Kardinal Troshani nderohet me dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta nderoi të martën me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” kardinal Ernest Simoni Troshanin me motivacionin: “Kardinalit të shquar shqiptar, përfaqësuesit të brezit të jashtëzakonshëm të klerikëve katolikë që jetën ia kushtuan besimit të palëkundur ndaj Zotit, dashurisë së pakushtëzuar ndaj njerëzve, vlerave të larta shpirtërore dhe morale, lirisë së ndërgjegjes e qëndresës dinjitoze në shërbim e në respekt të atdheut dhe kombit”.

Presidenti Meta ja dorezoi dekoratën kardinalit 90 vjeçar gjatë pelegrinazhit të zhvilluar të martën në Kishën e Shna Ndout, në Laç të Kurbinit, një nga vendet më të shenjta dhe më të vizitueshme nga besimtarët katolikë në Shqipëri.

Gjatë ceremonisë së rastit, Presidenti Meta tha mes te tjerash se kardinal Troshani është përfaqësues i brezit të jashtëzakonshëm të klerikëve katolikë shqiptarë:

“Kjo dekoratë me emrin e madhështorit e të pavdekshmit Heroit tonë Kombëtar, “shqiptarit më të gjallë ndër të gjallët”, siç do të shprehej Fan S. Noli, i jepet sot Kardinalit Troshani, si përfaqësues i brezit të jashtëzakonshëm të klerikëve katolikë që jetën ia kushtuan besimit të palëkundur ndaj Zotit, dashurisë së pakushtëzuar ndaj njerëzve, vlerave të larta shpirtërore dhe morale, lirisë së ndërgjegjes e qëndresës dinjitoze, në shërbim e në respekt të atdheut dhe kombit.”

Kardinali Ernest Simoni Troshani është njëri ndër dëshmitarët e fundit të gjallë të brezit të klerikëve shqiptarë, që u persekutuan mizorisht nga komunizmi për besimine tyre.

Presidenti Meta vlerësoi gjithashtu edhe bashkëjetesën ndërfetare në Shqipëri, si një tipar që ka dalluar shqiptarët ndër shekuj.

“Bashkëjetesa mes besimeve fetare të shqiptarëve”, tha Presidenti Meta, “është një thesar, një pasuri dhe një vlerë e jashtëzakonshme”.

Më 19 nëntor të vitit 2016, Dom Ernest Simon Troshani u nderua me titullin ‘’Kardinal’’ nga Papa Françesku me motivacionin “Për qëndresë historike në periudhën komuniste”.

Ndërsa, në prill të vitit të kaluar, ish Presidenti Bujar Nishani nderoi me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” kardinal Troshanin, i cili është kardinali i dytë shqiptar.

VOA