Ingrid Bergman një yll suedez që shkëlqeu në perandorinë kinematografike të Hollywoodit

Kur e ftoi Hollywoodi, ajo ishte një yll në Suedi. Në SHBA Ingrid Bergman hyri në historinë e kinemasë. Të paharruara mbeten rolet e saj si në filmin “Casablanca”. Por ajo u është mirënjohëse edhe kineastëve europianë.

Ajo është “një ikonë moderne, një grua e emancipuar, një artiste sypatrembur dhe ikonë e realizmit të ri”, vlerësoi drejtoria e Festivalit të Kanës në pranverë artisten Ingrid Bergman. Pllakata zyrtare e festivalit më të rëndësisëhm në botë të filmit e tregon yllin e kinematografisë fare thjeshtë në një sfond të bardhë. Njëkohësisht ky motiv të kujton në optikën e vet bardh e zi edhe shumë filma realistë, që xhiroi Ingrid Bergman larg Hollywood-it.

Bukuri e natyrshme

Natyrisht që nuk ishte rastësi, që Kana në maj vendosi si imazhin e festivalit pikërisht Ingrid Bergman. Ajo u lind para 100 vjetësh, më 29.8.1915, në Stokholm dhe padyshim ajo bën pjesë në radhët e artisteve më të mëdha të shekullit të kaluar. E habitshme është, që ajo edhe në epokën digjitale, kur yjet e Hollywoodit qysh në moshën njëzet vjeçare në seri u nënshtrohen operacioneve të kirurgjisë kozmetike, ajo e ruan magjinë saj.

Ajo mahniste botën e kinematografisë me natyrshmërinë e saj, këtu në fotografi më 1958 përkrah producentit suedez Lars Schmidt.

Ndoshta ky mrekullim, i konservuar për dekada në zemrat e spektatorëve të kinemasë, bazohet edhe në faktin që Ingrid Bergman kishte diçka unikale, diçka të pashpjegueshme. Ndryshe nga shumë yje të tjera femra të Hollywood-it Bergman ishte e shumëanshme: ajo ishte suedeze, fëmijë e një nëne gjermane, e cila vdiq kur Ingrid ishte tre vjeç. Ajo u bë një yll në kinematografinë e hershme suedeze dhe i rrëmbeu zemrat e spektatorëve të teatrit edhe me interpetimet në pjesët e Ibsenit e Strindbergut.

Sukses legjendar me filmin “Casablanca”

Më 1938 ajo shkoi në Hollywood dhe u bë shumë shpejt e preferuara absolute e publikut duke luajtur krah herojve të filmit si Humphrey Bogart dhe Gary Grant, Spencer Tracy dhe Gary Cooper. Dialogu i saj i flaktë me Bogart në filmin klasik “Casablanca”, vështrimi i saj i trishtë dhe i përvuajtur në fund të filmit – e gjitha kjo jo vetëm që hyri në historinë e kinematografisë e të filmit, por imazhi i Bergman mori përmasat e një ikone. Puthja në film mes Bergman dhe Bogart u bë ndër më të njohurat e shekullit të 20-të.

Dialogu i saj i flaktë me Bogart në filmin klasik “Casablanca”

Për yje të tjerë kjo skenë do të kish mjaftuar për të jgithë karrierën. Por jo për Ingrid Bergman. Ajo u dashurua pas regjisorit italian Roberto Rossellini dhe e rigjeti veten rishtaz – gjë që e zemëroi pjesërisht publikun konservator në SHBA. Sepse që dy asokohe ndodheshin në lidhje të tjera.

Ajo xhiroi gjashtë filma me Roberton e saj – e çfarë filmash! Të fortë, socialë kritik si dhe drama ekzistencialiste në bardh e zi, të inskenuara kthjellët dhe pamëshirë. Kjo ishte shumë për spektatorin, që në fakt vazhdimisht donte të shihte yje si në filmat “Për kë bie këmbana” dhe “Casablanca”. Por Ingrid Bergman dhe Roberto Rossellini avancuan edhe më tej. Ata u martuan, lindën tre fëmijë, dhe ikona e Hollywood-it për disa vjet u shkëput nga kinematë mes Los Angeles dhe Nju Jorkut.

Por ajo nuk u shkëput nga Europa. Me filmat si “Stromboli” dhe “Udhëtim në Itali” ajo entuziazmoi kineastët disa vite përpara se në Francë, Britaninë e Madhe dhe në Gjermani të vërshonin imazhet e “Nouvelle Vague” dhe të “Filmit të ri gjerman” që e revolucionarizuan kinemanë.

E paskëtaj ajo sërish u kthye në Hollywood, si një grua e pjekur, nëse mund të përdoret kjo fjalë për një bukuri kinematografie në moshën 40 vjeçare siç ishte Bergman asokohe. Ajo sërish interpretoi krah yjeve të medhenj të Hollywood-it në filma si “Anastasia”, “Indiskret” dhe “Duajeni Brahmsin”. Krah saj luanin ndër të tjerë: Yul Brynner, përsëri Gary Grant, gjermani Curd Jürgens dhe dy Anthony-ët e Hollywood-it, Perkins e Quinn.

Ajo luante me shumë yje në Hollywood, këtu më 1944 mit Charles Boyer në filmin “Gaslight”

Megjithatë – ndoshta edhe për shkak të përvojave nga Europa pas Luftës së Dytë Botërore – ajo gjithnjë e më pak gjeti akses në botën e shkëlqimit e luksit në Hollywood. Prania e saj para kamerave u bë gjithnjë e më e rrallë. Për zviceranin Bernhard Wicki ajo luajti më 1964 në filmin “The Visit”, një adaptim tërheqës i librit të Friedrich Dürrenmatt “Vizita e zonjës së moshuar”. Ajo xhiroi edhe filma televizivë, luajti sërish në skenat e teatrit dhe më në fund në vitet 1970-të u tërhoq gjithnjë e më shumë nga biznesi i filmit.

Në fund të dekadës ajo pati edhe një paraqitje të paharrueshme në filmin e të madhit bashkëkombas të saj Ingmar Bergman, për të cilin ajo në karierën e gjatë nuk kishte luajtur asnjë rol deri atëherë. Ajo interpretoi në “Sonata e vjeshtës” me Liv Ullman një film rrënqethës mbi një marrëdhënie nënë e bijë. Ky film e preku thellë publikun edhe për faktin, se asokohe dihej që aktorja ishte e sëmurë me kanser. Një prezantim i shkurtër në filmin televiziv “Golda Meir” më 1982 ishte roli i fundit i saj para kamersa. Ajo vdiq pak muaj më pas në moshën 67 vjeçare.

Tani anë e mbanë kujtohet aktorja karizmatike e kinematografisë. Në Suedi nisën festimet për nder të saj qysh më 20 gusht, ku Isabella Rossellini hap Festivalin Bergman të Filmit. Vajza e saj nga martesa me Roberto Rossellinin do t’i japë tonin vitit përkujtimor për nder të nënës së saj gjatë javëve në vijim.

Fëmijët nderojnë nën e famshme

E në fund të muajit “Museum of Modern Art” në Nju Jork i kushton një retrospektivë filmave të saj. Përveç Isabellës edhe tre fëmijë të tjerë të Ingrid Bergmanit do të prezantojnë në Nju Jork veprën e nënës së tyre.

Në shtator dhe tetor Isabella fton në metropoet e SHBA-së, si dhe në Londër, Paris e Romë në një turne “A Tribute to Ingrid”. Europa dhe SHBA, dy botët kaq të ndryshme, në të cilat arriti sukseset e mëdha Ingrid Bergman, me këtë rast do të jenë bashkë. Vajza Isabella, që ndërkohë edhe vet lëviz mes Hollywood-it dhe Europës, me siguri do të gjejë fjalët e duhura për nënën e saj të njohur.

Jetëshkrim

Ingrid Bergman u lind më 29 gusht 1915 – 29 gusht 1982) ishte aktore suedeze e cila ka luajtur në shumë filma evropianë dhe amerikanë[1]. Ajo ka fituar 3 çmime Academy Awards, dy Emmy Award, katër Golden Globe Award dhe Tony Award si Aktore më e Mirë. Në listën e 25 aktoreve, ajo rënditet si Ylli i katërt më i madh i kinemasë Amerikane i të gjitha kohërave nga Instituti i Filmit Amerikan. Ajo është e njohur më shumë për rolin e saj Ilsa Lund në filmin Casablanca (1942), dhe në rolin Alicia Huberman në filmin Notorious (1946), një triller i Alfred Hitchcock ku luajti edhe Cary Grant.

Para se të bëhej një yll i filmave Amerikanë, ajo ka qenë aktore kryesore në filmat Suedez. Prezantimi i parë i saj për publikun e Shteteve të Bashkuara erdhi në aktrimin e saj në ribërje në gjuhën angleze të filmit Intermezzo (1939). Në Shtetet e Bashkuara, ajo solli në ekran një “freski dhe gjallëri nordike”, së bashku me bukurinë e jashtëzakonshme dhe inteligjencën, dhe sipas St. James Encyclopedia of Popular Culture, ajo shpejt u bë “ideali i grave Amerikane” dhe një nga aktoret më të mëdha të roleve kryesore të Holivudit . Producenti i saj David O. Selznick më vonë e quajti atë “aktore me vetëbesim më të kompletuar” që ai kishte punuar ndonjëherë. Ai filloj me aktoren për një rol vetëm në një film, me insistimin e saj (Intermezzo), pastaj nënshkroi një kontratë për katër-filma (gjithashtu me insistimin e saj), në vend të një kontrate aktrimi tikpike shtatë-vjeçare.

Problemet financiare të Selznick nënkuptonte që ajo shpesh duhej të huazohej në studiot e tjera. Përveç se filimit Casablanca, performancat e saj në këtë periudhë kohore përfshijnë ribërjen e filmit Dr. Jekyll and Mr. Hyde (1941) nga Victor Fleming, For Whom the Bell Tolls (1943), Gaslight (1944), dhe The Bells of St. Mary’s (1945). Filmat e saj të fundit me Selznick ishin filmat e Alfred Hitchcock Spellbound (1945) dhe Notorious (1946). Fili i saj i fundit me Hitchcock ishte Under Capricorn (1949).

Pas një dekade në filmat amerikanë, ajo luajti në filmin Stromboli (1950) të Roberto Rossellinit, më pas u zbulua se ajo kishte një lidhje jashtëmartesore me drejtorin e filmit. Afera dhe pastaj martesa me Rossellinin krijoi një skandal në SHBA që e detyroi atë të qëndrojë në Evropë për disa vite, kur ajo bëri një rikthim të suksesshëm në Hollywood me filmin Anastasia (1956), për të cilin ajo fitoj oskarin e dytë nga Academy Award. Shumë prej dokumenteve të saj personale dhe të filmit mund të shihet në Arkivën Kinematografike të Universitetit Wesleyan.