Inspektoriati i Ndërtimit prish restorantin pas incidentit të pronarit me turistët

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit nisi mëngjesin e së mërkurës prishjen e Bar-Restorantit “Panorma” në zonën turistike në Porto-Palermo në Vlorë.

Inspektoriati i Ndërtimit tha se objekti rreth 2 mijë metër katror, i ndërtuar në një nga zonat më të bukura bregdetare të Shqipërisë, rezulton pa leje, ndërkohë që shfrytëzonte kundrejt pagesës edhe pjesën e plazhit”.

Prishja e objektit vjen pak ditë pasi pronari u konfrontua dhunshëm me një grup turistësh spanjollë dhe shoqëruesit shqiptarë të tyre.

Mihal Kokëdhima, i cili tani ndodhet në gjendje paraburgimi në Policinë e Vlorës akuzohet për “kanosje”, “dëmtime të tjera” dhe “shkatërrim të pronës” gjatë incidentit me 5 turistë spanjollë dhe 2 shoqëruesit shqiptarë pas një debati mbi cilësinë e shërbimit në restorantin e tij.

Në një video të regjistruar gjatë incidentit dhe që solli reagime të forta në Shqipëri Kokëdhima shfaqet i varur në pjesën e përparme të makinës ku udhëtonte familja e turistëve, shoferi dhe shoqëruesi shqiptar.

Ndërsa automjeti lëvizi rreth 3 km nga Porto Palermo në drejtim të rajonit të policisë në Sarandës 51 vjeçari goditi me grusht dhe me telefon xhamin e makinës derisa e thyen.

Dialogu i personave brenda makinës që shfaqen të terrorizuar dëshmon se në ndjekje janë persona të tjerë ndërkohë që shoqëruesi shqiptar kërkon ndihmë.

Vetë sipërmarrësi Mihal Kokëdhima në procesin e mbrojtjes për masën e arrestit në Gjykatën e Vlorës tha se rrethanat e ngjarjes nuk janë ato që aludohen sipas tij në video.

“Më morën zvarrë me makinë, nuk kam prekur njeri me dorë, më rrëzuan në Qeparo nga makina, Nuk e theva xhamin për t’i dëmtuar, por për t’u mbajtur,” i tha Gjykatës Kokëdhima, gjatë seancës për masën e sigurisë.

VOA