Ish-Presidenti, Bujar Nishani: Gjendja politike në Shqipëri është në pikën kritike, mund të këtë përplasje të rrezikshme

Degradimi i një ekuilibri në mes funksioneve të institucioneve që veprojnë në Shqipëri, shtetin shqiptar e ka çuar drejt një krize të madhe institucionale, politike dhe ekonomike, të cilën asnjëherë nuk e ka pasur deri tani. Ndërsa, çdo nënvlerësim i përgjegjësisë mund të sjellë situata të rrezikshme. Kështu u shpreh ish-presidenti shqiptar, Bujar Nishani  i cili në një intervistë për “KosovaPress” ka folur për gjendjen aktuale në Shqipëri dhe përplasjet në mes presidentit, Ilir Meta dhe kryeministrit shqiptar, Edi Rama lidhur me zgjedhjet lokale. “Ajo që është më e rëndësishmja, që unë do ta thoja me shqetësim, ka të bëjë me faktin e një krize shumë të madhe në Shqipëri, një krizë e cila është e disa dimensioneve, është një krizë e cila ka precipituar si një akumulim i degradimit të ekuilibrave mes pushteteve dhe ekuilibrave midis institucioneve; midis nga njëra anë ndërmjet rrënimit të ditë pas ditshëm të mënyrës se si duhet të funksionojnë institucionet në një demokraci funksionale, dhe të qasjes së njerëzve vendimmarrës në raport me institucione-opinion publik. Pra,sot për fatin e keq kemi mbërritur në një pikë kritike në Shqipëri. Kriza e institucioneve, kriza politike, kriza ekonomike, të cilat kanë kulmuar në atë që është ndoshta në akumulimin e një të keqe më të madhe që është humbja masive e besimit dhe e shpresës së qytetarëve shqiptarë, e cila është evidente dhe e jetësuar tek largimi masiv i qytetarëve nga Shqipëria”, u shpreh Bujar Nishani.

Kolapsi institucional

Sipas Nishanit, Shqipëria sot ka institucionet më të dobëta që kishte ndonjëherë, pasi siç thotë ai, krimi i organizuar dhe korrupsioni janë bërë pjesë e politikës. Për tejkalim të kësaj situate të krijuar në shtetin shqiptar ish-presidenti, Bujar Nishani kërkon që të merren më me seriozitet.  Ish-kreu i shtetit shqiptar e cilëson gjendjen në vendin tonë si tejet kritike, ndërsa shton se një neglizhencë e shtuar mund të prodhojë një përplasje të fortë. “Sot Shqipëria jo vetëm që i ka institucionet më të dobëta nga ç’i kishte deri para disa viteve; sot Shqipëria jo vetëm që është në një kolaps institucional; sot Shqipëria është një vend që nuk ka të dytë në botë – pa institucionet kryesore të garantimit të së drejtës dhe bërjes së të drejtës, qoftë Gjykata Kushtetuese, qoftë Gjykata e Lartë; sot Shqipëria në aspektin e sistemit politik po margjinalizohet në një sistem mono-partiak; korrupsioni dhe krimi i organizuar nuk janë thjesht vetëm fenomene shoqërore dhe sociale, por janë të ndërvarura, të ndërthurura me politikën, me institucionet shtetërore, dhe ai që është humbësi i madh është qytetari shqiptar. Pra, kjo është një situatë e cila duhet marrë dhe konsideruar me seriozitetin e vet maksimal, pasi çdo neglizhencë e mëtejshme, çdo nënvleftësim i përgjegjësisë, mund ta agravojë më tej situatën në atë që është më e rrezikshmja, më e papranueshmja, ndoshta më e pa mendueshmja sot, rreth një përplasjeje të fortë midis qytetarëve dhe atyre që ende përfaqësojnë institucionet nga pikëpamja formale në Shqipëri”, u shpreh ish-Kreu i Shtetit.

Integrimi është bllokuar

Sipas tij, integrimi i Shqipërisë në Bashkimi Evropian është bllokuar. Ndërkohë, fajtor kryesor për këtë e bënë politikën aktuale të Shqipërisë të udhëhequr nga Edi Rama. Nishani ka shtuar se kjo klasë politike është duke e rrezikuar edhe lëvizje e lirë të popullit shqiptar. “Shqipëria është bllokuar në përparimin e procesit të integrimit. Le të themi që procesi i integrimit evropian është futur në një ngërç në Shqipëri, dhe natyrisht kjo ka përgjegjës. Dhe përgjegjës pa dyshim është politika, sepse aty merren vendimet. Por brenda politikës, askush nuk mundet të justifikojë rolin parësor që ka mazhoranca, që kanë njerëzit të cilët kanë marrë përsipër mandatet përfaqësuese për të marrë vendime në emër të qytetarëve shqiptarë. Prej 3 vitesh tashmë, Shqipëria gjykohet negativisht nga Këshilli Europian dhe procesi i përparimit të Shqipërisë në rrugën drejt Europës është i bllokuar. Prandaj, personat të cilët janë përgjegjës të drejtëpërdrejtë në bllokimin e procesit e integrimit evropian dhe po rrezikojnë edhe atë që ka qenë arritja më e madhe për qytetarët shqiptarë, të cilët kanë qenë njerëzit më të izoluar në rajonin e Ballkanit për vite me radhë, lëvizja e lirë nëpër Europë po rrezikohet seriozisht. Kjo për shkak të krimit të organizuar, për shkak të ndikimit që ka krimi i organizuar tek politika, për shkak të intimidimit që krimi i organizuar bën mbi krahë të ndryshëm të politikës, për shkak të dominimit që krimi i  organizuar ka marrë mbi institucionet. Dhe destabilitet në kuptimin social, politik dhe institucional më të madh se sa kaq, Shqipëria nuk ka pasur asnjëherë”, u shpreh ish-Presidenti Bujar Nishani.