Kisha e Laçit, “Kisha e Katolikëve dhe Muslimanëve”

Nga Ndue Baca

Ka shekuj që ndër shqiptarë jeton shpirti dhe forca  e Shenjtit  mrekulli‐bërës  më emrin Shna‐Ndou i Padovës,ku rezidenca e përhershme e këtij Shenjti  ka qenë  në kalanë e vjetër më emrin Sebastia,e cila ndodhet  pranë  qytetit të sotëm të Laçit, që ndër shekuj e deri në ditët tona njihet më emrin Kisha e Shna Ndout. Sebastia është një qytezë e vjetër nga e cila sot (përveç rrënojave) kemi si dëshmi nga një tumë e gërmuar, në vendin e quajtur Kodër Zogëz ; një unazë ari që i përket shekullit VII mbas Krishtit, dy parzmore, një fibul argjendi dhe dy monedha të  Septim Severit dhe  Maksimilian Dazes të epokës romake.. (Luigji M. Ugolini, Shqipëria e Lashtë,fq.46 ).Historia e shkruar e kësaj  kishe nga vet “kisha” dhe  autor të ndryshëm është shumë e hershme. Ajo në vitin 1349 njihej si Kisha e Zojes së bekuemë,dhe në vitin 1557 mori emrin Kisha e Shna Ndout.  Pikërisht për shugurimin  e Kishës së Shna  Ndout shkruan edhe At  Lovro  Mihaçeviq në librin “NËPËR  SHQIPËRI  1883 – 1907 “ Ku ndër të tjera në faqen 32  lexojmë : “…Në korin e Kishës në mure qëndron mbishkrimi i  shkruar më shkronja  te kuqë ; Templum hoc consecratum est an.1557 (kjo kishe është shuguruar në vitin 1557 ). Kuvendi Sebaste është rrezuar gjatë tërmetit të vitit  1853….Menjëherë më poshtë  nën kishe gjendet shpella,për të cilën populli thotë se është e Shën Vlashit, Ipeshkëv dhe martir,të cilin ata e duan për shqiptare te vetin e jo armenas….” Ndërsa  Studiuesi dhe Albanologu i njohur Austriak Theodor  Ippen  në librin “Shqipëria e Vjetër”,në faqet  155 ‐156 ndër të tjera shkruan : “ Pranë fshatit Laç (atëherë nuk ishte qytet)  ngrihet kisha e pelegrinazhit Shna  Ndoj “Shën Antoni “  e cila çmohet shumë dhe nderohet  si nga të krishterët dhe muhamedanët… Sipas mbishkrimit  kisha  duhet të jetë vetëm 450 vjeçare…..Në anën e kishës  ndeshën rrënoja,të cilat i përkisnin padyshim një manastiri që ka ekzistuar në ketë vend. Kisha dhe manastiri i dikurshëm ngrihen mbi një shkëmb, i cili përben shpatin e rrëpirëte të një përroi malore. Në ketë mur shkëmbore ndodhet një shpellë, e cila  vizitohet gjithashtu nga pelegrinët.“  ( Ky përshkrim  i përket vitit  1900, ). Pushtuesit turq duke njohur dhe pasur frikë   njëkohësisht nga mrekullitë e kësaj kishe e shkatërruan,por kryengritjet e Shqiptareve të atyre viteve,dhe të mbështetura nga selia e Shenjtë,dhe fuqitë  e krishtera te Evropës  detyruan pushtuesin që në vitin 1605  të lejoje rindertimin mbi këto themele të kishës famëmadhe të Shna Ndout.

Për ndërtimin   e kësaj kishe edhe sot ekziston një gojëdhënë e cila ka marrë trajtat e një  legjende dhe ndër të tjera thotë: “ Na ishin njëherë  disa Françeskan që donin të ndërtonin një kishë.  Ketë kishë ata donin ta ndërtonin në vreshtin e Kalasë së Sebastës, sepse aty kishin edhe kuvendin e tyre. E ndërsa e ndërtonin ditën  të nesërmen në mëngjes  materialet e ndërtimit gjendeshin  në afërsi te shpellës së Shën Vlashit, pra më larg kalasë. Pasi kjo histori u përsërit disa here  u kuptua se vetë Engjëjt më frymën e Zotit jo vetëm lëviznin materialet ndërtimore natën,por u tregonin Françeskanëve  dhe popullit, vendin ku duhej të ndërtohej kjo kishë,që edhe kështu u bë…” Është interesant  se kjo gojëdhënë nuk tregon as vitin kur tregohet legjenda dhe se cilit emërtim të kishës i takon; asaj të Zojes së Bekuemë  Apo te Shna Ndout… Sidoqoftë  kjo është një histori që ka mbijetuar dhe ka “përfituar” trajtat e një legjendë prej qindra vitesh e deri sot… Një studiues i njohur francez i shekullit XIX (Hekardi) ndër të tjera thotë se: “…Kisha  e  Shën  Ndues   mund  të  mbante  deri  në  500 njerëz….dhe  pranë saj gjendej kuvendi ku banonte prifti apostolik….Ky vend ishte nën mbrojtjen e themeluesit të tij të Shenjt, nderohej mjaft  nga banoret e provincës, dhe mbi te gjitha nga malësorët e Shkodrës… Myslimanët dhe të Krishterët  e konsideronin jo vetëm një tempull ku duhet te lutesh,por edhe një strehë të shenjtë dhe të paprekshme,së ciles i afrohen më shumë respekt. Edhe myslimanët shpesh  sillnin këtu gjerat e tyre më të çmuara…Më 13 qershor  ditën e Shën Ndues, vinin për pelegrinazh nga të katër anët e Shqipërisë,dhe secili kryente ketë veprim më një përqendrim dhe përkushtim vërtet shembullorë. Disa vinin që tu përmbushën dëshirat e shprehura në rrethana solemnë, disa i binin përqark Kishës   tre here duke ecur këmbadoras, të tjerët bëjnë ndalesa dhe shprehin lutjet e gjata në çdo  cep të ndërtesës dhe përpara shëmbëlltyrave të Shenjëtarëve, që në ketë ditë vendosen poshtë kishës. Të gjithë adhurojnë diçka. Banoret e qyteteve  lënë para, flamurë  mëndafshi  dhe  gjëra  të  tjera. Fshataret  sillnin  djathë,fruta  ose  dyllë.  Malësorët sillnin  qengja,dele ose  desh  e  tjerë..”(Hyacinthe

Hecquard;HISTORIA DHE  PËRSHKRIMI I SHQIPËRISË SË EPËRMË ose i GEGËRISË.. FQ.75‐77).

Edhe  një misionar Italian e përshkruan Laçin si një mjedis pelegrinazhi për Katoliket dhe Myslimanët, duke “rikonfirmuar” se mbi shpellën e Shën Biaxhos (kështu e quan ai shpellën e Shën Vlashit,)  është e ndërtuar një kishë  që shkon deri në disa qindra vjet…që i është kushtuar Shën Antonit (Shna  Ndout). Gjithashtu famullia është administruar nga Rregulltaret e… Shën Françeskut.(Fulvio Kordinjano,SHQIPËRIA përmes Vepres dhe Shkrimeve te misionarit madh italian At Domëniko Pazi‐1847‐1914,fq.203).

Nga  librat e Shenjte  të Kishës Katolike  mësojmë  se  Shna Ndou kishte lindur në Lisbonë (Portugali )  më 18 gusht te vitit 1195  në një familje bujare e kristianë, dhe emri i pagëzimit  kur lindi ju vu Ferdinand. Ishte mjaftë i ri kur hyri më dëshirën e tij ndër rregullat e Shën Agustinit, ku pas kësaj u dërgua në kuvendin e Koimbres,dhe  për 9 vite rresht studioj shkrimet e shenjta,dhe shkencat e kohës, ku atje u shugurua  edhe meshtarë. Dëshira e mëvonshme e martirizimit për besimin Kristian  e beri që të lërë petkun e Agustinianve dhe te vesh atë të  Shën Franceskut te Asizit. Pas shugurimit meshtar  ky shenjt kishte marre emrin Anton (që në shqip i  themi Ndoj ). Fillimisht  frati i ri  Antoni u nis për në Afrikë, por vetë Zoti e kthen më mision në Itali. Në vitin 1221 ky frat i ri për here të parë   njohu nga afër Shën Françeskan, në një kuvend   të përgjithshëm të këtij urdhri  fetare Katolik. Pas kësaj në  Bolonjë kaloi si meshtar i përvuajtur i Zotit,ku nëpërmes lutjesh e pendesash  ju shfaqën vetitë e jashtëzakonshme  të tija në fushën e dijes dhe të fjalës. Pas kësaj kisha katolike i besoi  detyrën e predikimit dhe apostullimit. Luftoi gabimet e Albigjezve të shpërndarë në Francën e jugut  e gati në të gjithë Italinë. Gjatë tërë aktivitetit të tij si meshtar  u dallua për falen që i zinte vend, dhe për predikimet hyjnore të Jezu Krishtit në emër të të cilave beri mrekulli të panumërta që  Kisha Katolike ja njohu dhe vlerësoi… Shna Ndou  jetën e tije tokësore e ndërpreu më 13 qershor të vitit 1231, duke ndërruar jetë, për tu ngjitur përjetësisht në qiell si Shenjtë pranë vet Jezu Krishtit,në emrin e të cilit shfaqi mrekullitë e tij që vazhdojnë sot e do të vazhdojnë përjetësisht… E ndërsa jeta e këtij Shenjtori i përket besimit Katolik, mrekullitë e veprat e tije bamirëse u përkasin njerëzve të të gjitha besimeve, fare tregon se ky Shenjt është i të gjithëve pa dallim Besimi, Race apo Kombësie.

Kisha Katolike duke njohur veprat e mrekullitë hyjnore të Shna Ndout, më anën e Papa Gregorit IX e shpalli shenjt fill pasi ndërroi jetë… Më datën  8 prill 1263  eshtrat e Shna Ndout u rivarrosen në Baziliken kushtuar atij në Padova, një vend ky  që pelegrinët nga Italia dhe Bota e kalojnë  numrin e   5 milionë  vizitoreve në çdo vit.  Për Shenjtërimin e Shna Ndout ekziston edhe sot një legjendë e cila thotë se kur Shna Ndou  u shenjtërua nga Vatikani (Itali) Kambanat e Lisbonës binin vetë pa u rënë askush… Ndërsa për ditën e lëvizjes  të Eshtrave të Shna  Ndout (32  vite pas vdekjes)   Ministri gjeneral i rregullit, kur hapi arkivolin e Shna Ndout  kishte thirrur i emocionuar : “ O gjuhë e bekuar,tani mund ta kuptojmë sa të mëdha kanë qenë para Zotit meritat tua..” Pasi   Gjuha e Shna  Ndout ishte ruajtur mrekullisht e freskët,ku që nga ajo kohë edhe sot kjo Gjuhë  ruhet në bazilikën e Shna Ndout në Padova. Gjithsesi  duke parë nevojat e shumta të besimtarëve  kristianë shqiptarë  Fretnit Franceskan sollën në  kishën e Laçit truporen e Shna Ndout,duke besuar kështu se sollën edhe mrekullitë e këtij Shenjti,shpirti i të cilit  tashmë pushonte në Qiell. (Është interesant të thuhet se besohet se vet Shna Ndou dikur kishte vizituar vendin ku ndodhet sot  kisha në Laç ).

Gjithsesi  që nga ajo kohë mijëra  e miliona pelegrinë ; Katolik, Ortodoks, Mysliman, Bektashi, por edhe ateist  kanë vërshuar  në drejtim te kishës së Shna Ndout (Laç) ku ndodhet truporja dhe Fuguria e Shna Ndout. Që nga ajo kohë mrekullitë e Shna Ndout ndër shqiptarë e më gjerë nuk kanë fund.  Pelegrinazhi realizohet çdo vit  për 13 të marta rrjesht (por edhe ditë të tjera) deri në ditën e 13 qershorit. Vizitoret e Shna Ndout kanë  dy pika  të rëndësishme referimi: Kishën dhe shpellën e Shën Vlashit,historia e të cilit thotë se  Shën Vlashi ka qenë  Ipeshkve dhe jetonte në qytezën e lashtë të Sebastes, por paganët e ndoqën deri tek kjo shpellë ku u strehua, dhe të pa‐fetë e gjeten dhe e mbyten.

Gjithsesi historia  mendohet se ka lidhje edhe më atë që Shna Ndou  ishte strehua vetë në një shpellë (Itali )  ku lutej e vetëm lutej duke u ushqyer më buke e ujë,derisa një ditë i ishte shfaqur vetë Jezusi si fëmijë.  Duke u nisur nga këto vuajtje të vetë Shna Ndout,besimtaret në 13 të martet (13 javët e mundimshme) të këtij Shenjti mbajnë thatë,domethënë nuk ushqehen më produkte  mishi e bulmeti më origjinë shtazore (më gjak të nxehtë)…

Pelegrinazhi  gjatë kësaj periudhe 13 javore,por edhe në ditë të tjera  realizohet duke vizituar,Kishën, Shpellën, por edhe  gurë shkëmbinj e gjithçka për‐rreth, ku në përgjithësi gjatë këtyre vizitave njerëzit kanë më vete fotografi apo figure siç u thotë populli, si dhe uratat  e përhershme.  Në Kishën e Shna Ndout (Laç) njerëzit luten,për vete dhe të  afërmit e tyre,ku nga këto lutje mrekullitë nuk  kanë   munguar kurrë (njerëz që shërohen mendërisht e fizikisht, zgjidhje  konfliktesh të ndryshme familjare e shoqërore e tjerë, por edhe mbarsi në jetë, kur lutjet nuk i ke më hile). Vlen të theksohet se shumë pelegrinë kalojnë edhe natën te  Kisha apo në shpellën aty afër (megjithëse ky rit nuk është detyrim besimi..), si dhe falin diçka nga pasuria e tyre, por edhe marrin më vete DHE  nga toka aty,ku ketë Dhe e konsiderojnë  çudibërës dhe e quajnë dheu i Shna Ndout.  Është interesant të thuhet se dy herë u hodh në erë Kisha e Shna Ndout ; një herë nga pushtuesit Turq dhe një herë në vitin 1966 nga shteti komunist,por që të dyja herët  hodhën në erë vetëm ndërtesën,por jo besimin dhe mrekullitë hyjnore të Shna Ndout.  Edhe  pse komunistet  e ndaluan më ligj besimin te Zoti, nuk munden kurrë të ndalojnë  besimtaret që të vizitonin  fshehurazi  rrënojat e Kishës së Shna Ndout (që për disa kohe…kërkonin ta kthenin në repart ushtarak). Por më interesantja ka mbetur se kur ishin ngushtë dhe pa shpresë edhe vetë komunistet  vizitonin fshehtas dhe i luteshin Shna Ndout  ti ndihmojë…. Pas  rënies së regjimit  komuniste‐ateist, më 17 mars të vitit 1992 filluan punimet për rindërtimin  e Kishës e gjithçka i nevojitet këtij  tempulli lutjesh, si edhe ujësjellësi dhe centrali i vogël elektrik, por edhe rruga   dhe sheshi ku mblidhen pelegrinët e shumtë nga e gjithë Shqipëria e më gjerë.. Të gjitha punimet u  përfunduan më 13 qershor  të vitit 1994, ku në portën e Kishës një kopje historike  e dokumentuar e Kishës së Shna Ndout  është futur  për t’jua  trashëguar brezave,qindra apo mijëra vite më vonë… Sidoqoftë  historia e Kishës së Shna Ndout në Laç  tashmë është bërë pjesë e pa ndarë e historisë  së shqiptarëve ndër shekuj, ku po  kaq janë edhe mrekullitë hyjnore të këtij tempulli e Shenjtori që pelegrinët dhe adhuruesit   vazhdojnë vetëm të shtohen… sepse shtohen edhe nevojat e njerëzve të kësaj Bote për tu afruar sa më afër jetës shpirtërore të Krijuesit që na ka falë më shëmbëlltyrën e tij….