Hodo Habibi, togeri komunist që terrorizoi Mirditën, me përdhunime dhe rrahje çnjerëzore

Sipas dëshmive të njerëzve që i kanë jetuar, vitet e para të diktaturës në Shqipëri janë të mbushura me ngjarje terrorizuese dhe krime çnjerëzore, të kryera nga personat e ngarkuar me përgjegjësi, për aftësinë e tyre për të qenë çnjerëzor tej imagjinatës njerëzore. Siç tregohet në librin e Tanush Kasos, “Krimet e komunizmit; një histori e plotë për Mirditën”, pjesë nga i cili u botuan pak ditë më parë në gazetën Panorama, një prej këtyre njerëzve ishte dhe Hodo Habibi, nga Kurveleshi i Vlorës, të cilit iu ngarkua nënshtrimi i Mirditës, një krahinë e njohur për qëndresën antikomuniste.

Siç tregohet në librin e Tanush Kasos, “Krimet e komunizmit; një histori e plotë për Mirditën”, Toger Baba, e ushtroi misionin e nënshtrimit të Mirditës, në mënyrat më poshtëruese të mundshme, duke përdhunuar gratë dhe duke zhveshur dhe rrahur burrat me dru zjarri. Kush nuk i bindej dhunës së tij, do të torturohej, do të vritej, në mos edhe do të digjej e gjallë, siç ndodhi me Dilen, gruan e Preng Gjon Markut, të cilin më vonë e pushkatuan. Një përsëritje e historive legjendare të vetësakrifikimit të grave për t’i shpëtuar përdhunës, por jo të një armiku të huaj e të largët, tanimë, por të një personi të besuar të pushtetit që do të mbizotëronte në Shqipëri edhe për 45 vjet të tjera nga ajo kohë.

PJESË NGA LIBRI

Në vitin 1945-1946, në Mirditë vepronin rreth pesëqind të arratisur antikomunistë, të ndarë në çeta të vogla. Kjo përbënte rrezik për regjimin e Tiranës, i cili e vuri si detyrë parësore zhdukjen e tyre me çdo mjet e mënyrë të mundshme.

U përzgjodhën elementët që do të vepronin atje, midis atyre që kishin dhënë prova të barbarisë së tyre mbi fshatarësinë e Jugut, veçanërisht mbi atë të lumit të Vlorës, të Kuçit e Bolenës, ku kishin ndeshur në qëndresën e armatosur të çetës së Lahe Nuros e të Izet Vrazhdos dhe ku kishin ushtruar një terror të paparë në historinë e atyre vendeve duke mos kursyer as pleqtë, gratë dhe foshnjat e djepit.

Një nga ato kafshë me fytyrë njeriu ishte edhe një i quajtur Hodo Habibi, nga fshati Kuç i Kurveleshit. Edhe pse pa kurrfarë tradite familjare dhe i pashkollë, për ‘meritën’ e barbarisë së treguar në reprezaljet komuniste, atij i kishin dhënë gradën ‘toger’ i Forcave të Ndjekjes dhe dyqind ushtarë nga pas.

U vetëquajt Toger Baba dhe kështu nisën ta thërrisnin të gjithë: vartësit, eprorët dhe populli. Të paktë ishin ata që e dinin se ai quhej Hodo Habibi dhe se ishte nga Kuçi i Kurveleshit. Kryekrimineli Mehmet Shehu i kishte dhënë të ngjashmit të vet kompetenca të plota dhe njëfarë ‘Carta Bianca”, që i lejonte të bënte çfarë të donte mbi ‘popullin armik’ të Mirditës katolike.

I dehur nga fuqia që i kishin dhënë, ai nisi veprimtarinë e tij në Mirditë, me fushatën e çarmatimit. Urdhëroi që dyert e çdo shtëpie mirditore të liheshin hapur, ditën dhe natën, deri në një urdhër të dytë, mbasi do të ushtroheshin kontrolle të befasishme nga Forcat e Ndjekjes, për armë dhe për të arratisurit politikë. Një gjë e tillë nuk kishte ndodhur kurrë në Mirditë, që nga krijimi i saj.

Por, shpejt u pa se qëllimi i toger Hodos kishte qenë i dyfishtë: të kryente detyrën qeveritare dhe njëkohësisht të përmbushte epshet e tij shtazore, duke përdhunuar gra e vajza të pambrojtura. Bashkë me ‘trimat e tij’, ai grabiste edhe sende me vlerë, që ruheshin nëpër sepetet e shtëpive fisnike, të zotët e të cilave ishin pushkatuar ose ndodheshin në arrati.

Siç shkruan heroi i rezistencës antikomuniste, Nikoll Mëlyshi, në faqet 279-280, të librit të tij “Ngjarje Historike: ‘U kërcente grave në shtrat, për t’i shnderue me përdhunë, tue i friksue me kobure në dorë; u kishte marr ftyrën shumë femnave, por nuk guxonte as kurrkush me ba ankesa, se do t’i delte shpirti pre drunit të ‘Babajt’.

Kur delte drita, i mblidhte katundarët në nji shesh në qendër të katundit dhe i urdhnonte qi të bashin nji zjarr të madh me dru shumë e mandej i zhvishte popullin lakuriq dhe i lidhte të gjithë me konop dorë për dorë rreth e përqark atij zjarri dhe kapte drun dhe u binte shpinës, qi të afrohen zjarrit e të digjen.

Mandej, kur lodhej vet, i zgjidhte dy ose tre ma të fortit dhe iu jepte dajakun në dorë e i urdhëronte të silleshin ata mbi shokët e vet të lidhun duersh. Ndonjiher i zgjidhte të gjithë dhe i bante me forcë të sjellin me dru njani me tjetrin; dhe kur shifte se ndonjani nuk po e përdorte krejt fuqinë e drunit, atëherë Babaj atë njeri e shtronte përdhe dhe ia nxirrte shpirtin me dru. E kur togeri kishte ba qejfin e tij me të rrafunat, e qi kur fillonte bora me akull, po kështu i zdeshte burrat dhe i detyronte të hyjshin në ujë të ftoftë të lumit Fan i Vogël. Ky barbar i popullit, kur hynte nëpër pyje, gjoja për ndjekje t’arratisunish, merrte me vete si udhëhekëse dy ose tri gra ma të mirat dhe mbasi i shkërdhente 10-15 ditë, i lironte gratë e shkreta dhe shkoshin në shtëpijat e tyne të turpnume dhe të laskaryueme e të levrozueme nga përdhunimi i toger Babës”.

FUNDI TRAGJIK I GRAVE QË KUNDËRSHTUAN TOGER BABËN

I pari i vendit, kryekomunisti Bardhok Biba, dhe komunistët e tjerë mirditorë, nuk reagonin fare, por i miratonin në heshtje veprimet antiligjore dhe çnjerëzore të Toger Babës me shokë. Këto çështje ata nuk i ngrinin as në mbledhjet e organizatës bazë të Partisë dhe as nuk i raportonin në Komunitetin Qendror. Ndërsa fshatarëve u kishte hyrë frika në palcë dhe nuk guxonin të hapnin gojën se i priste vdekja pa gjyq. Kështu ishin pushkatuar prej tij: Gjok Marka Ndreca, Marka Preng Zefi, Marka Ndrec Bajraktari, Ndue Nikoll Ndoka, Frrok Nikoll Ndoka e shumë të tjerë.

Vetëm gruaja e këtij të fundit mori guximin ta kundërshtonte me fjalë të ashpra togerin e kuq, kur ai urdhëroi që ajo të zhvishej lakuriq përpara të gjithë të pranishmëve. Ajo e kërcënoi se do të shkonte në Tiranë dhe do ta raportonte tek Enver Hoxha. Emri i “Komandantit legjendar” e bëri të mendohet Toger Babën dhe e prapësoi urdhrin e dhënë. Mbasi bëri një mijë të zeza në krahinën e Fandit, në tetor të vitit 1946, ai me forcat e veta u shpërngul dhe shkoi në Bajrakun e Spaçit.

Sapo u vendos në Kodër të Spaçit, arrestoi të gjithë burrat e atij vendi, rreth dyzet vetë. I zhveshi lakuriq, i lidhi me litar dorë përdore dhe i nisi në këmbë për në katundin Mushtë të Bjeshkëve të Munellës që ishte tri orë larg. Aty, i futi në stallë lopësh me baltë e mbeturina, ku kaluan natën si të burgosur.

Të nesërmen i vuri përpara si bagëtinë dhe o çoi në katundin Kimëz, ku ishin grumbulluar edhe fshatarë të tjerë nga Gjegjani, Shkoza, Gojani etj. Mblodhi popullin, me burra e gra, dhe para të gjithëve rrahu rëndë priftin 65-vjeçar, Dom Nikoll Kimza, të cilin pastaj e nisi për në burgun e Shkodrës. Mandej urdhëroi që të zhvishej lakuriq gruaja e Preng Gjon Markut, Dila. Por meqenëse ajo kundërshtoi ashpërsisht, Togeri dha urdhër që të ndizej zjarr i madh dhe Dila të digjej me gjithë rroba. Ndërkohë, burri i saj, Prenga, mundi t’i zgjidhë duart dhe u largua me vrap në drejtim të maleve. Por, policët dhe ushtarët e Hodos e ndoqën dhe e vranë. Kjo ngjarje u përhap nëpër fshatrat përreth. Mbas disa ditëve, fjala i shkon edhe kushëririt të Prengës, Pal NIkoll Prendit, i cili ishte duke kryer studimet në Moskë, të Rusisë (rast i rrallë ky për mirditorët). Ai preket e zemërohet së tepërmi nga këto veprime kriminale. Kërkon disa ditë leje të kthehet në Tiranë, ku menjëherë i drejtohet udhëheqjes së lartë të Partisë Komuniste dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Koçi Xoxe, të cilëve ua përshkruan atë që po ndodhte në Mirditë.

Siç vazhdon të tregohet në libër, pas kësaj, Koçi Xoxe e largon Hodo Habibin nga Mirdita, për ta çuar në Lezhë, ku Togeri famëkeq vazhdon të njëjtën sjellje çnjerëzore, me burrat dhe gratë e Zadrimës.

Marrë nga libri i Tanush Kasos, “Krimet e komunizmit; një histori e plotë për Mirditën”, botim i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK)

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.