Historia e një murgeshe shqiptare, në homelinë e Papës, në Katakombet e Prishilës

Papa, në Katakombet romake, kujton martirizimin e të krishterëve në Shqipërinë komuniste

R. SH. – Vatikan

Gjatë homelisë, mbajtur lirisht në Katakombet romake të Prishilës, Papa kujtoi historinë e një murgeshe shqiptare të mbyllur në njërin nga “katakombet komuniste”, domethënë, në një kamp përqendrimi, njëheresh me sivëllezërit e saj meshtarë. Ata torturoheshin egërsisht e ndiqeshin hap pas hapi, për t’ua bërë të pamundur mbarshtimin e Sakramenteve – kujtoi Papa – E aty ku Meshtari nuk mund ta bënte këtë, e bënte murgesha. Fshehurazi. Ajo u afrohej fëmijëve e, kur ishin gati, i merrte për dore te lumi. Meqë nuk kishte me se të mbushte ujë, zbathte këpucën e saj prej kauçuku, e mbushte me ujë në lumë e me të ua jepte edhe Sakramentin e parë të krishterë fëmijëve, engjëj të vegjël pa petka të bardha, në ato vende më të errta se vetë katakombet. Prej këndej, si e kish kryer këtë histori sa të dhimbshme, aq edhe të lumnueshme për të krishterët shqiptarë, Papa komentoi:

“Vendi i të krishterit është kudo; ne nuk kemi vende të privilegjuara në jetë!”.