Ju flet Tirana, kush ishte partizani që përshëndet porsa fillon transmetimi

Nga Sulejman Omerbashi

Ishte mesi i Nëntorit dhe Brigada e I-rë ishte futur në Tiranë. Për çlirimin e Radio-Tiranës u ngarkua një kompani partizane. Radio-Tirana ndodhej në Rrugën e Kavajës. Gjatë gjithë kohës Shtabi i Përgjithshëm mbante kontakte të vazhdueshme me Korpin e Parë dhe qendrën e ndërlidhjes në Tiranë e cila ishte instaluar në shtator nga Todo Bojdani. Me përkushtim punonin radiotelegrafistet Servet Xama, Isak Lilaj, Kadri Brahimaj, Fejzo Kasimati, Selami Kardhashi, Muhedin Bakiri, Xhevat Abdiu, e radio telegrafistë te tjerë. Luftimet për marrjen e Radio-Tiranes ishin të ashpra. Komandanti i njësisë ishte trimi Mane Sevrani.
Todo Bojdani, kishte kryer kurs për tekniken e radio stacioneve që në vitin 1938. Ai kishte qenë punonjës i Radio-Tiranës dhe Radio Korçës nga Janari i vitit 1939 deri në shtator 1943. Ne datën 10 shtator me idejimin dhe përgjegjësinë e tij, njësiti gueril i drejtuar nga Andrea Ziu, kryejnë me sukses aksionin e rrëmbimit të Radio Korçës duke e çuar atë në Vithkuq.
Tashmë, Todo gjendej përballë Radio-Tiranës, pranë kompanisë partizane me pikësynimin qe Radio Tirana të merrej nga pushtuesit Gjermane me sa më pak dëmtime. Një nga punonjësit e vjetër të Radio-Tiranës, Islam Poseku, kishte mësuar se gjermanët, në prag të largimit e tyre, do të hidhnin në erë Radio-Tiranën. Punonjësit e Radio-Tiranës ishin patriotë dhe të lidhur me lëvizjen çlirimtare. Ata zhvendosën shumë materiale duke përfshirë edhe disqet e fondit të vyer muzikorë të cilat u shpërndanë nëpër shtëpitë e tyre apo në shtëpi afër godinës së Radio-Tiranës siç është rasti në shtëpinë e familjes Zoraqi e cila ndodhej afër Radios.
Radio-Tirana ruhej nga 9 xhandarë dhe 7 ushtarë gjermanë. Dy xhandarë, tek po shkonin të merrnin ushqimin në hotel “Internacional”, ku ishte dhe një pjesë e Shtabit gjerman, u kapen nga forcat partizane të cilët pranuan t’iu bënin thirrje xhandarëve te tjerë atje në radio të dorëzoheshin dhe se nuk do të pësonin gjë. Më 14 Nëntor 1944, në të gdhirë, xhandarët u larguan dhe dy gjermanë që po shkonin të merrnin ushqimin u vranë, pjesa e mbetur e gjermanëve rezistuan por pas një lufte të ashpër një pjese e tyre u vranë kurse të tjerët u zunë rob. Kështu Radio Tirana u vu nën kontrollin e partizaneve.
Radio-Tirana ra në duart e partizanëve më 14 Nëntor 1944, në radiogramin nr. 69 shkruhet:
“Shtabit te Përgjithshëm
Forcat e Brigadës l-re kaluan rrugën e Durrësit dhe bulevardin “Musolini”. Radio Tirana në duart tona… Dali ”
Ishte mesazhi që dërgonte Dali Ndreu i cili ishte Komandant i Korpusit të l-rë dhe që kishte përgjegjësinë kryesore në organizimin e forcave për çlirimin e Tiranes. Todo Bojdani, i cili ishte i pari që preku aparaturën e Radio-Tiranës, kontrolloi gjendjen e saj dhe pa dëmtimet kishin bërë gjermanët mbi të. Me iniciativën e tij filloi rregullimi i ambienteve. Duke qenë në vartësinë e Korpusit të l-rë, Todo për çdo nevojë që duhej komunikonte me Komandën e Korpusit te I-rë. Shtabi Përgjithshëm sapo mori lajmin, për ketë ngjarje te shënuar, i dërgon urdhër Shtabit te Korparmatës së I-rë mbi rregullimin e Radiostacionit dhe të Centralit Elektrik të Tiranës:
“Të merren masa për ndërtimin e Radiostacionit e të centralit elektrik. Këto të jenë gati për ditën e 28 Nëntorit. Asnjë emision nuk do të bëni në Radio Tirana pa urdhrin tonë. Kur Stacioni të jetë gati, lejohet vetëm të jepni në mënyrë të vazhdueshme të tria mesazhet që po ju dërgojmë dhe asgjë tjetër. Të na lajmëroni kur të jetë gati stacioni. Enver” (radiogram! nr. 95 date 17.XI.44AQ)
Me 17 Nëntor 1944, nën entuziazmin e çlirimit të Tiranes edhe punonjësit e Radio-Tiranës po përjetonin me gëzim marrjen nga forcat partizane të Radio-Tiranës. Partizani radio-teknik Todo Bojdani autorizohet zyrtarisht, me anë të një shkrese drejtuar atij, urdhëruar dhe firmosur nga Komandanti i Shtabit të Korparmatës l-rë partizane, Gjeneral Major Dali Ndreu, që të merrte në dorëzim aparaturën ekzistuese të Radio Tiranës dhe Centralit Elektrik SITA dhe vënien në pune të saj.
Sipas librit të Skifter Këlliçit në Radio-Tirana u gjeten vetëm me dy transmetitore te cilët okupatori i kishte minuar dhe ishin gati te hidheshin ne erë, por fatmirësisht ata nuk arritën ta realizonin këtë akt sepse atyre iu hoq lidhja minuese. Gjithashtu në godinë ishin dëmtuar dhe nuk funksiononin disa pjesë të rëndësishme të radio – transmetuesit me valë të shkurtra ndërsa edhe Radio Transmetuesit me valë të mesme ishin thyer e hequr një seri llambash. Po në këtë dite, pra në 17 Nëntor 44, Todo Bojdani ndjek së bashku me Hidajet Muco paralelisht punimet ne Centralit Elektrik SITA. Todo filloi të kujdesohej për normanilizimin e ambienteve dhe rregullimin e teknikës. Nuk ishte e nevojshme të lajmëroheshin shokët e shoqet që kishin punuar më parë në Radio-Tirana, ata erdhën të gjithë vetë me të njëjtin merak, që të mos dëmtohej Radio, që ishte kaq e shtrenjtë për ta.
Dashuria e tyre për të punuar ne Radio-Tiranen e çliruar ishte e pamase dhe ndaj donin te fillonin sa me shpejt transmetimet. Punonjësit e programacionit, folëset, regjisoret, tekniket te gjithë ishin te lumtur dhe te gatshëm. Të gjitha mungesat e konstatuara u plotësuan brenda një kohe të shkurtër dhe gjatë një jave përpjekjesh intensive për vendosjen e pjesëve të munguara, Todo së bashku me ndihmën e shokëve të personelit teknik dhe inxhinierit italian Antonio Galeaci, arritën ta vendosin plotësisht Radio Tiranën në gjendje pune dhe provat përfundimtare të saj, do të rezultonin me sukses.
Shtabit i Përgjithshëm
Urdhër për fillimin e emisioneve te Radio-Tiranes
Daliut

“Radio Tirana do të filloje të flasë vetëm me datën 27 Nëntor në mbrëmje dhe jo me parë. Do të hapet me përshëndetjet dhe urdhrat e ditës. Emisioni do të fillojë prej orës 19 deri 21. ” Përgatitni edhe mbrojtjen anit ajrore për çdo eventualitet duke vene disa mitraloza. ”(radiogrami nr.50 AQSh)
Todo Bojdani, si personi që morri në përgjegjësi Radio-Tiranen ishte ai që hapi transmetimin:
“Ju flet Tirana”
Pas përshëndetjes, Todo i kaloi mikrofonin spikeres për të dhëne lajmet.
“Ju flet Tirana”
Pikërisht ky moment është pasqyruar në pikturë në veprën e piktorit Pandi Mele duke paraqitur portretin e partizanit Todo me mikrofon në dorë.