Instrumentisti, Gojard Kodra: Xhelozia profesionale i shërben artit, por jo kur është e sëmurë

INTERVISTA/ Flet instrumentisti dhe presidenti i Klubit muzikor “Albanët”, Gojard Kodra: “Malli i komunitetit shqiptar në Australi nuk më hiqet kurrë nga mendja. Një komunitet i përmalluar. Nuk e mendoja se në Australinë e largët të gjeja një copë Shqipërie”

Të kesh thjesht xhelozi profesionale, pra të nxitesh nga miqtë me emër dhe ata që bëjnë karrierë, nuk e dëmton artin. Ajo e bën këtë vetëm kur është e sëmurë. I këtij mendimi shprehet gjatë një interviste për “Albanian Free Press”, instrumentisti i njohur, Gojard Kodra. “Pa xhelozi profesionale nuk mund të ecet. Por jo një xhelozi e sëmurë, fjalëkeqe dhe fyese. Aspak. Brenda rregullave të një xhelozie të sinqertë për të parë vetëm përpara dhe të shërbejë si shtysë”, pohon ai. Duke vijuar më tej me rrëfimin mbi rrugëtimin e tij profesional dhe artistik ndër vite, të cilit i ka dedikuar së fundmi madje edhe një koncert-recital të veçantë…

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

Gojard Kodra “20 vjet rrugëtim”, kujt i lindi ideja e këtij koncerti dhe pse ky titull? Kur përkon fillesa juaj me artin e muzikës dhe me cilin instrument? 

Ideja e këtij koncerti recital, normalisht që ishte e imja, në njëfarë mënyre për të pasqyruar kush ishte Gojardi për shumë njerëz të cilët nuk e njohin. Rrugëtim, një realitet ky i karrierës sime gjatë këtyre viteve jashtë Shqipërisë. Teksa  hapat e parë të muzikës për mua kanë qenë në moshën 10-vjeçare me instrument çiftelinë dhe pastaj fizarmonikën.

Cilët nga këngëtarët, apo muzikantët ishin të ftuar në këtë koncert dhe pse u ai zhvillua në Akademinë e Arteve?

Kjo është pyetje shumë domethënëse për mua, pasi unë kam bashkëpunuar me shumë këngëtarë të mirënjohur nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, por formati i këtij koncerti ishte i kufizuar dhe si përfundim morën pjese disa prej tyre, por që kanë shumë vlerë për mua. Këngëtaret e ftuar në këtë koncert ishin Shkurte Fejza, “Mjeshtër i Madh”; Maya; Bujar Cici, “Mjeshtër i Madh”; Enkelejda Arifi & Hysni Alushi’ Prena Beci; Artan Bakija; Gresa Beluli; Aranit Hoxha; Erga Halilaj dhe Artan Kola. Pa harruar dhe muzikantët kryesorë të këtij koncerti, Gezim Tivari, Lul Kalaja, Besmir Shani, Fabian Metkaj, Klaus Gjoka, Gent Cara, Kristian Gusho, si edhe stafin organizator me skenarist Llesh Nikolla, regjisor Ernis Çili dhe moderatore Sava Lena. Që të jem i sinqertë, koncerti ishte menduar për ne një sallë tjetër edhe më të madhe, por jam befasuar nga koncertet e shumta që kishte kjo periudhë dhe ishte e pamundur të arrinim aty ku do doja.

Sa koncerte ka zhvilluar Gojardi dhe në sa vende të botës?

Koncertet janë të shumta, 20 vite rrugëtim dhe të jem i sinqertë janë mbi 150 të tilla. Gjatë gjithë këtyre viteve kam eksploruar shumë shtete dhe kultura të ndryshme botërore, të paktën mbi 25 shtete. Itali, Greqi, Maqedoni, Zvicër, Gjermani, Francë, Belgjikë, Austri, USA, Kanada, Australi, Kosovë, Mali Zi, Kroaci e shumë të tjerë. Shqiptarët që ndodhen në këto shtete kryesisht janë të integruar mirë. Dhe neve si muzikantë dhe këngëtarë na afrojnë shumë dashuri dhe respekt, traditë kjo e trashëguar ndër vite.

Si ke arritur deri këtu?

Hapat e parë të mi kanë qenë në shkollën fillore me kurse fizarmonike, pastaj drejtimi në liceun artistik “Jordan Misja” dhe mbas vitit 1995 erdhën ofertat për koncerte dhe turne jashtë Shqipërisë, kështu që mora hapin tjetër të rëndësishëm, duke u bërë pjese e grupeve muzikore shqiptare nëpër botë, ku praktika u kthye në eksperiencë, duke korrur shumë suksese. Gjatë periudhës të këtij rrugëtimi artistik kam marrë edhe mësime në shkolla prestigjioze në fushën e produksionit dhe menaxhimit.

Kur e keni dhënë koncertin e parë dhe ku? Me cilët këngëtarë?

Koncerti i parë ka qenë në Zvicër, nga shoqata atdhetaresh të ndryshëm. Besoj nga vitet 1998-99. Madje dhamë disa koncerte, si në Zyrih, Bern, Stgallen etj. Këngëtarë në këtë stinë aktivitetesh kanë qenë Mimoza Nazarko, Afrim Muqiqi, dhe shumë të tjerë. Ishte një eksperiencë e bukur, pasi u njoha me rregullat dhe mënyrën e funksionimit të veprimtarive të tilla muzikore jashtë vendit. Dua të theksoj se ishin vitet kur aktivitetet morën një ngritje të madhe dhe këngëtarët e instrumentistët nga atdheu priteshin me mjaft interes. Vetëm të nxirrje vizë në atë kohë për në Zvicër ishte shumë  e lodhshme, madje disi e pamundur. Por ishin shoqatat e shqiptarëve në Zvicër, që na e bënin të mundur marrjen e saj. Malli për atdheun i bënte bashkatdhetarët tanë të bënin sakrifica për të qenë aty. Zvicra më pas më hapi dyert e shumë aktiviteteve në të gjithë Europën dhe më tej.

Me sa këngëtarë keni bashkëpunuar, mund të na sillni në kujtesë disa prej tyre?

Mund të them se kam bashkëpunuar me të gjithë këngëtarët me famë shqiptarë brenda dhe jashtë atdheut. Mund të përmend me shumë respekt Gëzim Nikën, Shkurte Fejzën, Artjola Toskën, Eli Farën, Mayan, Bujar Qamili, Enkelejda dhe Hysni Alushin etj. Të gjithë këta këngëtarë më kanë dhënë emocion, më kanë dhënë forcë, por edhe ide të reja në formimin tim artistik. Nga ata, ke se çfarë mëson, por ke edhe çfarë diskuton. Jeta e tyre është mbushur me shumë ngjarje dhe aktivitete, ku secila ka gjurmën e vet të veçantë dhe që përbën një mësim të ri për çdo artist.

Cili ka qenë koncerti që ka lënë gjurmë më shumë në kujtesën tuaj?

Ka qenë në kontinentin e largët në Australi, ku kemi bërë 5 koncerte, në Melburn, Sydney, Adelaide, Perth, Shapperton. Malli i atij komuniteti nuk më hiqet kurrë nga mendja. Një komunitet i përmalluar. Gjatë gjithë mbrëmjeve kënga, flamujt shqiptarë, veshjet karakteristike ishin të pranishme gjatë gjithë koncertit. Nuk e mendoja se në Australinë e largët të gjeja një copë Shqipërie. Aty kemi shijuar shumë dashuri dhe respekt nga publiku. Turne ky i realizuar nga grupi “Albanët”.

A ia arriti qëllimit koncerti që ju organizuat këto ditë, dhe cili ishte mesazhi?

Qëllimi u arrit dhe falënderoj të gjithë miqtë dhe kolegët që me gatishmërinë e tyre e bënë dhe më të lehtë këtë koncert që përfundoi me sukses. Rrugëtimi artistik do vazhdojë me koncerte të formateve të mëdha brenda dhe jashtë Shqipërisë ku do pasqyrojmë edhe më shumë vlerat e trashëguara etno-kulturore-artistike.

Sa instrumente zotëron sot Gojard Kodra?

Zotëroj disa, çifteli, fizarmonikë, piano, keyboard, guitar, perkusion-drums. Njëkohësisht, zotëroj edhe cilësi të tjera si kompozitor, orkestrues dhe drejtor i produksionit “HILL” në Tiranë.

A mund të jetohet sot me muzikë dhe me art në tërësi?

Po, mund të jetohet. Por jetohet kur je një profesionist i mirë, kur ke bërë një emër dhe je korrekt dhe vizionar. Arti t’i hap vetë rrugët e jetës nëse ke këto cilësi dhe virtyte.

Je xheloz ndaj shokëve të tu që janë instrumentistë, apo organizator aktivitetesh të tilla?

Unë them që kam xhelozi profesionale, pra që nxitem nga miqtë me emër dhe që bëjnë karrierë. Nuk kam xhelozi të sëmurë, ose smirë, jo. Mund të them që është një ego profesionale, e cila më shtyn të përparoj në profesion. Sa më shumë shok të aftë, aq më shumë të nxit xhelozia miqësore për të përparuar. Pa xhelozi profesionale nuk mund të ecet. Por jo një xhelozi e sëmurë, fjalëkeqe dhe fyese. Aspak. Brenda rregullave të një xhelozie të sinqertë për të parë vetëm përpara dhe të shërbejë si shtysë.

https://telegrafi.com/gjurmeve-te-udhepershkruesve-te-vjeter-nga-prizreni-ne-kelmend-neper-valbone-e-shale/