Jeta në Amerikë e Ava Max: Ndihem vërtet shqiptare, prindërit bënin nga tri punë

Në gjak e ka të jetë rebele, gjakë nxehtë si shqiptare. Po flasim për Ava Max, sensacionin e ri muzikor në tregun botëror të muzikës pop. Amanda Koci është e lindur më 16 shkurt të vitit 1993 në Wisconsin nga prindër shqiptarë, të cilët ishin emigrantë nga Saranda në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo zgjodhi emrin artistik Ava Max për të prezantuar anën femërore të personalitetit (Ava) dhe anën mashkullore (Max). Ava është bërë një sensacion botëror i muzikës pop, ndërsa së fundmi ka dhënë një intervistë për revistën Phoenix, ku mes tjerash është pyetur edhe lidhur me origjinën e saj shqiptare. E pyetur se a ndihet e lidhur me origjinën e saj shqiptare, ajo është përgjigjur se ndihet 100% shqiptare dhe se vlerëson forcën që kanë femrat shqiptare. ”Ndihem, ndihem! Ndihem vërtet shqiptare! Jam me fat që vi nga një vend me femra shumë të forta. Nëna ime, tezja ime, gjyshja ime, ato gjithmonë ua kanë thënë atë që kanë menduar burrave të tyre. E kam parë këtë dhe më ka pëlqyer teksa e shihja këtë duke u rritur. Kam qenë e bekuar. Përmes muzikës, shpresoj që ta ndaj këtë me dikë që ndoshta nuk ka pasur diçka të tillë në jetën e vet”.

Emigrante

Pyetjes se si ka qenë të rritej si vajza e imigrantëve shqiptarë në Amerikë, Ava ka theksuar: ”Jam ndier sikur e refuzuar për faktin që isha shqiptare. Ndihesha paksa jashtë kornize kur jetoja në South Carolina”. 25-vjeçarja ka shtuar se një kohë nuk mund të përshtatej, mirëpo më pas kishte vendosur që të vazhdonte jetën sipas mënyrës së saj. Femra më e fortë për të është nëna e saj, e cila e ka mësuar se “gjithçka është e mundur”. ”Mënyra si erdhi në Amerikë, ajo nuk e dinte gjuhën, nuk kishte para. Nëna dhe babai im bënin nga tri punë secili. Nuk i kam parë derisa i mbusha 10 vjet; jetoja me gjyshen time. Isha dhjetëvjeçare kur e blenë shtëpinë e tyre të parë. Nuk i kam parë për një kohë të gjatë, prandaj kur i shihja e shfrytëzoja kohën për të qëndruar me ta. E kam parë gjithë luftën që kanë bërë, sepse jeta nuk është e drejtë. Në fund të ditës, jeta ka shumë beteja, pos nëse ke lindur në një familje të pasur, që nuk ishte në rastin tim. Ata më mësuan të vazhdoj dhe të mos dorëzohem”, ka thënë Ava.

Karriera

Vajza e talentuar nga Shqipëria është tanimë në gjurmët e të tjerave si Rita Ora, Bebe Rexha, Dua Lipa dhe Era Istrefi. “Sweet but Psycho” është kënga, të cilën e ka bërë atë të njohur dhe që Ana e ka shkruar vetë. Megjithëse ajo është kritikuar që videoklipi i saj përmban disa skena dhune, sërish mbetet një nga këngët më stil dhe që aktualisht ka aq sukses sa është kryesuese e listave në shumë vende të botës. Ava Max është rritur duke dëgjuar artiste si Mariah Carey, Whitney Houston. Po sipas saj Madonna, Gewn Stafani, Britney Spears dhe Christina Aguilera janë artistet nga të cilat ajo është frymëzuar. Ava Max ka deklaruar se dëshiron ti kthehet komunitetit shqiptar sa më parë të mundet. Yllit shqiptarë iu deshën tre vite të zinte vend në Los Angels. “Familja ime besonte se do të takoheshim me producentë me tekstshkrues por s’ishte ashtu siç e kishim imagjinuar”,-thotë këngëtarja. Gjithçka ndryshoi kur këndoi “Happy Birthday” në një darkë ditëlindjeje për producentin Cirkut, i cili ka punuar me Miley Cyrus dhe Katy Perry. Dyshja publikoi një këngë në Soundcloud që i ra në sy shtëpisë diskografike Atlantic. Ava nënshkroi për ta në 2017-n. Në albumin e ri, planifikon të përfshijë një këngë mesdhetare me disa rreshta shqip.