Kisha  e Grudës, legjendë qëndresës dhe dëshmimi i lartë i besimit dhe devocionit

Kisha e Grudës ka një histori legjendare e qëndrestare, si vete themelet e Kishës Kristianë,që kur Jezusi i kishte thënë Pjetrit :”Dhe unë po te them : Ti Je Pjetër, gur ‐ shkëmb dhe mbi ketë shkëmb  do të ndërtoj Kishën time…” (Michel Lemonnier O.P.,HISTORIA  E  KISHËS). Natyrisht  edhe  Kishat Katolike në trojet Ilire do të kishin për themele  shkëmbinj qindra e mijëra vjeçare, themele  që kanë ardhur deri në ditët tona si dëshmi të besimit e qytetërimit tonë Evro‐perëndimor…

Në historinë tonë Kishtare vërtetohen   edhe   fjalët e Kryeipeshkevit të Tivarit   Vincenc Zmajeviku që në vitin 1703 do të thoshte: “…Fortuan e stuhia e detit, krisma e furia e ferrit janë përpjekur   bashkë për ti përpirë Kishat tona, aq sa edhe ngërzit   e mirë   duket se mashtrohen. Shumë janë ndarë prej fesë,mashtruar e tradhtuar prej thënieve të shtrembëta të njerëzve; të rrahur shumë prej tallazeve të tillë, prej tundimesh, prej rrenash,prej trazimesh … (Kuvendi i Arbenit 1703,  fq.35, botim i Shpresa Prishtinë 2003 ). Janë  pikërisht  këto furtuna e stuhi që ndër shekuj  na kanë shkatërruar edhe dokumentacionin  e hershmërisë,duke na detyruar shpesh të marrim  referenca disi të vonshme. Një dëshmi e pa kontestueshme e këtyre furtunave dhe stuhive që u ranë  për hise edhe trojeve të Grudës  është  Dinosha. Në Dinoshë  për shekuj,përveç ndërtimeve urbanë (qyteza etj..) ka pasur të ndërtuar një ndër kishat më të hershme e më të njohura të trojeve të Malësisë Madhe e më gjerë,kishën e  Shën Mhillit, themelet e të cilës i përkasin të paktën shekullit të pestë… Kjo kishë shpesh pësoi dëmtime e shkatërrime kur në trojet e Grudës zbriten skizmatiket‐shkje,ndërsa grudasit  si më forcën e vet krijuesit e rindërtonin kishën.. Por stuhia shkatërrimtare “pa kthim” u duk në këto troje pas pushtimit turko‐osman,. Pas këtij pushtimi, Kisha kushtuar Shën Mhillit nisi të vetshkatërrohet nga mungesa e rikonstruksioneve,që pushtuesi osman  i kishte ndaluar të bëhen në objektet e kultit kristian‐katolik.. Kur shumica e  banorëve të  Dinoshes (nga kristian‐katolik) u islamizuan, ata marrin gurët e “rrënojës” të kishës së Shën Mhillit  për të ndërtuar xhaminë… Ndërsa sot si “trashëgimi” nga kisha famëmadhe e Shën Mhillit  kemi një kishë të vogël te varret në Dinoshë (thuajse  jo funksionale ),.Themëlet e kësaj kishe janë shumë të vjetra,aq sa “muret e reja” nuk kanë mundur e as nuk do të munden kurrë t’ia ulin “moshën” historike…

Banoret katolikë të katundeve të tjera të Grudës prej shekujsh ishin detyruar të ndërtojnë kishën e tyre në Priften… Gruda është famulli e vjetër. Dihet se këtu është ndërtuar konaku në vitin 1640,të cilin u deshtë ta braktisin misionaret nga rreziku i përndjekjeve, e të vendoseshin në vende të tjera, në mënyrë që në kohëra më të mira  të ktheheshin përsëri aty. (Lavro Mihaçeviq, NËPËR  SHQIPËRI 1883‐1907,Mbresa udhëtimi dhe Etnografi,fq.78 ). Ndërsa në vitin 1641 “shkruhet” se kryeprifti i Grudës dhe i tërë Malësisë Carlo della Mirandella do të organizojë në brigjet e lumit Cem (Tëgajë) një besëlidhje në mes maleve, dhe do të hapi shkollën e parë në gjuhen shqipe në Priftën të Grudës..(Sokol P. Lulgjuraj, Malësia e Madhe Ndër Shekuj, fq.42,ref. P. Vincenc Malaj, Të dhëna Albanologjike 2,Ulqin‐Tuz 1999,fq.153). Studiuesi e Albanologu italian Ermanno  Armao duke u bazuar në një  harte të lashtë (të dy hartografëve të shekullit XVII ), shkruan : “…Kemi të bëjmë më  Kishën e lashtë të fisit të  Grudës  kushtuar  SHËN MARTINIT‐ Ipeshkëv,  e ndërtuar nga  Eterit Françeskan më 1646,dhe që ishte “diroccata”,E RRENUAR   (shënim i përkthyesit) në vitin 1671 kur Atë Gaspari ishte në kalim. Kisha e rindërtuar, më pas gjendet në vend të veçuar në bregun e djathtë të Cemit,në katundin  PRIFTEN, qendër e Katolikeve të Fisit, 320 metra mbi nivelin e detit. Në të njëjtin vend  ishte ngritur  shtëpia Famullitare që Koronëli (njëri nga hartografët e shek.XVII N.B.) e emërton “Cela dei  Frati “ (Qëla e  Freterve)..Më kalimin e Grudës nën Jugosllavi (1913) Famullia e Shën Martinit,dikur në  varësi të Shkodrës, kalon në varësin  e Arqipeshkevit të Tivarit…”(Ermanno  Armao, VENDE,KISHA,LUMËNJ,MALE E TOPONIMË TE NDRYSHMË  TE NJË HARTE TE LASHTE TE SHQIPËRISE VERIORE, fq. 145 – 146.).Famullitari Lovro Mihaçeviq  që ka udhëtuar në këto anë në vitet 1883 – 1907, dhe e kemi sipërcituar për ndërtimin e  Kishës (në vitin 1640) shkruan përsëri se në vitin 1900 është ndërtuar Kisha,kurse në vitin 1907 u ndërtua  Qëla e mirë, ( Në fakt  fjala është për rindërtim e jo ndërtim..) dhe tregon se Famullia  numëronte 15 fshatra  më 2242 banorë katolik. (L.Mihaçeviq,po aty…) Gjendjen e vështirë të besimtareve katolik nën Perandorinë  Osmane (dhe trysnin e shovenëve sllavë që i toleronte pushtuesi..) e shprehin edhe letrat e Kryeipeshkevit të madh Pjetër Bogdani, por në zgjodhëm  atë  më nr.138 të datës 28 gusht 1670 në të cilën Ai i lutet Kongregates së Shenjtë që të caktohen  dy misione të  Etërve të Reformuar ; Njëra në Rrjoll  e tjetra në Grudë. Ai  propozon Atin vëlla  Bernardo  nga Verona   më një ose dy të tjerë… Ai vetë do të ishte mësues i shkollës  më provizione të zakonshme… (Pjetër Bogdani,LETRA DHE DOKUMËNTE,nga arkivi  i kongregates “de Propoganda Fide”,si dhe nga arkivat sekrete të Vatikanit,fq.242 – 243, përg.nga Odette Marcquet..). Gruda duket se ka qenë edhe një strehë e sigurte për meshtarët katolik,shqiptar  apo të huaj,në ato vite kur Perandoria Osmanë i përndjekte e persekutonte…Ja një dokument i tille i shkruar : “…Nga mesi i shekullit  XVII‐të, Eterit i gjejmë edhe në Grudë (jepet edhe emri i At Xhuzepes..), të thirrur nga katoliket e këtyre viseve. Jo pak prej  tyre  kishin kaluar në Islam,ose ishin bërë skizmatike,të tjerë ishin ende në pagëzim. At Bartolomëu nga Kortakiaro vazhdoi të jetojë midis grudasve të tij në një shpellez mbi “Zemë”( Lumi Cem),derisa Pashai i zbutur nga dhuratat i lejoi   Eterit që   të kthehen dhe të ndërtojnë Strehën…(Fulvio Kordinjano,SHQIPËRIA PËRMËS VEPRES DHE SHKRIMËVE TE MISIONARIT TE MADH ITALIAN AT  DOMËNIKO PAZI  1847‐1919,fq.100 – 102 ). Po ky autor në faqen 136 të librit të sipërcituar,pasi shkruan për historinë e të parit  të këtij fisi  Vuksan Gj.  Gruda,konfirmon se në kufi më Dalmacinë  është një vend  i quajtur  Gruda…Gjithsesi gjatë shekullit XVIII,gjendja e Kishave duket  më e përmirësuar. Kjo shprehet edhe në relacionin  e një  vizite baritore të kryer  në vitin 1745,ku ndër të tjera shkruhej se :”…Misioni i Grudës Sipërme  është larg nga Trieshi duke ecur  fshat më fshat  6  ore,drejtpërdrejt 3 ore. Numëron 93 shtëpi katolike më 620 frymë…Të gjitha fshatrat e mësipërme  kanë  në gjendje të mire  Ospicet dhe Kishat,(më përjashtim të Kishës  Hotit )…” (Nevila Nika, DIOQËZA E SHKODRES,gjatë shekullit XVIII,sipas dorëshkrimeve arkivore,fq.157.).  Mali,Bajraku apo  Fisi i Grudës ka qenë vazhdimisht  edhe në vëmendjen e shumë studiuesve dhe albanologeve  të huaj të cilët Grudën e  shënonin  si njërin ndër gjashtë Kuvendet kishtare që bënin pjesë në Prefekturën Apostolike të Kastartit (fq.58) më 1500 banorë katolik në vitin 1850 (fq.275)…(Dr. Jur. Johan  Georg von Hahn, STUDIMË  SHQIP‐ TARE..).   Bajraku ose Fisi i Grudës… bënë pjesë në fiset e quajtura   Shtatë   Malet e Shkodrës,… ka ruajtur   ligjet e tyre dhe gezon të njëjtat privilegje…(Hyacinthe Hecquard,Historia dhe Përshkrimi i Shqipërisë  Epërme ose i Gegërisë,fq.90.). Për shumë dekada  Kisha famulli e Grudes njihet nën  emrin e Shenjtorit Ilir SHËN  MARTINI… Në historinë e  Kishës shkruhet se Shën Martini kishte lindur nga prindër Ilir,ku babai i tij kishte qenë oficer në ushtrinë Romake,dhe në fillim  vetë Shën Martini kishte marrë pjesë si ushtar –kalores, por pa vonuar u ishte kushtuar rregullave kishtare dhe në vitin 370  zgjidhet Ipeshkëv i Toursit në Francë. Predikimet dhe kontributi   në jetën meshtare e ungjillore të Shën Martinit kishin qenë aq të mëdha  në Francë sa kishin sjell  mrekulli që u njohën edhe nga vetë Kisha Kristianë. Francezet e vlerësuan dhe besuan aq shumë Shën Martinin sa  kur u nda nga jeta tokësore më 11 nëntor të vitit 397 e mbrapa i kushtuan rreth 3600 kisha  famullitare,si dhe më emrin e tij u identifikuan 240 fshatra e qytete. Mbretërit e Francës e njohën edhe si Patron të tyre. Edhe sot Manastiri ku ka kaluar vitet e fundit Shën Martini është një vend pelegrinazhi, ku francezet e më gjerë luten e besojnë   në shpirtin mrekullibërës te tij. Edhe në Shqipëri   Shën Martinit i kanë qenë  kushtuar shumë Kisha, si në Elbasan (në Beria e Buzhutë),në Krujë (Zgerdhesh), në Pukë (Truen ), e mbi të gjitha  Kisha e Shën Martinit në Grudë të Malësisë së Madhe…( Më shumë mund të mësohet nga Michel Lemonnier O.P. HISTORIA E KISHËS,fq.101,  Botimi special i Revistës “LEKA”,të  Drejtat e Shqipërisë Etnike,Shkodër,Shtypshkronja “ZOJA E  PAPËRLYEMË “ viti 1944,fq.312, ILIRIA BIBLIKE, N.Loka e Gj.Kola fq.92‐93.). Nga gojëdhënat që “qarkullojnë”  edhe sot në Grude shpesh  dëgjohet se Kisha  i  ishte kushtuar vërtet Shën Martinit,por  ky emër (Martini) ka kombinuar edhe më një banore‐ndërtues apo rindërtues të Kishës se Grudës…Nga një studiues e njohës i historisë së kishës mësojmë se në vitin 1864 famullia e Grudës numëronte vetëm 1022 besimtarë…(Gjush Sheldija, Kryeipeshkevia metropolitanë e Shkodrës, dioqezat sufraganë…fq.63.).   Shkrimtari dhe studiuesi nga Trieshi (M.Madhe) Lulash  Nika Palushaj kur shkruan për Kishën e Grudës,i referohet një bisede të tij të zhvilluar në vitin 1995  më famullitarin Pader  Deda  Markolaj, ku ndër të tjera mësojmë  se :” Kisha e Grudës themelohet në vitin 1638 prej Françeskanëve  italian, pater Cherubino di Val di Bono dhe pater  Gerogorio da Navara  i cili më 1646 emërohet Ipeshkev në Shkodër. Kisha e… Grudës (sot) është e shuguruar në emër të Zojes se Bekuemë. Fretnit prej Grude ushtrojnë shërbime fetare në Hot, Triesh, Kojë dhe Malësi të Madhe. Kisha dhe kuvendi janë  djege disa here nga turqit…. Prej vitit 1638 deri në vitin 1903 kanë shërbyer 46 misionare italian. Që nga ky vit e këndej kanë shërbyer kryesisht meshtarë shqiptarë….( Lulash N. Palushaj, Malësia dhe Fiset e Saj,pjesa e parë fq.266.)

Në Urdhrin e  Fretërve Minorë,Nekrologu  i Provincës Shqiptare  të Zojës Nunciatë.(nën kujdesin e Fra Flavio  Cavallini,mbi bazën e nekrologut të Fra Marjan Prelaj, më qortimet e Fra Vinçenc Malaj‐ Shkodër –MMI),,kemi gjetur emrat e këtyre famullitarëve,që kanë shërbyer në Grudë : ata janë, Fra Riccardo   Petrelli nga Ancona –Itali,famullitar në vitet 1849‐1956. Vdiq më 01 nëntor 1871.(fq.318). Fra Antonio Corrosano nga Genova‐Itali,famulltar më 1857….Vdiq më 11 shtator 1871.(fq.267). Fra Pacifico nga Brindizi,famullitar  në vitet 1872‐1874. Vdiq më 11 dhjetor 1888. (fq.358).

Fra Secondiano Farini nga Ancona…Vdiq më 11 korrik 1895.(fq.188). Fra Bonaventura Anonim,vdiq më 02 shkurt 1907. (fq.52). Fra Teodosio Greci nga Parma..vdiq më 24 shkurt 1908. (fq.55).Pater Bonaventura Gjeçaj,famullitar në vitet 1909‐1912. U dallua për pjesëmarrjen e tij në kryengritjen antiosmanë t Malësisë në vitin 1911.. Fra Lorenc Mitroviq   nga Janjëva,famullitar në vitet 1912‐1917.. Është vrarë nga “kaçaket” gjatë rrugës Gjakovë – Pejë më 15 shkurt 1943. (fq.46). Fra Angelino Gaudio nga Italia…vdiq më 08 shkurt 1942.(fq.39). Patër Anton Harapi famullitar më 1917‐1918..U pushkatua nga komunistet më 15 shkurt 1946. (fq.46).

Fra Severin  Lushaj nga Nënshati famullitar  më 1919‐1925.Vdiq më 28 nëntor 1939. (fq.345). Fra Engjell Vjerdha nga Ulqini…vdiq më 13 mars 1951. (fq.55). Fra Pashko Prelaj nga Shkodra…vdiq më 17 gusht 1966. (fq.242)… Një ndër meshtarët shqiptarë ‐ simbol i binomit Fe dhe Atdhe,që kishte udhëheq Famullin e Grudës,kishte qenë edhe i madhi Pater Anton Harapi,i cili sapo mbërrin në Tuz (korrik 1918) do të shkruante

:”… Deçiqi mali kuptimplotë,në maje të të cilit së pari në Shqipëri  nën drejtimin e Ded Gjon Lulit  në vitin 1911  u valëvit flamuri i Shqipërisë,ku titanët e Malesisë luftuan si burrat; ajo pamje  e  ato kujtime  më kënaqën e më përtërinë..” (Anton Harapi, VAL MBI VALE..fq.97, botua në Romë

1995 ). Gjithsesi në vitin 1966 Gruda kishte 1300 besimtarë,ndërsa  në vitin 1989 vetëm 420 besimtarë katolik,që kanë si famulli Kishën në katundin Priften, dhe përmbledh këto katunde: Selishtin, Llofken, Pikalen,  Cemin e Selishtit dhe Llofkes, Alihaskaj, Butojë, Syanaj, Grykellukë, Gurrec,Kalaj,Vulan,Gjekivanaj,Rabraj e Sukë. (Lulash N.Palushaj,vepër e cituar fq.266). Sot të Kisha famulli e Grudës kremtohet më madhështi edhe festa kryesore e shumicës së grudasve, që i kushtohet  ZOJES  së  BEKUEMË,që prej qindra vitesh njihet si  “Zoja e Grudës” dhe ka ditën çdo

15 gusht…  Baticat e zbaticat që sollën  shekujt  e Evropës Plakë kanë bërë që politikisht  Gruda të mbesë nën shtetin e vogël të Malit Zi, por

shpirtërisht e historikisht   Gruda   është   një e pandarë më trevën simbol të shqiptarisë Malësinë e Madhe Etnike… Duke e mbyllur ketë “shtegtim” të shkurtër historik për Kishën –famulli të Grudës në po i “drejtohemi” edhe njëherë  Patër Antonit  më përshkrimin e tij brilant për këto troje, ku ndër të tjera shkruante:  “.. Valët e jetës më përcollën e më qiten në këto brigje, ku secili njëri,secila bimë,secili gurë bashkë  më valët e qeta të Cemit,më kujtimet e veprimet e kreshnikeve  të këtyre vendeve të varfra në dukje,por të pasura për visare e ideale të trashëguara,të gjitha më lëshojnë një zë, këndojnë një valle,bëjnë dëshmi se : KËTU I THONË  LOGU I BURRAVE, I LEKËVE TË Malësisë !. ( Anton Harapi,Val mbi Val, fq.134.)…

Ndue Bacaj