Ish-Presidenti, Bujar Nishani: Propozimi i Hashim Thaçit destabilizues, nxit konfliktet

Ish-presidenti Bujar Nishani në një intervistë për Report Tv flet për zhvillimet më të fundit që lidhen me Kosovën, vendimin e NATO-s për ta kthyer në një bazë të sajën ish-aeroportin ushtarak të Kuçovës, proçesin e vettingut si dhe për zhvillimet më të fundit në gjirin e opozitës dhe se si është duke qeverisur Edi Rama. Ish-presidenti Nishani e shikon propozimin e presidentit Hashim Thaçi për shkëmbime territoresh si një propozim të kahershëm serb dhe të rrezikshëm për të gjithë rajonin. Vendimin e NATO-s për ta kthyer e një bazë të sajën ish-aeroportin e Kuçovës Bujar Nishani e shikon ngushtësisht të lidhur me stabilitetin e Ballkanit po ashtu edhe si një përgjigje për super bazën ushtarake që ka ndërtuar Serbia në Nish. Për proçesin e deritanishëm të vettingut, Bujar Nishani shprehet se është duke u zhvilluar me standarde të dyfishta dhe se kriza ku është futur Gjykata Kushtetuese dhe ajo e lartë ka të bëjë me nxitimin e politikës shqiptare dhe të ndërkombëtarëve për të pasur me doemos një reformë në drejtësi. Pas traumave politike që ka pasur opozita, Bujar Nishani është i mendimit se PD-ja ka pasur një ngjitje për sa i përket komunikimit me publikun dhe një ridimensionim të rolit të saj por sipas tij, duhet një prezencë e përditshme dhe fuqizim i bazës së partisë.

Pjesë nga intervista

Zoti Nishani, lidhur me zhvillimet më të fundit në Kosovë, a ju duket i drejtë propozimi i Presidentit Hashim Thaçi për korrigjimin e kufijve dhe njohje reciproke?

Së pari, do të thosha që nuk kemi asnjë informacion të qartë, natyrisht nuk po flasim për detaje, por për thelbin çfarë kihet parasysh me korrigjim të kufijve, çfarë ka në ide Presidenti i Kosovës apo edhe interlokutorët e tjerë të Presidentit të Kosovës në dialogun me Serbinë, se dukshëm kjo është një çështje që i referohet dialogut midis Kosovës dhe Serbisë. Pra, nuk ka asgjë të qartë në këtë çështje. Por, përderisa nuk ka asgjë të qartë dhe një shpjegim pak më të detajuar, të gjithë këtë e kuptojmë si një shkëmbim territoresh, pasi nëse do të ketë korrigjim kufijsh, do të ketë një korrigjim të dyanshëm. Nuk mund të ketë korrigjim të njëanshëm të kufirit. Korrigjimi i dyanshëm i kufirit, në kuptimin tim dhe të logjikës politike, institucionale, ligjore e njerëzore, do të thotë që do të ketë një shkëmbim territoresh. Ky është një propozim i kahershëm serb, prej kohësh që qeveria serbe që pas humbjes së luftës si një nga aktorët kryesorë të luftërave pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, Serbia ka dalë me teorinë e rimarrjes së disa territoreve në kontekstin e një formule shkëmbimi territoresh. Unë e kam gjykuar dhe vazhdoj ta gjykoj si një provokim të rëndë, në tërësi për stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Është si të ngulësh një gozhdë të përhershme të destabilitetit, pasi kufijtë e definuar pas shpërbërjes jo konsesuale të ish-Jugosllavisë, kemi një realitet të ri, një realitet i cili është njohur nga komuniteti ndërkombëtar.

Zoti Nishani a mund të themi se Presidenti Thaçi me këtë deklarim thjesht ka dashur të testojë Serbinë dhe faktorin ndërkombëtar në Kosovë?

Unë mendoj, në këndvështrimin tim, që Presidenti i Republikës së Kosovës ka dashur të bëjë publik, çka mund të themi edhe në formë presioni mund të jetë bërë gjatë bisedimeve, të bëjë publike atë çka është hedhur në tryezën e diskutimit. Dhe unë besoj që, më mirë që bëhet publike sepse në njëfarë mënyre edhe ndihmohet qëndrimi shqiptar dhe duke e diskutuar besoj që edhe dalin argumente më të qëndrueshme, më logjike, më të maturuara politikisht dhe institucionalisht, për të kundërshtuar këtë provokim të Serbisë dhe të aktorëve të tjerë proserbë. Besoj që duhen mirëpritur të gjitha reagimet që vijnë nga bota shqiptare në Kosovë, në Shqipëri, në diasporë, mendimi intelektual dhe besoj që dukshëm këto ditë është ravijëzuar qëndrimi i një shumice dërrmuese në botën shqiptare, që tendenca e Serbisë, synimi i Serbisë për ta alokuar procesin e dialogut midis Kosovës e Serbisë te një pikë, që ka të bëjë pra me shkëmbimin e territoreve apo me të ashtuquajturin korrigjim kufijsh, është jo vetëm në dëm të rajonit, është jo vetëm në dëm të stabilitetit dhe të paqes, por është në dëm të të gjitha proceseve pozitive që kanë tejkaluar në kohën e shkuar, por që kanë sjellë kontribute pozitive në mirëkuptim, në paqe dhe në orientim.

A është e drejtë të themi se hartuesit e reformës në drejtësi përfshi ndërkombëtarët dështuan të parashikonin kolapsin në dy gjykatat më të rëndësishme në vend, atë Kushtetuese dhe atë të Lartë?

Ky është një dështim evident sepse kemi më shumë se një vit që shqiptarët nuk kanë as Gjykatë Kushtetuese dhe as Gjykatë të Lartë. Ky është një fakt të cilin ne nuk e zhbëjmë dot, sado që ta përgënjeshtrojmë, në fund të fundit është një e vërtetë që e ndeshim sot. Një qytetar, nëse do të shkojë sot në Gjykatën Kushtetuese – pas ndryshimeve kushtetuese është zgjeruar shumë e drejta për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese – nuk e pret kush sepse nuk ka se kush ta presë në Gjykatën Kushtetuese. Apo një ligj i miratuar në Parlament, që një pjesë mund të pretendojë që cenon liritë kushtetuese, nuk ka ku të adresohet. Në Gjykatën e Lartë kemi më shumë se prej një viti që nuk shqyrtohen më çështje. Vetëm çështje të emergjencës. I është mohuar e drejta e kalimit të shqyrtimit të çështjeve përtej sistemit gjyqësor vendës, pra në Gjykatën Ndërkombëtare të të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, në Strasburg. Pra, ky është një realitet që ne nuk e mohojmë dot. Unë besoj që qe një nxitim, për shkak të disa objektivave politike që ishin. Politika e brendshme kërkonte ta kapte nën ndikimin e vet dhe ta vendoste nën influencën e vet këtë proces. Politika e jashtme kërkonte që Shqipëria të arrinte në mënyrë të sforcuar, sa më shpejt që të ishte e mundur, disa objektiva politike në proceset e integrimit apo të atyre proceseve formale të kritereve që janë në procesin e integrimit evropian. Pa diskutim që janë të korrigjueshme. Pra këto ligje mund të korrigjohen sot, me konsensus, sepse opozita ka paraqitur, me sa kam dëgjuar unë, disa pikëpamje. Natyrisht mund të jetë një proces negocimi i përmirësimit të ligjeve të sistemit të drejtësisë, por unë druaj që kjo do të jetë e vështirë sepse vetë njëanshmëria e shfaqur, partizanizmi i fortë politik në selektimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve që janë futur në procesin e Vetting-ut, tregon që nuk ka një vullnet politik për t’u adresuar te sistemi i drejtësisë, por te kontrolli mbi drejtësinë.

Ka analiza nga më të ndryshmet për performancën e opozitës. Në këndvështrimin tuaj, a është performanca e opozitës në nivelin e duhur?

Unë mendoj që opozita ka pasur disa trauma politike, të cilat më së shumti nuk kanë qenë për shkak të përgjegjësisë së saj, por të keqpërdorimit të pushtetit që ka ai, i cili ka fuqinë në dorë, qeveria në rastin konkret. Përtej traumës që pësoi në zgjedhjet e vitit 2013, përdorimi i mekanizmave antiligjorë të krimit të organizuar në zgjedhjet e fundit parlamentare, deformimi i një rezultati i cili mund të kishte qenë jo fitues për opozitën, por ishte penalizues në mënyrë abuzive ndaj opozitës. Patjetër që këto krijuan trauma politike dhe psikologjike në strukturat e partive të opozitës. Por besoj që nga ajo periudhë unë të paktën, në këndvështrimin tim, kam parë që opozita ka pasur një ngjitje në aspektin e komunikimit me publikun, në aspektin e marrjes së kontakteve me opinionin, në aspektin e qasjes te besimi i publikut. Do t’i duhet patjetër që të bëjë shumë punë. Opozita, në fund të fundit, është e vështirë. Në Shqipëri edhe ca më e vështirë sesa në vendet e tjera. Por besoj që trendi në ngjitje që ka treguar opozita, veçanërisht në komunikimin me opinionin dhe në shtrirjen tek opinioni publik, është një tregues pozitiv që opozita po ridimensionohet në rolin e saj.

A e shikoni të mundur një bashkëpunim mes mazhorancës dhe opozitës në muajt në vazhdim, gjë e cila do t’i shërbente procesit të integrimit evropian?

Edhe për këtë pyetje unë mund të them dy-tre këndvështrime. Së pari, si parim bashkëpunimi është krejt normal dhe duhet të ekzistojë gjithmonë bashkëpunimi midis mazhorancës dhe opozitës. Së dyti, për fat të keq ky parim është minuar përmes një politike të vazhdueshme diversioni nga ana e mazhorancës ndaj opozitës. Unë mendoj që takimi parazgjedhor midis kryeministrit dhe kryetarit të opozitës, në vend që të lihej të shkonte në perceptimin e opinionit publik që jemi kundërshtarë, por për çështje madhore ne merremi vesh, u keqpërdor nga ana e mazhorancës, u injektua tek opinioni publik si një dominim dhe përdorim që kryeministri i bëri kryetarit të opozitës. Patjetër që mekanizmat e qeverisë janë shumë herë më të fuqishme sesa ato të opozitës për t’i bërë këtë lavazh trurit të opinionit publik. Por kjo ka bërë një dëm shumë të madh sepse jo vetëm ka minuar parimin e bashkëpunimit midis mazhorancës dhe opozitës, por tashmë e ka bërë të pamundur, në gjykimin tim, që edhe në raste madhore kur do të nevojitet ky bashkëpunim, unë do ta shikoja me shumë pikëpyetje nëse opozita do të kishte më besimin te mazhoranca për të ofruar bashkëpunimin e saj në këtë kontekst që unë e shikoj parimin e bashkëpunimit. Prandaj është edhe një element tjetër që do ta ashpërsojë edhe më shumë betejën politike në të ardhmen.