Komisioneri Europian për emigracionin, Dimitris Avramopulos: Do rikthejmë vizat për shqiptarët, nëse kërkojnë azil në BE

Komisioneri Evropian për Migrimin: Për momentin nuk ka problem, por ne po monitorojmë situatën

Shqipëria rrezikon rikthimin e regjimit të vizave nëse kërkojnë azil në BE më shumë se gjysma e shqiptarëve që dalin jashtë vendit. Paralajmërimi u bë në Tiranë nga Komisioni Europian për emigracionin Dimitris Avramopulos, gjatë një ministeriali të Bashkimit Evropian  dhe Ballkanit Perëndimor për Çështjet e Brendshme. Gjatë fjalës së tij, Komisioneri Evropian për Migrim, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësi sqaroi se çfarë e aktivizon mekanizmin e pezullimit të vizave. “Mekanizmi i pezullimit të vizave nuk është vënë në lojë, por nëse ka një rritje të emigracionit me mbi 50% të emigracionit të paligjshëm dhe ka refuzim të kthimit në vendlindje atëherë ekziston edhe kjo mundësi”- tha Avramopulos. Një mundësi tjetër është dhe nëse ka cënim të sigurisë nga aktet terroriste edhe në këto raste kërkohet aplikimi i vendosjes se mekanizmit të pezullimit të vizave. “Për momentin nuk ka problem, por ne po monitorojmë situatën”- deklaroi Dimitris Avramopulos. Duhen rritur përpjekjet në rajon që të ulet më tej emigracioni dhe kontrabandimi, tha komisioneri Avramopulos duke i kujtuar partnerët dhe kolegët e Ballkanit Perëndimor për rëndësinë, jo vetëm të abuzimit me sistemin e azilit, por dhe të përafrojnë politikat e tyre të vizave me BE që të mos rrezikojnë mundësinë e lëvizjes pa viza drejt BE. Deri në fund të vitit do të bëhet një vlerësim i situatës dhe do të hartohet një raport. Këto përgjigje i dha interesimit të gazetarëve komisioneri Avramopulos në konferencën e përbashkët për shtyp pas mbledhjes së ministerialit të Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor për Çështjet e Brendshme të Drejtësisë, i cili u zhvillua në Tiranë.

Pyetje-përgjigjet

Ju thatë që brenda vitit Bashkimi Evropian do të vendosë nëse do të ri-kthehet regjimi i vizave ose jo. A është Shqipëria një nga vendet më problematikë, që po e detyron BE të diskutojë këtë vendimmarrje?

Avramopoulos: Për sa i përket pezullimit të vizave është mirë që ju të dini se ne vazhdojmë ta monitorojmë situatën dhe ndërkohë më duhet të them se ky është një proces që bëjmë monitorim për të gjitha vendet, jo vetëm për Shqipërinë. E thashë pak më përpara, që do të raportojmë në fund të këtij viti në Raportin e dytë për mekanizmin e pezullimit të vizave. Mekanizmi për pezullimin e vizave mbulon të gjitha vendet, të cilat nuk përdorin viza, kështu që është paraqitur që të ulen rreziqet me migracionin e paligjshëm dhe të forcojmë përpjekjet tona të përbashkëta në këtë front. Kjo do të thotë që duhet të shmangim abuzimet, por nga ana tjetër do të thotë që të bëjmë përafrimin e politikave të vizave me standardet e politikave të Bashkimit Evropian për regjimin pa viza. Ndërkohë sistemi ose mekanizmi i pezullimit nuk është vënë në lojë. Tani, çfarë mund të çojë në vënien në lojë të këtij mekanizmi? Së pari, këtë mund ta bëjnë shtetet anëtare, pra nëse për një periudhë 2-mujore ato hasin në një ose më shumë nga rrethanat e mëposhtme d.m.th.. nëse ka një rritje të migracionit të paligjshëm mbi 50 % dhe n.q.s. personat refuzojnë që të kthehen. Kjo është e para. Së dyti, nëse ka një rritje thelbësore, sërish mbi 50 % në aplikimet për azil në nivele të ulëta njohjeje dhe n.q.s. ka ulje të bashkëpunimit dhe ri pranimit. Nëse ka rritje të kërcënimeve të sigurisë të shteteve anëtare, në veçanti nëse bëhet fjalë për vepra të rënda penale. Për sa i përket Komisionit, edhe Komisioni në vetvete mund të marrë iniciativën për të vënë në lojë mekanizmin e pezullimit n.q.s. nuk respektohen këto parakushte për liberalizimin e vizave. Më lejoni të them se liberalizimi i vizave u është dhënë shteteve që ju përmenda pak më sipër, por u takon autoriteteve përkatëse, por edhe vetë qytetarëve të vendeve përkatëse që të mbrojnë atë që ju është dhënë atyre nga Bashkimi Evropian. Kështu që ne po vazhdojmë, të monitorojmë situatën nuk ka problem për momentin, por gjatë gjithë kohës i kemi ‘sytë hapur’,  jemi vigjilent.

Dhe një pyetje e dytë, për Komisionerin, si i vlerësoni rezultatet e luftës kundër krimit të organizuar dhe kundër drogës në Shqipëri, a mendoni se mund të bëhet kjo pengesë që në Qershor Shqipëria të mos hapë sërish negociatat me BE-në?

Avramopoulos: Për sa i përket luftës së përbashkët kundër drogës, besoj se kam qenë shumë i qartë. Përpara e shpjegova se si bashkëpunojmë ne dhe jam më se i bindur që Shqipëria i ka marrë përsipër përgjegjësitë e veta në mënyrë që t’i luftojë dhe të shkatërrojë të gjithë trafikantët, qoftë brenda Shqipërisë dhe më tej dhe ne bashkëpunojmë bashkë dhe kjo në fakt është ajo çfarë është parashikuar në atë çka kemi nënshkruar dhe diskutuar muaj më parë.