Këputet jeta e kërcimtarit fluturues, shqiponjës së “Valles se shqipes”, “Nderi Kombit”, Rexhep Çelik

Rexhep Çeliku “vallëtari fluturues”, Nder I Kombit, një nga ikonat e Ansamblit Popullor Shqiptar është shuar përgjithmonë në orët e para të ditës së premte, 12 janar 2018. Ai u shua në moshën 62-vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë. Vetëm dy ditë më parë presidenti I vendit Ilir Meta e dekoroi atë me “Nder i Kombit” , titull të cilin artisti e pranoi vetë në ceremoni.

“Shqipen fluturuese”, Rexhep Çeliku, në vlerësim të kontributit të jashtëzakonshëm si solist me nivel të lartë dhe mjeshtëri të veçantë artistike në interpretimin e valleve shqiptare; për promovimin denjësisht të vlerave të mirëfillta të trashëgimisë sonë kulturore kombëtare brenda dhe jashtë vendit, si dhe për pasurimin e fondit të krijimtarisë koreografike dhe përçimin e tij tek brezat e artistëve të rinj”, thuhej në motivacionin e presidentit.

Më tej presidenti vazhdoi duke thënë se “ Rexhep Çeliku, biri i një familje gjirokastrite të traditës kombëtare, ndoqi trashëgiminë e të atit duke e gdhendur vallen popullore shqiptare në tempullin e kulturës, në skenën e Ansamblit tonë Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore si “Shqipja fluturuese”, sikundër e ka karakterizuar kritika artistike shqiptare dhe e huaj.

Rexhep Çeliku, me pasion dhe përkushtim, me estetikë dhe mjeshtëri, me talent të jashtëzakonshëm ka shkruar disa nga faqet më të lavdishme të artit shqiptar. Rexhep Çeliku ka interpretuar solistin e parë në 200 valle, ka marrë pjesë në më shumë se 3000 shfaqje artistike dhe është nderuar me shumë çmime kombëtare e ndërkombëtare e medalje të ndryshme.

Figura emblematike dhe e veçantë e tij në skenë, kaq emocionuese sa edhe mbresëlënëse në portretin e tij të hekurt, por edhe në gjithë gjymtyrët e tij, me të drejtë është simbolizuar në thënien mbresëlënëse “Njeriu që vallëzon me shqipet” ose “Shqiponja e skenës shqiptare”.Ikja e tij është një ngjarje e trishtë për kulturën shqiptare e cila humbi një nga talentet e saj të rralla.

I lindur në Tiranë në vitin 1954, Rexhep Çeliku prej vitit 1976 ishte solist I Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore dhe numëron në reportorin e tij artistik rreth 8 mijë shfaqje, ku ka interpretuar 32 mijë role brenda dhe jashtë vendit.Është nderuar me titullin “Mjeshtër i Madh”, akorduar nga Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, me motivacionin “për interpretim me nivel të lartë artistik të të gjitha valleve shqiptare dhe transmetimin e saj duke ruajtur origjinalitetin”.Krijimtaria gati 45 vjeçare e tij, pak kohë më parë erdhi e botuar në një monografi nga Dedin Suli.

Libri tregonte karrierën e artistit nga një punëtor ndërtimi në një valltar fluturues. “Valltari që për 40 vjet radhazi i dha hijeshi skenës me trupin e tij lastar, me kërcimin e tij magjepsës”, shkruante Dedin Suli. “U detyrova që në përfundim të tetëvjeçares të hyja në punë që ti vija në ndihmë familjes. Si të gjithë fëmijët e asaj moshe, të cilët me të mbaruar shkollën punësoheshin ose në fermë ose në ndërtim, unë preferova ndërtimin, pasi dhe fizikisht isha i fuqishëm.

 

MESAZHI I BASHËS

Jam i hidhëruar nga lajmi se u largua sot shumë para kohe, një zot i skenës, Rexhep Celiku. Që në fëmijëri më ka lënë mbresa arti i tij dhe kam menduar se askush më mirë se ai nuk e manifestonte shpirtin shqiptar, historinë tonë të stuhishme, sepse askush më shumë se ai nuk i ngjante një shqiponje me krahët e hapur e shikimin e mprehtë. Vallja e tij ishte një ushqim epik që të çonte shpirtin peshë. I detyrohemi shumë Rexhep Çelikut, i cili, ishte bërë me kohë me talentin, pasionin dhe virtuozitetin e tij, nder i kombit. I mundur nga sëmundja e rëndë, por fatlum që do jetojë gjithnjë tek ne, me krahët lart e shikimin nga qielli, si shqiponjë krenare.

 

MESAZHI I SALI BERISHES

“Te dashur miq, skena, kercimi, vallja shqiptare dhe kultura jone jane sot ne pikellim dhe zi. Legjenda e skenes, valles dhe kercimit tone, solisti i madh i Ansamblit tone te Valleve, Rexhep Çeliku mbylli syte, uli flatrat pergjithmone!

MESAZHI I MINISTRES SHQIPTARE TE KULTURES, MIRELA KUMBARO

Fluturove shume lart sot Shqipe, per te vallezuar vec me engjejt atje lart.

Lamtumire Rexhep Çeliku, “Nderi i Kombit” !

Duke shprehur nderimin tim me te madh per vepren e pavdekshme te artistit virtuoz Rexhep Çeliku, i shpreh familjes se tij ngushellimet me te sinqerta per humbjen e saj te madhe! sb”.

MESAZHI I MINISTRIT TE KULTURES SE KOSOVE, KUJTIM GASHI

E nderuara familje Çeliku,

Të nderuar kolegë të Ansamblit Popullor të Këngëve dhe Valleve dhe të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit,

Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Ikonës së valles shqipe, Mjeshtrit të Madh dhe Nderit të Kombit, Rexhep Çeliku

Kultura shqiptare anekënd ku frymohet shqip, ka përjetuar një humbje tepër të madhe dhe të pazëvendësueshme në tërësi veçanërisht në fushën e koreografisë.

Nëpërmjet këtij telegrami më lejoni të shpreh ngushëllimet e mia të thella, në emër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dhe në emrin tim personal.

Me angazhimin e tij, me shkëlqimin e tij kur ka fluturuar në skenë, Rexhep Çeliku do të mbetet i paharruar ndër ne për vallet e shumta dhe koreografinë që ka përcjellë dhe me të cilën jemi rritur.

Rexhepi ka qenë i të gjithë shqiptarëve, ka qenë krenaria kombëtare dhe ne jemi mburrur më të. Njëjtë, ndjejmë edhe dhimbjen për shkuarjen e tij në amshim.

Ne e kujtojmë me pietet dhe respekt angazhimin dhe kontributin e tij të çmuar i cili do të mbetet vlerë dhe orientim për gjeneratat të tëra. Dhe i tillë do të jetë përgjithmonë, gjithnjë përderisa përmendet dhe luhet vallja shqipe. Gjithnjë përderisa kujtohen dhe nderohen legjendat!

Pusho në paqe artist i madh!