Kapja e terroristit shqiptar të ISIS, drejtësia amerikane falenderon policinë shqiptare

Drejtësia amerikane falënderon Policinë e shtetit shqiptar për bashkëpunimin në një hetim, kundër një personi të dyshuar për terrorizëm.

Përmes një njoftimi publikuar në faqen zyrtare, Prokurori i SHBA-së për Distriktin Jugor të Nju Jorkut Geoffrey S.Berman dhe Zv/Ndihmësprokurori i Përgjithshëm për Sigurinë kombëtare Edward C.O’Callaghan, njoftuan se Sajmir Alimehmeti, i njohur edhe si “Abdul Qawii”, u gjet fajtor për tentativën për mbështetje materiale ndaj Shtetit Islamik të Irakut dhe Shamit (ISIS), si dhe për falsifikimin e pasaportës me qëllim lehtësimin e një veprimi terrorizmi ndërkombëtar.

Prokurori i SHBA -së për Manhatanin citon se “siç e pranoi në gjyq sot, Sajmir Alimehmeti bëri tentativa për të udhëtuar jashtë vendit për të mbështetur fushatën e terrorit të ISIS-it. Ai bleu gjithashtu armë luftarake dhe ndihmoi një person tjetër që të gjente dokumente udhëtimi, pajisje dhe teknologji koduese (enkriptimi) për të luftuar me ISIS-in në Siri.”

Alimehmeti, 24 vjeç, banues në Nju Jork, rrezikon të dënohet deri në 25 vjet burg.

Z.Berman dhe z. O’Callaghan lavdëruan përpjekjet e jashtëzakonshme të Task-Forcës së Bashkuar ndaj Terrorizmit të FBI-së në Nju Jork, e cila përbëhet kryesisht nga agjentë të FB-së dhe detektivë nga Policia e Nju Jorkut.  Z. Berman falënderoi Seksionin e Kundërterrorizmit në Divizionin e Sigurisë Kombëtare në Departamentin e Drejtësisë, Zyrën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Departamentin e Drejtësisë, Policinë e Shtetit të Shqipërisë dhe Komandën Kundër Terrorizmit në Shërbimin e Policisë Metropolitane të Londrës, Mbretëria e Bashkuar.