Ines Pohl: Liria e shtypit – themel i çdo demokracie

Liria e kufizuar e shtypit nuk është problem vetëm i vendeve autokratike. Gjithnjë e më shumë ajo po kërcënohet edhe tek demokracitë – e me këtë kërcënohet vetë demokracia si formë shtetërore, thekson Ines Pohl.

E drejta për shprehjen e lirë të mendimit nuk është luks. Liria e pakufizuar e shtypit nuk është diçka, nga e cila demokracia mund të heqë dorë, por që duhet mbrojtur me të gjitha forcat. Sepse ajo është një shtyllë themelore e demokracisë, që i jep individit lirinë   më të madhe të mundshme e pakicave mbrojtjen më të mirë. Vetëm nëse ekziston mundësia për të shprehur mendimin të lirë, vetëm nëse pyetet në mënyrë kritike ajo që bën apo që lë politika dhe ekonomia, nëse hulumtohet pa pengesa dhe rezultatet publikohen, ekziston mundësia që korrupsioni dhe keqqeverisja të zbulohen e të pengohen në të ardhmen.

Llogaria e qartë e Hitlerit

Kjo sigurisht që nuk është ndonjë gjë e re. E pikërisht ne gjermanët e kemi mësuar nga koha e Hitlerit, se sa i rëndësishëm është raportimi i pavarur. Ka qenë një llogari e menduar mirë, që fillimi i sundimit të tij të tmerrshëm shënoi fundin e shtypit të pavarur. Por çfarë do të thotë ky mësim në kohët e sotme? Në radhë të parë, që ne nuk duhet të ndalim së raportuari për gazetarët që përndiqen, nuk duhet të lëkundemi kur bëhet fjalë për lirimin nga burgimi të gazetarëve, nuk duhet t’i lemë të qetë pushtetmbajtësit që përpiqen të shtypin fjalën e lirë.

Kjo do të thotë, që ne duhet t’u kërkojmë qeverive tona dhe opozitës të angazhohen për këtë liri. Me mënyra diplomatike, por edhe me veprime konkrete, kur e kërkon puna. Është pikërisht BE që duhet të pyesë veten, se si duhet të veprojë me vendet anëtare që e kufizojnë gjithnjë e më tej lirinë e shtypit, kur për këtë ndryshohen ligjet, lirohen nga puna juristë kritikë dhe mënjanohen kundërshtarë të qeverisë. Në negociatat e ardhshme duhet të jetë e panegociueshme, që pa shtypin e lirë as që mund të mendohet anëtarësimi në BE. Vëmendja e vogël që u tregua për këtë temë gjatë anëtarësimit të vendeve të reja të BE-së, po sjell tani fryte të hidhura.

Zhvillimet e fundit që po shohim tani në Europë nuk janë aspak banale. Në vende si Polonia, Hungaria apo Rumania situata po ashpërsohet. Gjendja e blogerave dhe qytetarëve-gazetarë, që janë shpesh një nga burimet e pakta të informacioneve të pavarura po bëhet gjithnjë e më kritike, nganjëherë edhe me rrezik për jetën. 13 prej tyre kanë humbur jetën këtë vit, gati dy herë më shumë se vitin e kaluar.

Ines Pohl Kommentarbild App (DW/P. Böll)Kryeredaktorja e Deutsche Welle-s, Ines Pohl

Donald Trump sulmon shtypin e lirë

Por dhuna kundër gazetarëve nuk është kërcënimi i vetëm. Politikanë si Donald Trump por edhe Vladimir Putin kanë kuptuar, se ku mund të sulmohet më shpejt gazetaria – tek besueshmëria e sa j- e mira më e madhe e shtypit. Kur presidenti amerikan i damkos mediat si shtyp gënjeshtrash, kjo është më shumë se një përpjekje për të tërhequr vëmendjen nga gënjeshtrat që bën vetë ai. Kjo është një strategji afatgjatë, që kërkon të minojë besueshmërinë e kritikëve të tij më të rrezikshëm. E për të dobësuar ata, që zbulojnë aferat e tij dhe sfondin e tyre.

Në këtë kohë kërkohet që vetë gazetarët dhe mediat të hulumtojnë me shumë kujdes, të shtrojnë pyetje kritike edhe ndaj kolegëve të tyre, të pranojnë hapur gabimet. Sepse çdo lloj gabimi i ndërgjegjshëm, çdo lloj shkallëzimi i paprovuar, çdo lloj përshkrimi i njëanshëm u jep dorë atyre që nuk duan që qytetarët të jenë të informuar aq mirë, sa të krijojnë mendimin e tyre të pavarur. Por pikërisht ky është kusht që në fund zgjedhjet të jenë vërtet demokratike.

Ju mund të jepni mendimin Tuaj në fund të këtij artikulli. Ne ju mirëpresim!

DW