Ilir Meta dhe Sali Berisha së bashku në prezantimin e librit “Demokracia nuk pret”, të Frank Shkrelit

Publicisti dhe gazetari shqiptaro-amerikan, Frank Shkreli, ka promovuar këtë të martë librin “Demokracia nuk pret”. Vepra përmban artikuj të ndryshëm që Shkreli i ka shkruar në 10 vitet e fundit, ndërsa kreu i shtetit Ilir Meta, tha se libri i kujton politikës se detyra e saj kryesore është mbrojtja e demokracisë. Gjatë viteve kur Shqipëria ishte nën tutelën e sistemit komunist, gazetari Frank Shkreli, punonte për “Zërin e Amerikës”. Për shumë atdhetarë të tij, ai ishte zëri i shpresës, ishte media nga ku informoheshin në mënyrë të lirë për zhvillimet jashtë kufijve. Nga ajo kohë kanë kaluar 28 vite dhe publicist i njohur Frank Shkreli ka vendosur të thotë disa të vërteta për shoqërinë dhe politikën, atë të djeshmen dhe të sotmen, përmes tri vëllimeve “Demokracia nuk pret”. Libri u promovua me  prezencën e figurave të njohura të politikës dhe medias. Presidenti, Ilir Meta,tha se kjo vepër duhet të shkundë politikën qe të angazhohet në mbrojtje të demokracisë. “Demokracinë nuk ta dhuron askush dhe demokracinë duhet ta fitosh dhe mund ta fitosh çdo ditë e më shumë, por edhe mund ta humbasësh çdo ditë e më shumë. Në këtë drejtim, vepra e zotit Shkreli është edhe një shkundje për të gjithë, për rëndësinë që ka demokracia. Ajo nuk është e dhënë një herë e përgjithmonë. Demokracia duhet ruajtur, duhet mbrojtur, duhet zhvilluar sipas standardeve më të avancuara dhe siç e meriton një komb si i yni, që ka vuajtur shumë nga mungesa e saj”- u shpreh Presidenti Meta.

Pas pjesëmarrjes në prezantim, kreu i Shtetit Ilir Meta do të shkruante një tjetër koment në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”.

“Me një kënaqësi të veçantë mora pjesë sot në promovimin e librit publicistik “Demokracia nuk pret” të gazetarit dhe personalitetit të shquar shqiptaro-amerikan, ish-Drejtorit të “Zërit të Amerikës” për Euro-Azinë, Frank Shkreli. Mirënjohjen më të thellë për kontributin që ka dhënë e vazhdon të japë për forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, për demokracinë në Shqipëri, për forcimin e identitetit kombëtar, pavarësinë e Kosovës dhe ruajtjen e harmonisë sonë të shkëlqyer fetare.

“Demokracia nuk pret” është një shkundje për të gjithë ne, për rëndësinë që ka demokracia.

Demokracia duhet ruajtur, duhet mbrojtur, duhet zhvilluar, sipas standardeve më të avancuara dhe siç e meriton një komb si i yni, që ka vuajtur shumë nga mungesa e saj”- tha Presidenti Meta.

Pjesëmarrësit

Ndërkaq, Kolegë të Shkrelit vlerësuan aftësitë profesionale të gazetarit si një identifikues i mprehtë i problemeve të shoqërisë shqiptare. “Shohim një sy të mprehtë i cili përzgjedh përvojën më të mirë nga realiteti shqiptar”- u shpreh publicisti Besnik Mustafaj. Por vetë Shkreli, shkrimet i cilësoi modeste ndërsa përcolli disa mesazhe për demokracinë. “Duhet të jemi të sinqertë me veten dhe të tjerët se shqiptarët i ka penguar diçka që të zënë vendin e tyre ku u takon me kombet e tjera, se pranvera e demokracisë shqiptare si në Shqipëri, Kosovë dhe anembanë trojeve shqiptare nuk ka çelë ende lulet që prisnim dikur dhe për të cilat presim gjithnjë. Prandaj kemi ruajtur titullin ” Demokracia nuk pret” për të tre vëllime”- u shpreh autori Frank Shkreli. Libri është përmbledhje e afro 25% të shkrimeve që Shkreli ka botuar 10 vitet e fundit në mediat shqiptare.