Intervista e Presidentit Trump për Zërin e Amerikës

Presidenti Donald Trump foli për Zërin e Amerikës në Buenos Aires të Argjentinës, ku po merr pjesë në takimin e G-20ës. Ndiqni vazhdim disa nga temat e trajtuara gjatë bisedës me bashkëpunëtoren e Zërit të Amerikës, Greta Van Susteren.

Ndërsa ndodhet në Argjentinë në kuadrin e punimeve të takimit të G20-tës, Presidenti Donald Trump rezervoi kohën për një intervistë për Zërin e Amerikës.

Greta Van Susteren: Ndërsa ju e quani Kinën një ndër vendet që po grabit Shtetet e Bashkuara, ndikimi global i saj po zgjerohet. Ata janë tashmë në Afrikën veriore, po ndërtojnë një port gjigand në Pakistan, kanë marrëveshje madhore tregtie në Panama dhe Amerikën Latine. Kina i afrohet shumë gjeografikisht Shteteve të Bashkuara. A u zini besë objektivave strategjike të Kinës? Jeni disi i shqetësuar?

Presidenti Donald Trump​: Mendoj se do të kenë shumë më pak para se ç’kanë tani, për shkak të asaj që unë arrita. Na hyjnë tashmë 250 miliardë dollarë, në nivelin 25%. Pra do të përfitojmë miliarda e miliarda dollarë. Plus, unë mundem ta dyfishoj këtë sërish dhe ata nuk do të munden kurrë të veprojnë si me presidentët e mëparshëm. E shikoni se ç’po ndodh në Kinë. Nuk dëshiroj të veproj kështu, por tashmë ata nuk po ja dalin më aq mirë sa më parë. Pra sërish, mendoj se ne po ja dalim mirë nga tarifat”.

Greta Van Susteren: Ju do të takoheshit, ose të paktën kishit ndërmend të takoheshit me Presidentin Putin dhe tashmë e refuzuat. Nëse do të ishit takuar me të, cila do të ishte axhenda juaj për takimin?

Presidenti Donald Trump​: Siç thashë, nën dritën e zhvillimeve të fundit në Ukrainë me anijet dhe marinarët, thjesht nuk do të ishte koha më e mirë. Megjithatë, unë do të takohem me të. Mendoj se kemi një marrëdhënie shumë të mirë dhe mendoj se do të kemi një marrëdhënie shumë të mirë me Rusinë, Kinën dhe të gjithë të tjerët. Mendoj se është e rëndësishme. Kështu që do të takohem me të në një kohë të përshtatshme”.

Greta Van Susteren: Çfarë mendoni se ka ndërmend Putini të bëjë me Ukrainën? Përse mendoni se i kapi anijet?

Presidenti Donald Trump​: Unë nuk mundem të lexoj mendjen e tij dhe askush nuk mundet. Ai e di se çfarë dëshiron të bëjë, por ne nuk mund të lejojmë të ndodhin disa lloj gjërash. Kjo ndodhi dhe unë nuk mund të bëhem pjesë e kësaj”.

Greta Van Susteren: Një ndër çështjet e ekonomisë globale është ndryshimi klimatik. Këtu po debatohet për këtë. Cili është pozicioni juaj për ndryshimet klimatike dhe se si kjo ka ndikuar ekonominë në mbarë botën?

Presidenti Donald Trump​: Shumë e thjeshtë. Unë dëshiroj ajrin më të pastër dhe ujin më të pastër të planetit. Unë dua ujë të pastër kristal dhe ne këtë e kemi. Ne kemi qenë shumë mirë me mjedisin dhe unë e dëshiroj këtë. Por, unë nuk do ta lë vendin pa punë, duke u përpjekur të ruaj disa standarte që ndoshta nuk kanë asnjë rëndësi”.

VOA