Ja cilat janë 30 propozime kriteresh alternative për projektbuxhetin 2018 nga Artan Fuga

Meqë sot në Kuvendin e Shqipërisë debatohet projektbuxheti për vitin 2018, po paraqes si qytetar dhe akademik, 30 propozime si kritere që duhen mbajtur parasysh nga deputetët dhe qeveria nëse nuk duam që vendi të shkojë keq e më keq drejt varfërisë së skajshme, boshatisjes nga ikjet masive jashtë, të mos mbetemi në ekonominë e kanabisit, si edhe të mos e çojmë në stratosferë hendekun e pabarazive sociale mes një grushti pasunarësh pa meritë dhe shtresave popullore me drita të fikura!
—————————————-

1. Ekonominë shqiptare e ka shkatërruar tej-popullimi i disa qyteteve kryesore, kryesisht i Tiranës, që ka krijuar papunësi dhe shkëputje të forcave të punës nga burimet natyrore. Të gjitha problemet Shqipërisë ja krijon Tirana me modelin e saj degradues të urbanizimit drejtuar nga lobitë e ndërtimit. Pa “riorientimin demografik” të vendit dhe një koncept të ri urbanizimi, ekonomia shqiptare nuk ringrihet.

2. Territori është boshatisur dhe burimet natyrore dhe energjitike të vendit mbesin të pashfrytëzuara, malet, kodrat, deti, lumenjtë, liqenet. Pa një mekanizëm të “rifutjes në treg të pasurive të mbetura inerte”, nuk mund të ketë dinamika të reja ekonomike.

3. “Zhvillimi ekonomik i integruar”, që kërkon kohezioni dhe konvergjenca në zhvillimet ekonomike dhe hapësinore midis turizmit, bujqësisë, konservizimit të pasurive kulturore të vendit, transportit, tregtisë, etj. Mungon pra modeli i konverguar ekonomik.

4. Problemi i ekonomisë shqiptare qendron te fakti që shqiptarët punojnë me rendiment jashtë vendit, si emigrantë. Vetëm duke mundësuar rikthimin e flukseve monetare të tyre në vend nëpërmjet bankave me përqindje fitimi dhe kapitale të siguruara nga shteti, mundet që paraja e shqiptarëve të “riinvestohet në vendlindje”.

5. Tenderi e shkatërroi ekonominë shqiptare, futi korrupsionin, kurse si praktikë menaxheriale e shtetit është një katastrofë. Sa më parë heqje dorë nga tenderimi i ekonomisë shqiptare dhe kalimi gradualisht po shpejt te koncepti dhe instrumenti i “ankandit publik”.

6. Privatizime të kompanive publike mund të ketë, por ato duhet të shiten duke e formësuar kapitalin e tyre me aksione, të hapura ndaj aksionerëve të vegjël. Kjo është demokracia ekonomike dhe pjesëmarrja e qytetarit në kontribut krijimi dhe në ndarjen e pasurisë së krijuar. “Aksionariat masiv.”

7. Cdo ndërmarrje duhet të “kuotohet në bursë”, si institucion i hapur ku vlera e sipërmarrjeve të jetë sipas tregut dhe të lejohen qytetarët të blejnë dhe shesin lirisht aksione.

8. Duhet të ndalet “kioskizimi i ekonomisë shqiptare” duke pasur si model të dështuar nën maskën gjoja lirisë për biznes hapjen e njëqind kioskave që shesin të njejtën gjë në një lagje. Kêshtu me mediat, farmacitë, gjoja fermat, shkollat private, etj.

9. Zëvendësimi i situatës monopol në tregti, ekonomi, arësimin privat, me “konkurrëncën e lirë, të shanseve të barabarta”, dhe me ndërhyrjen administrative për ta mbajtur këtë konkurrencë sa më larg monopoleve dhe konkurrencës të pandershme.

10. Shteti është boshatisur nga funksioni i tij ekonomik nën presionin e manipulimit gjoja se “agjencitë publike” janë jorentabël. A thua se nuk është shteti në shoqëritë e zhvilluara që zhvillon dhe menaxhon energjinë bëthamore.

11. Tregu është si i shekullit 19, “brick and mortar”, pra nuk ka treg virtual që do ta dinamizonte “sipërmarrjen shqiptare në web”, edhe si start up, duke transformuar të gjitha praktikat e menaxhimit dhe marketingut.

12. Tregëtia e lirë është shpëtimtare për Shqipërinë, por produktet për eksport duhet të jenë me cilësi shumë të lartë dhe këtu shteti duhet të subvencionojë fort. Marka “Made in Albania” duhet të promovohet dhe subvencionohet fort.

13. Transporti rrugor nën presionin e lobive të karburantit ka tharë transportin detar, ujor, me trena elektrikë, etj. Ka nevojë të zhvillohen të gjitha format e “transportit alternativ” sidomos në zonën urbane.

14. “Shërbimet publike” duhet të ndërhyjnë në mënyrë që shqiptarët të mos harxhojnë kapitalet e tyre për të blerë shërbime te privati, duke riorientuar edhe fluksin e investimeve të tyre. Pse të blihen libra kur një bibliotekë e madhe publike mund ta zgjidhi shumë mirë problemin? Pse duhet të ikin të rinjtë shqiptarë jashtë për studime me shpenzime marramendëse kur një investim i mirë në universitete zgjidh problemin?

15. “Ekonomia e zbavitjes, e shërbimeve në familje, e asistencës sociale ndaj personave me probleme shëndetësore” është krejt e pazhvilluar. Po ashtu edhe “artizanati riparues” që do të kursente paratë e shqiptarëve dhe do tê zvoglonte në maksimum blerjet e tyre të sforcuara për aparatura që nuk prodhohen fare në Shqipëri.

16. Duhen hapur “kantjeret e mëdha të ndërtimit dhe investimeve në projekte gjigande” përtej një logjike dy ose trevjeçare që na bën që ritmi ekonomik t’i nënvendosen ritmit elektoral. Kjo e ka shkatërruar ekonominë shqiptare. Duhen pakte dhe agjenci strategjike zhvillimi që të menaxhojnë këto projekte gjigande.

17. Ulje drastike e nëpunësve të administratës publike si pasojë e presionit elektoralist.

18. Reforma e “agjencive publike ekonomike” për t’i bërë ato autonome, me buxhete reale të pavarura, të hapura ndaj konkurrencës. Konkurrenca dhe ekonomia publike nuk janë dy koncepte kontradiktore.

19. Rritja e rrogave për nëpunësit e lartë, pra “reforma menaxheriale”, dhe lidhja e shpërblimit të tyre me rezultatet e agjencive që kanë në administrim.

20. Aplikimi i konceptit të “industrisë të krijimit” duke përfshirë artin, kulturën, arsimin, sportin, kinematografinë, etj., dhe matja e kontributit të tyre në shtimin e GDP të vendit.

21. Reforma e kërkimit shkencor në shërbim të zgjidhjeve ekonomike dhe matja e rezultateve të tij me patentat”. Patentizim i rezultateve të kërkimit shkencor. Rezultatet e kërkimit shkencor të menaxhohen vetëm si logjikë e të drejtës të autorit.

22. Kreditimi i prodhuesve të vegjël me garanci publike. të krijohet “banka publike e kreditimit të biznesit të vogël”.

23. Të dinamizohet tregu i tokës dhe të stimulohet “përqendrimi pronësor i tokës bujqësore”.

24. Të ristrukturohen të gjitha ndarjet dikasteriale sipas koncepteve të ekonomisë bashkëkohore dhe jo ministri ku cerdhet të administrohen nga i njejti dikaster si edhe shkenca, apo teknologjia me administratën publike.

25. Subvencionimi dhe përkrahja e “sipërmarrjeve me cikël të mbyllur”, që përfshin prodhimin, përpunimin e lëndëve të para, dhe tregtimin e tyre.

26. Investimi në “tregjet fshatare” në qendrat urbane me pajisje frigoriferike, magazinime, aparatura elektronike shitjesh, me mjete transporti, dhe parkingje.

27. Edukimi dhe përhapja e mbështetja e ekonomisë solidare nëpërmjet platformave kolaborative në web, duke nxitur “punësimin autonom”, si shkëmbim shërbimesh, dhe jashtë logjikës së marrëdhënies midis të punësuarit dhe punësuesit.

28. Integrimi në parametrat e vlerësimit të lejeve për të hapur biznes edhe nga pikëpamja e ndikimit mbi barazinë politike të shtetasve dhe dhënies së shanseve për të gjithë. Parametrat ekologjikë dhe të ruajtjes të vlerave estetike të natyrës dhe mjedisit po ashtu duhet të jenë pjesë e akordimit të lejeve për biznes. Futja e konceptit të “përgjegjësisë sociale” për sipërmarrjet duke i detyruar të riparojnë dëmet e shkaktuara mbi mjedin, konkurrentët, qytetarët.

29. Krijimi i “tregut të përbashkët Kosovë – Shqipëri”, pa dogana dhe taksa.

30. Krijimi i “zonave të lira” pa taksa në hapësirat kufitare me Maqedoninë, Kosovën, Greqinë, si edhe në zonën perëndimore bregdetare për investitorët italianë, dhe më gjerë.

DITA