Imzot Simon Kulli: me bekimin e Zotit dhe ndihmën e mjekëve do të shpëtojmë nga koronavirusi

Imzot Simon Kulli, në kohën e koronavirusit, u shpreh “afërsinë e mbarë Kishës katolike punonjësve të shëndetësisë, heronjve tanë në këtë betejë, mjekëve dhe infermierëve, të gjithë atyre që shërbejnë ditë e natë, duke prekur plagët e Jezusit tek vëllezërit tanë dhe motrat tona të sëmurë dhe i fton besimtarët “t’i drejtojnë sytë drejt Marisë, Nënës së mbarë njerëzimit, që me ndërmjetësinë e saj të gjejë një zgjidhje për situatën aktuale e popullit të Hyjit.

R.SH. – Vatikan

Imzot Simon Kulli, Ipeshkvi i dioqezës së Sapës dhe i dërguar i Konferencës Ipeshkëvnore Katolike të Shqipërisë për Shëndetësinë, në kohën e Kreshmëve në periudhën e koronavirusit, u shpreh “afërsinë e tij e të mbarë Kishës katolike punonjësve të shëndetësisë, heronjve tanë në këtë betejë, mjekëve dhe infermierëve, të gjithë atyre që shërbejnë ditë e natë, duke prekur plagët e Jezusit tek vëllezërit tanë dhe motrat tona të sëmurë”.

Imzot Kulli i fton besimtarët “t’i drejtojnë sytë drejt Marisë, Nënës së mbarë njerëzimit, që me ndërmjetësinë e saj, të gjejë një zgjidhje për situatën aktuale të krijuar nga kjo sëmundje e shekullit.  Dua t’ju bëj ftesë, t’i ndihmojmë mjekët e personelin e shëndetësisë në përmbajtjen e luftimin e Covid-19 dhe e një propozim, çdo ditë në orën 12:00 të themi së bashku 10  Të falemi Mari Zojës që ta ndalë këtë virus. Po më tepër, të ndjekim bisedën e dom David Gjugjës me Imzot Simon Kullin…

Të ndjekim bisedën e dom David Gjugjës me Imzot Simon Kullin

Në vazhdim, Letra e Imzot Simon Kullit

Vau  Dejes, 17.03.2020

Shumë të dashur vëllezër e motra në Krishtin!

Kemi filluar javën e tretë në kohën e kreshmëve dhe kemi medituar së bashku Misterin e Mundimit të Zotit. E kemi fiksuar shikimin mbi Njeriun e Dhimbjeve, mbi Qengjin e Hyjit, i cili ka vuajtur për ne deri në flijimin më të  lartë jetësor. Kemi dëgjuar të shpallet fitorja e Tij, e cila është shndërruar për ne në një ndërmjetësim të gjithëpushtetshëm  (Is 52,13-53,12). Le të ndihemi të bashkuar me Të thellësisht në këtë moment dhimbjesh dhe shqetësimi. Në Të ta vëmë gjithë shpresën tonë.

Mendimin tim si Bari më së pari ua përcjell vëllezërve e motrave, të cilët për shkak të infektimit nga ky virus, janë në kushte të rënda në spitalet tona, të cilët nuk mund të shoqërohen nëpër spitale prej të afërmve në momentet e fundit të jetës së tyre. Kisha me praninë e meshtarëve është afër tyre. Do të dëshiroja shumë që të mos ndiheshin vetëm, që të mund ta keni një shenjë të pranisë së dashur të Zotit, të pushtetit të Tij të shëlbimit dhe të mëshirës së Tij.

Dhe si përgjegjës i ngarkuar nga Konferenca Ipeshkvore për shëndetësinë, po ju drejtohem ju të dashur mjekë dhe infermierë: jini shërbëtorë ngushëllimi për këta vëllezërit e motrat tona, duke respektuar lirinë e tyre dhe të të afërmve të tyre. Shtojani kujdesit dashamirës që po tregoni edhe këtë gjest: kur i shihni në vështirësi të veçanta apo tashmë në fund të jetës së tyre tokësore, besojani Zotit me një lutje të thjeshtë në qetësi dhe nëse të afërmit e tyre ju kërkojnë t’i shoqëroni me ngushëllimet e krishtera, bëjuni një shenjë kryqi mbi ballin e tyre. Bëjeni në emër të tyre dhe në emrin tim, në emër të të gjithë kishës sonë. Keni dinjitet të plotë ta bëni në forcën e meshtarisë tuaj pagëzimore.

Do të doja t’iu ftoja të gjithë ju meshtarë  dhe në veçanti ju famullitarë   t’i mbani hapur dyert e kishave – do të jetë kjo një shenjë e rëndësishme për të gjithë  edhe nëse nuk do të hyjë askush  – dhe të jetoni çdo ditë, nëse është e mundur  nga ora 17:00 deri në 18:00, një moment adhurimi personal përpara Të Shenjtueshmit Sakramentit Eukaristik të ekspozuar, pa asnjë besimtar të pranishëm. Edhe unë do ta bëj këtë gjë në kishën katedrale. I gjithë populli i Hyjit ta dijë që Ipeshkvi dhe meshtarët e tij kremtojnë çdo ditë Eukaristinë me qëllim shërimin e kësaj sëmundjeje, që vërtetë Zoti të na lirojë prej saj. Gjithashtu, ata çdo ditë e adhurojnë Zotin, duke thirrur mbi të gjithë dioqezën tonë dhe mbi të gjitha bashkësitë famullitare mbrojtjen e Zotit dhe të Zojës së Bekuar dhe të Martirëve tanë.

Dëshiroj të mbërrij me mesazhin tim në mënyrë të veçantë edhe tek ju të dashur  fëmijë, pasi ju jeni dhurata më e bukur që Zoti ka krijuar. Ju jeni buzëqeshja e Zotit. Tani në këto momente jeni në shtëpitë tuaja dhe është mirë të qëndroni aty, pikërisht për të ruajtur shëndetin tuaj dhe të të tjerëve. E di mirë se me shumë vështirësi qëndroni të mbyllur në shtëpi për shkak të kësaj situate të vështirë të koronavirusit, por ju lutem, më lejoni t’jua kujtoj se gjatë kësaj kohe në shtëpi mund të lexoni, të bëni detyrat, të shihni një film, të luani me prindërit, të luteni me ta, si dhe të lexoni një pjese nga ungjilli me zë të lartë për të gjithë që janë në familje. Mos e humbisni kohën kot! Le të gjejmë kohë për Zotin në këto momente që po kalojmë dhe t’ia besojmë këtë situatë Jezusit së bashku me vuajtjet e tija të Kalvarit, sepse vetëm nëpërmjet vuajtjes dhe dhimbjes arrihet në ringjallje.

Ipeshkvi dëshiron t’i flasë zemrës suaj, sepse të gjithëve na mungon mesha, katekizmi, shkolla, takimi me shokët dhe shoqet, me mësuesit tanë të dashur, por ju lutem ta jetoni këtë kohë të gëzuar edhe në shtëpi, sepse me ndihmën e Krishtit, gjithë kjo situatë e vështirë do të kalojë. Ju lutem mos u shkurajoni dhe mos u mërzisni! Jemi të gjithë së bashku dhe Zoti është me ne.

Dua t’ju bëj një propozim: çdo ditë në orën 12:00 të themi së bashku 10  Të falemi Mari Zojës që ta ndalë këtë virus, e t’i themi për të gjithë ata që janë të sëmurë dhe për ata që shërbejnë, si mjekët dhe infermierët, pasi ata shërbejnë ditë e natë duke prekur plagët e Jezusit tek vëllezërit tanë dhe motrat tona. Në këtë mënyrë ata na shërbejnë edhe neve, kështu që ne t’i falënderojmë dhe të lutemi për ta.

Ju lutem të dashur fëmijë që këto ditë që jeni në shtëpi, t’i ndihmoni nënat tuaja në punët e shtëpisë, sepse ju jeni gëzimi i vërtetë i familjes, jeta dhe zemra e prindërve tuaj dhe çdo natë në orën 21:00, ju ftoj që së bashku me Barinjtë tuaj, ta thoni me familjen rruzaren e shenjtë, e cila transmetohet në Radio Mari.

Po ju drejtohem edhe ju të rinj, të cilët në një mënyrë më të veçantë e ndieni këtë gjendje të jashtëzakonshme, pasi energjia dhe vitaliteti tuaj e ka të vështirë të qëndrojë në një vend dhe aq më tepër në ambiente të kufizuara. Ju lutem t’i dëgjoni prindërit tuaj dhe këshillat e atyre ekspertëve që dëgjoni përmes mediave, në mënyrë që edhe kujdesi juaj të ndihmojë në lokalizimin e këtij virusi. E di se nuk e keni të lehtë, por besojuni atyre që janë më të rritur dhe më largpamës, për një të mirë tuajën më të madhe në ditët që vijojnë. E kuptoj se kurioziteti juaj është gjithnjë i madh të lundroni në botën virtuale për të gjetur përgjigje dhe zgjidhje për gjithçka që e përshkon jetën tuaj. Ju lutem, dini të lini mënjanë klikimet online dhe t’i drejtoni sytë e shpirtit drejt Marisë, Nënës së mbarë njerëzimit, që me ndërmjetësinë e saj të gjejë një zgjidhje situata aktuale e popullit të Hyjit. Nëse përdorimi i telefonave ju vë në kontakt me gjendjen përreth, përpiquni që rruzarja t’iu vendosë në kontakt me Nënën tuaj qiellore dhe të pushoni tensionin tuaj në kraharorin e saj amnor.

Ju drejtohem edhe ju të rriturve dhe ju moshës së tretë që të jeni ata që ju jepni kurajo të tjerëve që keni në familje, se gjithçka do të kalojë me ndihmën e Zotit, nëse ia besojmë vërtetë Atij jetën tonë.

E tani po ju drejtohem edhe një herë të gjithëve, që duke e vlerësuar gjithë mundin e bërë dhe të ofruar të autoriteteve kompetente dhe angazhimin tuaj korrekt, t’i ngreni drejt Hyjit sytë e shpirtit tuaj, së bashku me psalmistin që thotë: “Sytë e mi i çoj drejt maleve: prej nga do të më vijë mua ndihma? Ndihma ime vjen prej Zotit, i cili krijoi qiellin e tokën”. (Ps 121, 1-2).

Plot shpresë ju bekoj në Krishtin, i vetmi që e ka fjalën e fundit për çdo person në veçanti dhe për të gjithë popullin e Hyjit në përgjithësi.

Me bekim Atëror,

+ SIMON KULLI

Ipeshkëv i Dioqezës së Sapës

I dërguar i Konferencës Ipeshkvore për Shëndetësinë