Jorida Tabaku: Treni për në Europë nuk është në shinat e duhura!

Në vitin 2014 Komisioni Europian mblodhi 6 vendet e Ballkanit Perëndimor për t’i lajmëruar ato se do BE do të ketë investime serioze në këtë rajon. Duke qenë se Partia Demokratike kishte udhëhequr deri në 2013-ën procesin integrues dhe kishte paraqitur jo pak projekte ambicioze në fushën e infrastrukturës këshilluam mazhorancën e djeshme që të angazhohej seriozisht në përfitimin e granteve. Shqipëria ka përfituar pothuajse 90 milionë euro çdo vit me projekte serioze e konkrete në infrastrukturë deri në 2013-ën. Projekte që dhe sot po vazhdohen, sigurisht dhe në mungesë të çdo investimi tjetër publik me fonde private, ose me grante. Dhe ja ku jemi sot, katër vjet më pas në Trieste kryeministri i gunës paraqitet në takimin me BE-në dhe kur në lojë qenë 6 projekte me vlerën e 194 milionë eurosh oferta jonë ishte zero. Megjithëse vendi më i varfër në rajon, me investime qesharake, me një papunësi gjithnjë e në rritje kryeministri kishte zgjedhur të shkonte me duar në xhepa dhe barsoleta për të shtyrë ditën në këtë takim. Në raportin zyrtar që gjendet lehtësisht online nuk ka asnjë projekt të vetëm që të këtë përfitues kryesor Shqipërinë. Megjithëse vazhdojmë të mbetemi një nga vendet më të palidhura në aspektin infrastrukturor, nuk kishim as vullnetin dhe as guximin për të paraqitur një projekt dhe vizion largpamës. Është kjo paaftësi, mungesë vullneti, dashakeqësi, indiferencë, nuk e di. Por fakti qëndron që jemi përsëri të fundit në rajon. Ndërkohë që Serbia, Maqedonia dhe Bosnjë-Hercegovina mundën të fitonin të gjitha projektet dhe fondet e tyre të cilët jo vetëm do sigurojnë transport më të mirë dhe ndërlidhje më të shpejtë me BE-në. Por gjithashtu do jenë kantiere të reja pune (deri më 2020 llogariten rreth 40 mijë të punësuar). Shqipëria fle, ndërkohë që fqinjët vazhdojnë të përfitojnë nga përgjumja jonë dhe narcizmi i një kryeministri që do të jetë në qendër të vëmendjes për kapriçiot e tij. Një vend që po varfërohet, po plaket, po tretet dhe po bëhet gjithnjë e më i shkretë nuk e ka luksin të humbasë trenin e Europës. E kam thënë dhe e përsëris që procesi i Integrimit Europian së pari kërkon vullnet politik e përkushtim, siç duket të dyja këto qartësisht mungojnë. Kam dyshuar përherë që shpirtrat dhe mendjet e këqija të së shkuarës sonë gjatë shekullit të kaluar nuk janë zhdukur ndonjëherë. Kur shoh kryeministrin që endet dyerve të Europës si një narcis në kërkim të pasqyrës e kuptoj që treni jonë për të hyrë në BE nuk është hiç në shinat e duhura!