Kisha e Shkrelit nga albanologu austro-hungarez Franc Baron Nopsca deri sot

Padyshim që historia e kësaj krahine është e lidhur ngushtë me historinë e kishës, kjo gjithashtu e bën atë edhe një histori kulture përpos se një histori luftërash të përgjakshme.

E para dëshmi e shkruar për ekzistencën e kishës shenjte, si objekt ne këtë krahinë, vjen prej albanologut të shquar austro-hungarez Franc Baron Nopsca, i cili, në një dorëshkrim të vetin, na tregon sesi një farë Mal Pepa nga Shkreli diku rreth vitit 1625, duke ndertuar shtëpinë e vet në Prelë Ivanaj, pas malit te Bulecit, gjen atje një kishë. Natyrisht rrenojat e gjetura të kësaj Kishë prej Mal Pepës tregojnë se kohë më parë kjo kishë paska pa qenë e ndërtuar. Ajo kishë e sipërpërmendur ka mundur të jetë sipas traditës, në vendin e quajtur “Glec”, ku prej kohësh flitet për një kishë të vjetër, kushtuar Shëna Prenës. Për të njëjtën gjë flet edhe i dërguari i Selisë Shenjte në Shqipëri, Shtjefen Gaspri në vitin 1671. Ai ndër të tjera thotë se Shkreli ka Kishen e vet kushtuar Shëna Prenës dhe se, kujdesin për këtë Kishë e ka prifti i Rrjollit, At Klementi nga Brindisi. Që të ketë ekzistuar edhe më heret Kisha katolike ne Shkrel dëshmon edhe Frano Bardhi në relacionin e vet dërguar Selisë Shenjte në vitin 1635, ku ndër të tjera thotë se Shkreli ka pasur kishën e vet kushtuar Shën Nikollës dhe ka shërbyer për 56 shtëpi dhe 520 banorë. Po kështu ka dokumente se kisha të vogëla e të vjetëra, ka pasur edhe në Gerben, Serkuj, Zagorë, në mahallen e Kolajve, ku sot janë vorrezat dhe në Zhaje, te Brija e Fierkuqe dhe në Ducaj, ku ekziston edhe sot e kësaj dite. Burimet për dy kishat e hershme Shëna Prenës e Shën Kollit mund të komentohen mbi faktin se, krahina e Shkrelit ka pasur dhe ka dy festa kushtuar këtyre dy shenjtëve.

Sa i takon të dhënës tjetër mbi ndërtimin e një Kishe më 1775 prej Dom Jak Tanushit (Zorbës), duhet të themi se këtu bëhet fjalë për ndërtimin e kishës mbi themelet e së rrenuarës, pikerisht në vendin ku ndodhet kisha e sotme.

Po në këto vite kisha e Shkrelit duhet të ketë fituar dhe atributet e famullisë. Gjer në atë kohë të gjitha shenimet famullitare mbaheshin prej kishës së Rrjollit. Prej kësaj kohe e kendej kisha e Shkrelit është bërë gjthnjë e më tepër një vend i shenjtëruar procesionesh, lutjesh e qendër kulture.

I pari famullitar qe njihet deri më sot duket se ka qenë Dom Simon Berisha, i cili e ka filluar ketë detyrë më 1847 dhe ka ndërtuar katin e parë të qelës së sotme, e cila kishte pas qenë djegur vite më parë. Prej këtij viti e deri më 1850, ndër dokumentacione të kishës përdorej gjuha italiane, më pas vihet re një kthim në gjuhën e moçme të kishës, në atë latine, që bëhet prej Dom Mati Pasterpati, ndihmës famullitar i Shkrelit..

Rregjistri i kishës dhe i famullisë së Shkrelit mbetet sot e kësaj dite si një ndër burimet më serioze e më të besueshme sa i takon referimeve historike. Ai është një dokument i pazëvendësueshëm. Në të mund të gjenden lista e tokëve të kishës, vendimet e marrura me rastet e vizitave baritore, sic është ai i Imzot Topich etj. Rregjistri ka dy revizjone. I pari i bërë me 21 qershor 1841 prej Imzot Luigjit, Ipeshkëv i Shkodres dhe administrator apostolik i Pultit, dhe i dyti më 6 qershor 1848 prej Fr.Gjoni Topich, Ipeshkëv e administrator apostolik i Shkodrës. Ky i fundit bën edhe vërejtjen për ndjekjen me besnikëri të formulës së përshkruar prej ritualit roman. Kisha e sotme e Shkrelit u riparua e restauruar sërish me 1900 prej Imzot Nikollë Ashtës, i cili i shtoi edhe një kat qelës ekzistuese. Kurse më 1929, Imzot Lazer Mjeda, arqipeshkev i Shkodres, realizoi dhe disa riparime themelore e të rëndësishme. Këtu më poshtë po shënojme rendin kronologjik të famullitareve dhe ndihmës famullitarëve të Shkrelit prej vitit 1847 e deri më sot:

Data e fillimit - Emri - Vendlindja - Data e mbarimit
    ?      D. Simon Berisha           ?      16.2.1847 
 18.2.1847 D. Gasper Bytyci           ?      12.2.1849 
    ?      D. Zef Asti (Nd)           ?      21.4.1848 
    ?      D. Pjeter Porati (Nd)    Triepsh  12.2.1849 
 21.2.1849 D, Ndue Shllaku          Shkoder   8.2.1850 
 23.2.1849 D. Pashk Klari (Nd)        ?      15.2.1850 
 11.2.1850 D. Jak Dedaj               ?      14.3.1851 
 24.2.1850 D. Mati Pasterpati (Nd) Barbullush 7.6.1851 
  6.3.1851 D. Ndue Sheldia            ?      25.2.1852 
 25.2.1852 D. Gjergj Kabashi          ?      15.2.1853 
 25.2.1852 D. Mark Shilani (Nd)       ?      15.1.1853 
 15.2.1853 D. Mark Shilani            ?       8.2.1857 
  5.6.1853 D. Ndue Shllaku (Nd)      Shkoder 19.2.1854 
 19.2.1854 D. Zef Kiri (Nd)           ?      24.2.1857 
 17.2.1857 D. Ndue Shllaku           Shkoder 14.2.1858 
 24.2.1857 D. Mati Radovani (Nd)     Shirokë 31.1.1858 
 27.2.1858 D. Gjon Spathari           ?      15.8.1858 
 16.3.1858 D. Ndue Shllaku (Nd)      Shkoder 15.8.1858 
 15.8.1858 D, Ndue Shllaku           Shkoder 17.2.1862 
 23.5.1859 D. Pjeter Purati (Nd)     Triepsh 14.7.1859 
 18,2.1862 D. Zef Shestani            ?       2.4.1866 
    ?      D. Mati Begu (Nd)         Shkoder    ? 
 27.4.1866 D. Agostin Barbullushi    Shkoder  8.1.1874 
 27.9.1870 D. Pjeter Ivanaj (Nd)     Kastrat 14.1.1874 
  8.1.1874 D. Tomë Volaj             Shiroka 10.3.1875 
 10.3.1875 D. Mëhill Negri           Shkoder  6.2.1877 
 18,2,1876 D. Mark Klari (Nd)        Shkoder 16.2.1878 
 20.2.1877 D. Mati Radovani          Shirokë 16.2.1878 
 16.2.1878 D. Mark Klari             Shkoder    ? 
    ?      Imz. Ndoc Bozhi           Shkoder    ? 
    ?      D. Mark Kumrija (Klari)   Shkoder    ? 
    ?      D. Pjeter Ivanaj          Kastrat    ? 
    ? 1892 D. Ndoc Nikaj             Shkoder    ? 1893 
    ? 1893 D. Nikollë Radovani       Shirokë    2.1895 
    ? 1894 D. Nikollë Ashta (Nd)     Shkoder    2.1895 
    2.1895 Imz. Nikollë Ashta        Shkoder    2.1915 
 12.3.1895 D. Pjeter Tusha(Nd)       Shirokë      1898 
    ? 1903 Imz. Luigj Bumci (Nd)     Shkoder      1903 
    2.1915 D. Fran Karma (Dekan)     Shkoder 28.4.1925 
 28.4.1925 D. Lekë Sirdani              Bogë 12.4.1926 
    7.1925 D. kolec Prennushi (Nd)   Shkoder    9.1925 
 12.4.1926 D. Ndre Zadeja            Shkoder 12.4.1934 
 12.4.1934 D. Gjergj Volaj           Shiroke    ? 1940 
    ? 1940 D. Nikollë Gazulli Dajç - Zadrim     ? l946 
    ? 1946 D. Pjetër Çuni                ?      ? 1947 
    ? ?    At Florijan Berisha (përkosisht) ?   ?   ? 
    ? ?    At Anton Luli (përkosiaht)   Lohje   ?   ? 
21.12.1949 D. Cyrill Cani                 ?   8.7.1952 
 16.8.1952 D. Pjetër Gruda Grudë -Mali i Zi 27.11.1959 
25.11.1959 D. Ndoc Volaj             Shirokë 9.04.1967 

Këtu përfundon lista e prifterinjve të kësaj famullije për arësye të mbylljes së kishës nga Partia Komuniste e Shqipërisë. Pas rihapjes se kishës vargu i meshtarëve vazhdon kështu :

? 1992. D. Millorad Defar Bosnja Hecegovina 11.IV. 1996. 11.IV. 1996 D. Nikë Ukgjini Kosova Kjo kishë, siç shihet edhe nga lista e sipërme, ka dëgjuar fjalet e urta të këtyre meshtarëve të ditur dhe, ndoshta edhe për këtë arësye ka qenë historikisht e sulmuar. Por po aq sa ka qenë e sulmuar, aq ka qenë edhe e mbrojtur prej banorëve bujarë të Shkrelit. Dy herë u dogj dhe një herë u mbyll kjo shtëpi e Zotit gjate historisë së re. Më së pari prej hordhive të Shefqet Turgut Pashës me 25 maj të 1911, së dyti gjatë trazirave të luftës ballkanike prej serbo-malazezeve dhe u mbyll prej vetë “shqiptarëve të kuq e të pa fe” më 1967.

E fundit meshë e asaj kohe ishte ajo e dhëne prej Dom Ndoc Volajt, ditën e larit të vitit 1967. Më pas ajo mbyllet dhe keqpërdoret për të kryer funksione banale si magazinë, mencë, dyqan e të tjera gjëra të kësaj natyre. Por e gjithë kjo orgji mëkatare merrej vesh se s’e kish të gjatë. Me fillimin e proceseve demokratike në gjithë Evropen Lindore edhe ne Shqipëri në vitet 1990-1991 rifilloi procesi i shenjte shumëshekullor për popullin shqiptar, si dhe për vetë popullin e Shkrelit. Mesha e parë mbas 24 vjetësh diktature u dha prej At Konrad Gjolajt, më 24.11.1990, menjëherë pas meshës së parë dhënë në Shkodër, ende ndën terrin e diktaturës prej Dom Simon Jubanit. Kjo meshë u mbajt me iniciativën e vetë shkrelasve që u kujdesuan së tepërmi për këtë rifillim. Në oborrin e kishës e në praninë e një numri jashtëzakonisht të madh njerëzish që me vullnet dhe dëshirë të pashoqe dëshëronin të iu rikthenin besimit në Zotin Jezu Krisht, u dëgjua edhe njëherë fjala e Tij.

Ishte pikërisht ky popull që i kishte dhënë Kishës Shenjte ndër mote meshtarë të dalluar si Don Pjeter Shkrelin, Dom Zef Shkrelin, Dom Zef Gilaj-Shkreli, At Konrad Gjolaj etj.

Mbas kësaj ngjarje të shënuar, me ndihmën e të gjithëve, përfshirë këtu dhe vëllezërit në SHBA, nisi puna për rindërtimin e kishës, e cila në pjesën më te madhe përfundoi më 9 maj 1992.

24 prill 1996 me ardhjen e famullitarit të ri Dom Nikë Ukgjimi dhe me ndihmën e pakursyer të njerëzve të Shkrelit, në kishë u benë sërish riparime të dukshme, dhe më pas edhe kompanjeli i ri, financimin e të cilit e bëri një bir i dalluar i Shkrelit prej SHBA-së, z.Vat Mark Shkreli dhe kambanës së re, të financuar nga shkrelasi Ndoc Gjekë Shkreli. Kësaj kishe tashmë iu këthye bukuria dhe lavdia e kahëmotshme. Në anen tjetër edhe pjesa tjetër e shkrelasve, të cilët mjerisht u islamizuan në shekujt 18 – 19, patën kujdes për objektin e kultit fetar. Kështu në Zagorë, ndërtuan xhaminë e parë, rreth viteve l860, siç pohon plaku tetëdhjetvjeçar zagorasi Bajram Ymer Zeka dhe që shton se shkrelasit, gjithherë kanë marrë pjesë së bashku si në ndërtimin e Xhamisë, si dhe në atë të kishës . Po të njëjtën gjë rrëfen edhe plaku tjetër njëqindvjeçari Brahim Haxhija. Shkrelasit kultivuan atë çfarë trashëguan.