Imzot Frendo: Çmim “De Mello – Për të Drejtat e Njeriut” vlerëson bashkëjetesën fetare në Shqipëri

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë nderohet me çmimin “De Mello – Për të Drejtat e Njeriut”, gjatë një ceremonie të zhvilluar përgjatë 25-26 tetor 2018, në Krakov të Polonisë. Ky është një tjetër vlerësim për bashkëjetesën fetare në Shqipëri, pas çmimit të dhënë nga Akademia “Bonifaci VIII”. Emocione nga vizitat në kampin e Aushvicit dhe Shenjtëroren e Mëshirës Hyjnore. Flet Arqipeshkvi i Metropolit i Tiranë-Durrësit, Presidenti i Caritas Dioqezan Tiranë – Durrës, si dhe kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Imzot George Frendo O.P.

-Imzot Frendo, këto ditë përfaqësues të Këshillit Ndërfetar në Shqipëri janë vlerësuar me Çmimin “De Mello – Për të Drejtat e Njeriut” në Krakov të Polonisë, mes tyre ishit i pranishëm edhe ju; me çfarë motivacioni dhe pse pikërisht krerët e komuniteteve fetare në Shqipëri?
Së pari duhet të them kush ishte Sérgio Vieira de Mello, një brazilian, i cili në emrin e Kombeve të Bashkuara ka qenë në shërbim në Irak, duke dhënë jetën e tij nga shpërthimi i një bombe duke vrarë atë së bashku me të tjerë. Prandaj është simboli i paqes, i një personi që është angazhuar për paqen në atë vend. Kjo ndoshta është arsyeja pse na kanë caktuar si kandidat për këtë çmim, pikërisht sepse ne si krerë të besimeve të ndryshme në Shqipëri jemi shembull për shumë vende të tjera për bashkëjetesë paqësore, për harmoni mes besimeve të ndryshme. Këtë e ka thënë Papa Gjon Pali II, ne vitin 1993 në konferencën për shtyp një ditë para vizitës së tij në Shqipëri ndër të tjera ka thënë: “Po shkoj në një vend, i cili duhet të jetë një shembull për vendet e tjera për sa i përket bashkëjetesës paqësore mes besime të ndryshme” – këtë arsye kanë zgjedhur anëtarët e Këshillit Ndërfetar si kandidat për këtë çmim.
– A janë një vlerë e shtuar si për Shqipërinë, ashtu edhe për popullin shqiptar vlerësimi “vëllazëri ndërfetare”?
Shqipëria gjithmonë ka pasur një traditë të një bashkëjetese fetare shumë paqësore e shumë miqësore. Kujtoj, kur isha në Durrës, njerëzit më thoshin sa shumë përshtypje u bënte kur shikonin së bashku ipeshkvin katolik, peshkopin ortodoks dhe imamin mysliman teksa dilnin së bashku. Është një traditë kjo bashkëjetese paqësore e miqësore. Unë nuk përdor fjalën “tolerancë”, sepse tolerancë është pak negative është më shumë se tolerancë është një harmoni ndërfetare.
– Përgjatë vizitës suaj në Poloni së bashku me krerë dhe përfaqësues të Këshillit Ndërfetar në Shqipëri, vizituat edhe memorialin e Kampit të Përqendrimit në Aushvic, kjo vizitë tregon bashkimin e besimeve në lutje për viktimat e padrejtësisë njerëzore që Bota ka kaluar dhe vijon të kalojë?
Eksperienca e Aushvic është diçka e turpshme jo vetëm për nazistët, që kanë krijuar këtë masakër të themi ç’njerëzore është pak. Ishte një krim jo vetëm kundër hebrenjve, por kundër njerëzimit, jo vetëm kundër njerëzimit por edhe kundër Zotit. Sepse njeriu është krijuar në përngjasim e Hyjit. Shkuarja jonë atje nuk ishte thjesht për kuriozitet, por edhe për të treguar se këto ngjarje nuk duhet të përsëritën kurrë. Deshëm që t’i tregojmë shoqërisë që jemi për paqen dhe të mos të ndodhë kurrë që besimi të bëhet shkak përçarje mes njerëzve.
– Ndërkohë keni vizituar disa Shenjtore si ajo e Mëshirës Hyjnore dhe Shën Faustines, Shenjtorja e Zojës, jeni ndaluar nga shtegtarët për të bashkëndarë me ta emocionet dhe për t’i dhënë bekimin – kjo tregojë bashkimin e Kishës Universale në të katër anët e botës?
Duke qenë në Krakov, që është Dioqeza e Shën Gjon Palit II, ishte e domosdoshme të vizitojmë gjithashtu shenjtoren madhështore të Mëshirës Hyjnore, që është ndërtuar pasi Shën Faustina ka treguar mbi takimet e saj me Zotin Jezus, i cili ai vetë kishte nxitur këtë devocion për Mëshirën Hyjnore. Më bëri shumë përshtypje ky vend po ashtu dhe numri i madh i pelegrinëve. Atë ditë kanë qenë shumë grupe të ndryshme që kremtonin Meshë. Nën shenjtore ka edhe pesë kapela dhe sipër është Shenjtorja madhështore, dhe në këto pesë kapela po kremtoheshin Meshë në gjuhë të ndryshme për grupe të ndryshme që vinin nga vendet të ndryshme të botës. Jam takuar me një grup pelegrinësh spanjollë, të cilët, kur vunë re kryqin, që isha ipeshkëv, kanë kërkuar bekimin tim. Kam folur pak çaste me ta, duke u dhënë edhe bekimin tim. Po ashtu ishin të interesuar e kurioz të dëgjonin për Kishën në Shqipëri. Kam shprehur edhe mendimin tim se Kisha Katolike në Shqipëri po përjeton një pranverë.
– Kjo ceremoni vjen si zgjatim i takimit të fundit të Këshillit Ndërfetar në Shqipëri (KNFSH), ku janë bërë edhe ndryshimet në status dhe në drejtues të saj, ndërkohë që pritet që nga KNFSH të dilet me botimet dhe sugjerime të tjera në kohët në vazhdim?
Në vitit 2009 është krijuar Këshilli Ndërfetar, fatkeqësisht me kalimin e kohës është bërë pasiv, kinse nuk ekzistonte më ky Këshill. Para dy muajsh kam ftuar të gjithë krerët e tjerë; ortodoksit, myslimanët, bektashinj dhe ungjillorët, duke sugjeruar që të rikrijohet ky Këshill. Të gjithë ishin dakord dhe jemi takuar disa herë duke menduar edhe për ndryshimet që ishte dashur të bëheshin në statusin e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë. Takimi i fundit është bërë me 22 tetor 2018, ku kemi miratuar ndryshimet në status dhe kemi firmosur kërkesën tonë që statuti i rishikuar me këto ndryshime të miratohet nga Gjykata e Tiranës.
– Para pak ditësh Akademia “Bonifaci VIII” ju vlerësoi me çmimin ndërkombëtar “Bonifaci VIII”, “… për kulturë dhe paqe” çmim me të i cilin është vlerësuar Shën Gjon Pali II dhe shumë klerikë të lartë të Kishës, por jo vetëm shkencëtarë, politikanë, njerëz të artit e të kulturës… ky çmim vlerësimi vjen për angazhimet tuaja baritore afër popullit dhe bashkëvëllezërve në besime të ndryshme dhe vlerave që populli ynë gjithnjë ka ditur t’i tregojë?
E kam vlerësuar këtë çmim, sepse është një çmim jo aq për mua personalisht, por për Dioqezën tonë. Merita nuk është e imja, por e Zotit. Është Zoti, i cili drejton Kishën e vet. Por, edhe mund të them sepse kam gjetur shumë mbështetje, bashkëpunim nga ana e meshtarëve, e motrave si dhe besimtarëve tanë. Është rast edhe për të falënderuar të gjithë ata që po ndihmojnë për ecjen përpara të Kishës Katolike në këtë Dioqezë.
Intervistoi: Elidon Dodaj