Kanuni i Lekë Dukagjinit sipas At Gjergj Fishtës

Fjala kanûn s’ká dyshim, se etimologisht rrjedhë prej fjalet greqishte «kanón», qi don me thânë : mastár – njajo vegel drunit a e ndonji brumit tjeter, qi vien me terhjekë viza të ndrejta. Metaforikisht shenjon shtillin e ligjvet gojdhânse e të pa kodifikueme, mbas të cillave hecte dikúr hullija e jetës e e veprimit të popullit shqyptár.
Por pse i thonë: i Lekë Dukagjinit? qe nji çashtje e cilla enè nuk âsht zhvillue krejt mirë e me sugurí të plotë. Nji palë thonë, se quhet i Lekë Dukagjinit, per arsye qi ky Leka e paska mledhë e kodifikue i pari. Ktij mendimi duket se ká kêne edhè Dr. Milan Šufflay, i cilli ne librin e vet «Serbtë edhè Shqyptarët» (perkthye prej slavishtes) thotë në faqe 90 – «Gojdhâna, mbas së cillës këto zakone ligjare të quejtuna me êmnin «Kanuni i Lekës», âsht në lidhje me Lekën III. Dukagjinin» (1459-1479). E vertetë se Auktori i famshem, nuk thotë, se ky Lekë Dukagjini III. ká permbledhë e kodifikue Kanunin në fjalë; por prej do vendeve tjera të librit të tij të sypripermendun mund të thohet edhè, se pernjimend Kanuni ká mûjtë me kênë kodifikue prej Lekës III.
Prej vepret të citueme të Dr. Šufflay theksohen do fakte, qi mund të kenë të perpjekun me kodifikim të ligjvet në Shqypní. Qe nji herë Auktori thotë, (f. 23 et seq.) se që prej së të tremdhetes qindvjete nder do gjytete të Shqypnís gjindeshin zyre noterjale, kû u shkruejshin e prej kahë u perhapshin lajmet gjygjtare të vendit. «Prej trajtës e prej mbrendsís së lajmevet noterjale shqiptare – dukljane, shkruen mandej (f. 25 et seq.) mund të xjerrim ndonji gjâ mbí faret e statutevet të gjytetevet…»
Në nji tjeter vend mandej shton (f. 27) «…qytetasit e Durrsit kishin qenë të shternguem t’i mshehshin statutet e veta. Në fillimin e periudhës së Venedikut (1398) u gjet vetem nder Franciskâjt e atjeshem neni i 35 i nji Statuti, i shkruem mbí papír». Paska pasë pra aso kohe statute të shkrueme në Shqypní.
Mâ teper (op. cit. f. 87 et seq.) Dr. Šufflay kallxon, se si rreth së të tremdhetës qindvjetë filluen me u trajtue në Shqypní si do republika të vogla të permbâme prej disá fshatesh a bajrakësh, «tue marrë me vedi dý elemente të reja: nji ushtarak e nji ligjuer» Kshtû (1414 «e mâ tutjè») bâhet jashtzaonisht i fortë fisi i Hotit, kryetari i të cillit quhej: Kapetan (Capitaneus montanae Hottorum), e rreth vjetit 1415 trajtohet lidhja e barjakvet të Mirditës, e cilla aso kohe mund të dyndte nji ushtrí 12,000 luftarësh. – Se do të ketë pasë dikúr kso republikash të vogla në Shqypní, na difton – mbas mendimit t’êm – fakti, qi ktû ka vise, qi quhen me dy êmna pllojcë. Per shembull: Shalë e Shosh, Pukë e Iballe, Shllak e Temal, Mat e Çidhen etr. Tash, tue kênë se Auktori thotë, se edhe Drishti n’interland të verit të Shqypnís – ká pasë Statutin e vet të kodifikuem (op. c. f. 25) nuk âsht krejt fjalë e pa vend, me thâne, se edhè kto republika kan mûjtë me pasë të kodifikueme ligjët e veta – mos seecilla m’vedi, nji kanûn të perbashktë të gjitha.
Masandej Auktori shkruen, (f. 91 e 180 op. c.) se disá nder kryetarë fisesh në Shqypní u naltsuen në dinast të pamvarun. T’a merr mendja prá, se kta dukë e princa, qi drejt per së drejti e n’êmen të vet lidhshin besë e merrshin e epshin me Shtete të mdhá t’Europës, s’do të kenë lânë mbas dore kodifikimin e ligjvet per vise të veta: mbasì aso kohe u gjindshin kso ligjësh e kso statutesh të kodifikueme. Prandej âsht të gjith gjasa se «Kanuni i Lekë Dukagjinit» dikúr ká kênë i kodifikuem. Ket punë e dishmojn edhè analogít e shumta, qi ligjët e Kanunit te sodshem kan me ligjë të Romës, të Byzantit, të Serbvet. – Merret vesht prej vedit, se, mbas të hîmit të Turqvet në Shqypní, «Kanuni i Lekës» ká hupë si formë kodi, e âsht perdhosë si landë drejtsije.
E po nder cillat vise të Shqypnís qitej në punë, a – si thonë sot – zbatohej «Kanuni i Lekë Dukagjinit»? Qe nji tjeter pvetje, së cilles nuk mund t’i pergjegjet me sugurí; pse mjerisht per shum do arsye mungojn shenime pozitive mbí ket çashtje. Por, per me folë pergjithsisht, mund të thohet se ká pasë vlerë legale nder Lekë (Malsorë të Mbíshkoders) e në Dukagjin. – Dukagjini nder kohë të kalueme perfshîte Shalë e Shosh, Pukë e Iballe, Mirditë, Kthellë e Selitë e Zhuben (Malsín) e Lezhës. – Per ket punë thonë nji palë, se Kanuni quhet i Lekë Dukagjinit, jo pse ká kênë kodifikue prej Lekë Dukagjinit, por pse ká kên zbatue nder «Lekë» e «Dukagjin»; pra: «Kanuni Lekë-Dukagjin», e jo i «Lekë Dukagjinit». Kto çashtje tash i zhvillon me kohë historija.