Historia dhe legjenda e thesarit të “Hijes së Korbit” që u gjet pranë Maliqit në 1982

Në janar të vitit 1982, në vendin e njohur sot me emrin “Hija e Korbit”, u gjet një thesar monedhash antike. Kodra ku është gjetur thesari ngrihet pranë qytetit të Maliqit, mbi bregun e majtë të lumit Devoll.

Nisur nga pozicioni strategjik dhe sipërfaqja, Hija e Korbit mendohet të ruajë rrënojat e një qyteti të lashtë ilir të Desaretisë antike, identifikimi i të cilit nuk është përcaktuar përfundimisht.

Thesari përbëhet nga 618 monedha argjendi, të prera në një periudhë kohore që shkon nga shek. IV p.e.s., përfaqësuar nga tetradrahmet e Athinës, dhe përfundon me tetradrahmet e fundit të shekullit III p.e.s. të prera nga Antioh Hieraks, i mbretërisë seleukide.

Në përbërje të thesarit gjejmë dy vlera monedhash: tetradrahme dhe drahme, të prera nga qytete dhe mbretër si: Athina, Aleksandri i Madh dhe Filipi III, të prera pas mbretërimit të tyre, të Lysimahut të Thrakisë, të Eumenit I, mbretit të Pergamit, të mbretërve Seleukidë, dhe mbretit të Maqedonisë, Antigon Gonatës.

Muzeu i Bankës së Shqipërisë, ka të ekspozuar në katin numizmatik të tij, një pjesë të këtij thesari, të huazuar nga Instituti i Arkeologjisë. Për më shumë, ju ftojmë të prenotoni vizitën tuaj në linkun:

https://www.bankofalbania.org/Muzeu_dhe_Edukimi/Muzeu_i_Bankes_se_Shqiperise/?fbclid=IwAR0tyRwQVhDHLssZ79b3Ck0sq19be_LMCRAyHYQlWwL3veCap34Wcej0400

Burimi:Banka e Shqipërisë

*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.