Komisioni europian rekomandon sërish hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Komisioni europian rekomandon sërish hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut: kjo u bë e ditur sot nga Komisioneri për Zgjerimin Johannes Hahn gjatë prezantimit të Paketës së Zgjerimit në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit europian, të mërkurën paradite.

“Shqipëria ka çuar përpara reformat, veçanërisht një transformim të madh të sistemit të Drejtësisë, përfshirë një proces të paprecedentë rivlerësimi të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, u shpreh zoti Hahn, duke shtuar se “Maqedonia e Veriut jo vetëm që vijon reformat e saj ambicioze, por arriti dhe një marrëveshje historike me Greqinë, duke zgjidhur problemin e gjatë të emrit. Kjo marrëveshje, së bashku me atë të arritur me Bullgarinë, është një shembull për forcimin e marrëdhënieve fqinjësore në rajon, është një shembull i shkëlqyer për vendet e tjera, dhe dëshmon fuqinë tërheqëse të perspektivës europiane”.

Komisioneri europian, theksoi se “të dyja vendet kanë bërë përpara me reformat, vecanërisht në fushat e përcaktuara nga Këshilli në Qershor 2018. Për këtë arsye Komisioni europian i rekomandon Këshillit hapjen e bisedimeve tani, si me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut. Që të mbetet i besueshëm, Bashkimi europian duhet t’i përmbahet angazhimeve të veta dhe t’u përgjigjet qartë dhe pozitivisht, kur vendet i përmbushin detyrimet e tyre”, deklaroi zoti Hahn.

Në përmbledhjen e vlerësimit që Komisioni Europian i dërgon Këshillit dhe Parlamentit europian për Shqipërinë, vihet në dukje se vendi “ka vazhduar të bëjë përparim të mirë dhe dëshmoi vendosmërinë e tij të vazhdueshme për të përparuar me agjendën e Bashkimit Europian. Shqipëria ka patur rezultate të prekshme dhe të qëndrueshme, veçanërisht lidhur me kushtet e përcaktuara në Përfundimet e Këshillit të Qershorit 2018 për hapjen e negociatave të pranimit, në një atmosferë politike të polarizuar vazhdimisht”. Dhe lidhur me këtë situatë politike, Komisioni thekson se “partitë e opozitës, shumica prej të cilave hoqën dorë nga mandatet e tyre parlamentare në shkurt të vitit 2019, duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në institucionet demokratike dhe të angazhohen për një konsensus të gjerë evropian”.

Komisioni Europian thekson se “zbatimi i Reformës në Drejtësi ka vijuar në mënyrë të qëndrueshme, duke sjellë një progres të mirë në përgjithësi dhe duke hedhur themelet për forcimin e sektorit dhe konsolidimin e pavarësisë, paanshmërisë, profesionalizmit dhe llogaridhënies. Rezultate konkrete janë arritur në rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ristrukturimi institucional i gjyqësorit ka vazhduar gjithashtu”.

Sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, Komisioni vëren se “kanë vijuar përpjekje të vendosura, përfshirë luftën kundër trafikimit të drogës dhe kultivimit, duke kontribuar në krijimin e një baze të qëndrueshme të dhënash në hetime proaktive, ndjekje penale dhe dënime. Vitet e fundit, Shqipëria tregoi në vijim, një angazhim të fortë për të luftuar prodhimin dhe trafikimin e kanabisit”. Po ashtu vlerësohet dhe bashkëpunimi ndërkombëtar i policisë shqiptare, veçanërisht me Shtetet anëtare të BE-së, i cili “është intensifikuar, duke çuar në një numër operacionesh të suksesshme të zbatimit të ligjit në masë të madhe dhe arrestimin dhe ndjekjen penale të krerëve të organizuar kriminalë”. Por sipas Komisionit “krijimi i një regjistri të qëndrueshëm të hetimeve proaktive, ndjekjeve penale dhe dënimeve në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet dhe në luftën kundër krimit të organizuar mbetet një sfidë afatgjatë që vazhdon të kërkojë përpjekje të mëtejshme të përforcuara dhe të qëndrueshme nga Shqipëria, duke përfshirë bashkëpunimin operacional me Shtetet Anëtare të BE.

Në vlerësimin e tij ndërsa thekson se “në dritën e progresit të arritur dhe kushteve të vendosura unanimisht nga Këshilli në qershor 2018, Komisioni rekomandon që Këshilli të hap tani bisedimet e anëtarësimi me Shqipërinë”, duke nënvizuar se “për të mbështetur momentin e vijueshmërisë së reformave, Komisioni do të zbatonte një qasje të përforcuar për kapitujt negociues mbi gjyqësorin dhe të drejtat themelore, si dhe drejtësinë, lirinë dhe sigurinë në vend. Shqipëria duhet të vijojë të rregjistrojë rezultate të qëndrueshme në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet dhe në luftën kundër krimit të organizuar. Një konsensus më i fortë kombëtar mbi prioritetin mbizotërues të integrimit në BE, tejkalimi i polarizimit aktual dhe demonstrimi i vullnetit politik që shkon përtej ndarjeve mes partive, është gjithashtu i nevojshëm për të mbështetur dhe konsoliduar përparimin e bërë nga vendi”.

VOA