Jeronim De Rada – shkrimtari dhe atdhetari i madh arbëresh… Kujtesë historike për të “verbërit” dhe “shurdhmemecët”…

Shumë pak (dhe ndoshta aspak) po shkruhet për letrarët dhe veprimtarët më të shquar, të cilët me aq zell e përkushtim i shërbyen truallit tonë arbëror. Pa dyshgim njëri, dhe ndoshta më prodhimtari dhe më i shquari, është Arbëreshi i Madh – De Rada. Dymbëdhjetë vitet e këtij “tranzicioni” kaq të dhimbshëm, vërtetë na çliruan nga kthetrat e egra të diktaturës, por në të njëjtën kohë, na zgjuan “instinktet” e egra dhe të gjitha “të fshehtat” e maskuara vetëm nga diktati e frika. Asnjëherë nuk ka qenë më i pranueshëm dhe më i pranishëm “Zigmund Frojdi”.

Të gjitha “ëndrrat” e mira (e më shumë të ligat), të cilat qëndronin të “ndrydhura” në “arkivin” e shpirtit, shpërthyen me vrull si një lum i rrëmbyeshëm që del nga shtrati. Sa “ndryshk” e “pleh” na paskan lënë shekujt! Disa thonë se ky është vetëm ndryshku i “kuq” i komunizmit. Pa marrë përsipër të mbroj komunizmin, sepse (komunizmin shqiptar) nuk ka avokat në botë që mund ta marrë në mbrojtje, unë do të thosha se komunizmi është vetëm pasoja, ndërsa shkaku duhet kërkuar në thellësitë e shekujve…

Asnjë popull apo komb, nuk mund të shpërbëhet për një gjysëm shekulli, (asnjë lis nuk mund të rrëzohet me një të rënë të sopatës). Kjo mund të ndodhë vetëm kur në “zemrën” e tij ka “gollë” (boshllëk). Dhe natyrshëm, ky “boshllëk” vjen nga “eruzioni” i shekujve. Gjithsesi ky mendim nuk mund të merret apriori, le t’ua lëmë analistëve dhe historianëve, këtë do ta vërtetojë koha. Vetëm për një gjë jam tepër i bindur dhe i sigurtë, se “formalistët” dhe akademikët, kurrë nuk do t’na e ndriçojnë historinë. “Akademia e Shkencave” dhe “Fakulteti i Historisë”, tashmë e kanë dhënë provën e “perversitetit të tyre aktiv”, që kur i dhanë titullin “Doktor i Shkencave” Samabaudin Ferrajt, me “antihistorinë e Skënderbeut” dhe pa u “skuqur” aspak nga “Përmendorja” e Heroit në qendër të kryeqytetit! Cilido, edhe qytetari më i thjeshtë, mund të pyes, pse nuk u kryen këto akte në kohën e diktatorit? Jam i bindur se ata të cilët firmosën “Diplomën” e Ferrajt, do të kishin përfunduar në “Spaç”, ose masa më e lehtë, “sistemimi” i tyre në Fermën, “Gjergj Dimitrov”… (në Tiranë)!

E bëra gjithë këtë “parantezë”, për t’ju kujtuar se arbëreshët e De Radës, u ftuan në çdo “Festival Folklorik” në Gjirokastër dhe nuk mund të “aludohet” se të gjithë këta ishin spiunë të komunizmit… Askush nuk e “lodhi” pendën për të “rifreskuar” veprimtarinë e njërit nga “gjigandët” e letrave, arbëreshit të Madh dhe të shquar, Jeronim De Radës, “kampionit” të Atdhedashurisë! Ju bëhet jehonë pashallarëve më mizorë e më tipikë, madje ju ngrejnë dhe “buste” e “përmendore”, për veprimtari, gjoja të “shquar”, e cila (de facto) është veprimtari antikombëtare!?

Shembulli më tipik (ku kulmon absurdi), është Ali Pashë Tepelena, përfaqësuesi i veseve më “perverse” dhe “kryekampion” i krimit e pabesisë!… Padyshim që të gjithë pashallarët nuk mund të futen në një “kallëp”. Cilido që ka dhe një minimum njohjeje në fushën e historisë, (qoftë ky edhe fillorist), e di mirë se në qoftë se ka ndonjë pashallar për t’u lavdëruar, ose të paktën për t’u përmendur për ndonjë akt pozitiv, këta janë: Eljaz Pashë Dibra, Preng Pashë Bib Doda, Ali Pashë Gucia dhe Pashko Vasë Pasha i Shkodrës. E pra, çuditërisht, askush nuk kujtohet për këta të “penduar”, të cilët gjithsesi, në momente të caktuara të historisë reflektuan.

Që të mos i largohemi temës që kishim në trajtim, “Shpërthimet” e fuqishme të De Radës fillojnë që në rininë e tij, me “Këngët e Milosaos”, të cilat në të njëjtën kohë, shënojnë agimin e një periudhe të re për letërsinë tonë kombëtare. E botuar më 1836, poema ngjalli entuziazmin e arbëreshëve dhe e bëri shumë të njohur autorin e ri 22 vjeçar. Poemën e dytë, “Serafina Topian”, e botoi në vitin 1839, pas një kalvari vuajtjesh që kishte kaluar, sa në arrati dhe ndër burgje. Kjo kohë e ilegalitetit ndër malet e Kalabrisë e mprehu edhe më tej atë ndjenjë të hollë të natyrës, që De Rada e kishte shprehur me artin e tij të rrallë te “Milosaoja”. Emri i poetit vazhdon të bëhet gjithnjë e më i njohur, më 1844 ai i ka dërguar romantikut të shquar frëng Lamartin, dy poemat e veta dhe ka marrë përgjigje “fjalë që do të mbushnin me krenari çdo njeri”, siç shprehet ai më vonë. Ndër të tjera, Lamartin i shkruante: “Poezia ka lindur në brigjet tuaja dhe atje duhet të rikthehet”.

Karakteristikë dhe biles specifikë, është impenjimi i De Radës me të gjitha forcat dhe energjitë në shërbim të Atdheut të të parëve. Në një gazetë të Napolit, ai boton disa shënime gjuhësore, ku përpiqet të shpjegojë emrat e hyjnive të mitologjisë greke, me anë të shqipes, kurse nën nxitjen e Kamaradës, me të cilin u njoh në vitin 1845, poeti i rivihet sërish mbledhjes së folklorit arbëresh, gjë që e kishte nisur në krye të vitit 1830. pas viteve 1860, De Rada filloi të botonte një varg veprash me karakter estetik, gjuhësor, politik dhe folklorik, që pati hartuar në dhjetëvjeçarin e mëparshëm, dhe që militonin për çështjen shqiptare, për njohjen e traditave të popullit tonë dhe për zhvillimin e kulturës në gjuhën shqipe: “Parimet e Estetikës” (1861), “Lashtësia e Kombit Shqiptar” (1864), “Rapsodi të një poeme arbëreshe” (1866), etj. Është pikërisht koha kur De Rada vendos kontakte më të ngushta me “Lëvizjen Kombëtare në Shqipëri”, interesohet aktivisht për zhvillimin e ngjarjeve, hyn në letërkëmbim me atdhetarë (patriotë) të ndryshëm shqiptarë, me dashamirës të Shqipërisë. Emri i poetit, tashmë i kapërcen kufijtë e botës arbëreshe, si dhe të botës letrare italiane; ai është bërë i njohur në botën kulturore dhe shkencore evropiane, e çmojnë autoritete dhe personalitete të tilla si Dora d’Istria, filologët gjermanë t. Stier, G. Majer, E. Buhalc, historianët e dijetarët italianë si Ç. Kanten dhe N. Tamazeo, ballkanologu fraqncez A. Dozon etj. Në vitet 1868-78, De Rada është drejtor i Gjimnazit italian në Kariljano-Kalabro dhe arrin të ngrejë aty një shtypshkronjë të vogël, prej së cilës dalin dy librat e parë të poemës epike “Skanderbegu i pa fan” (1873) dhe ribotimi i ndonjë vepre të mëparshme, si “Milosao”. Sensin e tij të theksuar e shfaq me të gjithë madhështinë e tij intelektuale në vitin 1878, duke protestuar me të gjithë forcën, kundër çensurimit të tërësisë territoriale të Shqipërisë.

Një fakt ky dhe një argument që vërteton katërcipërisht se, ata bujarë që pranuan vasalitetin dhe bashkësunduan me pushtuesin, janë pjesa më e “ligësht” e bujarëve shqiptarë, që më vonë u kthyen në “spahijë”, bejlerë, agallarë e deri në pashallar e vezirë… Dhe në mënyrë fare të natyrshme, cilido do të konstatojë (me keqardhje), se pasardhësit e këtyre “kontingjenteve” renegatësh, edhe sot e gjithë ditën, kërkojnë t’i fshehin këto fakte historike e në pamundësi (për mungesë karakteri), për të korrigjuar gabimet dhe fajet e paraardhësve, i thellojnë ato akoma më shumë, duke tentuar të asgjësojnë historinë. Dështakë të tillë, si Samabaudin Ferraj, Abdi Baleta e ndonjë “jeniçer” tjetër, me “mini-kulturë”, duhet ta dinë mirë, se historia e lavdishme Iliro-Albane, përveçse është e “arkivuar” në memorien e çdo atdhetari, ajo ndodhet e “freskët” në bibliotekat më prestigjioze të Europës, dhe në veçanti në Bibliotekën e Vatikanit. Pikërisht ndër ato arkiva ku Baleta, Ferraj e soj “sorollopi” i tyre, kurrë nuk do ta kenë “mandatin” apo “liçencën” për t’i parë… Çdo tentativë për të “asgjësuar” historinë tonë të lavdishme, kurrë nuk do ta arrijnë “të palavdishmit”… Siç e theksuam më lart, ka vite që nuk flitet për vëllezërit arbëresh. Absurditeti “kulmon”, kur i kërkojmë “vëllezërit e një gjaku” jashtë kontinentit, në shtete e kombe me të cilat s’na bashkon veç Diellit e ajrit, thua se stërgjyshërit tanë paskan ardhur në kontinentin tonë, nga “Honoluluja” apo nga Afganistani!? Është pikërisht ky mentalitet, sa dashakeq aq edhe absurd, që i japin të drejtë Doktorit të shquar shqiptaro-maqedon, Kajmak Gazideda, kur thotë te “Flaka e Vllazërimit”, Maj (1997), se: “bota demokratike e kuptoi se në Shqipëri po rishfaqej “djalli” i gjelbër islamik, ndaj preferoi më mirë “djallin” e kuq…”

Këtë analizë thellësisht shkencore është munduar ta hedhë poshtë Abdi Baleta, me një shkrim “sensacional” – “Kajmak me farmak”!…

Që të mos i largohemi temës, me analogji (megjithëse të nevojshme). Një ndër etapat ku “kulmon” arti dhe patriotizmi De Radian, është themelimi prej tij i Revistës prestigjioze “Flamuri i Arbërit” (1883). Në revistën e lartpërmendur, me të cilën bashkëpunonin shqiptarë dhe arbëreshë të ndryshëm, (ku mund të shquajmë Darën e Ri dhe Mitkon), u jepej një vend të dukshëm krijimeve letrare, sidomos të rinjve arbëresh, shkrime që po fitonin përherë e më tepër karakter aktual, p.sh. ato të djalit të tij, – Zefit. Poezinë, De Rada e vinte përmbi artet e tjera, sepse ka mundësi, thoshte ai, ta pasqyrojë në mënyrë më të qartë e më të plotë botën, ndryshe nga proza, së cilës i mungon harmonia (muzikaliteti). “Koha ka vërtetuar se, kur një poet i mërifilltë shkruan dhe në prozë figuracioni letrar është shumë më i pasur dhe proza (pa humbur aspak vlerat e saj) kthehet në një “prozë poetike” duke u bërë e harmonishme, si teksti i një kënge me muzikën” (M.B.). Ndonëse këngët e “Milosaos” u frymëzuan nga dashuria e parë e poetit, ato janë larg të qënit një “Gjerdan idoleshë”, siç i ka quajtur një bashkëkohës i poetit. Historia e dashurisë së “Milosaos”, birit të sundimtarit të Shkodrës, me vajzën e varfër – Rinë, të bijën e Kallogresë, i ka shërbyer autorit si shkas për të prekur një sërë problemesh patriotike, shoqërore, filozofike dhe etike.

“Siç mund të konstatojmë, gama e këtij Poeti, ndër më të shquarit dhe me plot gojën mund të themi, “Kampion i Rilindjes tonë Kombëtare”, është tepër e gjërë e me përmasa europiane, qoftë sasiore edhe cilësore” (M.B.). Kam mendimin se, aktiviteti i këtij arbëreshi të Madh, duhet kuptuar, jo vetëm si modeli i shkrimtarit dhe poetit (të pa arritshëm për kohën), por mbi të gjitha, modeli “tipik shembullor” i Atdhetarit me prirje të theksuara patriotike të pakrahasueshme për kohën e “Rilindjes sonë Kombëtare”. De Rada, (si asnjë tjetër) luftoi me vendosmëri të patundur, për çlirimin e Atdheut të të parëve, nga prangat e “ndryshkura” të Perandorisë Otomane, ndonëse këtë liri (si individ) e gëzonte në Atdheun e tij të dytë, në Itali, së cilës më se një herë ia shpërbleu bujarinë me bujari… Siç e thamë më lart, De Rada ka dhënë një kontribut tepër të çmuar për çlirimin dhe bashkimin e Italisë. Po ta vështrojmë me syrin e mprehtë të studiuesit dhe të analistit të paanshëm, do të kostatojmë se De Rada shkëlqen para bashkëkohësve, Sami Frashërit dhe Pashko Vasës, sidomos në sensin patriotik. “Sado të mëdhenj që ishin bashkëkohësit e lartpërmendur, ata më shumë se sa Atdheut u shërbyen të tjerëve. Medaljet në gjoksin e Pashko Vasës janë sinjifikativi i këtij mendimi”, (M.B.). Poeti ynë, sa i Madh, patriot dhe i shquar, ndërroi jetë në vitin 1905, në moshë mjaft të thyer, 89-vjeçare.

“U shkëput ky “Yll” nga Qielli i gjerë i Kulturës sonë Kombëtare dhe Europiane, me kulmin e tij, të moshës dhe të një varfërie të skajshme duke rrezatuar dritë në shekuj si dhe udhërrëfyes për të gjithë brezat. Pishtar i pashuar, simboli dhe shembulli më i shkëlqyer i Kulturës dhe Atdhedashurisë.” (M.B.).

Mark Bregu