Imazhi i figurës historike të Gjergj Kastrioti, Skënderbeu në Pashallëqet shqiptare

Dr. Dorian Koçi

Epoka protonacionaliste, që lindi gjatë Pashallëqeve Shqiptare, ndërtoi kolonat e formimit të identitetit të popullsisë së këtyre pashallëqeve, të  cila sipas territorit, preferencave gjuhësore dhe atyre të besimit fetar, u ndanë  në shqiptarë, grekë dhe sllavë. Me protonacionalizëm nënkuptojmë zhvillimin shtetformues, kulturor e identitar që u shfaq në Pashallëqet shqiptare nga elita drejtuese e tyre për krijimin e shteteve në formën e monarkive të trashëgueshme duke përfshirë jo vetëm popullsinë shqiptare në ta por dhe popullsi të tjera mbi të cilat ushtronin autoritetin administrativ.  Protonacionalizmi reflekton situatën e re sociale që krijohet me zëvendësimin e kategorive të vjetra shoqërore  me parime të reja organizimi shoqëror dhe daljen në pah të treguesve tradicionalë të formimit të bashkësisë si gjuha, etnia dhe besimi fetar.[1]Natyrisht protonacionalizmi nuk mund të cilësohet si filozofi e qëndrueshme politike, pasi ai përfaqëson vetëm epoka të ndërmjetme shtetërore në kalimin nga mentaliteti mesjetar i ndërtimit të shtetit në atë të shtetit komb.

Rebelimet e Karamahmud Pashë Bushatlliut  dhe Ali pashë Tepelenës  , edhe pse nuk morën ngjyresat e forta të një revolte të mirëfilltë nacionaliste, ndihmuan shumë në krijimin e identitetit kolektiv kundërshtues ndaj Perandorisë Osmane, që shqiptarët adoptuan në vitet e mëvonshme. Kjo përplasje e tyre me pushtetin perandorak ndikoi në imazhin që krijuan për veten e tyre por edhe atë që përcollën europianët për ta në tekste të ndryshme. Sipas Tajar Zavalanit një nga studieusit e hershëm të nacionalizmit shqiptar ata( Ali Pasha Tepelena dhe Bushatlliu) bënë të mundur të bashkojnë për dekada me radhë pjesë të konsiderueshme të vendit nën një administratë të përbashkët, të nënshtronin partikularizmin e një numri të shumtë të feudalëve lokalë,  të organizonin klane nga besime të ndryshme fetare për të bashkëpunuar në kohë paqeje dhe lufte mes tyre. Edhe pse përdornin metoda të ndryshme, të dy, Aliu dhe Bushatlliu i mësuan bashkëpatriotet e tyre avantazhet e një qeverie të centralizuar, dhe duke udhëhequr myslimanët në beteja kundër Sulltanit Kalif ata shkatërruan me sukses besimin se çdo mysliman ishte një turk me interesat e përfaqësuara më mirë nga Porta e Lartë. Solidariteti lokal përtej niveleve klanore u shfaq në Shqipëri nën udhëheqjen e tyre. Ky precedent, ndonse ishte i një rëndësie të përkohshme për kohën, u bë e rëndësishme një gjysëm shekulli më vonë kur Ali Pasha dhe Bushatllinjtë u bënë heronj në sytë e nacionalistëve shqiptarë të cilët i panë përpjekjet e tyre si manifestime të hershme të nacionalizmit[2].

Në këtë kontekst, në mënyrë të pashmangshme, figura dhe rezistenca e tyre u lidh me figurën e Skënderbeut, heroit kombëtar të shqiptarëve. Në shekullin e XVII dhe XVIII figura e Skënderbeut në Europë vazhdonte ende të jehonte domosdoshmërinë e organizimit të rezistencë antiosmane pavarësisht faktit që forca e gjysëm hënës ishte shterruar nga konfliktet e gjata me Perandorinë e Shenjtë Austriake dhe me Perandorinë e re ambicioze ruse. Ishte mendimi evropian, i cili rimishëroi figurën e Skënderbeut si një personalitet evropian, humanist dhe udhëheqës ushtarak për të projektuar imazhin e një Evrope të unifikuar dhe luftuese kundër osmanëve. Dimensionet e jashtëzakonshme që figura e Skënderbeut i dha rezistencës anti-otomane të shekullit XV, e kthyen atë, jo vetëm një hero kombëtar për të gjitha lëvizjet e mëdha progresive me rëndësi vendimtare të historisë së mëvonshme të popullit shqiptar, por gjithashtu një referencë bazë për shumë shkrimtarë, poetë dhe kompozitorë europianë, të cilët i kanë kushtuar heroit shqiptar me qindra poezi, tregime, skica dhe romane, pa përmendur shumë ilustrime që zbukurojnë shumë albume të botuara në epokën pesë shekullore pas Skënderbejane. Mes këtyre rrëfimeve dhe lidhjeve të Heroit shqiptar me pasardhës të tjerë të tij të mëvonshëm mund të përmenden një aradhë pretenduesish, por interesant mbetet fakti diplomatë e studiues europianë e lidhin figurën e tij me sunduesit e Pashallëqeve të Shkodrës, Beratit dhe Janinës. Në rastin e Ahmet Kurt Pashës dhe Ali Pashë Tepelenës kjo lidhje është përmendur më së shumti nga burimet e jashtme, libra dhe shënime udhëtarësh kurse në rastin e Bushatllinjve është interesant fakti se një nga përfaqësuesit e tyre më të shquar e identifikonte veten si pasardhës të Skënderbeut.

Lidhjet e para mes një mundësie të trashëgimisë  së Skënderbeut me Bushatllinjtë përmenden në një relacion diplomatik të Konsullit rus të Dalmacisë, Antonio Palladhokli drejtuar Këshillit të Punëve të Jashtme të Rusisë në 14 prill të vitit  1787. Konsulli Palladhokli shkruan në relacionin e tij  se në këtë kohë dëgjohet se Pashai i Shkodrës pret para me emrin e tij, vetëquhet si pasardhës i të famshmit Gjergj Kastriot , Skënderbeut, përqendron të gjitha forcat e tij me komandand Hasan Oda[3]. Po cili ishte konteksti historik i kohës dhe përse në këtë kohë Mahmud Bushatlliu një një përfaqësues i shquar i pushtetit otoman në Shqipëri risjell në vëmendje figurën e Skënderbeut?

Relacioni i detajuar vjen një vit pas zhvillimeve politike dhe ushtarake të ethshme në Pashallëkun e Shkodrës. Mahmud Pashë Bushatlliu në shkurt të vitit 1785 kishte shkëputur me forcë nga elajeti i Bosnjës, kështjellat e Podgoricës dhe Shpuzës që kishin ngritur krye në rastin e ekspeditave 1775-1776 dhe kish nënshtruar katër muaj më vonë Malin e Zi që kish ngritur krye qysh nga lufta e viteve 1768-1774. Pasi mori tributin e prapambetur dhe pengjet e bindjes dhe të nënshtrimit , në rrugën e kthimit në Shkodër ndërshkoi rëndë krahinën e Pastroviqit për punë provokimi të armatosur me nxitjen e autoriteteve të Venedikut. Qëllimi i këtij provokimi kishte qenë shpresa se Porta e Lartë, për të mos krijuar një skandal politik me Republikën e Shën Markut, do ta hiqte qafe këtë pasha të pabindur dhe të rrezikshëm si për autoritetin e sulltanit në Shqipëri, ashtu dhe për sigurinë e zotërimeve venedikase në kufi të Pashallëkut të Shkodrës dhe për interesat ekonomikë të republikës në këtë trevë.[4] Mirëpo nëse në politikën e jashtme Mahmud Pashë Bushatlliu kishte arritur disa fitore të rëndësishme, në planin e brendshëm situata politike nuk ishte fort e mirë në Pashallëkun e Shkodrës, në thellësi të territoreve shqiptare.  Mahmud Pashë Bushatlliu ishte në konflikt të hapur  me pushtetin qendror otoman për shkak se kishte sulmuar pashallëqet e Elbasanit dhe Beratit.Konflikti i lindur me Ahmet Kurt Pashën për zotërimin e administrimin e maliqenesë( të ardhurave) të tokave të Durrësit që i përkisnin Valide Sulltanës dhe që zotërimi i të cilave nënkuptonte një pushtet më të fortë në terren por edhe simpati nga Stambolli, kishte filluar për shkak të mbylljes së portit të Durrësit për tregtarët shkodranë dhe ulqinakë , çka në fakt kishte sjellë dhe rënien e të ardhura si pronë të maliqenesë së Durrësit. Nënshtrimi i Malit të Zi dhe i sanxhakut të Elbasanit tërhoqën vëmendjen dhe shkaktuan zemërime në Fuqitë e Mëdha përkatëse që operonin në rajon. Porta e Lartë dhe Venediku, tregtarët e të cilit humbinin pozitat favorizuese të akorduara nga Kurt Pasha në maliqenenë e Durrësit u ndjenë të pakënaqura nga këto zhvillime, kurse Austria dhe Rusia që kishin interesa të kundërta me Perandorinë Osmane kërkuan të gjenin një aleat të besueshëm te veprimet ushtarake të Mahmud Pashë Bushatlliut. Porta e Lartë i konsideroi fushatat kundër Beratit dhe Elbasanit si veprim rebel dhe sulltani i shpalli dy Bushatllinjtë dhe Ali Pasha Tepelenën si kryengritës dhe në vjeshtë të vitit 1785 dha urdhër për përgatitjen e një ekspedite ndërshkimore kundër Shkodrës.[5] Ishin këto masa që e nxitën Bushatlliun që mosbindjen ta kthente në kryengritje. Ndërkohë në planin ndërkombëtar po afrohej lufta austro-ruse-osmane dhe elita shqiptare e kësaj kohe e përfaqësuar nga Bushatlliu po kërkonte të rikonfigurohej në teatrin e ri diplomatik që po hapej në Çështjen Lindore. Kontakte të ndryshme diplomatike ishin vendosur në terren nga këto dy fuqi të mëdha ku Pouqeuville, konsulli francez pranë Ali pashë Tepelenës përmend tentativat e Mahmud Pashë Bushatlliut për të organizuar një Konfederatë Ilirike në Kuvendin e Podgoricës që do përfshinte Pashallëkun e Shkodrës, Malin e Zi dhe pjesë nga Bosnja. Në dokumentin e botuar nga studiuesi Stavri Naçi në librin e vet “Pashallëku i Shkodrës nën sundimin e Bushatllinjve( 1757-1796)” në raportin e konsullit Jak Suma të Venedikut i datës 2.4.1786 komfirmohet mbledhja e Podgoricës , ku shprehimisht shkruhet se …ky i shkëlqyeshmi Mahmut Pasha ka një javë që ka shkuar në qytetin e  Podgoricës dhe ka mbledhur njerëz, rreth pesëqind veë, shkaku nuk dihet se nuk është lehtë të kuptohen qëllimet e tij. Këtu thuhet se vajtja e tënit Pashë në Podgoricë ka qenë të thërrasë krerët e Malit të Zi dhe të këshillohet, po përse?[6]

Për këtë tentativë të Bushatlliut nuk gjejmë të dhëna në dokumentacion por ka mundësi që Pouqeuville mund ta ketë marrë nga raportet e konsullit frëng në Dalmaci. Të bie në sy si në raportin e Palladhoklit apo dhe ngjarje që referon Pouqeuville përmendja e emrit Skënderbeut dhe organizimi si konfederatë ilirike ka një referencë të së shkuarës së lavdishme të shqiptarëve. Vetshpallja si pasardhës i Skënderbeut nga ana e Bushatlliut tregon se ai e njihte mirë traditën e fortë lokale ku emri i Skënderbeut kishte rrënjë të forta pasi Pashallëku që ai zotëronte përfshinte një pjesë të madhe të zotërimeve të dikurshme të Skënderbeut por ka të ngjarë të ketë qenë edhe e influencuar nga kontakti me diplomatët rusë dhe austriakë me të cilët ai po bashkëpunonte ngushtë në këtë periudhë të rebelimit të tij. Në dokumentacionin rus e publikuar nga historiani i njohur rus Gregori ARSH , gjendet një letër e një personi të quajtur Feliks Kastrioti që i drejtohej Ekaterinës II për mbështetje të një kryengritje në territoret shqiptare. Nuk mund të diskutohet për vërtetësinë e raportimit apo gabimit në përkthim pasi Konsulli Rus, Antonio Palladhokli që ishte me origjinë nga ishulli grek Mitilini dhe qe vendosur në Rusi në 1762 si pedagog në Manastirin Troice-Sergiu e njihte shumë mirë rusishten. Raportimet e para të tij që ishin dërguar në 1785, janë të shkruara në rusisht, krahasuar me raportimet e konsujve të tjerë të Rusisë me origjinë ballkanike, raportimet e të cilëve ishin në frëngjisht dhe italisht.[7]   Po kështu që më herët në shkurt të vitit 1783 kur Antonio Palladhokli shërbente si përkthyes në Ministrinë e punëve të Jashtme të Rusisë në një raport që i dërgonte Ekaterinës së II, rreth gjendjes të Sllavëve, Epirotasve, Shqiptarëve grekë(lexo ortodoksë) dhe turqve(lexo myslimanë) shqiptarë, nënvizonte faktin se këto popullsi mund të përdoreshin për një kryengritje ndaj otomanëve duke ndjekur shembullin e Skënderbeut[8]

Në të njëjtën kohë edhe emri i Skënderbeut gjallonte fort në Austri që ishte vazhdimisht në konflikt me Perandorinë Osmane si dhe në fiset shqiptare katolike, aleatë të Bushatlliut që ishin nën proteksionin fetar e kulturor të Austrisë. Përmendja vetëm për njëherë e trashëgimisë historike prej Skënderbeut, vetëm në rebelimin e parë të Mahmud pashë Bushatlliut tregon se ajo mund të ketë qenë një histori e importuar nga oborri i Austrisë sesa një vetëdije e brendshme e Mahmud Pashë Bushatlliut dhe bashkë me të e klasës feudale shqiptare. Vite më vonë këtë fakt historik mesa duket të njohur nga kleri katolik shqiptar i transmetuar ndoshta në formën e kujtesës kolektive popullore do ta përdorte dhe Fishta në veprën e tij dramatike të pambaruar kushtuar rebelimit të Bushatlliut. Në të njëjtën frymë është shkruar dhe “Frati i Pashallarëve të Shkodrës” nga At Zef Pllumi shumë vite më vonë duke reflektuar një tendencë sesi do të duhej të kishte qenë historia sesa në të vërtetë i përgjigjej realitetit.

Publikimi i dokumentacionit rus për Bushatllinjtë na ka dhënë mundësinë që të gjejmë këtë dokument të rëndësishëm ku emri i Skënderbeut u përdor nga ta në rebelimin e parë kundër Sulltanit, por nuk kemi ndonjë dokument tjetër historik që të mund të na dëshmojë nëse Ahmet Kurt Pasha apo Ali Pasha Tepelena e kanë përmendur imazhin dhe figurën e Skënderbeut në konfliktin e tyre me Perandorinë Osmane. Lidhja e tyre me Heroin Kombëtar të shqiptarëve rezulton të jetë familiare dhe duhet të jetë përmendur në funksion të kërkimit të linjave gjenealogjike që udhëtarët dhe diplomatët europianë reflektonin në veprat e tyre. Përjashtim në këtë rast nuk bënin dhe studiuesit e historianët lokalë të ciët përcillnin legjenda apo rrëfime të vjetra rreth lidhjes së mundshme të këtyre figurave historike me Gjergj Kastriot Skënderbeut. Kështu, autori Gjerq Haxhi Mihali në shkrimin e vet “Berati Plak”, të botuar në Revistën Dituria ,Volumi II, Nr 9,10,11 shkruan për Ahmet Kurt Pashën se në vitet 1777 dhe 1779 ai ishte sundimtar i Beratit dhe i qarkut të tij, burr dhrastik dhe zemër-mirë; ishte prej gjinisë së Skënderbeut dhe jo si pandehin disa gabimisht Turk;se për origjinën e Kurtit gojdhënjet janë shumë të forta;nofta do të ketë qenë prej nipërvet të Skënderbeut, të cilët u bënë Muhamedanë, prej djelmvet të motravet të Skënderbeut, Mamicës a Ngjelinës, kjo nuk dihet.[9] Autori nuk përmend burimin e këtyre gojëdhënave por interesant është fakti i vazhdimësisë aristokratike e fisnike të sundimtarit Ahmet Kurt Pasha që lidhet me familjen e Skënderbeut. Një lidhje e tërthortë por kësaj radhe përmes burimeve greke jepet për Ali Pashë Tepelenën dhe lidhjet e mundshme të origjinës së tij nga Skënderbeu. Ali Pasha Tepelena nga ana e së ëmës rridhte  nga një nga familjet më aristokratike të Toskërisë e Jugut të Shqipërisë . E ëma e Aliut, Esmihan Hanëmi (Hanko) ishte e bija e Zenel Beut të Konicës, feudalit më të fuqishëm shqiptar të asaj zone. Veliu u lidh fort me familjet më të rëndësishme të vendit nëpërmjet beut të Konicës, me vajzën e të cilit Veli Beu qe martuar.[10] Historiani grek Spiro Aravatinos në veprën e vet Ali Pasha Tepelenliu përmend faktin se dera e Konicajve ishte pasardhëse e Kastriotëve.[11] Autori nuk jep ndonjë të dhënë se ku e mbështet këtë të dhënë por duket se ajo i përket historisë romantike të Epirit dhe Maqedonisë , në kufirn e të cilave shtrihet Konica, kryqendra e zotërimeve të familjes të së ëmës së Ali Pashë Tepelenës. Pavarësisht kësaj refernece nga   Aravatinos në librin e vet për Ali Pashën,ky fakt nuk i qendron vërtetësisë historike. Madje Faik Konica, një nga pasardhësit më brilant të kësaj dere e mohon këtë fakt duke thënë se një stërgjyshi im i quajtur Mehmet Pasha, i cili rronte në kohë të dëgjuar dhe nuk është çudi që, pas pakë brezash, populli ta ketë përzier me Skënderbenë.[12]Siç dihet Faik Konica ishte një nga propanganduesit më të mëdhenj të figurës së Skënderbeut gjatë viteve të Rilindjes Kombëtare dhe nëse do të kishte pasur qoftë edhe një mundësi të vogël të kësaj lidhje familiare ai nuk do ta kishte nënvlerësuar. Faik Konica shpjegon në Autobiografinë e tij se analet historike dëshmojnë se dera e Konicajve njihej ndryshe edhe si dera e Zenelbejllinjve në emër të Zenel Beut, nipit të Mehmet Pashës, i përmendur për pasurinë dhe jetën e shkëlqyer që rronte. Zenel Beu nga martesa me motrën e Kurt Pasha Beratit, pati një bijë dhe një bir. E bija u martua me Veli Bej Tepelenën dhe lindi Alinë.[13] Ky detaj i lidhjes familjare të Ali Pasha Tepelenës me Kurt Pashën e Beratit është shumë i rëndësishëm pasi tregon sërish statusin e rankut të familjes së Ali Pasha Tepelenës, si një prej familjeve aristokratike toske që nuk u gjend rastësisht në qendër të ngjarjeve që përcaktuan fatin vetqevërisës të Epirit për më tepër se 35 vjet si tentojnë shpesh herë ta përshkruajnë burime të ndryshme të letërsisë së udhëtimeve , të cilat në të shumtën e rasteve ë tepër janë kujdesur të përcjellin historitë lokale të Epirit me një këndvështim orientalist sesa i përgjigjen realitetit. Në të njëjtën kohë ai dëshmon se familja e Ahmet Kurt Pashës ishte lidhur me të ashtë quajturit Kastriotë të Konicës. Përmendja e këtij fakti nga një historian serioz si Spiros Aravatinos dëshmon se imazhi dhe figura e Skënderbeut vazhdonte të ishte e pranishme jo vetëm në popullsitë e krishtera shqiptare por edhe mes elitave myslimane të tyre që kishin hyrë në sferat e larta të pushtetit perandorak otoman. Edhe pas treqind vjetëve figura e Skënderbeut ishte e pranishme jo vetëm në Europë por edhe brenda kujtesës kolektive të formacioneve politike të pashallëqeve shqiptare.

Këto referenca janë anashkaluar ose pak janë analizuar në një rrafsh dhe kohezion më të gjerë krahasues dhe me fillimet e ndërtimit të shteteve kombëtarë fqinjë, duke i dhënë shqiptarëve një rol më të prapambetur në rrugën e tyre për të gjetur idenë kombëtare të formimit të shtetit të tyre. Kjo gjë ka ndodhur për shkak të zhvillimeve të mëvonshme të shtet ndërtimit të shqiptarëve ku ideja e kombformimit më tepër u pa si një aksion i grupeve dhe elitave të lidhura me Europën duke përjashtuar evolumimin e cilësive shtetformuese të elitës shqiptare të Pashallaqëve, si dhe influencës së ligjërimit orientalist të dëshmive të udhëtarëve të huaj. Pashallëqet shqiptare u panë si pushtete politike që ushqyen despotizmin oriental dhe mbartës vesesh e prapambetje mes shqiptarëve sesa si përpjekje shtetformuese dhe evoulimi drejt formimi të formacioneve të vërteta kombëtare. Një studim më i detajuar i përpjekjeve të elitës feudale shqiptare në ngjarjet e pas revolucionit grek dhe revoltës serbe në rajon do të bëjë të mundur që të shikohen qartë hapat  drejt një pavarësimi fillimisht në mendim dhe pastaj në aksion politik. Një vend të rëndësishëm në këtë drejtim zë tejkalimi i vetvetes së kësaj elite dhe shndrrimi i saj nga një instrument mbështetës ndaj Perandorisë Osmane në një instrument kundërshtues të reformave të Tanzimatit, jo thjesht si aksion regresiv për të ruajtur një gjendje të vjetëruar të elementëve të shtetformimit osman por më tepër si rezultat i humbjes së gjysëm autonomisë vetqeverisëse që kish lënë kaq shumë gjurmë në territor , kulturë dhe besim fetar. Kombinimi i kësaj përpjekeje me zgjimin kulturor e kërkimin e rrënjëve  në koloninë arbëreshe në Itali me kryeqendër Napolin, lëvrimin e gjuhës shqipe dhe mbledhjes së folklorit nga Zef Jubani në Shkodër, veprimtarinë e trashëgimtarëve kulturorë të Pashallëkut të Janinës si Vangjel Meksi, Stefan Postenani, Anastas Byku,Kostandin Kristoforidhi, Jani Vreto  etj dhe përqafimin e iluminizmit nga elita myslimane shqiptare e shkolluar në Zosimea si  Abedin Dino, Ismail Qemali, vëllezërit Frashëri do të realizonin ngjizjen e nacionalizmit shqiptar dhe manifestimet e drejtë përsë drejta të tij në mendimin politik e kulturor shqiptar.