Irani pretendon se ka zbuluar një rrjet të CIA-s. Kundërpërgjigjet Presidenti i SHBA, Donald Trump: Zero i vërtetë

17 iranianë thuhet se kanë spiunuar për CIA-n në “zona delikate” të vendit. Kjo u njoftua nga Ministria e Shërbimit të Fshehtë në Teheran. Disa u dënuan me vdekje, të tjerë u dënuan me burgim.

Irani pati njoftuar në qershor: Kemi zbuluar një rrjet spiunësh të SHBA. Tani, Ministria e Shërbimit të Fshehtë në Teheran bëri të ditur elementë të tjerë: 17 të dyshuar u arrestuan që nga shkatërrimi “i suksesshëm” i një rrjeti të spiunazhit të CIA-s në qershor, tha shefi i kundërzbulimit i Ministrisë iraniane të Shërbimit të Fshehtë në Teheran. Disa prej tyre ndërkohë janë dënuar me vdekje dhe të tjerë janë dënuar me burgim të gjatë. Nëse arrestimet e raportuara tani kanë lidhje me ngjarjet në qershor, kjo mbetet e paqartë.

Rekrutuar kur patën aplikuar për viza?

Spiunët kishin punuar në fusha të ndjeshme dhe kritike të energjisë bërthamore, infrastrukturës, ekonomisë, teknologjisë ushtarake dhe asaj kibernetike. Atje ata patën mbledhur informacione sekrete. Të 17 të dyshuarit janë iranianë. Ata qenë rekrutuar kur patën kërkuar vizë për të udhëtuar në SHBA ose kur patën dashur të rinovonin vizën e vjetër.

Televizioni iranian publikoi regjistrime që supozohet se tregojnë agjentë të CIA-s, të cilën kanë qenë në kontakt me spiunët e dyshuar. Për shembull, një iranian thuhet se është rekrutuar nga CIA në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Në një reagim të parë në twitter, Presidenti i SHBA Donald Trump shkroi:

“Informacioni i Iranit që ka kapur spiunët e CIA-s është krejtësisht i rremë. Zero i vërtetë. Vetëm gënjeshtra dhe propagandë (si rrëzimi prej tyre i dronës) të prodhuara nga një regjim fetar që po dështon keqas dhe nuk di se çfarë të bëjë”

Rritje e tensioneve që nga rrëzimi i dronës

Mesazhi nga Teherani bëhet i ditur në një periudhë tensionesh masive me SHBA. Në fund të qershorit, rrëzimi i një drone zbulimi të SHBA nga ana e Rojeve Revolucionare Iraniane mbi Ngushticën e Hormuzit për pak çoi në një konfrontim ushtarak. Presidenti i SHBA Donald Trump e ndaloi, sipas të dhënave të veta, vetëm në minutën e fundit një sulm hakmarrës.

Në qershor, Irani ekzekutoi një njeri që e akuzoi për spiunazh në llogari të Shërbimit të Fshehtë të SHBA, CIA. Personi ishte punonjës i Departamentit të Udhëtimeve në Hapësirë në Ministrinë e Mbrojtjes. Ai dhe gruaja e tij qenë arrestuar për spiunimin për CIA në vitin 2010, pasi hetuesit thanë se kishin zbuluar prova në shtëpinë e tyre. Pas hetimeve me vite të tëra, një gjykatë ushtarake e dënoi pastaj burrin me vdekje.

tagesschau/dlf/aud