Kisha na fton t’i afrohemi festës së Rrëshajëve në bashkim me Virgjërën Mari

Pas festës të të Shëlbuemit, Kisha përgatitet për solemnitetin e madh të Rrëshajëve, që do të kremtohet të dielën më 31 maj. Prandaj na fton të gjithë besimtarëve të mblidhemi në uratë, siç patën bërë Apostujt, e të lutemi për ndikimin e Shpirtit Shenjt Zot, në bashkim shpirtëror me Virgjërën Mari, së cilës i kërkojmë që, me ndërmjetësinë e saj, të na nxjerrë hirin e Rrëshajëve të reja.

R.SH. – Vatikan

Pas festës të të Shëlbuemit, Kisha katolike romake përgatitet për solemnitetin e madh të Rrëshajëve, që do të kremtohet të dielën më 31 maj. Kisha, pra, na fton të gjithë besimtarëve të mblidhemi në uratë, siç patën bërë Apostujt, e të lutemi për ndikimin e Shpirtit Shenjt Zot, në bashkim shpirtëror me Virgjërën Mari, të cilës i kërkojmë që, me ndërmjetësinë e saj, të na nxjerrë hirin e Rrëshajëve të reja.

Po si mund të bashkohemi shpirtërisht me Virgjërën Mari, në sa përgatitemi për këtë takim me Shpirtin Shenjt?

Përgjigjet, në mikrofonin e Radios sonë, imzot Angjelo Komastri, vikar i Papës për Qytet-Shtetin e Vatikanit:

“Më se një herë kam menduar se Apostujt, pas të ngjiturit të Krishtit në qiell, për një çast do të jenë shastisur e ndoshta-ndoshta edhe do të jenë trembur. Jezusi u pati thënë atyre: “Unë po ju dërgoj në mbarë botën. Shkoni e predikojani Ungjillin të gjitha krijesave”. Unë mendoj se në të çast apostujt do të kenë pyetur vetveten: “E si mund të shkojmë në gjithë botën, kështu siç është, e ta kumtojmë Ungjillin, që duket krejt në kundërshtim me ç’mendon bota? Si mund të shkojmë e të themi: “Lum të varfërit”, kur të gjithë s’kërkojnë tjetër, veçse të bëhen të pasur? Po si mund të shkojmë e të themi: “Lum të butët”, kur të gjithë duan të sundojnë mbi të tjerët? E si mund të shkojmë e t’i themi njerëzve “Lum ata që e kanë zemrën e pastërt”, kur jemi të sigurt se do të tallen me ne? Unë besoj se në atë çast do të ketë ndërhyrë Zoja e Bekuar e do t’u ketë thënë Apostujve: “Pse keni frikë? E harruat atë që ju tha Jezusi? Ju tha që para se të niseni, duhet të shkoni në Jerusalem e të mos lëvizni nga Jerusalemi, para se të përmbushet premtimi; premtimi që ju bëri: “Do të jeni përplot me Shpirtin Shenjt”.

Atëherë ata u mblodhën në lutje e Shën Luka ungjilltar në ‘Veprat e Apostujve’ tregon: “ Ishin një zemre e një zëri me Marinë”. Kjo është fotografia e Kishës. Ishin një zemre: atëherë krenaria ishte zbehur, për t’ia lë vendin lutjes. E ishin së bashku me Marinë, gruan që të edukon në fe: e erdhën Rrëshajët. Mund të themi, pra, se Rrëshajët janë parakusht i apostullimit. Kisha duhet të shkojë si misionare në botë; e ka për detyrë të shkojë, ashtu si e ka për detyrë të ndalohet në Jerusalem: “Prisni – pati thënë Jezusi: Prisni, derisa të përmbushet premtimi”: këtë u kujtoi Zoja e Bekuar Apostujve. Duhet të hyjmë vazhdimisht në Çenakull e të dalim prej andej vetëm atëherë, kur të mbushemi përplot me Shpirtin Shenjt. Në se nuk do ta kemi forcën e Shpirtit Shenjt, s’jemi tjetër, veçse përsëritës të Ungjillit, por jo dëshmitarë të Ungjillit.