Historia e 12 zbuluesve shqiptarë që shkuan të luftën e Vietnamit

Në kohën kur Vietnami luftonte kundër Amerikës, ai quhej populli vëlla vietnamez nga propaganda komuniste. Vendi ynë u rreshtua me shtetet të cilat ishin krah vietnamezëve sikurse ishin Bashkimi Sovjetik, Kina, Korea e Veriut si dhe të gjithë vendet e Europës Lindore. Në ato vite Ushtria Shqiptare, në bazë të marrëveshjes me Ushtrinë Vietnameze, dërgoi në vendin aziatik një grup zbuluesish të cilët do të shikonin nga afër veprimet luftarake dhe do të merrnin pjesë konkretisht së bashku me zbuluesit vietnamezë në aksione dhe veprime diversioniste.

Grupi i përbërë nga dymbëdhjetë ushtarakë përbëhej nga 9 zbulues, 2 xhenierë dhe 1 kimist. Ata qëndruan gati një vit në xhunglat e Vietnamit dhe përjetuan nga afër veprimet luftarake, panë tmerret e luftës por edhe morën pjesë në të. Dy prej ushtarakëve shqiptarë mbetën të plagosur nëpër aksione të ndryshme luftarake. Njëri prej ushtarakëve që shkoi në Vietnam është edhe Novruz Zejnati, kolonel në pension doktor i shkencave ushtarake. Tashmë që po i afrohet të tetëdhjetave kolonel Zejnati rrëfen aventurën e dymbëdhjetë zbuluesëve shqiptarë në tokën e vietkongëve.

Kolonel Zejnati thotë se: “sindroma e Vietnamit ka ngacmuar për disa dhjetra vjecarë popullin amerikan. Në shumë libra, dokumentarë, filma artistikë të Hollivudit gjejmë dhe shikojmë këtë sindromë. Shumë tragjedi vietnameze dhe amerikane pushtuan subjektet e letërsisë artistike dhe natyrisht edhe të letërsisë dokumentare. Unë kam qenë dëshmitar okular i kësaj lufte që ka mbetur e pashlyer në memorien time por edhe të shokëve të mij. Ajo ka shkaktuar edhe trauma fizike dhe psikike te disa prej tyre”.   Vietnami ishte një shkollë e dytë për ushtarakët shqiptarë. Ja si e kujton Kolonel Zejnati aventurën vietnameze. +9

Urdhri i shërbimit për në Vietnam

Në vitin 1966 lufta në Vietnam ishte në kulmin e saj. Unë isha oficer i ri dhe sapo isha kthyer nga fushimi dimëror që ne zbuluesit bënim në Bizë të Martaneshit. Kishim kaluar tre muaj larg familjeve në stërvitje dimërore malore në kushtet e fushimit. Ende pa u çmallur mirë me familjen më thirrën në ministri pranë Drejtorisë së Zbulimit. Ishte Drejtori i Zbulimit të Ushtrisë, Gjeneral Major Anton Sheti që më priti në kabinetin e tij. Ai ishte një ushtarak serioz, i ditur dhe vitet e shërbimit jashtë shtetit e kishin bërë mjaft të matur dhe të manifestonte një sjellje të kulturuar.Të kam thirrur për të të falenderuar në emër të Drejtorisë së Zbulimit për raportin që keni përgatitur  dhe punën që keni bërë me efektivët e zbulimit të njësisë tuaj në Bizë të Martaneshit.

Ne si Drejtori ju kemi caktuar juve si dhe disa oficerë zbulimi që të shkoni për eksperiencë në luftën e Vietnamit, vazhdoi ai. Sic e kërkonte detyra dhe betimi ushtarak u përgjigja “si urdhëron”, por befasia ishte e madhe e po ashtu edhe droja nga e panjohura që na priste në vendin ku luftohej ashpër dhe ku përdoreshin armët më moderne të kohës. Plani ishte që ne, grupi prej 12 ushtarakësh, fillimisht do të stërviteshim me intensitet për tre muaj në Dragot të Tepelenës me një program që aplikonin zbuluesit vietnamezë.

Një ditë më pas punova në ministri ku përgatita gjithçka më duhej dhe të nesërmen u grumbulluam të dymbëdhjetë në Tiranë. Fillimisht patëm edhe një takim me Drejtorin e Zbulimit Anton Sheti. Kam mbajtur shënime të hollësishme nga ky shërbim i pazakontë që zgjati më shumë se një vit duke llogaritur edhe stërvitjen në Dragot.

Gjeneral Sheti na tha: “Ju si grup do shkoni në Vietnam. Detyra juaj është:të studioni frontin më të egër të armikut, të merrni përvojën e veprimeve luftarake të nënreparteve, reparteve, njësive të zbulimit të ushtrisë vietnameze.Të merrni përvojën e luftës partizane vietnameze dhe të sillni në Shqipëri eksperiencën e artit ushtarak të luftës popullore. Ndonjë nga ju edhe mund të vritet, plagoset sepse detyra që do të kryeni është e vështirë.”

Në Dragot
Sëbashku me mua ishin edhe ushtarakët Spiro Adhami,Viktor Dhroso, Sali Qazimi, Aristidh Ndini, Zykë Zykaj, Kujtim Lumani, Feim Xhebrai, Besim Mema, Ramiz Ficori, Besim Murra dhe Aqif Gjikala. I gjithë grupi u nis për në Dragot ku do ti nënshtroheshim një stërvitje tepër intensive me ngarkesë të lartë, kryesisht stërvitje zbuluesish. Në krye të grupit u vendos kolonel Spiro Adhami, një ushtarak i rrallë për nga dijet dhe aftësitë ushtarake.

Stërvitja në Dragot filloi që të nesërmen e mbërritjes sonë atje. Ishtë një stërvitje me ngarkesë nga ana taktikospeciale. Gjimnastika e mëngjesit shoqërohej me një kros 10 km të gjatë ose me ngjitje në malin e Golikut. Për të na stërvitur ishin angazhuar pedagogët më të zotë si Xhelal Novosela, Ilo Furxhi, Kasem Kurti, Xhemil Cela, Hysen Sharra, Dhimitër Cakalli,Todi Janku e të tjerë. Një pjesë e shokëve të mij por edhe të pedagogëve nuk jetojnë më dhe unë shpesh i kujtoj me mall dhe respekt për punën e tyre.

Pasi hanim mëngjesin, për 3 muaj u stërvitëm nga 8 deri në 10 orë në ditë. Ishte pranverë dhe dita kishte nisur të zgjatej. U stërvitëm që të zvarriteshim për qindra e dindra metra,të luftonim në kushtet e pyllit por edhe të lagjeve,të kalonim pengesa ujore kështuqë bëmë edhe mësime noti, kryesisht në Tale të Lezhës për disa ditë me radhë. Shumë stërvitje i kryenim zbathur.

Pas përfundimit të stërvitjes tre mujore demonstruam përpara udhëheqjes ushtarake një stërvitje ku grupi jonë diversonist u hodh në veprime luftarake në prapavijë të armikut për të, marrë një pikë mbështetje të fortifikuar. Stërvitjen e ndoqi Shefi i Shtabit të Ushtrisë Gjeneral Petrit Dume i cili edhe na felenderoi për punën e bërë. Ai na njihte që të gjithëve një për një e na përmendi me emër gjatë konkluzioneve të stërvitjes.

Udhëtimi
Në fillim të muajit qershor të vitit 1966 grupi ynë u nis për Vietnam. Kishim marrë porosi që të mos tregonim asnjë fjalë për misionin tone. Ndërsa jashtë vendit ne ishim një ekip mundësash që me 12 qershor niseshin për tu ndeshur në Hanoi të Vietnamit. Itenerari që ndoqëm ishte Tiranë-Beograd-Budapest-Moskë-Omsk-Irkutsk-Pekin. Pas dy ditësh udhëtim mbërritëm në Irkutsk të Bashkimit Sovjetik,një qytet i madh rrëzë liqenit të Bajkalit në kufi me Mongolinë.

Aty qëndruam tranzit 4 orë dhe erdhi e na mori një avion nga Kina.Më pas 2 orë fluturim mbi Mongoli dhe Kinë dhe në fund u ulëm në Pekin. Në aeroport na priti zëvendës drejtori i zbulimit të ushtrisë kineze me disa zbulues të linjës. Ata kishin dijeni për misionin tonë në Vietnam. Me Kinën kishim traktate bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes. Gjithashtu kishte dalë për të na pritur atasheu ynë ushtarak në Kinë kolonel Ferik Hade. Në Pekin qëndruam dy ditë sa për tu shlodhur. Ditën e tretë na njoftuan se do të niseshim me tren ndërkombëtar për në kryeqytetin e Vietnamit të Veriut, Hanoi. Treni ishte i maskuar sepse do të udhëtonte në një hapësirë ku luftohej dhe bombardimet ishin të pranishme kudo.

Në Vietnam
Udhëtimi me tren zgjati pesë ditë. Në tren na porositën që nëse jepet sinjali alarmit menjëherë duhet të zbrisni poshtë dhe të fshiheni ku të mundeni në të dyja anët e hekurudhës. Dhe vërtetë alarmi u dha sapo kaluam urën mbi lumin e kuq dhe hymë në një pyll. Menjëherë zumë vend rrëzë pemëve të xhunglës. Ishte kontakti ynë i parë me luftën. Krahas shpërthimeve të bombave u ndeshëm me mizat e kuqe dhe dëgjonim edhe fërshëllimat e gjarpërinjve. Pas pesë ditësh treni më në fund mbërriti në Hanoi. Kudo shikoheshin pasojat e luftës. Njerëzit jetonin me ndjenjën e bombardimeve që mund të ndodhnin orë e cast. Na pritën disa zbulues të ushtrisë vietnameze.Na vendosën në periferi të Hanoit në një nga ndërtesat e Akademisë Ushtarake e cila gjendej në mal.

Ura Long Bien
Sapo u vendosëm në ndërtesën e akademisë u pajisëm me uniforma ushtarake nga ato që përdornin zbuluesit vietnamezë.Na dhanë helmeta dhe na porositën që ato duhet të jenë bashkëudhëtarët tuaj kudo. Përpara kishim urën strategjike mbi Lumin e Kuq. Kjo urë lidhte kryeqytetin me të gjithë vendin prandaj ruhej me forca dhe armatime të shumta. Kaluam shpesh mbi këtë urë kur shkonim nëpër misione ushtarake gjatë qëndrimit gati një vjecar në Vietnam. Shënimet që kam mbajtur në bllkun e punës flasin se për të mbrojtur këtë urë është luftuar dhëmb për dhëmb. Ajo është e gjatë 2,5 km dhe me konstruksion metalik.

Amerikanët këtë urë e kanë bombarduar mbi 120 herë nga lartësi të ulta,të mesme dhe të larta ,ditën dhe natën.Mbi të janë hedhur mbi 165 raketa ajër-tokë. Janë hedhur në afërsi të saj 450 mina lundruese manjetiko-akustike. Një minë e tillë kishte 10 deri 50 kg eksploziv. Ato lundronin 25 cm nën ujë. Për ti ndaluar ato, vietnamezët kishin vendosur rrjeta teli 150 m larg këmbëve të urës. E pamë nga fare pranë sesi mirëmbahesh dhe mbrohej kjo urë pas çdo bombardimi. Në gjysëmerrësirë pamë flakët e saldatriceve që riparonin pjesët e dëmtuara, pamë qindra ushtarë që mbanin në krahë konstruksione metalike për pjesët e dëmtuara si dhe të tjerë që i lidhnin ato me njëra tjetrën.

Mbi kokat tona, mbi harqet metalike, pashë të vendosur çerdhe mitralozësh,topa kundërajrorë, mitralozë dygrykësh 14,5 mm, topa dy grykësh 57 mm me instrumentat e drejtimit. Ishin vendosur gjithashtu edhe një bateri dy grykëshe 57 mm dhe një kompani dy grykëshe 14,5 mm.Transportjerët e tullave dhe te llacit përdoreshin për furnizimin me municione të këtij armatimi.Vietnamezët ishin origjinalë në gjetjet e tyre, i kishte mësuar lufta e gjatë që të improvizonin. Me detyrën e zbuluesit mësuam se kjo urë mbrohej nga një regjiment kundërajror dhe nga një grup raketash tokë-ajër. Komandanti i regjimentit na tha se cdo ditë thyente 25 deri 30 sulme ajrore. Deri ato ditë të verës 1966 ishin rrëzuar 87 avionë amerikanë që kishin bombarduar urën e famshme, por ajo vazhdonte të mbahej e fortë.

Dita e parë në Hanoi
U nisëm për të shkuar në ambasadën tonë në kryeqytetin e Vietnamit të Veriut. Gjatë gjithë rrugës binte në sy lëvizja e njerëzve me bicikleta,veshja karakteristike e femrave me pantallona të holla e të gjera, këmisha të bardha dhe në këmbë sandale. Që të gjithë mbanin në kokë helmeta metalike ose prej bambuje. Ato të mbronin kokën prej copave të predhave të ftohta nqse bombardimet të zinin përjashta. Përgjatë trotuareve kishte qindra gropa të cilat shërbenin si strehime për kalimtarët kur i zinte alarmi në rrugë.

Sapo kishim mbërritur në ambasadë dhe ende nuk kishim përfunduar prezantimin e grupit,dëgjuam një drdhje xhamash. Pastaj një gjëmim i largët, i shurdhër. Shoqëruesi ynë vietnamez na sqaroi se amerikanët po bombardonin digat e liqeneve. Radio njoftoi se avionët ishin 45 km larg Hanoit. Pas disa sekondave sirenat e alarmit nisën të bien e kjo donte të thoshte se avionët ishin 20 km larg. Menjëherë rrugët u boshatisën dhe kalimtarët hynë nëpër gropat anës rrugëve.Shikoj se si një burrë,një grua me fëmijë në krah dhe një i moshaur me shportë në dorë strehoen nëpër gropa. Ata presin që të nisë qitja kundërajrore. Ndërkohë kalon me shpejtësi një makinë me flamur të verdhë. Janë makinat e shërbimit. Gjatë alarmit, nga një oborr dalin rrjesht njëri pas tjetrit njerëz me automatikë në duar. Ata zenë vend gjatë rrugës, pranë portave dhe i bëjnë armët gati.Ushtari që bën roje tek dera e ambasadës gjithashtu bën armën gati.Edhe ne hyjmë në strehim. Avionët amerikanë kanë mbërritur mbi Hanoi dhe nisin të bombardojnë.

Taktika e tyre e bombardimit ishte fluturimi në grupe të mëdha 100 deri 200 avionë.Vërtiteshin në ajër për të gjetur një shteg më pak të rrezikshëm në mënyrë që të futeshin në mënyrë të befasishme në qytet. Duke u vërtitur ata shpresonin të corientonin  qoftë edhe për disa sekonda radarët dhe mbrojtjen kundërajrore dhe pastaj grupe deri në 30 avionë shkëputeshin dhe bombardonin dhe mitralonin me shpejtësi maksimale nga një lartësi 500 deri 100 m. Fillimisht lëshonin raketa që të fitonin edhe disa sekonda të tjera kohë. Ata binin në pikiatë dhe shpesh e kishin shumë të vështirë që të dilnin dhe rrëzoheshin nga zjarri i artilerisë. Më pas sirenat dhanë alarmin se bombardimi mbaroi.

Bombat mbi Vietnam
Sipas programit fillimisht do ti nënshtroheshim disa orëve mësimi në akademinë vietnameze. Kjo për tu njohur me situatën luftarake si dhe me territorin ku zhvilloheshin luftime. Amerikanët më shumë zhvillonin luftë ajrore. Ata hidhnin mbi qytetet dhe fshatrat vietnameze bomba që nuk ishin përdorur më parë në luftime. Kishin zhdukur nga faqja e dheut fshatra të tërë si Vin Fuong, Saigon-Xhia Din, Ngu Tiu etj. Aty ku më parë kishte shtëpi shikoheshin vetëm disa gropa gjigande.

Amerikanët kohët e fundit në bombardime po përdornin  bombat sferike. Këto bomba kishin aftësi që të vrisnin vetëm qeniet e gjalla ndërsa objektet nuk i shkatërronin fare. Kjo bombë pasi hidhej nga avioni, në një lartësi 250 deri 300 m nga toka ndahej në ajër më dysh duke lëshuar 600 bomba të tjera të quajtura bomba bija. Çdo bombë bijë pëlciste në tokë duke u coptuar në 200 apo 300 copa sferike, pra në 300 bomba mbesa. Kështuqë kjo bombë bënte kërdinë kur hidhej në mjedise të populluara. Me 24 mijë copat e saj,efekti dëmtues ishte tepër i madh.Copat sferike kur futeshin në trupin e njeriut bënin zigzag në mënyrë që vdekja të ishte e sigurtë dhe ndërhyrja e mjekut e paefektëshme.

Shkuam dhe pamë fshatin Ngu Tiu i cili u bombardua 1275 herë dhe toka e tij për shkak të bombave dhe predhave të panumërta sot është shndërruar në një zonë minerare.

Amerikanët bombardonin cdo gjë,ditë natë, fëmijë që vraponin nëpër orizore, fenerë që ndriconin natën, kasolle të vogla ndanë udhës etj. Bombardonin digat e liqeneve. Nga 27 të tilla ata dëmtuan 19.

Në aksion, plagosjet e zbuluesve tanë
Pasi ndoqëm disa leksione teorike ju nënshtruam një stërvitje të fortë të ngjashme me ato të luftës në kushtet e përdorimit të lëndëve helmuese luftarake. Stërvitjet praktike i zhvilluamë në një temperaturë tropikale që arrinte deri në 40 gradë.

Erdhi dita që të merrnin pjesë edhe në aksione të vërteta. Disa prej nesh u caktuan që sëbashku me një grup zbuluesash vietnamezë të merrnim pjesë në një aksion zbulimi. Do të shkonim të zbulonim vendndodhjen e një formacioni ushtarak amerikan në provincën Nin Bin në mënyrë që të krijonim mundësinë e manovrimit të disa baterive kundërajrore dhe baterive të raketave për të ndërruar pozicionet e zjarrit pa u diktuar nga forcat amerikane. Dhe pasi pati përfunduar manovra u shfaqën befasisht 36 avionë amerikanë gjuajtës- bombardues F-105 në lartësinë 6000 deri 8000 m. Në ajër u ngritën edhe avionë vietnamezë Mig-21 të cilët drejtoheshin nga pilotë kinezë,rusë dhe vietnamezë. Për dy orë zhvillohet një betejë shumë e fuqishme ajrore. Nga të dyja palët pati dëmtime. Dëmet më të mëdha i pësoi pala vietnameze. Amerikanët ishin më të fuqishëm në luftimet ajrore.Teksa ndiqnim veprimet ajrore, 6 avionë amerikanë fluturuan fare ulët, rreth 300 m lartësi dhe bombarduan njërën nga bateritë e rraketave.Një predhë goditi sipër brrylit zbuluesin tonë Kujtim Lumani.Plaga ishte serioze dhe gjaku nuk po i pushonte.E transportuam në spital i cili ndodhej 60 km larg.Pasi mori ndihmën mjeksore ai u shtrua në spital në Hanoi.

Po kështu e pësoi edhe zbuluesi tjetër Sali Qazimi i cili duke kaluar një pengesë xheniere u plagos në këmbë.Vendi ishte infektuar nga përdorimi i lëndëve helmuese luftarake dhe ai mbeti i gjymtuar për gjithë jetën.

Në një tjetër mision zbulimi u ndjemë shumë të rrezikuar. Do të shkonim në një fshat 300 km larg Hanoit. Për të mbërritur atje duhej të kalonim një lumë që ishte 300 m i gjerë. Kishim hipur në lundra dhe po vozisnim sëbashku me zbuluesit vietnamezë. Por papritmas mbi kokat tona ndjemë fluturimin e një skuadrilje avionësh amerikanë të cilët u lëshuan në pikiatë dhe nisën të bombardonin jo vetëm fshatin por edhe lumin.Varka në të cilën ndodheshim për efekt të valës goditëse u përmbys. Ne u kapëm pas dërrasave të saj dhe nisëm të notonim në drejtim të bregut tjetër. Por njëri prej vietnamezëve u plagos rëndë. Pas një ore arritëm të dalim matanë, por vietnamezi për shkak të hemoragjisë nuk arriti të mbijetojë dhe na vdiq në duar.

Sapo mbërritëm në anën tjetër të bregut u gjendëm të rrethuar nga forcat e milicisë vietnameze ekuivalente me ish forcat tona territoriale. Ata na morën për amerikanë për shkak të ngjyrës së lëkurës sonë dhe nuk donin të na lëshonin.Vetëm pas gjysëm ore përkthyesi ynë vietnamez i bindi që të na linin të lirë.

Morëm pjesë në aksione për zbulimin e rrugëve të dëmtuara. Qëllimi ishte që ne ti paraprinim grupeve xheniere në mënyrë që ata sëbashku me milicinë popullore të riparonin rrugët e dëmtuara.Kemi parë sesi punohej gjithë natën për të riparuar rrugët e bombarduara nga avionët amerikanë. Gjithcka më parë sigurohej nga grupet e  zbuluesave.

Avionët bombardonin rrugët dhe qendrat e banuara. Në një rast pamë sesi u vranë familje të tëra, gra, burra, fëmijë e të moshuar. Pas bombardimit mbinë nga toka me qindra njerëz. Ata si në një ritual fillimisht ndihmuan të plagosurit dhe i dërguan në spital. Më pas zhvendosën të vdekurit dhe në fund ju përveshën punës për riparimin e rrugës.

Por krahas vietnamezëve të vrarë pamë edhe avionët B-52,të ashtuquajturit kështjella të ajrit, të kthyer në grumbuj hekurishtesh.Ato që konsideroheshin si krenaria e ushtrisë amerikane.

Robërit amerikanë
Asistuam në disa raste, kur pilotët amerikanë, pasi avionët e tyre goditëshin nga artileria vietnameze, hidheshin me parashuta.Ata në të shumtën e rasteve binin në duart e popullsisë vietnameze.Amerikanët i kërkonin vietnamezëve që ti trajtonin mirë dhe ti jepnin për të ngrënë.Një pjesë e tyre i kishin prindërit të pasur dhe kërkonin që ti shkruanin atyre që të likujdonin dëmet ekonomike të shkaktuara nga bombardimet në mënyrë që të liheshin të lirë.Ato grumbulloheshin në qendra të caktuara dhe i conin të punonin në sektorë të ndryshëm.

Në një rast, një amerikan pasi u hodh me parashutë u zu rob nga një fshatar vietnamez.Ky e hipi mbi një buall dhe e trasnportoi në qendrën e grumbullimit të robërve.Shtypi vietnamez e fiksoi këtë pamje dhe gazetat të nesërmen publikuan foton me deciturën “nga avioni mbi buall”.

Përballja me rusët
Kur u nisëm për në Vietnam na porositën që sovjetikët nuk duhet ta merrnin vesh praninë tonë atje. Por një porosi e tillë ishte e kotë pasi sovjetikët kishin përfaqësuesit e tyre në të gjitha hallkat e ushtrisë vietnameze. Gjatë një udhëtimi të gjatë për të kryer rikonjicion (përnjohje terreni), në të ashtuquajturën “Rruga e Jetës”, koridori strategjik nëpër të cilin kalonin ndihmat për në jug, grupi ynë i shoqëruar nga kolegët vietnamezë qëllon përballë të “bardhëve” siç i quanin vietnamezët rusët. U përballëm me ta pranë një burimi ku ishim ndalur të pinim ujë. Atyre ju bëri përshtypje prania jonë dhe u interesuan për të mësuar se cilët ishim. Natyrisht që vietnamezët dhanë sqarimet e duhura duke thënë se ne ishim miq dhe ata duke tundur kokat u larguan në punën e tyre.

Përvoja jonë përfundoi në pluhur
Pasi u kthyem në vendin tonë.Të gjithë eksperiencën e grumbulluar në Vietnam ne e hodhëm në literaturë të bollshme për repartet e zbulimit. Për 7 vjet kjo literaturë ishte efikase dhe studiohej në shkollat ushtarake por edhe në repartet speciale. Por në vitin 1974, pas goditjes që sistemi i dha ushtarakëve të lartë, kjo literaturë u hoq nga qarkullimi dhe unë nuk di se cu bë me të.I gjithë ai mundim dhe sakrificë shkoi dëm.

Vietnami ishte një eksperiencë e madhe dhe me mbresa të pashlyera,  por unë vetëm kaq mund të tregoj sepse konjukturat politike janë të tilla që më kufizojnë në tregimin tim për atë luftë. Amerikanët janë miqtë tanë tashmë.

d.b/shqiptarja.com

Artur Korriku