KERCENON LULZIM BASHA: “Edhe 300 drejtorë do t’ia heqim LSI-së nëse shantazhohen qytetarët për vota”

Kryetari i PD­-së, Lulzim Basha është shprehur sot nga Mallakastra se edhe 300 drejtorë të tjerë do të ikin nëse ata shantazhojnë apo mashtrojnë qytetarët për votën e 25 qershorit.

Basha iu përgjigj kështu pretendimeve të drejtuesve të shkarkuar që në shumicën e rasteve janë emërime të LSI. Kjo e fundit e ka cilësuar si hakmarrje politike vendimet e ministrave teknikë për pushimet nga puna.

Por sot, duke prezantuar ekipin e Fierit Basha tha se “Ankohen se kanë ikur 20-30 drejtorë. Do ikin edhe 300 të tjerë nëse shantazhojnë qytetarët. Koha e mashtruesve po merr fund.

Po vjen koha e njerëzve punëtorë të Mallakastrës dhe gjithë Shqipërisë. Republika e vjetër kapitulloi duke nënshkruar reformën kushtetuese dhe zgjedhore”.

Sipas Bashës “betejën në 25 qershor do ta fitojnë qytetarët. Kjo është beteja. Gjithçka tjetër është shfaqje, janë mashtrime. Beteja është: ose do të mposhtim republikën e vjetër të politikanëve të korruptuar që kanë 27 vjet që kanë përvetësuar pemën e demokracisë për veten e tyre, ose tjetër nuk ka. Koha ka ardhur. Shqiptarët janë bashkuar dhe unë jam i vendosur tu udhëheq drejt horizontit të demokracisë së qytetarëve, jo thjesht për një grusht qytetarësh”. /b.d