Homazhe për ish-Presidentin George H.W. Bush

Udhëheqësit politikë bënë homazhe për ish-presidentin amerikan, George H.W. Bush në selinë e Kongresit amerikan të hënën, pasi trupi i tij u soll në Uashington nga Teksasi. Presidenti i 41-të amerikan vdiq në Hjuston të Teksasit të premten në moshën 94 vjeçare. Nderimet për të do të bëhen në Kapitol deri të mërkurën dhe më pas do të nderohet me një ceremoni shtetërore në Katedralen Kombëtare. Ish-Presidenti u vlerësua për kurajon e tij në shërbimin ushtarak, arritjet e tij në politikë dhe personalitetin e tij fisnik.

Trupi i ish-presidentit Bush ndodhet nën kupolën e Kapitolit, ku figura të njohura dhe njerëz të thjeshtë, po shkojnë për homazhe. Ish-Presidenti George W. Bush dhe gruaja e tij, Laura shoqëruan babain e tij në udhëtimin e fundit në Uashington. Edhe fëmijët e tij të tjerë dhe anëtarë të familjes, morën pjesë në ceremoninë e mbërritjes së trupit të tij në Kapitol të hënën. Ish-këshilltari më i afërt i tij dhe ish-Sekretari i Shtetit, James Baker, ish-nënpresidenti Dick Cheney dhe ish-Sekretari i Shtetit, Colin Powell, së bashku me anëtarë të Kongresit, nderuan presidentin republikan.

Udhëheqësi i Shumicës në Senat, Mitch McConnell vlerësoi dekadat e shërbimit të vazhdueshëm të Presidentit Bush për vendin.

“Aviator i dekoruar, kongresmen, ambasador në Kombet e Bashkuara, i dërguar në Kinë, 8 vjet si nënpresident dhe më pas komandanti ynë I përrgjithshëm. Ai na drejtoi gjatë Luftës së Ftohtë dhe rënies së Bashkimit Sovjetik. Kur duhet mbrojtur shteti ligjor në Gjirin Persik, ai na mbajti në drejtimin e duhur me temperamentin e tij të qendrueshëm, dhe ekspertizën e tij”.

Edhe Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan, vlerësoi personalitetin e ish-Presidentit.

“Gjatë gjithë karrierës së tij në shërbim publik, Presidenti Bush ishte personifikim i mirësisë. Karakteri i tij ishte i pakrahasueshëm. Ai kapi majat e pushtetit, duke ruajtur një modesti të pazakontë. Ai dha kontribute të jashtëzakonshme për lirinë, me një njerëzi që kapërcen brezat”.

Nënpresidenti amerikan, Mike Pence ishte i treti dhe i fundit që foli në ceremony. Ai i shprehu ngushëllimet familjes Bush dhe u përcolli atyre edhe ngushëllimet e Presidentit Donald Trump. Zoti Pence shprehu admirimin për kurajon dhe ndjenjën e detyrës së ish-presidentit.

“Pasi japonezët sulmuan Pearl Harbor në dhjetor 1941, ai donte të luante rolin e vet, kështuqë u fut në marinë ditën që mbushi 18 vjeç. Ai u bë aviatori më i ri i marinës dhe u dërgua në Paqësorin Jugor, ku historia e jetës së tij, pothuajse u ndërpre”.

Funerali shtetëror për Presidentin Bush do të mbahet në Katedralen Kombëtare të mërkurën.

Presidenti Trump pritet të jetë i pranishëm. Më pas trupi i tij do të rikthehet në Teksas për t’u varrosur në Bibliotekën Presidenciale dhe Muzeun George H.W. Bush, pranë Dallasit.

VOA