Kanga Majekrahit, prejardhja, historia dhe veçoritë unike të saj- Nga Nikolla SPATHARI

PËRMBLEDHJE

Kanga Majekrahit është kënga më autentike e Malësive të Veriut. Ajo zë vendin e një hyni shekullor të malësorëve. Kjo këngë e vjetër deri në sot nuk është studiuar në mënyrë serioze, ndonse është ndër më të herëshmet këngë që vijnë nga thellësia e shekujve. Trashigimia kulturore ilire është një trashigimi e vyer. Ajo i takon popullit tonë dhe vetëm atij, pamvarësisht nga interferencat. Gjithçka që i ka shpëtuar kronikës epokale të humbjes, siç është “Kanga Majekrahit, është një visar për kombin. Këto visare të pakta, jo vetëm që janë trashëguar, por edhe kanë kaluar nepër etapa të reja të zhvillimit historik. Kanga-Majekrahit u ka bërë shumë përshtypje studjuesve dhe udhëtarëve të huaj. Edit Durham e identifikon këngën shqiptare pikërisht me këtë këngë, e quan këngë tipike shqiptare.

HYRJE

Të parët tanë, ilirët, duke qenë njëri nga popujt më të lashtë të Europës, domosdo që shumë heret u bënë edhe faktor i zhvillimit të kulturës së hershme në kontinent. Malësia e Madhe është si një muze antik ku gjinden eksponate të shumta të lashtësisë më të hershme, sidomos në universin e vlerave shpirtërore. Por sistemi i vlerave të vjetra shpirtërore në Malësi është një sistem ekocentrik. Dhe ashtu si të gjitha sistemet ekocentrike edhe ai ka në qendër yllin e tij më të ndritshëm. Ky yll është himni shekullor i malësorëve që mban emërtimin më interesant dhe më origjinal, Kanga-Majekrahit. Një ligjëratë muzikore tepër lakonike, por ndoshta ligjërata më e herëshmeqë që është ruajtur në folklorin muzikor shqiptar. Me siguri, pikërisht këtë këngë, ka pasur parasysh Eqrem Çabej kur shkruante: “Meloditë që do të jenë muzikalisht dhe kronologjikisht më të vjetra, rrojnë në këngët e malësorëve të Shqipërisë Veriore. Kjo këngë solo e fortë është shprehja e qëmoçme e malësorit të lirë, gjurma tingëllore e fundit të shtresës primere të kulturës shqiptare”.1) Kanga-Majekrahit, si melodi e vjetër, që u ka rezistuar shekujve dhe ka ardhur gjer në ditët tona, ka pasur fatin e madh sepse në shekuj është bërë himni i malësorëve. Shndërrimi i saj dalëngadalë në një himn e ka sfiduar në mënyrën më të shkëlqyer kronikën epokale të humbjeve të mëdha. Madje, edhe tashti, që prej kohe kanë hyrë në shkallë të gjërë orkestrat dhe këngëtarët e specializuar, dasma fillon me Kangën-Majekrahit, pastaj hyn në veprim orkestra dhe këngëtari që ka ardhur për ta bërë sa më të gëzueshme dasmën.

  1. KANGA MAJEKRAHIT

Në kërkim të hapave të parë të historisë së artit zbulimet tregojnë se, ç’prej 50 mijë vjetësh, jeta e njerëzimit ka filluar të pasurohet edhe me krijimtari. Jo vetëm t’i kërkosh, po edhe t’i imagjinosh kaq larg rrënjët e artit është një marramendje e pashembullt. Krijimet e vjetra të mendjes njerëzore sigurisht janë përshkuar nepër një kronikë humbjesh të mëdha. Megjithatë është një detyrim kombëtar të kërkosh shtë çfarë mund t’u ketë shpëtuar valëve të zhdukjes së madhe mijëravjeçare.

Në kahun e pesëdhjetëmijëvjeçarit të kaluar çdo popull ecën për hesap të vet. Është me interes të madh qoftë edhe një hap i vetëm i hedhur në këtë drejtim. Nëqoftëse diçka e lashtë i ka shpëtuar kronikës tragjike të humbjes shekullore, ajo është një fatbardhësi kombëtare më tepër.

Të parët tanë, ilirët, duke qenë njëri nga popujt më të lashtë të Europës, domosdo që shumë heret u bënë edhe faktor i zhvillimit të kulturës së hershme në kontinent. Ata janë përftuesit e kulturës parahistorike të Hallshtatit në Tirol të Austrisë. Një kulturë kjo që daton shumë heret – 35 shekuj më parë. Gjithashtu janë gjyshërit tanë ilirë që u përket Kultura Lusaciane e kohës së bronxit në Poloni, si dhe kultura të tjera tepër të njohura. Lexuesi i thjeshtë mund të pyes se ç’hyjnë këtu Austria dhe Polonia? Por edhe ai duhet ta dijë se shtrirjen e dikurshme të ilirëve të moçëm nuk e përcaktojnë dot kufinjtë e sotëm të Shqipërisë, madje as ata të Ballkanit. Ilirët ishin një popull i madh i Europës antike, ndaj ishin shpërndarë gjer larg në viset e saj. Për këtë trysni ilire Franz Altheim në mes tjerash shkruan: “Në mbarim të XIII shekull para Krishtit Ilirasit fituen për të parën herë një randsi historike botnore…”2)

Trashigimia kulturore ilire është një trashigimi e vyer. Ajo i takon popullit tonë dhe vetëm atij, pamvarësisht nga interferencat. Gjithçka që i ka shpëtuar kronikës epokale të humbjes është një visar për kombin. Këto visare të pakta, jo vetëm që janë trashëguar, por edhe kanë kaluar nepër etapa të reja të zhvillimit historik.

Krijimtaria artistike kolektive e të parëve tanë të lashtë është trokitja më e fuqishme që vjen nga antikiteti. Dhe është një plotësi e habitëshme e të gjitha degëve të artit të moçëm. Por edhe ndërmjet këtyre degëve të artit të dikurshëm sigurisht që ka vite e ndoshta edhe shekuj në mes. Pa hyrë fare në idenë e krahasimit të vjetërsisë së zhanreve të artit ilir, do të thosha se frazat muzikore mund të jenë gurzit më të hershëm në mozaikun e krijimtarisë tonë të lashtë. Muzikologu Ramadan Sokoli, i cili është njëri nga njohësit më të mirë të trashëgimisë muzikore të popullit tonë, duke e hedhur vështrimin në traditat tona më të lashta muzikore, ndër të tjera thotë: “Nëse stërgjyshërit tanë kishin kulturën, besimin, zakonet dhe gjuhën e tyre, patjetër ata kishin edhe veçantitë e ligjiratës muzikore që i dallonin pak a shumë nga popujt e tjerë…”.3)

Siç kam pohuar edhe diku tjetër, Malësia e Madhe është si një muze antik ku gjinden eksponate të shumta të lashtësisë më të hershme, sidomos në universin e vlerave shpirtërore. Por sistemi i vlerave të vjetra shpirtërore në Malësi është një sistem ekocentrik. Dhe ashtu si të gjitha sistemet ekocentrike edhe ai ka në qendër yllin e tij më të ndritshëm. Ky yll është himni shekullor i malësorëve që mban emërtimin më interesant dhe më origjinal, Kanga-Majekrahit. Një ligjëratë muzikore tepër lakonike, por ndoshta ligjërata më e herëshmeqë që është ruajtur në folklorin muzikor shqiptar. Me siguri, pikërisht këtë këngë, ka pasur parasysh Eqrem Çabej kur shkruante: “Meloditë që do të jenë muzikalisht dhe kronologjikisht më të vjetra, rrojnë në këngët e malësorëve të Shqipërisë Veriore. Kjo këngë solo e fortë është shprehja e qëmoçme e malësorit të lirë, gjurma tingëllore e fundit të shtresës primere të kulturës shqiptare”.4)

Mendja të thotë se, pas asaj që Çabej e quan gjurma tingëllore e fundit e shtresës primere të kulturës shqiptare, muzikologët duhet të suleshin kush e kush më parë për të vënë në dukje moshën dhe vlerat e saj si qemeri më i lashtë i godinës muzikore shqiptare. Por fatkeqësisht nuk ka ndodhur kështu. Me sa di unë asnjë shqyrtim serioz i saj deri më sot nuk është bërë. Për çudi edhe muzikologët veriorë, përfshi këtu edhe profesorin e nderuar Ramadan Sokoli, më tepër kanë rendur pas studimit të polifonisë duke lënë disi në harresë këtë thesar të lashtësisë muzikore shqiptare. Vërtetë kënga me polifonike është E Bukura e Dheut e folklorit muzikor shqiptar të lindur në fillimet e jetës kolektive të të parëve tanë. Por shkëlqimi i saj nuk zbehet aspak nëqoftëse themi se kemi një traditë edhe më të lashtë muzikore të zhvilluar në jetën më të vetmuar të malësorëve. Unë e konsideroj nder kombëtar po qe se ne kemi, jo një, po dy ose më shumë bukuroshe të artit të lashtë muzikor.

Nuk them se Kanga-Majekrahit nuk është përmendur nga studjuesit tanë. Por t’i kalosh tangent nuk do të thotë ta studjosh. Të përmendësh vetëm kalimthi një thesar kaq të vjetër të kulturës së moçme shqiptare nuk mund të prehesh i qetë se e ke kryer detyrën tënde ndaj vlerave antike të kulturës shekullore kombëtare.

Kanga-Majekrahit, si melodia më e vjetër që u ka rezistuar shekujve dhe ka ardhur gjer në ditët tona, ka pasur fatin e madh sepse në shekuj është bërë himni i vetëm i malësorëve. Shndërrimi i saj dalëngadalë në një himn e ka sfiduar në mënyrën më të shkëlqyer kronikën epokale të humbjeve të mëdha.

Himnet kombëtare të popujve janë gjithmonë disi të vonë. Ata vijnë pas një historie të tërë, si një koncentrat i saj. Edhe kombi ynë, si të gjitha kombet e tjera, ka Himnin Kombëtar të tij. Por u deshën epoka të tëra luftrash dhe përpjekjesh gjersa ato të reflektoheshin në mënyrë lakonike në një himn. Kjo ndodhi vonë, shumë vonë, vetëm në shekullin njëzet. Megjithatë kjo nuk do të thotë se para konsolidimit të kombit nuk kanë ekzistuar himne të tjera të vjetra. Siç duket populli ynë i lashtë ka pasur një përvojë të gjatë himnesh derisa ka arritur tek Himni Kombëtar. Sigurisht, si shumë gjëra të tjera, këto himne kanë humbur. Por, në dallim me popujt e tjerë, shqiptarëve u ka shpëtuar njëri nga himnet më të moçme, falë karakterit konservativ të malësorëve.

Kanga-Majekrahit edhe sot e kësaj dite ruan të gjitha atributet e një himni. Prandaj është me vend që atë ta konsiderojmë si Himni Shekullor i Malësorëve. Ajo është kënga që hap çdo log, çdo festë, çdo dasëm, çdo grumbullim. Madje, edhe tashti, që prej kohe kanë hyrë në shkallë të gjërë orkestrat dhe këngëtarët e specializuar, dasma fillon me Kangën-Majekrahit, pastaj hyn në veprim orkestra dhe këngëtari që ka ardhur për ta bërë sa më të gëzueshme dasmën. Mjafton ky atribut kryesor i himneve për të thënë se Kanga-Majekrahit është një himn si të gjitha himnet.

Kanga-Majekrahit u ka bërë shumë përshtypje studjuesve dhe udhëtarëve të huaj. Edit Durham e identifikon këngën shqiptare pikërisht me këtë këngë, e quan këngë tipike shqiptare. Për festën e Shën Nikollës që bie më 9 maj ajo ka vajtur nga Bratoshi në Shkrel, për të marrë pjesë në kremtimet që bënte Mali i Shkrelit me këtë rast. Ka të ngjarë që në këtë festë madhështore gjëja që i ka lënë më shumë mbresa studjueses angleze është kënga e çuditëshme Majekrahit, ndaj shkruan: “Pas darkës kënduam këngë tipike shqiptare që janë të pashoqe. Shkalla (muzikore-N.S.) shqiptare nuk është si shkalla moderne evropiane, por është e tëra me gjysmëtone dhe me tone të thyera. As muzika nuk ka kohë të rregullt. Ritmi i saj është i shpejtë ose i ngadalshëm, sipas ndjenjës dramatike të këngëtarit, dhe fjalët janë të zgjatura në mënyrë të pabesueshme e me kthesa minore të gjata, me ngritje dhe ulje zëri që pak gurmaze anglezësh do të mund t’i imitonin”.5)

Siç shihet edhe nga ky pasazh Edit Durham Kangën-Majekrahit të malësorëve e konsideron, jo vetëm një këngë tipike shqiptare, por edhe një këngë të pashoqe. Ajo vërtetë nuk e përmend emrin e këngës, por kushdo që e njeh sadopak Kangën-Majekrahit e kupton menjëherë se përshkrimi i mësipërm i përket asaj dhe vetëm asaj.

Kanga-Majekrahit është një thesar i artit primitiv të stërgjyshërve tanë të lashtë. Ajo është pjellë e kohërave shumë të vjetra dhe pasqyron karakterin historik të shprehur në një ligjëratë tepër të thjeshtë, por tepër të thekëshme muzikore. Ky himn është modelimi më i moçëm artistik i kohrave të lashta historike që kaluan dikur në këto Male.

Arti në përgjithësi është imitim. Një imitim i jetës reale të shoqërisë. Për rëndësinë e imitimit në origjinën dhe zhvillimin e artit flasin shumë filozofë, studjues e kritikë. Njëri nga ata, rusi Georg Plehanov shkruan: “S’ka asnjë dyshim se imitimi ka luajtur një rol shumë të madh në historinë e të gjithë ideve tona, shijeve, modës dhe zakoneve tona…”.6)

Është logjike të thuash se sa më i thjeshtë, sa më direkt të jetë imitimi i copëzave të jetës historiko-shoqërore në një krijim artistik, aq më i lashtë ka mundësi të jetë krijimi. Kanga- Majekrahit është imitim direkt i karakteristikës më dalluese të jetës luftarake të malësorëve që është kushtrimi . Asnjë detaj luftrash nuk ishte sa kushtrimi lendë aq e gatshme, që me një imitim të thjeshtë, të ngjitej në sferat e një krijimi artistik primitiv. Ndoshta, askush si malësorët nuk ka arritur që dy koncentratet më të fuqishme të luftrave të lashta shqiptare, kushtrimin mbi male dhe dyluftimin me armë të bardha t’i kthejë në krijime artistike jetëgjata. Kushtrimi, si prologu i çdo lufte, e ngacmoi që heret genin artistik të malësorit. Ai duhej të bëhej himn, ashtu siç duhej të bëhej vepër koreografike dyluftimi trup me trup si pika më kulminante e çdo beteje. Me Kangën-Majekrahit dhe Vallen e Shpatave imitimi krijues kapte dy anët më artistike të çdo lufte. Aftësia për të seleksonuar ato që ishin prozaike në luftrat e përgjakshme dhe për të bërë vepra artistike koncentratet më poetike të betejave është aftësi prej artisti të lindur. Malësori i moçëm nuk është, pra, vetëm një luftëtar i shkëlqyeshëm, por edhe një artist i lindur i cili, mu në mes të prozaizmit, din të zgjedhë poetikën e jetës së vrazhdë historiko-shoqërore.

Mekanizmi krijues i Kangës-Majekrahit është imitimi artistik i kushtrimeve të dhëna në shekuj. Këtë mekanizëm, ai që e ka kuptuar më saktë, e ndoshta edhe më heret, më duket se është Eqrem Çabej kur thotë: “Po t’i shikojmë për nga gjeneza, këto melodi nuk janë tjetër veçse thirrma e britur dhe e dëgjueshme që larg, të cilën e ndeshim në gjithë popujt malësorë. Por në rasën tonë mund të kemi të bëjmë me thirrjen e kasnecit e cila në kanunin tradicional të këtyre viseve luan një rol të rëndësishëm në pikëpamje sociale-ushtarake. Kjo do të jetë ndofta origjina e këtyre melodive”.7)

Modest në gjenialitetin e tij, Çabej, për të mos qenë i prerë në receta, përdor fjalën ndofta edhe pse duket plotësisht i sigurtë se kemi të bëjmë pikërisht me thirrjen e kasnecit, domethënë me kushtrimdhënien mbi male.

Arti është produkt i kohës. Ai nuk ka si të kuptohet jashtë kohës kur ka lindur dhe jashtë rrethanava historike që e kanë lindur. Vepra artistike, si koncentrat estetik përvoje njerëzore, frymëzohet nga idetë dhe proçeset historike të epokës. Por kur ajo reflekton kënaqësi estetike dhe në brezat njerëzor të epokave pasardhëse do të thotë se parametrat artistikë të epokës së vet i ka pasur të plotë. Kanga-Majekrahit ka përshkuar epokat pa e humbur vlerën e saj artistike në Malësi. Kjo gjë e rreshton atë në veprat artistike primitive me vlerë që i vijnë nga lashtësia e thellë popullit shqiptar. Mbase ajo i përket asaj kategorie krijimesh për të cilat Prof. Alfred Uçi shprehet: “…Veprat e shquara artistike të krijuara në një epokë e ruajnë vlerën dhe pëlqehen edhe nga njerëzit e një epoke tjetër”.8)

Kanga-Majekrahit sëbashku me Vallen e Shpatave japin pasqyrimin artistik përgjithsues të të gjitha luftrave të lashta që fillonin me një kushtrim mbi male dhe përfundonin me ndeshjet dyluftuese me jatagana. Asnjë personalitet krijues, sado i fuqishëm të ketë qenë, nuk ka mundur të bëjë një përgjithësim artistik të betejave të lashta në mënyrë kaq lakonike, me një ligjëratë muzikore prej tre vargjesh dhe një valle të ashpër armësh të bardha. Çuditërisht malësori i lashtë është një krijues fin, armik i proliksitetit që prish e shkatërron çdo krijim artistik.

Në gjithë universin e këngës folklorike shqiptare nuk ekziston një këngë tjetër që të jetë një imitim artistik i përpiktë i një veprimi karakteristik të luftrave të moçme të të parëve tanë. Qoftë edhe ky fakt i vetëm të lejon të nxjerrësh përfundimin se Kanga-Majekrahit është ligjërata muzikore më e vjetër e fondit folklorik shqiptar që na ka mbetur, pamvarësisht se studjuesit tanë nuk kanë pasur guximin apo dashamirësinë për ta pohuar me gojën plot e në mënyrë të prerë këtë gjë.

Duke ndjekur gjurmët më të lashta të muzikës tek stërgjyshërit tanë të moçëm, Profesor Ramadan Sokoli ndalet me një lloj keqardhjeje dhe shkruan: “Ndoshta gërmimet dhe hulumtimet e ardhëshme kanë për të nxjerrë në dritë edhe pjesë muzikore të shkrueme me ndonjë alfabet ose sistem semiografik të vjetër. Deshifrimi i këtij shkrimi ka për të na sjellë ushtimën e muzikës së stërgjyshërve tanë ”.9) Pa dyshim që gërmimet dhe hulumtimet mbase do të sqarojnë shumë gjëra për paraardhësit tanë të moçëm edhe në fushën e muzikës. Por unë do të thosha se në pritje të gërmimeve dhe hulumtimeve është e arsyeshme që muzikologu të merret me ato fraza të lashta muzikore që duke gjalluar në popull i ka mu përpara syve. Sepse ligjërata të tilla muzikore, siç është Kanga-Majekrahit, e sjellin tek ne jehonën e muzikës stërgjyshore edhe para se gërmimet ta nxjerrin nga nëntoka. Të anashkalosh pjesë shumë të vjetra muzikore që ruhen në popull për të pritur të tjera që mund të dalin nga nëntoka arkeologjike është njëlloj si të anashkalosh ujkun në kërkim të gjurmëve të tij.

E çmoj shumë Profesor Sokolin. Por do të marr leje para autoritetit të tij prej muzikologu për të thënë mendimin tim në këtë pikë. Dhe mendimi im është se t’u biesh pas gjurmëve të lashta muzikore të stërgjyshërve tanë të vjetër nuk mund të fillosh as nga këngët me iso as nga Niketa i Remezianës, por pikërisht nga Kanga-Majekrahit. Sot për sot andej dhe vetëm andej duhet të nisesh. Nëqoftëse gërmimet arkeologjike do të nxjerrin një ligjëratë muzikore më të moçme, atëhere kjo pikë referimi mund të ndryshojë. Por derisa të kemi një ligjëratë tjetër muzikore më të vjetër Kanga-Majekrahit duhet të vihet si qendër e kordinatave për të përcaktuar atë pjesë të grafikut tonë të lashtë muzikor që mund të përcaktohet. Ajo u shfaq shumë heret. Ndoshta në ato kohra kur horizonti muzikor i të parëve tanë ishte fare i zbraztë. Dhe jetoi gjatë, shumë gjatë, më gjatë se çdo këngë tjetër, duke ruajtur gjithmonë paramaterat e lashtë të imitimit krijues të kushtrimeve. Unë nuk njoh një këngë tjetër në gjuhën shqipe që të ketë ushtruar një ndikim kaq të fuqishëm estetik mbi ndërgjegjen e brezave, sa të mbajë sferat e larta të himnit për shekuj të tërë, që nga lashtësia e thellë e deri në kohët tona moderne.

Kushtrimi mbi male ka qenë briri më i lashtë i luftës për të parët tanë të hershëm. Briri i luftës, i volitshëm për hapësira të kufizuara kështjellash, nuk mund të shërbente si sinjal për relieve të gjëra që nxirrnin ushtritë vullnetare të Maleve vetëm atëhere kur rrezikoheshin trojet. Ndërsa kushtrimet përcilleshin nga mali në mal duke përhapur sinjalin e luftës në tërë Malësinë në një kohë tepër të shkurtë. Atmosfera e kushtrimeve ndjehet kudo në Malësi, duke filluar nga toponimia: Shkambi i Kushtrimit, Rrethi i Kumtës, etj. Kushtrimi dhe kumti, në të folmën e malësorëve, janë sinonime që shprehin të njëjtën gjë. Njerëzit në Malësi kanë shumë dëshirë të tregojnë histori. Kjo dëshirë mbase u ka mbetur nga kohë shumë të lashta, ngaqë historia e tyre nuk shkruhej gjëkundi, po tregohej brez pas brezi. Dhe është për t’u shënuar se të gjitha historitë që tregojnë malësorët fillojnë pak a shumë në të njëjtën mënyrë: “U dha kushtrimi se mësyni turku”, “ U thirr kushtrimi se ra shkjau” apo “Plasi kushtrimi se sulmoi serbi”. Domosdo një detaj i tillë i paharruar i çdo lufte ishte njëra nga lëndët më të gatshme artistike për t’u kthyer në këngë.

Është e pamundur të përcaktohet se cili nga kushtrimet e moçme u kthye i pari në këngë të mirëfilltë. Patjetër ky është një proçes që ka zgjatur në shekuj. Në fillim imitimi i kushtrimeve ka qenë një imitim i thjeshtë me rrokje të zgjatura siç janë të gjitha kushtrimet. Me kalimin e kohës ky imitim i thjeshtë është bërë përherë e më artistik, duke marrë nuanca të reja muzikore, dhe duke u kthyer më në fund në një këngë-himn. Por nëqoftëse nuk mund të dihet kushtrimi më i vjetër që u këthye në Kangë-Majekrahit, dihet plotësisht kushtrimi më i ri që ka pësuar metamorfozën artistike të shëndrrimit në këngë. Siç do ta shohim më poshtë ky kushtrim, i fundit që është bërë këngë, është dhënë rreth 130 vjet më parë. Edhe kaq nuk është një hershmëri e vogël, sidomos kur ke parasysh se ky është caku i fundit i proçesit historik të kthimit të kushtrimeve në këngë.

Variantet më të moçme të berjes këngë të kushtrimeve i ka përfshirë në gjirin e vet kronika tragjike e humbjeve shekullore. Megjithatë edhe ato që kanë mbetur janë ligjërata muzikore që flasin për luftëra mjaft të hershme, pa çka se shumë ligjërata të tilla mijëvjeçarët i kanë hedhur prapa shpatullave të harrimit. Por le të kënaqemi me atë çka ka mbetur. Në Malësi të Madhe janë tre variante të Kangës-Majekrahit që kanë mundur t’u rrezistojnë shekujve, ose me saktë tre tekste të vjetra se melodia është po ajo. Në sfera himni ato kanë qenë të fortifikuara para çdo kataklizme duke u kënduar me po atë pathos edhe sot e kësaj dite, krahas muzikës së re që ka hyrë gjithandej në Malësi. Të tre variantet, siç e thamë, ndryshojnë vetëm nga fjalët, domethënë ndryshon vetëm evenimenti i kushtrimit, ndërsa vija melodike është po ajo. Duke i shqyrtuar me kujdes të tre variantet e mbetura, ato vetë të ndihmojnë për të përcaktuar moshën e tyre. Por fatkeqësisht studjuesit dhe muzikologët tanë as që janë marrë me këtë gjë. Ata kanë qenë të interesuar se ç’ka thënë ky apo ai studjues i huaj për lashtësinë e muzikës sonë pa u lodhur shumë që ta deshifrojnë këtë lashtësi në vetë brendinë e këngëve më të moçme siç është Kanga -Majekrahit. Në koleksionin e këtyre tri ligjëratave më të vjetra muzikore dallohen qartë luftrat që i kanë lindur. Ajo më e lashta ka lidhje me betejën e Fushë Kosovës të vitit 1389. Kënga nuk është asgjë tjetër veçse kushtrimi i dhënë në Malësi në ato ditë të largëta e të lavdishme të shekullit të katërmbëdhjetë:

Këtu era është njëkohësisht mjet real dhe mjet artistik. Si mjet real ajo flet për kohë tepër të largëta. Flet për atë praktikë shekullore kur telegrafi stërgjyshërve tanë ishte era. Ajo dhe vetëm ajo përcillte mbi male kushtrime, kumte, mandata e lajme të gëzuara fitoresh.

Beteja e Fushë Kosovës, ku ushtritë e besëlidhura të një pjese të Europës Juglindore treguan një heroizëm të madh përballë mizërisë ushtarake të Sulltan Muratit, nga një shesh i madh lufte u këthye menjëherë në një burim madhështor këngësh. Selami Pulaha, duke shkruar për vazhdimësinë e popullit shqiptar në trojet e veta autoktone të Kosovës, mes tjerash thotë: “Në të mirë të kësaj flet edhe ekzistenca e vazhdimësia te shqiptarët e Kosovës e këngëve që sjellin jehonën e ngjarjeve luftarake të betejës së vitit 1389”.11)

Nuk mund të gjendet një betejë tjetër në historinë e Europës Juglindore12) që të ketë gjeneruar aq shumë këngë, sa ç’është “Beteja e Fushë Kosovës. Në vitin 1953 është ngritur atje Përmendorja e trimave të Kosovës. Kjo përmendore është një kullë e lartë prej 25 metrash, e ndërtuar me gurë shumë ngjyrash sipas stilit të kullës mesjetare. Nuk është objekti im të përshkruaj këtë vepër arti të akademikut A. Deroku, por dua të them se aq shumë këngë popullore këndohen për këtë betejë sa autori nuk i ka shpëtuar tundimit që brendësinë e përmendores ta stolisë me vargje këngësh popullore. Vargjet e zgjedhura janë shkruar me germa bronxi në pllaka prej guri. Këngës që cituam më sipër, dhe që ka mbi 600 vjet që këndohet në Malësi, mbase do t’i takonte të parës të zinte vend në muret e përmendores që zotëron mbi rrafshnaltë. Por nuk mund të pretendohet që në vargjet e zgjedhura nga M. Paniq të bënte pjesë kënga më karakteristike shqiptare që në shekuj është këthyer në një himn shekullor kushtuar Betejës së Fushë Kosovës. Vërtetë kjo është kënga më e vjetër dhe më imitative e çastit heroik të betejës së famëshme, por politika mbetet politikë. Me bisturinë e saj djallëzore ajo operon mbi historinë dhe kulturën e popujve, në përshtatje me dëshirat dhe interesat nacional-shovinste të atyre që pushtojnë fronet. Në ethet e serbomëdhenjve për ta uzurpuar plotësisht Betejën e Fushës së Kosovës ishte fare e lehtë që të spostohej kënga më e vjetër e më origjinale shqiptare që i kushtohej asaj. Ata bënë gjëra edhe më të rënda e më monstruoze. Fallsifikuan etninë e heroit kryesor Milosh Kopili duke i shtuar atë iq-in e tyre të famshëm. Por diellit nuk mund t’i bëjë eklips një shoshë serbe, sado e sofistikuar që të jetë,.Heroi që vrau Sulltan Muratin dhe hyri madhërisht në historinë e lashtë të Europës Juglindore i përket etnisë shqiptare. Kjo padyshim është e hidhur për shkencëtarët plebejë të shovinizmit, të cilët përpiqen t’i mohojnë popullit shqiptar të Kosovës autoktoninë në trojet e veta dardane, duke bërë politikë safi në vend të shkencës.

Mirë se heroin kryesor të betej duan ta përvetësojnë, po ç’u prishte punë një këngë, mes këngëve të tjera, në hapësirat e brendshme të përmendores? Nganjëherë ca vargje të vetme dëshmojnë më shumë se volume të tëra të shkruara. Kënga Fjalë po bjen era tregon në mënyrë autentike se për Betejën e Fushës së Kosovës i është dhënë kushtrimi Shqipërisë për t’u gjetur atje. Pikërisht ky fakt nuk u duhet serbomëdhenjve që duan ta paraqesin betejën e famëshme vetëm si një betejë mes Serbisë dhe Perandorisë Osmane.

Fatkeqësisht mungojnë dokumentet e shkruar që mund të vërtetonin se kanga-majekrahu Fjalë po bjen era vjen nga një largësi mbi 600 vjeçare vitesh. Të gjëndur para kësaj mungese e vetmja rrugë është mbështetja në kujtesën e pavdekshme të popullit, sepse siç thotë Plutarku kur shkruan për Demostenin: “…ato gjëra që u kanë shpëtuar shkrimtarëve, por janë ruajtur në kujtesën e njerëzve, kanë fituar një besueshmëri më të madhe…” . Pra ato që dinin korifejt e Kangës-Majekrahit sigurisht që kanë një vlerë të madhe studimore, pasi ata sëbashku me këngët kanë mësuar nga të parët, pothuajse gjithmonë, edhe origjinën e tyre.

Pjetër Dulja i Kastratit konsiderohet në Malësi si patriarku i këngës. Ai ka rreth shtatëdhjetë vjet që ka vdekur, por duke vlerësuar ato që thonë të moshuarit, është i vetmi që ka bërë epokë në këngën malësore, ashtu siç ka bërë epokë Bik Ndoja në këngën qytetare shkodrane. Këngëtari i shquar i ditëve tona, Bik Ndoja, është mbiquajtur “Bilbili i Këngës Shkodrane”. Për analogji ndoshta edhe Pjetër Dulja mund të quhej “Bilbili i Këngës Malësore”. Fatkeqësisht në kohën kur ka jetuar ky sovran i Kangës-Majekrahit dhe i këngës me lahutë nuk kishte mjete elektronike. Është ruajtur ç’mund të ruhej në “shiritin” e pavdekshëm të kujtesës së popullit, por kjo është fare pak. Në vend të këngës ka mbetur vetëm lavdia e saj.

Në Malësi të Madhe sa here përmendet Kanga-Majekrahit përmendet mekanikisht edhe ky këngëtar, sepse ka më shumë se një shekull që është idendifikuar me këtë këngë. shkruante më gjatë për këtë këngëtar që tashmë është kthyer në legjendë të këngës. Aq më tepër që ai nuk tshte vetëm një këngëtar i dëgjuar, por edhe një burrë kuvendi, një ligjvenës kanunor dhe një luftëtar në ballë të Ushtrisë së Maleve.

Siç thamë ka dekada që ky këngëtar është ndarë nga kjo botë. Por fatmirësisht ai nuk i ka marrë më vete në varr të gjitha ato që dinte për këngët që këndonte. Afro dyzet vjet të shkuara unë e pyrta të shoqen, Drande Preçen, nëse dinte gjë ai se qysh kur janë kënduar këngë të tilla si bie fjala kënga Fjalë po bjen era. Dhe ajo m’u përgjegj: “Ai thoshte se kjo kangë ka dalë kur asht vra Sulltani në dhè të përpjetës”.13) Me fjalët në dhè të përpjetës ajo nënkuptonte viset e Kosovës.

Përfundimisht, duke u mbështetur si në vetë brendinë e këngës si dhe në ato që këngëtarët e shquar të Malësisë, siç ishte Pjetër Dulja, i Kastratiti, i kanë transmetuar, nga brezi në brez, njëri-tjetrit për evenimentin historik që  zakonisht e lind një Kangë-Majekrahi, mund të them, pa pasur dyshim se gaboj, që Kanga-Majekrahu që emërtohet Fjalë po bjen era është kushtrimi i dhënë mbi male, ndërsa në Kosovë vringëllonin shpatat më 1389.

Çdo Kangë-Majekrahi ka lidhje direkt me një eveniment të madh historik. Është si të thuash himni luftarak i një faqeje të historisë kombëtare. Nga thellësi të mëdha shekujsh ka ardhur edhe kënga tjetër Burrë-o, je, i vogël. Janë të gjitha gjasat që kjo këngë shumë e vjetër u përket viteve 1421-1423. Vargjet e saj të kursyera janë: “Burrë-o, je, i vogël,/ Po i hip atit-o, / Bjer-o në Shkodër”.14)

Nga vetë përmbajtja e saj duket qartë se kënga është një kushtrim i dhënë në Malësi për të ndihmuar Shkodrën e rrethuar nga një armik tepër i egër. Dhe sipas mendimit tim tri janë rrethimet e mundëshme që mund të kenë inspiruar këtë këngë imitative: Rrethimi që i bëri qytetit të lashtë princi serb Stefan Lazareviç nga viti 1421 deri në vitin 1423. Rrethimi turk i Shkodrës i vitit 1478. Dhe së fundi rrethimi serbo-malazez i fillimit të shekullit njëzet. Këto dhe vetëm këto janë tre rrethimet e famëshme të kryeqendrës veriore që mund të jenë bërë shkak për një kushtrim të tillë, i cili përshkoi shekujt në formën e një kënge.

Duke përdorur metodën matematike të përjashtimit, mund të themi, me vërtetësi të plotë, se kënga në fjalë nuk ka të bëjë fare me rrethimin e fundit të qytetit të Shkodrës (1912-1913). Ajo këndohej në Malësi shumë e shumë vite para se të ndodhte ky rrethim. Këngëtari i dëgjuar Dodë Prendashi i Kastratit, kur e pata pyetur në se kënga Burrë-o, je, i vogël është kënduar para se të ngrihej flamuri në Vlorë apo jo, më pati thënë me habi: “ Flamuri asht ngritë vonë, ajo kangë asht denbabaden”.15) Ndërsa Nikollë Deda i Shkrelit fliste për një fakt tjetër interesant. Ai kujtonte se ditën e Shënkollit Maj, në logun që bëhej te Kroni i Dedajve, këndoi edhe Marash Dulja. Ndonëse ishte i vogël e bëri të shungullojë Malin e Kurrilës kur ia mori këngës Burrë-o, je, i vogël. Gjelosh Gjoka i Kastratit, që ishte miku më me personalitet i logut, u entusiazmua që një kastratas i vogël e tundi logun në Shkrel, nxorri alltinë nga brezi dhe e shkrepi tre herë duke i thënë: “Të lumtë goja! Ti kenke me të vërtetë një burrë i vogël”.16) Sipas Nikollë Dedës kjo ngjarje kishte ndodhur një vit më parë se të pëlciste pushka kundër nizamëve turq, të rrethuar nga malësorët e Dedë Gjo’ Lulit në dy kaushat e Grykës së Leqeve. Domethënë në festën e Shënkollit Maj të vitit 1910. Pra kënga nuk i përket rrethimit të fundit të Shkodrës. Ajo është më e lashtë. Por sa më e lashtë?

Në kërkim të moshës së saj tashmë duhet të kapërcejmë shekujt dhe ta hedhim vështrimin në rrethimin famëmadh të Shkodrës të vitit 1478. Në pamje të parë e vërteta për origjinën e këngës Burrë-o, je i vogël duket sikur është e lidhur pikërisht me këtë rrethim. Por Marin Barleti në veprën e tij “Rrethimi i Shkodrës” ka një pasazh që mua më duket se indirekt e hedh poshtë mendimin se kjo këngë mund të jetë kushtrimi i dhënë në Malësi me rastin e këtij rrethimi. Sipas tij malësorët nuk janë sulur nepër tokë, në shpinë të atllarëve, siç thotë kënga, për t’i ardhur në ndihmë Shkodrës, por kanë vozitur me lundra nepër liqe. Në mes tjerash, Barleti shkruan: “Ditë për ditë nga liqeni, që është përbëri Shkodrës e për të cilin folëm, vinin me lundra e barka në shumicë shqiptarët që banonin rreth e përqark atij liqeni e, duke kaluar nepër Bunë, suleshin si rrufeja mbi shatorret e barbarëve dhe bënin kërdi duke u shkaktuar dëme të mëdha”.17) Por brendia e këngës që kemi në shqyrtim nuk e pasqyron ardhjen në ndihmë të malësorëve në këtë mënyrë. Përkundrazi ajo shprehet qartë se malësorët janë sulur nën kushtrim nepër tokë drejt Shkodrës. Madje, për t’u gjetur sa më parë atje, kushtrimi këshillon që t’u hipin atllarëve. Kjo gjë të bën të mendosh se është një rrethim tjetër i qytetit në të cilin malësorët erdhën në ndihmë, jo nepërmjet liqenit, po nepërmjet tokës. Dhe ky rrethim mund të jetë vetëm rrethimi që Gjergj Brankoviçi i bëri Shkodrës si komandant i trupave te Stefan Lazareviçit. Përshkrimi që i bën Barleti ardhjes në ndihmë të malësorëve në rrethimin që zgjati 2 vjet, për mendimin tim. e verteton se kushtrimi i lashtë i pasqyruar në këngën Burrë-o, je i vogël është pikërisht kushtrimi që është dhënë mbi male për të shpëtuar Shkodrën nga ai rrethim i egër. Ja ç’thotë Barleti për rrethimin e trupave të Lazareviçit: “Ai e mbajti qytetin tonë të rrethuar për dy vjet rresht dhe Shkodra, e ngushtuar shumë nga zia, për pak do të ishte dorëzuar, sikur të mos kishte ardhur një ushtri e madhe nga fiset kufitare dhe sikur të mos ishte zmadhuar edhe më kjo ushtri me fiset e të gjithë krahinës”.18) Nuk ka asnjë pikë dyshimi që ushtri të mëdha në atë kohë mund të mblidheshin vetëm nën një kushtrim të fuqishëm. Është pikërisht ai kushtrim i paharruar, i dhënë në harkun kohor 1421-1423, që është bërë këngë dhe këndohet në Malësi ç’prej afro gjashtë shekujsh. Nëqoftëse mendimi im në këtë pikë është pak kategorik, kjo do të thotë se nuk kam mundur të gjej asnjë fakt, sado të turbullt, që e vë në dyshim se origjina e këngës Burrë-o, je i vogël të çon në rrethimin e Shkodrës të fillimit të shekullit të pesëmbëdhjetë.

Së fundi erdhëm tek varianti i tretë i Kangës-Majekrahit që është ruajtur në Malësi të Madhe. Para se të bëjmë përsiatjet për të përcaktuar momentin historik që e frymëzoi, le të shohim se ç’thotë kënga:

Tani fjalët nuk i bjen më era si në variantin e parë kur bëhej lufta në Fushë të Kosovës. Tashti ato vijnë nepër tel. Dhe pikërisht ky urdhër i ardhur në mënyrë më komode, nepër tel, bëhet kushtrim e përhapet mbi male për t’u shëndrruar, në fund të fundit, në këngë si të gjitha kushtrimet më të rëndësishme historike. Tashmë është koha kur ka filluar të përdoret telegrafi dhe kjo kohë nuk është aq e herëshme.

Të gjitha variantet e “Kangës-Majekrahu” janë prej tri vargjesh. Dy vargjet e fundit përsëriten dy herë. Por është për t’u shënuar se këngës Fjalë-o për tel kam dëgjuar shumë këngëtarë t’i shtojnë edhe një varg të katërt dhe të këndohet kështu: “Fjalë-o për tel, Thotë-o Gjakova/Ço-jo-v e del, Se ka ra pasha në sherr”.

Për herë të parë e kam dëgjuar të këndohet kështu, ky variant i Kangës-Majekrahit, nga këngëtari i përmendur Palokë Luketi. Ishte festa e Ndjesës së Katundit të Kastratit dhe bëhej logu tek Kroni i Ri. Në mos u gabofsha ka qenë gushti i vitit 1956. Është vendi të them se Palokë Luketi ka qenë këngëtari më potent dhe më i dëgjuar i kohës së tij. Në logjet e Malësisë së Madhe ai dallohej midis gjithë këngëtarëve të tjerë. Palokë Luketi është konsideruar në Malësi si Pjetër Dulja i gjysmës së dytë të shekullit njëzet. Megjithatë kur kishte arritur apogjeun e lavdisë si këngëtar, detyrohet të ndahet nga Malësia që ishte djepi i këngës së tij, sepse regjimi e futi në listat e zeza të internimit, pasi babait të pushkatuar iu shtua edhe arratisja e vëllait, Lleshit. Tashti Llesh Grishaj është një shqiptar i njohur për veprimtari atdhetare në Detroit të Amerikës, por ajo që dua të them është se të gjithë vëllezërit e kanë kënduar Kangën-Majekrahit. Palokë Luketi ka shkëlqyer mbi të gjithë këngëtarët e Malësisë së Madhe të kohës së vet, por mjaft bukur e kanë kënduar këtë këngë edhe vëllezërit e tij Deda, Lleshi, Gjergji dhe Pjetri. Ata ishin një shtëpi e tërë këngëtarësh. Ndoshta rasti më unikal në Malësi.

Siç thamë më sipër Kanga-Majekrahit është kënga më lakonike. Tre vargjet e saj janë normë. Pikërisht për këtë duket se është suprimuar vargu i katërt “se ka ra pasha në sherr”. Por kushtrimi nga i cili ka rrjedhur kënga duhet ta ketë pasur këtë varg. Ndaj këngëtarë virtuozë si Palokë Luketi, që e kishin dëgjuar të këndohej kështu dikur, ndonjëherë e shtonin vargun e suprimuar, si për të mos harruar evenimentin historik që e lindi këtë këngë.

Të gjitha vargjet e këngës Fjalë-o për tel kanë në vetvete detaje përcaktuese për origjinën e saj. Janë ato që e thonë qartë se kënga i përket vitit 1878 dhe se lënda artistike e saj është kushtrimi i dhënë në kohën kur, në Sarajet e Abdulla Pashë Drenit në Gjakovë, populli rrethoi Mehmet Ali Pashë Maxharrin. Lajmi i bujshëm për aksionin e Gjakovës ka të ngjarë t’i jetë dhënë Degës së Lidhjes Shqiiptare të Prizrenit në Shkodër me anë të telegrafit. Pastaj në Malësi është shpërndarë në formë kushtrimi.

Telegrafi në këtë këngë ka hyrë si një mjet artistik i modernizimit të kohës. Madje këtë mjet të ri artistik populli e përdor me shumë sukses. Ndoshta më me sukses se edhe vetë Fishta i cili këngën për “Mehmet Ali Pashën” e fillon në të njëjtën mënyrë me vargun: “Po rreh teli i vilajetit”.20)

Në vargjet tjera duket tepër qartë se fjalët që në mënyrë metaforike vijnë nepër tel ftojnë popullin të ngrihet në këmbë e të dalë në Gjakovë. Atje ku pashai turk kishte rënë në sherr, sepse kishte ardhur t’i bindi shqiptarët për të lëshuar tokat e të parëve, të cilat duhej t’i shkëputeshin Shqipërisë sipas vendimit të marrë në Berlin.

Kënga Fjalë-o për tel është kënga e fundit majekrahi e krijuar në Malësi. Me këtë këngë mbyllet epoka e krijimit të këngëve majekrahi. Kushtrimet mbi male vazhduan edhe për shumë kohë, por mekanizmi artistik i këthimit të tyre në këngë nuk funksionoi më.

Ndodh pra në çerekun e fundit të shekullit XIX që, thirrja njerzore në Shqipëri, vazhdon të bëhet pazazh muzikor. Është pikërisht ajo për të cilën Osvald Hanfling shkruan: “Nuk ekzistojnë shumë pasazhe muzikore në të cilat do të ishte e besueshme gjetja e ngjashmërisë me thirrjen njerëzore…”.21)

Në mes të Kangës-Majekrahit dhe kushtrimit, përveç lidhjes së brendëshme, ekziston edhe një lidhje e jashtme. Kjo lidhje ka të bëjë me elementin pushkë. Qysh se ka hyrë në përdorim arma e zjarrit çdo kushtrim është shoqëruar me krisma pushke. Por edhe Kanga-Majekrahit shoqërohet me krisma pushke. Në Këngën majekrahit, pra, kuadri i kushtrimit është i plotë, ashtu siç është i plotë kuadri i mejdanit në vallen e shpatave.

Edhe shoqërimi, vetëm i Këngës–Majekrahit, gjithmonë me krisma pushke vërteton lindjën e saj nga kushtrimi. Asnjë këngë tjetër, madje as ajo me lahutë, nuk e gëzon këtë të drejtë që për malësorët është një e drejtë madhështore, por që në fakt është trashëgimi më domethënës nga origjina e saj e laegët.

Edhe në kohën tonë Kanga-Majekrahit vazhdon të këndohet në mënyrë autentike. Në Festivalet Folklorike të Gjirokastrës janë dalluar për këtë këngë vëllezërit Buçi (Kola dhe Nushi) nga Bajza e Kastratit. Fatmirësisht kënga e tyre është e regjistruar. Ajo nuk ka se si të pësojë fatin tragjik të këngës së Pjetër Dules apo të Palokë Luketit, e cila konsiderohet e humbur plotësisht. Megjithatë në Malësi flitet se kënga e Pjetër Dules mund të gjëndet në fonotekën e Radio Tiranës. Mbreti Zog në paradën e bërë me rastin e 25-vjetorit të Pamvarësisë ftoi edhe shumë burra të dëgjuar nga Malësia. Në mes tyre ishte edhe këngëtari Pjetër Dulja, sepse përveç dimensioneve të tjera ishte edhe oficer i Mbretërisë Thuhet se kënga e tij në këtë paradë është inçizuar. Madje ka një pohim se kjo këngë është dëgjuar në një emision të Radio Tiranës në vitin 1948. Sa për këngën e Palokë Luketit nuk kam ndonjë njoftim në se mund të ndodhet e regjistruar. Shpresa është se mos ekziston ndonjë inçizim privat, sepse një i internuar siç ishte ai, në vitet e regjimit totalitar, nuk mund të hynte në asnjë mënyrë në fondet e fonotekës së radjove që në këtë drejtim çensuroheshin me rreptësi. Mbase edhe kënga e Pjetër Dules për arsye të tilla, pas vitit 1948, nuk është transmetuar më dhe ka zënë pluhur në ndonjë cep të fonotekës apo është asgjësuar fare.

 

Të gjithë sa kanë folur për Kangën-Majekrahit e konsiderojnë atë një këngë solo. Është e vërtetë që ajo dendur këndohet solo, por është po kaq e vërtetë se ajo këndohet solo vetëm kur aty nuk janë dy këngëtarë që të jenë praktikuar të këndojnë duet. Zakonisht vargun e parë e këndon deri nga fundi, vetëm, këngëtari që fillon këngën, pastaj hyn këngëtari që e ndihmon. Nëqoftëse këngëtari i dytë heziton të hyjë në këngë, këngëtari i parë, pasi ka mbaruar vargun e parë, në çezurë, i thotë të dytit: “Ma merr”. Pikërisht këtu, për mendimin tim, gjendet e përbashkëta shqiptare mes dy tipeve më të vjetra të këngës tonë të trashëguar, asaj majekrahu dhe këngës me iso. Për çudi studjuesit tanë nuk e kanë vënë re këtë të përbashkët, por i kanë rënë shkurt duke e futur këngën majekrahu në llojin e këngëve solo, ndërsa këngën me iso në grupin e këngëve polifonike. Por unë do të thosha se në analizë të fundit të dyja këto këngë në bazë kanë duetin. Këngën me iso gjithmonë e fillon një këngëtar dhe këngëtari tjetër ia këthen, krejtësisht në ngjashmëri me Kangën-Majekrahit Thelbi i këngës është ky, pamvarësisht se në këngën e Jugut hyn edhe elementi iso që i shton doza artistike, por vërehet lehtë se isoja është në sfond.

Ndërsa në Kangën-Majekrahit të dy këngëtarët që këndojnë duet këndojnë të njëjtën melodi dhe me të njëjtin tonalitet sa që të dy zërat të duket se shkrihen në një zë të vetëm, në këngën me iso nuk ndodh kështu. Po të vemë re me kujdes këngën e atij që ia merr dhe atij që ia pret do të shohim se aty kemi jo një, por dy melodi. Ky për mendimin tim është ndryshimi esencial mes dy këngëve më të lashta që disponon folklori ynë muzikor.

Kanga-Majekrahit, jo rastësisht, është bërë, si të thuash, ADN-ja e malësorëve. Ajo ka sfiduar shekujt me optimizmin dhe besimin në fitoren përfundimtare. Bërja këngë e kushtrimeve nuk ka rreshtur, siç shihet qartë, sëpaku, në gjysmëmijëvjeçarin e pushtimit turk. Kjo do të thotë se populli në Malësi është ngritur gjithmonë vital mbi humbjet. Kanga-Majekrahit, kjo sentencë e moçme historike, e përsëritur gjithmonë e më me pathos, të duket sikur shpreh formulën e jetës luftarake të malësorëve. Të ngjan se në një dialog të përjetshëm me shekujt, njerzit në Malësi pyesin se deri kur do të vazhdojë që jeta e tyre të jetë një betejë e pafund. Dhe shekujt sikur përgjigjen: “Deri në vdekje”. “ Mirë – thonë malësorët – vazhdojmë “.

  1. PËRFUNDIME
  2. Kanga-Majekrahit është një thesar i artit primitiv të stërgjyshërve tanë të lashtë. Ajo është pjellë e kohërave shumë të vjetra dhe pasqyron karakterin historik të shprehur në një ligjëratë tepër të thjeshtë, por tepër të thekshme muzikore. Ky himn është modelimi më i moçëm artistik i kohrave të lashta historike që kaluan dikur në këto Male.
  3. Jo rastësisht, kjo këngë e hershme, është bërë, si të thuash, ADN-ja e malësorëve. Ajo ka sfiduar shekujt me optimizmin dhe besimin në fitoren përfundimtare. Bërja këngë e kushtrimeve nuk ka reshtur, siç shihet qartë, së paku, në gjysmëmijëvjeçarin e pushtimit turk. Kjo do të thotë se populli në Malësi është ngritur gjithmonë vital mbi humbjet. Kanga-Majekrahit, kjo sentencë e moçme historike, e përsëritu
  4. Përfundimisht, duke u mbështetur si në vetë brendinë e këngës si dhe në ato që këngëtarët e shquar të Malësisë, siç ishte Pjetër Dulja, i Kastratiti, i kanë transmetuar, nga brezi në brez, njëri-tjetrit për evenimentin historik që zakonisht e lind një Kangë- Majekrahi, mund të them, pa pasur dyshim se gaboj, që Kanga-Majekrahu që emërtohet Fjalë po bjen era është kushtrimi i dhënë mbi male, ndërsa në Kosovë vringëllonin shpatat më 1389.

 

  1. STUDIME MBËSHTETËSE

1) Eqrem Çabej: “Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes”, Tiranë, 1994, faqe 46.

2) Ramadan Sokoli: “Për traditat tona muzikore”, Nëndori, nr.9 – 1965, faqe 117.

31) Eqrem Çabej: “Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes”, Tiranë, 1994, faqe 46

4) Edit Durham: “Brenga e Ballkanit dhe vepra të tjera…”, Tiranë 1990, faqe 128-129.

51) Plehanov, Vorovski, Lunaçarski, Gorki: “Estetika dhe letërsia”, I, Tiranë 1974, faqe 51

6) Eqrem Çabej: “Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes”, Tiranë 1994, faqe 47.

7) Alfred Uçi: “Estetika”, Tireanë 1989, faqe 4.

8) Ramadan Sokoli: “Për traditat tona muzikore”, Nëndori, Nr.9 – 1965, faqe 118.

91) Selami Pulaha: “Popullsia shqiptare e Kosovës gjatë shekujve XV-XVI”, Tiranë 1984, faqe 17.

10} Marin Barleti: “Rrethimi i Shkodrës”, Tiranë 1982, faqe 55.

11) Marin Barleti: “Rrethimi i Shkodrës”, Tiranë 1982, faqe 55.

 

Marrë nga LIBËR I KUVENDIT “VAZHDIMËSIA HISTORIKO-GJUHËSORE DHE ETNOKULTURORE E SHQIPTARËVE