Izraeli bombardon kompleksin e armëve kimike në Siri, të paktën 100 është numri i sulmeve klandestine që nga viti 2011

Mediat siriane kanë raportuar se avionët luftarakë izraelitë kanë bombarduar me raketa një qendër ushtarake siriane pranë kryeqytetit, Damask.

Në një deklaratë të ushtrisë siriane u tha se sistemet e mbrojtjes ajrore bllokuan shumicën e raketave, por nuk u dhanë detaje të mëtejshme.

Nga raportimet prej terrenit mësohet se depot e municioneve në Jamraya u goditën. Kjo është edhe vendndodhja e një objekti shkencor, ku Perëndimi dyshon se janë prodhuar armët kimike.

Izraeli, i cili ka pranuar se ka kryer të paktën 100 sulme klandestine në Siri që nga viti 2011, nuk pranoi të komentojë ngjarjen.

Shumë nga sulmet izraelite besohet se kanë pasur për qëllim parandalimin e transferimit të armëve të avancuara në lëvizjen libaneze të Hezbollahut.

Grupi i mbështetur nga Irani luftoi me Izraelin në vitin 2006 dhe dërgoi mijëra luftëtarë në Siri për të mbështetur forcat e presidentit Bashar al-Assad.

Deklarata ushtarake siriane tha se aeroplanë izraelitë kishin lëshuar disa raketa nga brenda hapësirës ajrore libaneze në një pozicion ushtarak në fshatin Damask në orën 03:42 (01:42 GMT) të mërkurën.

“Komanda e përgjithshme e forcave të armatosura bën Izraelin plotësisht përgjegjës për pasojat e rrezikshme të aventurave të përsëritura dhe agresive”, theksohet aty.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, një grup monitorimi në Mbretërinë e Bashkuar, tha se disa nga raketat goditën depot e municioneve në Jamraya.

Zona – e njohur edhe si Dummar – është shtëpia e disa objekteve ushtarake, por gjithashtu një degë e Qendrës Studimore dhe Kërkimore Shkencore (SSRC).

Një agjenci perëndimore e inteligjencës i tha BBC vitin e kaluar se tre degë të SSRC, përfshirë atë në Jamraya, po përdoreshin për prodhimin e municioneve kimike në kundërshtim me një marrëveshje që Assad nënshkroi për të shkatërruar arsenalin e tij kimik, pas një sulmi vdekjeprurës me gaz Sarin në Damask në vitin 2013.

Sulmi raketor i së mërkurës erdhi pasi mjekët dhe autoritetet perëndimore akuzuan forcat qeveritare siriane për hedhjen e bombave të mbushura me klor në zonat e mbajtura nga rebelët gjashtë herë gjatë muajit të kaluar.

Qeveria i ka hedhur poshtë raportet si “gënjeshtra”, por ekspertët e OKB-së për krimet e luftës i kanë quajtur “alarmante” dhe thanë se po hetojnë.

7 shkurt 2018 (gazeta-Shqip.com)