Kina: Lufta tregtare me SHBA-në do të cënojë ekonominë botërore

Lufta tregtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) do të cënojë ekonominë botërore, sipas zyrtarëve kinezë, ndërkohë që Pekini ka shtuar kritikat mbi tarifat e propozuara nga Washingtoni.

Pas presioneve nga vendet aleate, SHBA-të kanë ofruar mundësinë e përjashtimeve nga tarifat prej 25 për qind të importeve të çelikut dhe 10 për qind të aluminit, të caktuara nga presidenti Donald Trump gjatë javës së kaluar, shkruan Scan.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian dhe Japonisë i bënë thirrje Shteteve të Bashkuara që t’i përjashtojnë nga këto masa. Megjithatë, objektivi i vërtetë i Trump është Kina që me zgjerimin e vrullshëm të kapacitetit ka sjellë mbushjen e tregjeve globalë të çelikut.

Zyrtarët në Kinë kanë përsëritur se vendi do të mbrojë të drejtat dhe interesat nëse shënjestrohet nga SHBA.

“Nuk ka fitues në një luftë tregtare. Kjo do të përkeqësojë ekonominë e Kinës, SHBA dhe gjithë botës”, tha Ministri i Tregtisë në Kinë, Zhong Shan, duke shtuar se duhet bërë bisedime.

Shtetet e Bashkuara përbëjnë importuesin më të madh të çelikut në botë, me blerjet që arritën në 35 milionë tonë në 2017-në. Nga këto, Korea e Jugut, Japonia, Kina dhe India, përbënin për 6.6 milionë tonë. /Telegrafi/