Kinematografia shqiptare në Zi, shuhet regjisori, skenaristi dhe aktori, Gjergj Xhuvani

Bota e kinematografisë është në zi, pasi humbi njërin prej figurave më të rëndësishme të filmit. Është ndarë nga jeta në moshën 56-vjeçare, regjisori i njohur Gjergj Xhuvani. Ai vuante prej disa kohësh nga një sëmundje e rëndë dhe ka ndërruar jetë në një spital në Romë. Gjergj Xhuvani njihej si regjisor, skenarist, producent shqiptar. Xhuvani është i njohur për krijimtarinë e tij kinematografike. Xhuvani lindi në vitin 1963 në Tiranë ku edhe u diplomua në degën e arteve dramatike. Në vitin 1991 realizoi filmin e tij të parë “Bardhezi”, ndërsa produksioni i fundit që la për shqiptarët është telefilmi me 5 seri i quajtur “Në kërkim të kujt”. Nuk duhet harruar që Xhuvani qe i pari që mundi të çojë Shqipërinë në Kanë përmes filmit “Parrullat” në vitin 2001. “Ëngjëjt janë larg”, ishte filmi i fundit që u shfaq në kinematë shqiptare dy vite me parë.  Xhuvani evokoi luftën e Kosovës përmes historisë së 12 fëmijëve të një jetimoreje në Gjakovë. Ai ishte bashkëshorti i aktores së njohur, Luiza Xhuvani. Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka përcjellë një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të regjisorit, Gjergj Xhuvani. Në mesazhin e tij, Kreu i Shtetit vlerëson kontributin e Xhuvanit në kinematografinë shqiptare dhe punën e tij për artin shqiptar. Qendra Kinematografike e Kosovës, i ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes Xhuvani, filmbërësve dhe të gjithë admiruesve të krijuesit të kinematografisë shqiptare, Gjergj Xhuvani. QKK thotë se Xhuvani njihet si një ndër krijuesit më të mëdhenj të kinematografisë shqiptare. Pas lajmit tragjik të vdekjes së të atit, Kostandin Xhuvani ka kërkuar leje për të marrë pjesë në ceremoninë mortore. Prej 5 vitesh ai po vuan dënimin pasi në nëntor të 2014-ës u shpall fajtor për vrasjen e 4-personave. Ai i kërkon leje drejtësisë për të përcjellë të atin në banesën e fundit.