Jaho, një martire e kohëve moderne!

E pashë… një imazh nga skena e «Covent Garden» në Londër, këtë fund janari 2019… Ishte cfilitja në fytyrën e sublimes. Pashë sytë e venitur ku shpirti kishte klithur arjet më të bukura dhe ku trupi hepohej e dukej se do binte në humbëtirë. C’spektakël i dhimbshëm, i mrekullueshëm e madhështor njëherësh. Një puthje për botën tej dhe një dorë që rreh mbi skenë si të prekë një talisman të shenjtë…Të shohësh trupin që dridhet dhe dorën që zgjatet një çast për tu mbajtur pas siparit që të mos bjerë, pasi trupi s’ka më peshë atë çast: është vetëm shpirti. E pas gjithë asaj shkulme zëri të ndritur ç’mund të shohë artisti veç tjetër gjë asaj salle, ndoshta një botë të mjegull me një eho të largët duartokitjesh. Askush nuk e di. Ajo nuk është më aty duke kënduar klithmën e fundit të një Violete të «Traviatës»… ndoshta në një botë të vetë ëngjëjve. As ajo vetë nuk e di. Duartrokitjet marramendëse në veshët e saj janë thjesht një puhizë e ëmbël, miradashjeje që mezi e dëgjon.
Në historinë e krijimit artistik jo vetëm shqiptar por dhe botëror, nuk kam pare një përkushtim të tillë, ku arti ngjan se e ka plagosur për vdekje zemrën e krijuesit të vet, atë shpirt, atë instrument kordash të papërsëritshëm, atë dashuri arti të pakufishëm, sepse artisti i ngjan një martiri të vërtetë që i ka falur artit gjithçka, gjithë forcat dhe dashuritë, dhe frymën e tij. Një alkimi që rrallë ndodh tek artistët e botës ku çmimi i sakrificës duket se i kalon dimensionet njerëzore e që njerëzimi e ka njohur ndoshta veçse në gjenitë e Renesansës italiane.
Ermonela Jaho është një martire e kohëve moderne. Një martire e artit sublim. Një martire që i ka ngjitur ato shkallë arti si të këndojë për herë të fundit. Po, është kjo ndjesi me të cilën ajo ngjitet gjithnjë në skenë.
Vështroj imazhin e saj dhe drithërohem me frikën se mund të bjerë. Por ajo i ka gjetur gjithnjë forcat, pasi është një ngjizmë e madhe dashurie!
——

Luan Rama