: Po shka të bâj per Ju? Me Italí s’kam shka me bâ, e din gjith bota si jena: me Francë marrëdhanjet janë këput – shka të bâj?
Mora guxim e i pergjegja: A m’epni lejen me folë, Shêjtní? Fol, fol me tha, shka të kesh me thanë thueje. Un kishe me thanë, Shêjtní, se bota s’ká metë vetun në Italí e në Francë; – ká në botë edhe Anglí Shtete te Bashkueme t’Amerikës. Bani buzën në gaz, e me i’herë më pergjegji: ké të drejtë. E pra neser do të piqemi me Ambasadorin e Anglís, masnesri me atê të Shteteve të Bashkueme; e po t’ap fjalen se me te dy kam me folë e me ja porositë dy provinçet qi kenkan në rrezik e kam me bâ shka të mundem per me Ju ndihmue. Zoti ká m’e bâ mirë se prei Konferencet të Paris-it mos pritni punë të mira pse Zotin e kan qitë jashtë, e atý kû s’asht Zoti drejtsija s’mundet me kênë.
Une at herë qi kishe bâ gati nji memorandum per me ja lânë, tuj e nxjerrë prei xhepit e tuj e mbajtë në dorë: Shêjtnija e Juej i thaçë, ká punët e botës marë, e prandej a kam lêjen me Ju lanë ket memorandum qi mos t’a harroni çashtjen t’onë? Po, po, lêne ktu pse nuk kam m’e harrue. U çova e i rashë ne të dy giûjt. Ju fala nderës sá mujta, e si mora bekimin, at herë dola krejt i kënaqun e shkova tuj mêndue me vedi: A thue po na shkon kot ky udhtim qi prej Paris-it bâme deri ktu? Gjith kjo shpresë qi fjalët e Shêjtnís së Tij më njallne në zemër, a mundet me më rrêjtë? Jo, jo s’mundet me kênë kurr. Sa dola prej Vatikanit u poqa me Z. Mehdi Frasherin të cillit ja diftova fjalët qi më tha Benedikti XV, edhè ky Zotní met faret i kënaqun tuj shpresue se me nderhymje të Papës Korça e Gjinokastra kishin pështue.
Me gjith kto shpresa të mira në zemër, kthyeme në Paris ku me padurim po na pritëshin shokët.
Kur u mblodhme ne zyren e Dergatës, i parashtrova shkurtazi nji ekspozé të misjonit t’onë në Romë, e kur në fund u diftova bisedimin e Shêjtnís së Tij, e si na dha fjalen se do t’u mundote per çashtjen t’onë, per të cillen kishte çfaqë qyshë në fillim nji interesim të madh, fjalët e mbrame të Shêjtit Át Papë i priten në kambë me brohorí të madhe e me duertrokitje britne të gjith nji zâni: Rroftë Papa! Korça e Gjirokastra kan pështue: e pështuene pernjimend.
Kjo âsht rrjedhja e vertetë. Kjo âsht nji faqe e historís s’onë.
Kallmet 30 Mars 1934
† LUIGJ BUMÇI
IPESHKVI I LEZHËS
( Shkrue nga ÁT VITOR DEMAJ; Marrë nga revista françeskane: Hylli i Dritës, 1934 vj.X – Mâj – nr. 5, fq. 219-222).