Ish-nënkryetarja e PD-së, deklaron se pas miratimit të statutit të ri, Lulzim Basha me letra është kryetar i përjetshëm

Statuti i ri/ Topalli: E premte e zezë! Luli me letra i përjetshëm, PD duhet të ribëhet

Një ditë pas mbledhjes së shumëdebatuar të Këshillit Kombëtar, ish-nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli deklaron se pas miratimit të statutit të ri, Lulzim Basha me letra është kryetar i përjetshëm i Partisë Demokratike. Në një reagim të ashpër në faqen e saj zyrtare në rrjetin social “Facebook”, Topalli thotë se thelbi i mbledhjes i së premtes dhe i draftit “Basha”, ishte mbrojtja e karriges së kryetarit aktual. Topalli shprehet se Basha mund të humbë të gjitha zgjedhjet edhe më keq se një vit me parë, por ai do të jetë aty me Statutin e ri, pasi e ka çimentuar postin e kryetarit. Edhe pse me Statutin e ri, ajo bëhet anëtare e Këshillit Kombëtar, forumit më të lartë vendimmarrës në selinë blu, Topalli thotë se Basha është hileqar dhe këtë e bën për të mbuluar çimentimin e tij dhe kapjen përfundimtare të PD-së, pasi ky nen, në statutin e PD ka qenë në vite. Ish-numri 2 i selisë blu premton se nuk do të heshtë për të gjithë situatën e krijuar, ndërsa kërkon që Lulzim Basha ta çlirojë nga pengmarrja partinë dhe PD-ja të ribëhet. “Këshilli Kombëtar i PD-së u mblodh në fund të mandatit të tij për herë të parë (pas atij zgjedhor). Për herë të parë në historinë e PDSH-së ndodh që në Këshillin Kombëtar të PD-së të mos lejohet që të diskutohet për zhvillimet politike; Të mos lejohet të bëhet një analizë e situatës pas humbjeve të përsëritura dhe në veçanti pas humbjes katastrofale të 2017-ës; Asnjë demokrat nuk mund të imagjinonte se përveç kësaj, do votohej që të mos flitej për politikë, të mos diskutohej për situatën ku është katandisur PD-ja, as për përgjegjësi të drejtuesve, as për emergjencën e nevojës të ri-ngritjes së PD-së; as për qeverinë më të keqe të këtyre 30 viteve, e natyrisht, as për dëshpërimin ekonomik të familjeve shqiptare. LB (Lulzim Basha) vendosi që të mos flitej për politikë. Se për çfarë tjetër Parlamenti (Këshilli Kombëtar) i një force politike mund të flasë nëse jo, por politike, këtë vetëm Luli mund ta shpjegojë. Këshilli Kombëtar (që nuk e thirrën siç e do Statuti përgjatë këtyre 4 viteve asnjëherë) u thirr pa një rend dite politik; biles edhe pa pasur draftin e Lulit për ndryshime statutore (sepse atë e shpërndanë me e-mail vetëm pak orë më parë, gjë që nuk të jep mundësi për të bërë një vlerësim serioz); pa u diskutuar më parë me departamentet, pa u konsultuar me sekretariatin , pa u diskutuar me degët e rretheve, siç është bërë në dekada në këtë forcë politike. Për herë të parë forumi vendos me i heq kompetenca vetes dhe për t’ia shtuar Kryetarit. Duket surreale në fakt, por dje kështu ka ndodh, dhe e gjitha kjo në çensurë të plotë, sepse as mediat nuk lejoheshin. Thelbi i mbledhjes dhe i draftit Basha ishte mbrojtja e karriges së Lulit. Që dje (të premten), me letra Luli do jetë i përjetshëm. Ai mund të humbasë të gjitha zgjedhjet edhe më zi se një vit më parë, por Luli aty do jetë me Statutin e ri. Shqiptarët do vazhdojnë të ikin të pashpresë nga ky vend, por Luli, me letra, karrigen prapë do e ketë; Shqipëria do vazhdojë të zhytet e të vuajë nga krimi, korrupsioni e varfëria, por tani që po bën letrat e tij, askush nuk do shqetësojë më “Kryetarin e përjetshëm”. Si “Shkëmb graniti “ aty do qëndrojë – kështu e gënjen mendja Lulin, duke mos kuptuar se kryetar të përjetshëm nuk ka. Aq poshtë dhe pa dinjitet ka qenë dje drejtimi i mbledhjes sa as propozimin e vetë Lulit për mandat 2 vjeçar “nuk ia pranoi grupi”- dhe argumenti ishte se nëse hapet gara, pastaj mund të ketë njerëz që mund të konkurrojnë”. – Kështu u shpreh një tjetër drejtues, duke përsëritur ca i kishte thënë Lulzim Basha. Dmth në PD nuk ka pse të ketë garë. Në këtë rast ai ishte i sinqertë, sepse vërtet nuk ka më garë. Ne “mbledhje, dje Lulzim Basha i dha vetes të gjitha pushtetet duke vrarë edhe me letra demokracinë e brendshme. Dhe për të mbuluar këtë turp Luli bën kujdes të shpërndajë në media se po kthehet Jozefina në Këshillin Kombëtar, sepse Luli paska pranuar, që anëtarë të KK (Këshillit Kombëtar) të jenë Ish-Kryeministri, Ish-Presidenti dhe ish-Kryetari i Parlamentit; Hileçar, siç di të jetë vetëm ai, për të mbuluar çimentimin e tij dhe kapjen përfundimtare të PD-së. Ky nen, në statutin e PD-së ka qene në vite. Jozefina nuk ka ik kurrë nga bindjet e parimet e saj. As ka nevojë për karrige si ai. E kisha karrigen dhe e bëra të qarte publikisht se me LB (Lulzim Bashën) kam diferenca të mëdha; E kisha karrigen dhe i dola kundër vendimit për shkrirjen e strukturave të PD-së me urdhër të tij që në 2014-ën; e kisha karrigen kur e kundërshtoja, sepse ai nuk kundërshtonte Ramën; E kisha karrigen kur protestoja se ai nuk përballej me Ramën dhe nuk bënte opozitë të fortë; E kisha karrigen kur i thashë se ti nuk mund të sulmoje ashtu Perëndimin, sepse është PD-ja forca që ka hapur vendin drejt tij; e kisha karrigen kur dola publikisht kundra bojkotit të zgjedhjeve që çonte vendin në destabilizim; Unë nuk kam nevojë për asnjë karrige. Asnjë në këtë botë as më heq, as më vendos në PD. Sepse në PD-në e ëndrrave të viteve ’90-të unë kisha hyrë që para se të lindja, por këtë Luli nuk e kupton. Natyrisht, nuk hesht kur shoh vendin tim të rrëshqasë, kur shoh e dëgjoj se kryetari i opozitës është miku i kryetarit të qeverisë; nuk hesht kur shoh se kreu i opozitës kontrollohet nga qeveria, sepse e di që një vend pa opozitë është një vend pa shpresë; aq më shumë për ne që e kemi provuar shumë gjatë dhe me kosto shumë të lartë diktaturën; Refuzoj të hesht kur shoh rrëshqitjen e PD-së drejt një partie autokratike. Por nuk çuditem që Luli propozon shfuqizimin e 20 shkurtit, apo njerëzit e tij votojnë Gramoz Ruçin. Nuk zhgënjehem kur shoh si dëbon demokratët. Unë nuk zhgënjehem prej tij, sepse e njoh më mirë se ç’kujton ai se e njoh. Për karrigen e vet, ai e ktheu PD-në si një karrige me rrota, që herë e shtyn me Ramën, here me LSI-në, por kurrë me demokratët. Jozefina nuk pajtohet kurrë që për demokratët të vendosë Rama me të tjerë. Jozefina nuk pajtohet kurrë me frymën e perçarjes së PD-së dhe të gjuetisë së shtrigave të përdorur në vitet e fundit; nuk pajtohem kurrë me rrëshqitjen drejt një mentaliteti komunist që po i bën LB (Lulzim Basha) forcës që rrëzoi komunizmin; Jozefina nuk pajtohet kurrë me LB (Lulzim Bashën) që ditën flet për oligarkë, e ndërkohë, ndan interesa të mëdha me ta; Është më mirë që Luli të dorëhiqet e t’i japë mundësi PD-së të ngrihet për T’i dal zot vendit; Lul Basha duhet të dorëhiqet për rezultatin katastrofal që i ka dhënë PD-së; Ai duhet të largohet për marrëveshtjen e tradhëtisë me Ramën; për shpartallimin që i ka bërë strukturave, për rrëshqitjen majtas, e mbi të gjitha, për moskryerjen e misionit si opozitar. Ai duhet të çlirojë nga pengmarrja PD-në, që është e demokratëve dhe jo e familjes dhe e kunatit; Luli duhet larguar për dëmin e pallogaritshëm që jo vetëm i ka bërë PD-së, por mbi të gjitha, vendit. Partia Demokratike duhet të ribëhet; Ajo duhet të bashkojë çdo kontribut e vlerë të saj dhe mbi të gjitha, të faktojë se është e besueshme për të pasur besimin e të rinjve, të atyre të mirë e që e duan vendin. Partia Demokratike ka detyrë me i dal zot çdo qytetari: demokrat, socialist, apo i pa parti. Partia Demokratike ka nevojë për një fillim të ri, rindërtim, bashkim, Rithemelim. Ajo ia ka borxh shqiptarëve që i falën ëndrrën e tyre vite më parë”- përfundon Jozefina Topalli