Hetuesit dhe prokurorët e diktaturës thanë se trazirat e ambasadave në Tiranë u nxitën nga “Zëri i Amerikës”

Hetimet rreth ngjarjeve të ambasadave kanë vijuar edhe në ditët e para të gushtit. Madje mund të thuhet se përfundimet e para të hetimeve kanë dalë pas datës 2 gusht. Dokumenti që është publikuar është një raport i hetuesisë së përgjithshme në Tiranë. Ai është hartuar nga kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme Qemal Lame dhe një ekzemplar i njëjtë me t ë ishte dërguar me 2 gusht 1990 po prej tij edhe kryeministrit të asaj kohe Adil Çarçani.

Raporti trajton me hollësi çfarë ka ndodhur gjatë mëngjesit dhe paradites së datës 26 korrik 1990 dhe si janë zhvilluar hetimet për të gjithë të dyshuarit që ishin ndaluar. Kryehetuesi shkruan se ishin ndaluar nga policia gjatë trazirave mbi 1000 persona dhe më poshtë jep shifrat e të arrestuarve dhe nga cilat qytete vijnë. Informacioni që ngjall kureshtje, është ai që lidhet me shkakun e këtyre organizimeve të paligjshme drejt dyerve të ambasadave të huaja në Tiranë.

Sipas këtij raporti shumë persona ishin njoftuar nga lajmet e agjencive të huaja dhe kryesisht nga radio “Amerika” (Zëri i Amerikës, shkruhet në një tjetër shkresë të ngjashme). Më tej jepen detaje të hollësishme mbi disa raste speci-fike. Për shembull në njërin prej tyre njoftohet se “te lokali “Progresi” përballë ambasadës turke, një person ka shkuar nëpër tavolina dhe u ka bërë thirrje: “Hajdeni çuna, se erdhi ora. Kush është për lojën e madhe të lëvizë. Vajti ora dymbëdhjetë”.

DOKUMENTI

REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË

HETUESIA E PËRGJITHSHME

Sekret

HETUESIA E RRETHIT

Ekzemplar Nr.

Nr. Prot.

Tiranë, më Lënda: Për hetimin e deritanishëm të grumbullimit të paligjshëm në datën 26.07.1990 në Tiranë

Në datën 26.07.1990, në mëngjes e gjatë paradrekes, siç është njoftuar më parë, në qytetin e Tiranës dhe veçanërisht në rrugët “Kongresi i Përmetit” e “Konferenca e Pezës” ka pasur grumbullime të mëdha njerëzish, kryesisht të ardhur nga rrethet, që lëviznin në afërsi të përfaqësive të huaja diplomatike.

Në orën 12oo, rreth 300-400 veta janë grumbulluar para Ministrisë së Tregtisë së Brendshme, Lidhjes së Shkrimtarëve, lokalit të pastrimit kimik e rrugicat rreth tyre. Turma ka lëvizur në drejtim të ambasadës jugosllave. Rreshti i parë ka pasur tulla, gurë e shkopinj në duar dhe kanë thirrur “Oo…ooo…o”, “Liri-Demokraci”. Me ndërhyrjen e organeve të policisë, menjëherë pjesëmarrësit në grumbullimin e paligjshëm janë shpërndarë me shpejtësi në drejtim të qendrës e rrugicave të qytetit. Nga policia u kapën 2 persona kur u shpërnda turma, ndërsa të tjerët u larguan. Pas ngjarjes, në orën 1530, kanë filluar kontrolli e shoqërimi në polici i personave të dyshimtë. Në kërkim të pjesëmarrësve dhe gjatë kontrollit të bërë nga organet e policisë në qendër dhe në periferi, në stacionin e trenit dhe në rrugët kryesore që lidhin Tiranën me rrethet, në datat 26 e 27.07.1990 janë kapur 1 003 veta. Ata ishin kryesisht në mosha të reja, elementë rrugaçë e vagabondë, individë e ndonjë familje nga 19 rrethe, kryesisht nga Durrësi, Shkodra, Vlora, Fieri, Kruja, Elbasani, Lushnja, Lezha etj., dhe nga Tirana. Hetuesia e Përgjithshme, hetuesia e rrethit Tiranë dhe hetuesitë në rrethe, organizuan menjëherë punën për verifikimin e përgjegjësisë dhe për të zbuluar e dokumentuar veprimtarinë e organizuar armiqësore e keqbërëse. Janë ndaluar gjithsej 544 persona, nga të cilët në Tiranë 159 e në rrethet Vlorë, Fier, Shkodër, Lezhë, Elbasan, Durrës, Lushnjë, Krujë, Berat e Korçë 385 persona. Pasi u bënë verifikimet nevojshme janë liruar 292 persona të ndaluar pasi nuk u evidentuan të dhëna për pjesëmarrje në grumbullimin e paligjshëm, hyrje në ambasada apo ndonjë vepër tjetër penale.

Të gjithë këta persona u këshilluan nga hetuesia dhe pastaj nga policia duke u paralajmëruar për t’u marrë masa parandaluese në rast përsëritjeje. U bënë edhe këshillime nga fronti në lagje për t’u ngritur opinioni shoqëror. Ndalimet e arrestime janë mirëpritur. Ato ndihmuan edhe në parandalimin e grumbullimit që përgatitej për në datën 27.07.1990 para ambasadave. Pas këtyre masave personat e dyshimtë nga Tirana e të ardhur nga rrethet u larguan menjëherë nga rrugët, pranë territorit të ambasadave. Tani gjendja është e normalizuar. Nga hetimet e zhvilluar del se këta persona, në datat 26 e 27.07.1990 kanë ardhur në Tiranë, të përgatitur për grumbullime të paligjshme e për të hyrë në mënyrë të paligjshme në përfaqësitë e huaja diplomatike. Me vete u janë gjetur adresa e numra telefoni të lidhjeve të tyre familjare, miqësore e shoqërore që janë arratisur ose që kanë kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin më parë e që jetojnë jashtë vendit.

Ardhja e tyre nga rrethet ka filluar në datën 20.07.1990, me grupe të organizuara deri në 7 persona dhe me individë të veçantë. Kanë fjetur nëpër lulishte, në konviktet e studentëve e të qytetit të nxënësve dhe në shtëpitë e personave të ndryshëm. Në mënyrë të hapët është folur për hyrjen në ambasada. Njoftimet për datat e hapjes së ambasadave e ardhjen në Tiranë i kanë marrë nga agjencitë e huaja e sidomos nga Radio “Amerika”, që transmetojnë në gjuhën shqipe.

Janë bërë edhe telegrame të koduara, të cilat janë dërguar nga lidhjet e tyre me banim në Tiranë ose janë lajmëruar me anë të personave që kanë shkuar nga Tirana. Thuhet se kanë qarkulluar me motorë, por nuk ka dëshmitarë pasi nuk pranojnë të pyeten. Në hetim po evidentohen të dhëna për organizatorët e grumbullimit të paligjshëm dhe për hyrjen në ambasada. I pandehuri Ismail Gilani nga Lezha jep shpjegime se ka marrë pjesë në grumbullimin e paligjshëm. Thotë se te lokali “Progresi” përballë ambasadës turke, një person ka shkuar nëpër tavolina dhe u ka bërë thirrje: “Hajdeni çuna, se erdhi ora. Kush është për lojën e madhe të lëvizë. Vajti ora dymbëdhjetë”. Të pandehurit Bashkim Dollia dhe Arben Myrtezaj nga Kavaja japin shpjegime për vete e për 20 persona të tjerë që kanë marrë pjesë në grumbullimin e paligjshëm, në datën 26.07.1990 në Tiranë; si dhe në datat 4 dhe 11.07.1990 në Kavajë. Me këta të pandehur po thellohet hetimi edhe për organizatorë te grumbullimeve në Kavajë.

Bashkim Dollia jep të dhëna për një person nga Shkodra që ndaloi një karrocë të ngarkuar me bishta lopate e ristela të trasha dhe bëri thirrje për t’i marrë pjesëtarët e grumbullimit, me gjithë kundërshtimin e karrocierit se i kishte në ngarkim. Po punohet për t’i gjetur këta persona. E pandehura Hane Beqiri, nga Durrësi, pjesëmarrëse në grumbullimin e paligjshëm, ka shpjeguar se i njeh personat që kanë qenë nga Durrësi. Nga verifikimet e deritanishme, ajo ka njohur një prej tyre, i cili është ndaluar.

Nga të pandehurit e tjerë del se ajo ka qenë aktive dhe ka grumbulluar shumë persona. I pandehuri Gjovalin Zefi nga Shkodra, në grup me 6 persona të tjerë është organizuar për të hyrë në ambasadat e huaja dhe për këtë është vënë në dispozicion për t’i ndihmuar dhe kamerierja Bjanka Sula që punon në pastiçeri “Partizani”. Kjo del si organizatore e nxitëse në Tiranë. I pandehuri Petrit Agaçe nga Fieri në bashkëpunim me 6 persona të tjerë nga Tirana e Shkodra kanë organizuar hyrjen në ambasada. Ata janë përgatitur për terror ndaj personelit të policisë që ruante ambasadat. Për këtë qëllim hyrjen do ta kryenin me anë të një skode që do ta vidhnin tek agjencia e Laprakës ku banonin.

 

Grumbullimet e paligjshme në Tiranë e në rrethe të tjera si dhe hyrja në ambasada është organizuar e nxitur nga zbulimet e huaja nëpërmjet diplomatëve të ambasadave dhe që hedhin në veprime aktive armiqtë e brendshëm, të deklasuar, të dënuar si dhe nga ata me qëndrim të mirë të mëparshëm por që kanë filluar të lëkunden, të mos kenë besim e të kalojnë në anën e armikut. Këtë version po e hetojmë me përparësi, megjithëse deri tani nuk kemi prova të vërtetuara. Hetimet janë bërë menjëherë, brenda disa orëve për personat e dërguar në gjykatë. Kujdes është treguar për zbatimin e ligjshmërisë dhe vërtetimin me prova të fajësisë së të pandehurve.

Në Tiranë e në rrethe janë dërguar në gjyq 207 të pandehur e janë gjykuar. Disa prej tyre u zbulua se kishin kryer edhe vjedhje e krime të tjera. Janë dënuar nga 15 ditë, 1 muaj e deri në 6 muaj e disa deri në 1 vit heqje lirie. Në hetim janë edhe 24 të pandehur, me të cilët po punohet intensivisht për të zbuluar organizatorët. Ka vështirësi për zbulimin pasi nuk ka akoma të dhëna të tjera. Nuk kemi as kallëzime nga qytetarët. Konstatohet edhe hezitim për të dëshmuar. Për thellimin e zbulimit po bashkëpunohet me Ministrinë e Punëve të Brendshme.

KRYETARI I HETUESISË SË PËRGJITHSHME

QEMAL LAME