“Kartelat e verdha”, ja si u projektua lufta e klasave. Lufta për të eliminuar kundërshtarët edhe në paqe

Shteti mbyll dyert për kundërshtarët politikë. Projektimi i luftës së klasave. Lufta për të eliminuar kundërshtarët edhe në paqe. 

Lufta e klasave kishte filluar e ashpër në Shqipërinë e pas Luftës së Dytë Botërore. Komunistët kishin marrë pushtetin, ndërsa kundërshtarët e tyre politikë, ose dergjeshin burgjeve, ose vazhdonin të përndiqeshin në mënyra nga më të ndryshmet. Një nga këto mënyra është e realizuar nëpërmjet një vendimi të Këshillit të Ministrave të vitit 1951.

Vendimi në fjalë nuk të përndiqte me qëllim futjen në burg të një kundërshtari politik të quajtur thjesht si “armiku”. Qëllimi i këtij vendimi ishte të linte pa punë dhe, rrjedhimisht pa bukë, “armiqtë” dhe vetë familjet e “armiqve”. Por që të realizohej e gjitha kjo, duhet të bashkërendonin punën të gjitha institucionet shtetërore, ndërmarrjet prodhuese, por dhe kooperativat bujqësore, duke bërë të mundur seleksionimin e njerëzve në “ata që mbanin krahun e partisë” dhe ata që për shkak të ideve apo veprimtarisë në kundërshtim me vijën politike të Partisë Komuniste, cilësoheshin si “armiqtë e partisë e të popullit”. Në këtë vendim, me numër protokolli 219, të datës 31 mars 1951, thuhet:

Këshilli i Ministrave të Republikës Popullore të Shqipërisë, për të vendosur një kontroll rigoroz në lidhje me mospranimin në punë, si nëpunësa e specialistë, tw atyre elementëve që pushohen nga puna për qëndrim armiqësor karshi pushtetit popullor, VENDOSI… 

Asnjë punë pa librezën e punës

Në filtrin për t’u marrë në punë si punonjës i thjeshtë e për më tepër si specialist, duhet patjetër të kalonin të gjithë punëmarrësit. Dhe, nëse punësoheshe pa patur librezën e punës, përgjegjësia për lëshimin do të ishte e madhe. Në këtë mënyrë, vendimi i Këshillit të Ministrave kishte parashikuar një pikë ku thuhet: “Asnjë nëpunës apo specialist, nuk duhet të merret në punë, pa paraqitur librezën e punës. Konform urdhëresës së Këshillit të Ministrave mbi librezën e punës, në rast se veprohet në kundërshtim me dispozitën e mësipërme, përgjegjës direkt para Këshillit Ministror janë Ministrat dhe Kryetarët e Komiteteve Ekzekutive”.

Evidencat për punëtorët e thjeshtë

Pika e fundit e vendimit të Këshillit të Ministrave kërkon evidentimin e të gjithë punëtorëve të thjeshtë. Në këtë pikë thuhet: “Për të gjithë punëtorët e thjeshtë që paraqiten për punë pranë qendrave të punës, kantjereve dhe institucioneve të ndryshme, duhet të kryhen nga ana e Drejtorive përkatëse, evidenca numerike ekzakte e tyre, duke shënuar emrin, mbiemrin, vendbanimin e tij definifiv, si dhe profesionin që kanë ushtruar deri n atë kohë”.

DEKLARIMI

Çfarë ishte “Dega e Fuqisë Punëtore”

Në të gjitha rastet, për një punonjës që kërkonte të punësohej në një institucion a ndërmarrje prodhuese, përgjigjej një institucion i veçantë, i ngritur pranë Kryeministrisë dhe i emërtuar si “Dega e Fuqisë Punëtore”. Sipas pikës së katërt të vendimit të Këshillit të Ministrave, ky institucion duhej të deklaronte dhe punëkërkuesi i plotësonte kërkesat apo ai ishte i kategorisë “kartela e verdhë”. Kështu, pika katër e vendimit të Këshillit të Ministrave thotë: “Kur një Ministrie, Komiteti Ekzekutiv, Ndërmarrjeje apo Instituti i paraqiten për të kërkuar punë, nëpunës apo specialistë, të cilët nuk kanë librezën e punës, mbahen n evidencë kërkesat e tyre dhe pyetet menjëherë Dega e Fuqisë Punëtore pranë Kryeministrisë, nëse ekziston apo jo emri i tij në evidencën e elementit të pushuar për qëndrim të keq. Në rast se emri i tij ekziston, elementi që është paraqitur për punë nuk merret në shërbim. Pavarësisht dhe nga lajmërimi dhe përgjigjja që pritet nga Dega e Fuqisë Punëtore për të tilla raste, Komiteti Ekzekutiv duhet të bashkëpunojë me Degët e Brendshme dhe të marrin dhe mendimin e tyre”.

EVIDENCAT

“Armiqtë” me kartonat e verdhë

Pikë së pari, të gjithë ata që e kishin marrë damkën “armik”, duhet të kishin edhe një shenjë dalluese. Një karton të verdhë. Kështu, në pikën e parë të vendimit të Këshillit të Ministrave thuhet: “Urdhërohen gjithë ministrat, drejtorat (ose përgjegjësit) e ndërmarjeve dhe instituteve të ndryshme shtetërore dhe kooperativiste si dhe kryetarët e Komitetit Ekzekutiv të K.P, që nëpunësat apo specialistët që i pushojnë nga puna për qëndrim armiqësor karshi pushtetit, t i pajisin me nga një kartelë (bojë e verdhë) në formatin dhe përmbajtjen, siç i bashkangjitet këtij vendimi. Dublikata e të njëjtës kartelë t’i përcillet menjëherë Kryeministrisë (Degës së Fuqisë Punëtore)”.

KARTOTEKA

Seksioni që seleksiononte kundërshtarët

Ndërkohë, ajo që i kërkohej Seksionit të Evidencave ishte hapja e një kartoteke, ku të seleksionoheshin ata që kishin kartelat e verdha. Në pikën e dytë të vendimit të Këshillit të Ministrave thuhet: “Urdhërohet dega e Fuqisë Punëtore e Kryeministrisë (Seksioni i Evidencës) të krijojë menjëherë kartotekën dhe evidencën e elementit të pushuar për qëndrim armiqësor karshi pushtetit, konform udhëzimeve më të hollësishme që do t i jepen në këtë drejtim”.

Përgatiti: Leonard Veizi/ DITA