Isha gazetar i lirë kur nuk kishte liri dhe mu desh të isha i tillë edhe kur nuk pyeste askush për lirinë

Nga Albert Vataj

Jeta ime ishte ajo, GAZETARIA… pena, makina e shkrimit, diktofoni, aparati fotografik, guximi, ndershmëria, pasioni dhe profesionalizmi. Gazetaria ishte e gjithë jeta ime dhe vetë besimi në shenjtërinë e fjalës së lirë ishte çfarë mbeti përgjithmonë një luftë për ta fituar.
Edhe unë isha gazetar.
Po!
Punova atëherë kur nuk kishte as liri shtypi as liri mendimi, ku vetë fjala liri kishte një kuptim abstrakt dhe idealistët e kësaj kauze kalleshin në honet e ferrit. Isha gazetar edhe atëherë kur shefi të tregonte me gisht se nga ishte dera për të ikur, nëse nuk kishte mësuar të bindeshe, se ajo që dinte ai ishte ajo e vërtetë, të cilën duhet ta promovoje dhe mbroje si legjitimiteti i të drejtës për kafshatën e bukës.
Isha gazetar atëherë kur zyrtarë të shtetit i bindeshin të drejtës sime, mbeta i tillë edhe më pas kur i’a lejonte vetes një roje të të përzinte me shqelma nga e drejta e njohur ndërkombëtarisht.
Isha gazetar i shtypit të lirë edhe atëherë kur të vinin tytën e armës në lule të ballit dhe askush nuk donte t’ia dinte për ty, veç atyre që ishin gati të bënin heroin, duke shkruar lajmin për një ngadhënjimtar që mbeti theror në këmbët e altarit të lirisë që besonte.
Isha gazetar kur më mjaftonte të ushqehesha një herë në ditë dhe të flija në karrige për ditë të tëra, dhe besoja kaq shumë te liria dhe vetë shenjtëria e këtij profesioni. Më gëzonte puna dhe emri, edhe pse më duhej të mjaftohesha me aq pak që shpërblehej rraskapitja dhe devocioni.
Isha gazetar atëherë kur të tjerët e përdornin penën dhe fjalën, kartën e gazetarit dhe median, si kredencial përfitimesh dhe privilegjesh, si çomange dhe gjobëvënie, dhe mbeta atëherë e sot i tillë, duke mos i’a lejuar vetes as të mburresha.
Isha gazetar kur një nënë më puthte duart për atë çfarë kisha bërë dhe kisha dhënë si besim dhe melhem për plagët e zemrës asaj që ajo besonte, mbeta i tillë çdo ditë, por pa mundur të isha përgjithnjë çfarë do të dëshiroja, çfarë më obligonte ky profesion, për çfarë isha betuar.
Gazetarinë e desha dhe besova kaq shumë te Liria e Shtypit, por nuk mu lejua të refuzoja çfarë ajo u bë. Gazetar isha edhe kur Liria e Shtypit u bë vegël në duart e pushtetit, njerëzve të pasur dhe gjithë asaj armate poshtërsie dhe maskarallëku.
Isha gazetar i lirë kur nuk kishte liri dhe mu desh të isha i tillë edhe kur nuk pyeste askush për Lirinë e Shtypit, për gazetarinë, edhe pse dua kaq shumë të jem si një kolegu imi meksikan, i cili kishte mision t’ua prishte ditën atyre që po i shkatërronin jetën.
Isha gazetar dhe nuk lejova të isha më, sepse nuk munda dhe nuk lejova që emri dhe nderi im të përdoreshin, dinjiteti dhe përkushtimi im të shndërroheshin në faj për të cilin më duhej të ndihesha në pendim.
Isha dhe jam gazetar, besoj dhe sakrifikohem për atë çfarë ky profesion ka të shenjtë, të vërtetën, lirinë.