Joseph Ratzinger, Papa Benedikti XVI mbush 91 vjeç. “Festë” në familje me vëllain

Sot, e hënë, 16 prill, Benedikti XVI kremtoi ditëlindjen e 91-të. 91 vjeç, Papa i nderit vijon të presë vizitorë, të lutet, të shkruajë. Me këtë rast fatlum, u paraqit dokumentari “Benedikti XVI, ora e së vërtetës”.

Ishte një festë me pjesëmarrjen e miqve më të ngushtë, e kremtuar në kompleksin e vogël të Manastirit “Nëna e Kishës”, brenda Qytetit të Vatikanit, ku jeton Joseph Ratzinger e ku sot mbushi 91 vjeç. Sipas traditës, në Manastirin, ku Ipeshkvi i nderit i Romës u tërhoq që nga 2 maji i vitit 2013, mysafiri kryesor ishte i vëllai, imzot Georg, sot 94 vjeçar, që erdhi me këtë rast nga Bavaria për të kaluar disa ditë pranë të vëllait.

Kujtojmë se Papa Ratzinger lindi në Marktl am Inn, në dioçezën e Passaut (Gjermani) më 16 prill 1927. U zgjodh Papë dy ditë pas ditëlindjes, më 19 prill 2005. Dha dorëheqjen nga shërbesa papnore më 11 shkurt 2013. Është Papë nderi që nga 28 shkurti 2013.

Në manastirin vatikanas jeta e Papës së nderit, mbështetur gjithnjë nga prefekti i Shtëpisë papnore, Georg Gänswein, vijon me lutje, shkrime e ndonjë vizitë. Ratzinger rrethohet gjithnjë me dashuri nga shumë njerëz. Shumë edhe i shkruajnë e ai, sipas mundësive, u përgjigjet mesazheve të tyre e shpesh edhe i pret për vizitë. E më shpesh nga të gjithë, e viziton kardinali Leonardo Sandri, prefekt i Kongregatës për Kishat lindore, i cili i dhuroi Papës së nderit botimin e ri të librit Lindja katolike, me rastin e kremtimeve për njëqind vjetorin e themelimit të Kongregatës. Libri  përmbledh, në tre vëllime, të gjitha njoftimet e nevojshme mbi Kishat katolike lindore. Për vizitë në manastir ishte këto ditë edhe abati Maximilian Heim (Çmim Ratzinger 2011), me një grup murgjërish  cistercensë të abacisë së Heiligenkreuz, ardhur nga Austria.

Brenda qytetit leonin festa e Papës së nderit u kremtua pikërisht sot, me projektimin e dokumentarit “Benedikti XVI, ora e së vërtetës”, në filmotekën e Vatikanit, pranë Pallatit San Carlo, e më pas, edhe në Tv2000. Nesër, 17 prill, do të organizohet një seminar kushtuar veprës teologjike të Papës Ratzinger. “Në kërkim të së vërtetës: nga Nikolla Koperniku tek Benedikti XVI” është tema e konferencës akademike ndërkombëtare, që do të mbahet për nder të Benediktit, pranë Fakultetit të Teologjisë së Universitetit Nikolla Koperniku të Torun, në Poloni.

Për ta njohur më nga afër jetën e Papës Ratzinger, kujtojmë se i ati, komisar i xhandarmërisë, vinte nga një familje e lashtë bujqish të Bavierës së poshtër.

Si i kaloi vitet e adoloshencës në Traunstein, në vitet e fundit të Luftës II Botërore u thirr në shërbim ushtarak e pikërisht në shërbimin ndihmës për ruajtjen e hapësirës ajrore.

Nga viti 1946 deri në vitin 1951, vit në të cilin u shugurua meshtar (29 qershor), filloi veprimtarinë e mësimdhënies, studioi filozofi e teologji në Universitetin e Munihut dhe në shkollën e lartë të filozofisë e të teologjisë të Freisingës. Në vitin 1953 mbrojti disertacionin me temë: “Populli dhe shtëpia e Zotit në Doktrinën e Kishës, sipas Shën Agostinit”, me të cilën fitoi titullin e doktorit në teologji. Katër vjet më vonë mori titullin e doçencës së pavarur me punimin mbi “Teologjinë e historisë së Shën Bonaventurës”.

Pas dhënies së mësimit të Dogmatikës e të Teologjisë themelore në Shkollën e lartë të Filozofisë e të Teologjisë të Freisingës, vijoi të jepte mësim në Bon, nga vitet 1959- 1969; në Munster, nga 1963 deri më 1966; e në Tubingë nga 1966 deri më 1969. Në këtë vit u bë professor i Dogmatikës dhe i Historisë së dogmave në universitetin e Regensburgut si dhe zëvendës- drejtor i të njëjtit universitet. Ndërkaq, që nga viti 1962, fitoi famë ndërkombëtare duke folur, si këshilltar teologjik i kryipeshkvit të Këlnit, kardinalit Joseph Frings, në Koncilin II të Vatikanit, ku dha një kontribut të shquar.

Ndër botimet e shumta, një vend të posaçëm zënë “Hyrje në krishtërim”, përmbledhje e mësimeve universitare mbi praktikimin e fesë apostolike, publikuar në vitin 1968; “Dogma e zbulime”, antologji me studime, predikime e reflektime, kushtuar punës baritore, dalë nga shtypi më 1973. Jehonë të madhe pati edhe ligjërata që mbajti pranë Akademisë Katolike Bavareze me temë:  “Jehonë: Pse jam akoma në Kishë?”, në të cilën pohonte: “vetëm në Kishë është e mundur të jesh i  krishterë, e jo pranë Kishës”. Vitit 1985 i përket vëllimi “Raport mbi fenë”: 1996 ”Kripa e tokës”.

Më 24 mars 1997 Pali VI e emëroi Kryeipeshkëv të Munihut dhe Freisingës.

U shugurua me 28 maj të të njëjtit vit. Ishte prifti i parë dioqezan që merrte në duar, pas 80 vjetësh, drejtimin baritor të dioqezës së madhe bavareze.

U krijua kardinal nga Pali VI në Koncistorin e 27 qershorit 1977, me titujt e Shën Marisë Ngushëlluese në Tiburtinë, të Kishës Suburbikare të Veletri- Senjit (5 prill 1993) dhe të Kishës Suburbikare të Osties (30 nëntor 2002).

Ishte relator në Asamblenë e përgjithshme të Sinodit të Ipeshkvijve (1980) me temë: “ Detyrat e familjes së krishterë në botën bashkëkohore”, si dhe kryetar-delegat i Asamblesë VI sinodale (1983) ku foli mbi temën “ pajtimi e pendesa në misionin e Kishës”.

Më 25 nëntor 1981 u emërua nga Gjon Pali II Prefekt i Kongregatës për Doktrinën e Fesë; Kryetar i Komisionit Biblik dhe i Komisionit Teologjik Ndërkombëtar.

Më 5 prill 1993 u bë anëtar i Urdhërit  të Kardinajve- Ipeshkvij, me titull të Kishës Suburbikare të Veletri-Senjit.

Më 6 nëntor 1998 u zgjodh zëvendës – dekan i Kolegjit kardinalor. Më 30 nëntor 2002 Ati i Shenjtë miratoi zgjedhjen e tij, me kërkesë të kardinajve të urdhërit të ipeshkvijve, si Dekan i Kolegjit kardinalor.

Ka qenë Kryetar i Komisionit për përgatitjen e Katekizmit të Kishës katolike, i cili pas gjashtë vjet pune (1986-1992) ia paraqiti Katekizmin e ri Atit të Shenjtë.

Nga 10 nëntori i vitit 2000 është akademik nderi i Akademisë Papnore të Shkencave.

Dha ndihmesë të shquar si anëtar:

i Këshillit të Seksionit II të Sekretarisë së Shtetit;

i Kongregatave: për Kishat Lindore, për Kultin Hyjnor e Disiplinën e Sakramenteve, për Ipeshkvijtë, për Ungjillëzimin e popujve, për Edukimin Katolik; i Këshillave papnore: për nxitjen e bashkimit të të krishterëve; të Kulturës, i Komisioneve papnore: për Amerikën Latine dhe Ecclesia Dei”.

U zgjodh papë më 19 prill 2005; e filloi shërbimin e tij baritor si Kryebari i Kishës Katolike Universale më 24 prill 2005, me emrin papnor Benedikti XVI.

Radio Vatikani