Kisha e Shen Ndout në Kepin e Rodonit, disa shenjime historike për këtë objekt kulti në breg të Adriatikut

Një ndër kishat më të dëgjuara të zonës të periudhës së Mesjetës shqiptare, është dhe Kisha e Shën Ndout. Kjo edhe për shkak të  ndërtimeve që bëri Skënderbeu në atë zonë të Kepit në shekullin e XV, Indirekt ajo quhet edhe kisha e  e Skënderbeut.  Monumenti sot paraqet vlera si një ndërtesë që i takon arkitekturës romaniko-gotike e shek. XIII. Pas rindërtimit të saj vitet e fundit mund të shihen ende qartë një kalorës mbi kalë dhe një shqiponjë dykrenare, me krahë të ulur poshtë. Në pjesë të tjera të mureve ka gjurmë të tjera afresku.   Për shkak të vlerave të saj monumentale, të lidhjes së ekzistencës së saj me njëren nga periudhat më të shquara të historisë së Shqipërisë si dhe për shkak të pozicionit gjeografik dhe peisazhit mahnites, Kisha e Shën Ndout është njëra nga pikat më të vizitueshme për turistët dhe vizitoret vendas. Ajo kishë dhe zonat për rreth konsiderohen vend i shenjtë dhe çdo  datë 13 qershor të çdo viti bëhen vend pelegrinazhi dhe feste ku vijnë, veç banorëve të zonave përreth, edhe  turistë e vizitorë të tjerë.

Në një rrugë jo fort të mirë, mund të shkohet nga çdo zonë e Komunës së Ishmit, por mund të shkohet edhe me rrugë detare pasi aty pranë është një skelë e lashtë akoma funksionale.

Në të voglin kep të Rodonit, ase siç njihet ndryshe Bishti i Muzhlit, në pjesën verí-prendimore të bregdetit shqiptar, mbi nji sipërfaqe kodrinore qi shtrihet për rreth 154 hektar të mbulueme me qarrishtë, ilnje, mersinishtë e me shkurre mesdhetare, gjindet rrenojat e dy monumentave qi paraqesin nji interesë të veçantë historik: nji kishë e vjetër e Etënve Françeskanë e nji kështjellë e Skënderbeut.
Bishti i Muzhlit në mesjetë ka bâ pjesë në pronat e princave Topiaj, zotníve të gjysës së Arbnisë, qandra e të cilëve përkonte me qytetin e sotshëm të Durrësit, i cili ishte, si udhëkryq gjeografik, i lakmuem pa prâ prej despotëve të huej. Prej 992 (mbas Krishtit) deri në 1392 ky qytet ndërroi 32 herë despotët e vet, të cilët ishin: norman, venecian, epirotë, bullgarë, serbë, anzhuin e mâ në fund, prej vjetit 1368 deri në 1392 qyteti u qeverís prej arbnorve (shih: Shufflay M., Srbi i arbanasi).
Shtëpia e Topiajve ishte e lidhun me Anzhuinët e Napolit, siç shihet edhe sot e kësaj dite në vorret e Kishës së Sh’Kjarës në Napoli. Por edhe pse lidhja ishte bâ me nji bijë natyrale të shtëpisë anzhuine, ajo përmendej në titujt e fisnikisë e në dokumentat e kohës. Figura mâ në shêj e kësaj dere fisnike ishte princi Karl Topia, i cili u bâ despot i Epirit në vjetin 1358, e qi u thirrte prej venecianëve: “princeps Albaniae”. Ndërsa Papa Gregori XI ju drejtonte tue e quejtë “dux Dalmatiae”. Princi Karl do t’vdiste në vjetin 1388 tue lanë mbas vetes mbretninë në duert e dobta të birit, Gjergjit, i cili shumë shpejt kishte për t’ja dorëzue kryeqandrën venecianëve. Mâ vonë nji tjetër pinjoll i derës së Topiajve, Muzakë Topia, ka për të marrë për grue të motren e Skënderbeut, tue e lanë të vejë mbasi jep jetën heroikisht në rrethimin e Beratit (1455), në përpjekjen me ja hjekë doret turqvet ketë qytet.
Historiani shkodran Marin Barleti, shkruen në të dhettin libër të “Historia de vita et gestis Scandebegi”, qi vetë heroi jonë kombëtar Gjergj Kastrioti (1403-1468), ndërmjet nji beteje e nji tjetre shkonte me pushue e me gjuejt në Bisht të Muzhlit. Tradita tregon qi edhe e motra, Mamica, ka kalue vjetët e fundit të jetës në kështjellën afër kishës.
Në nji dokument raguzan të vjetit 1324 shohim qi përmendet kisha e “s. Nastasiam a li Rodoni” (shih: Acta e diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia, I, n. 694). Mâ vonë kjo kishë përmendet në nji dokument të Republikës së Raguzës i cili mban datën 1335, ku flitet për “Sancte Nastasie deli Aradon” (shih: Acta, I, n. 788). Kurse nji shkrim tjetër raguzan i tetorit të 1374 përmendë nji farë “frater Alexius de Rodonis”, i cili i përkitte Urdhnit të Sh’Dedës (Acta, II, n. 323).
Kostantin Jirecek-u në syzimin e tij: “Zona dhe e kaluemja e qytetit të Durrësit në Shqipní” (Die Lage und Vergangenheit der Stadt Durazzo in Albanien, në Illyrisch-Albanische Forschungen), përshkruen kepin e Rodonit si nji varg kodrinash të nalta 200-300 metra.
Simbas këtij studiuesi të vlertë gjatë mesjetës jo vetëm territori i Bishtit të Muzhlit, por tanë çka merr prej lumejve Ishëm e Erzen u thirrte Rodon. Ai tregon gjithashtu qi kisha e shën Anastazjes dhe kuvendi ngjitë saj, dokumentohen në territorin e Topiajve deri në shekullin e XVII.
Kuvendi, simbas Jirecek-ut, ishte i njohtun me emnin “Sancta Maria de Rodoni, ndërsa për kishën ai citon nji dokomunt të vjetit 1418 ku thohet se ishte: “kishë e hijshme dhe e zbukurueme” (que erat pulcra ecclesia et bene adornata). Ndërsa në jug të kepit gjindej edhe nji kishë kushtue Sh’Pjetrit për të cilen dihet shumë pak.


Skënderbeu mbasi kishte rregullue kështjellen, e cila gjindet në cepin e Bishtit të Muzhlit, u “këshillue” prej raguzanëve në vjetin 1455 qi të mos shkonte mâ ‘ndej për me ndërtue nji kështjellë të fortifikueme e mâ të madhe (oppidum ad Redonos), gja qi ai duhet ta ketë pasë fort për zemër mbasi edhe në vjetin 1467 ai endè diskutonte me Republiken veneciane projektin e vjetër të nji “instauratio loci Rhodonorum”.
Prej dokumentave mesjetare del se kisha në fjalë fillimisht ishte kushtue Shën Anastazjes, e me shumë mundësí shërbimi fetar u kryente prej murgjve të Urdhnit të Shën Dedës, mbrapa kisha i kaloi mungeshave klarise e mâ vonë, në nji datë të padijtun saktësisht, ajo i kaloi Urdhnit të Shën Françeskut, së pari me emnin e kishës së Marís së Ngjitun në Qiell e mbasandej me emnin e kishës së Shna Ndout. Simbas Fabiani_-it (Storia dei frati minori, vol. I), tue i dhurue fretënve kishën e kuvendin, Skënderbeu donte me shprehë mirënjohjen ndaj tyne për vullnetin e mirë të Shën Gjonit prej Kapestranit, i cili kishte bâ nji punë të madhe tue mbledhë ndihma e forza për me luftue hordhitë ottomane.
Kuvendet françeskane në Shqipní i përkitshin deri në vjetin 1402 kustodies së Raguzës, e cila u kthye mâ vonë në “custodia Duracensis” e mbas pushtimit osman në “custodia Albaniae”(1585). Në vjetin 1402 “custodia Duracensis” kishte 4 kuvende në qytetet e Durrësit, Ulqinit, Shkodrës dhe Tivarit. Kurse “custodia Albaniae” kishte 5 kuvende e 40 fretën, e ndër këta kuvende njehej edhe ai i Bishtit të Muzhlit.
Në vjetin 1592 Papa Klementi VIII e ngriti kustodien në rang provincet, qi tashma numronte 8 kuvende (tue përjashtue hospicet e famullitë), prapë këtu shohim të përmendet Kepi i Rodonit. Mâ vonë, në vjetin 1610 provinca kishte 12 kuvende e 80 fretën.
Kuvendin i kishës së Shna Ndout e gjejmë qysh prej fundit të shekullit të XV si selí të kustodies françeskane në Shqipní, por tashti jeta e fretënve nisë e bâhet përherë e mâ vështirë edhe për shkak të piratëve qi atëherë ishin zhgrehë në tanë bregdetin adriatik q’prej grykave të Kotorrit deri në shpatet e maleve Akrokeraune.
Prej shekullit XIV deri në shekullin e XVI edhe banorët e vendit kishin fitue nji famë të keqe, gja qi dishmohet prej ankimeve pranë Republikës së Raguzës, mbasi ata me barkat e tyne të shpejta e të vogla sulmojshin papritmas anijet me mallna qi lundrojshin në hapsinën e detit pranë Bishtit të Muzhlit. Kurse në nji dokument të 12 dhetorit 1418, abati i kishës qahet mbasi disa hajna raguzanë kishin dalë në tokë dhe kishin vjedhë në kishën e Shën Mërisë së Rodonit.
Kuvendi mbeti selí e kustodies deri në vjetin 1737, kur u mbyll prej turqve, për t’u hapë rishtas vetëm në vjetin 1758.
Ndërkaq selija e kustodies ishte zhvendosë në kuvendin mâ të lashtë, atë të Shën Mërisë së Lezhës, të ndërtuem në orët mâ të para të françeskanizmit në Shqipní, siç dishmon edhe mbishkrimi në traun e derës së këtij vendi të kultit të krishtenë: “Hoc tempum Fratrum Minorum aedificatum est anno 1240”.
Kuvendi i Rodonit u restaurue në fillim të shekullit të XIX prej imzot Rafael Barissi_-it, ipeshkvit të Lezhës, i cili edhe u vorros te kambët e elterit kryesor të kishës. Për herë të fundit kisha u restaurue mbas tërmekut të 1852. Konsulli J. G. von Hahn, në të tijat “Albanesische Studien” (1854) përshkruen gjendjen e mjerueshme në të cilen gjindej kisha mbas tërmekut.
Edhe gjatë shekullit të kaluem s’munguen fatkeqsitë për ketë kishë të kushtueme Shêjtit të Padovës. Regjimi komunist deshti me e hjedhë në erë kishën për me i bâ vend disa veprave të xhenjos ushtarake, por ndodhi nji e papritun: xhenjerave i shpërtheu dinamiti para kohet tue plagosë e damtue disa sish, kështu qi dishiri i vandalëve nuk u çue deri në fund edhe pse ky monument i historisë sonë mesjetare u damtue seriozisht.
Mbas vjetit 1990 u desht vullnesa e fortë e nji frati shqiptar, qi sot i âsht avitë të tetëdhetave, P. Zef Pllumi, i cili mbasi kishte frekuentue për disa dekada burgjet famekeqe të regjimit të Tiranës, me pasionin rrëmues të historianit erudit kërkoi e gjeti dokumentat në kadastrën përkatëse tue provue përkatësinë e terrenit dhe me ato pak mjete qi kishte në dispozicion nisi punimet restauruese.


Muret e kishës janë 14 me 16 metra, e punimet e sapo nisuna kanë nxjerrë në dritë nji afresk, ku shihet figura e nji të vajze të re mbi kalë e nji shqiponjë me dy krena. Në fakt, konsulli Th. von Ippen qysh në vjetin 1901 ka publikue mbishkrimet në gjuhën greke qi janë gjetë në kishën e Shna Ndout, e si ai ashtu edhe K. Jirecek-u dishmojnë qi në fund të shekullit të XIX u dukshin endè mirë mbeturinat e kësaj kishe të stilit romanik të hijeshueme me afreske. Sa për praninë e mbishkrimeve në gjuhën greke, kjo gja duhet trajtue si diçka e zakonshme, pse duhet dijtë se greqishtja bizantine ashtu si edhe latinishtja u përdorshin në gadishull njilloj në dokumenta zyrtare, në kontrata tregtare e edhe në mbishkrimet e kishave pa dallim riti fetar e province administrative. Sa për afreskun e zbuluem, ka shumë mundësí qi ai t’i përkasin shën Anastazjes, së cilës i dedikohej fillimisht kisha, por ka pasë hipoteza qi thonë se në tê mund të jetë paraqitë vetë e motra e Gjergj Kastriotit, Mamica, e cila duket se përveçse se bamirëse e kuvendit dhe e kishës ishte bâ edhe fqinje e tyne, tue zgjedhë si banesë kështjellën aty afër.
Punimet janë vetëm në fillimin e tyne, dhe fatkeqsisht mjetet e fretënve nuk janë të tilla qi me përballue nji ndërmarrje të tillë qi synon të pështojë këto dishmí të randësishme të qytetnimit të Adriatikut, përveçse monumenta të kultit të krishtenë, pranë të cilave besimtarët nderojnë kultin e shêjtit Shna Ndue e të gjithë vërejmë nji pjesë gati të humbun të historisë sonë mesjetare.