Helidon Fino, aktori që solli role gjithnjë sfidues dhe konkurues në artin skenik shqiptar

1

Helidon Fino është një ndër aktorët më të preferuar sot në skenën e teatrit. Janë disa kryerole që kanë pasuar njëri –  tjetrin, si në teatrin kombëtar, ashtu edhe në shfaqje të tjera, role që flasin për artin, talentin e sharmin e tij artistik. Dhe është publiku, spektatori që e do, e duartroket dhe e mirëpret lojën e tij skenike. Së fundi Fino shkëlqeu në një nga pjesët klasike të Sofokliut, “Pushteti i grave”, e cila u shfaq premierë gjatë muajit prill dhe pritet të mbyllë sezonin artistik, 2016-2017, me disa shfaqje gjatë muajit qershor. Klasi dhe cilësia e një aktori varet shumë nga pjesët dhe rolet që interpreton në skenë. Pa dashur të ulim vlerën e dramaturgjisë shqipe, janë rolet nga dramaturgjia botërore ato që flasin, ato që vlerësojnë aktorin. Dhe, për fat të mirë, nuk janë pak role nga dramaturgjia botërore, janë afro 30 pjesë, që janë interpretuar nga aktori, në këto 20 vjet.

Helidoni i përket brezit të parafundit që erdhi në skenën e Teatrit Kombëtar, bashkë me ndryshimet sociale e politike, në mesin e viteve 90-të. U diplomua në vitin 1994, në Akademinë e Arteve, nga pedagogët e shquar, që kanë nxjerrë sa e sa kolegë të nderuar, emrat më të vlerësuar të  skenës sot, edhe në botë. Pas disa roleve që kur ishte student, menjëherë, në skenën e Teatrit kombëtar, erdhi me shfaqjen “Gënjeshtari” e më pas “Lojëra në oborrin e pasmë”, me studion e të rinjve. Janë tre shfaqje të tjera të cilat e evidentuar atë si një nga aktorët e rinj premtues në skenën, “Vdekja e Dantonit”, “Mashtruesit”, “Quo Vadis” , “Muzeu”, madje me rolin e tij në “Quo vadis” u vlerësua me çmim në Festivalin e Kombëtar të Teatrove.

U pranua aktor profesionist në këtë teatër në vitin 1998. Më pas vijnë një serë rolesh, njëri më i bukur de tjetri. “Utopus”, “Armiku i popullit”, “Kaptitulli i dytë”, “Pleshti në vesh”, “Art” etj.

Deri më sot, janë mbi 20 vjet në skenën e TK, me, të paktën  nga 2 role në sezon, pa llogaritur disa role në produksionet jashtë TK,  dhe jo pak por afro 50 role për një aktor të ri që është ndër aktorët më aktivë të teatrit. Si aktor Helidoni e ruan bukur sensin e masës, natyrshmërinë, edhe pse personazhi që interpreton, e rrëmben dhe e çon atë deri në fund, për ta bërë atë sa më të besueshëm në sytë e publikut.  Gjatë lojës është i lirshëm,  gazmor dhe shpotitës, herë – herë  humori i tij ka nota ironie e sarkazme,  por që qëndron në një raport të drejtë  mes personazhit që interpreton dhe raportit që ka me partnerët.  Gjatë intepretimit i beson shumë fjalës, të folurit pastër, jo nëpër dhëmbë e as i ndrojtur. Është aktor sa i komedisë aq edhe i dramës e tragjedisë. Personazhet e tij shkojnë nga një ekstrem në tjetrin, dashurojnë, urrejnë, puthin e vrasin… Ata janë të ndryshëm, sa në pamje, aq edhe në interpretim. Këtë e vërtetojnë më së miri role të tilla në pjesët e TK, “Berberi i Seviljes”, “Kush ka frike nga Virxhina Ulf”, “Edipi Mbret”, “Ëndrra e një nate vere”,  etj. Pa u zgjatur përmendim vetëm rolet e fundit të tij, te “Tri motrat” të Anton Çehov, ku interpretoi  rolin e Kolonel Vershinin, “Zbutja e Kryeneçes” e Shekspirit, në rolin e Petriuços,  se fundi  te “Pushteti i grave”. Ndërkohë në muajin shkurt solli edhe të parën regji të tij, dramën “5 djelmoshat”, si premierë e radhës në TK.

Edhe në filmin artistik Helidoni ka një kontribut me disa role, si në filmat e Gjergj Xhuvanit “I dashur armik”,  “Lindje perëndim lindje”, “Në kërkim të kujt”, apo në filmat “Paraja”, seriali i famshëm, me dhjetëra seri, “O sa mirë”, etj.

Aktori Helidon Fino është vlerësuar jo vetëm nga publiku, por dhe nga kritika, duke marrë disa çmime e vlerësime kombëtare.

Aktori Helidon Fino, duke interpretuar gjate drames “Edipi Mbret” te Sofokliut, me regji te Ilir Bokshit, ne Teatrin Kombetar.

Helidoni ka një raport të drejtë me kolegët, drejtuesit, miqtë, gjithçka ecën sipas një strategjia që ai ka ndërtuar vetë e që ka dalë i fituar. Nuk e tremb as konkurrenca, as pjesa që vihet e as përzgjedhja e shijet e regjisorëve. Nëse një sistem teatror si i yni funksionon, ku sikush ka hapësira sipas talentit e meritës, le të vijojë, pse jo. Nëse ka aktorë të rinj të talentuar, le të futen në teatër. Nuk është numri i të punësuarve ai që bën një teatër, por angazhimi dhe vendi që ze aktori në pjesët që vihen aty. “Unë me shumë kolegë të mi nuk i trembemi kontratës. Unë e quaj veten të kontraktuar me shtetin dhe jam i prirur të punoj dhe jap kontributin tim, arrij të punoj dhe mos refuzoj. Kam bindjen time personale, që brenda profesionit si aktor të jap frytet dhe kontributet e mia. Meqë po flasim për teatrin, dua të shtoj se dhe të rinjtë e aftë duhet të jenë prurje e domosdoshme e teatrit.”

Ky ishte një sezon i shkëlqyer për Helidonin, me kryerole në teatër, me mjaft paraqitje televizive në ekrane të ndryshme, prezantime të medien e shkuar, shfaqja për herë të parë e tij si regjisor teatri dhe, mbi të gjitha,  një investim më shumë në karrierën e tij të suksesshme si aktor. Sezoni teatror 2016-2017 po i vjen fundi. Javët e para të qershorit rikthehet edhe një herë komedia e Aristofanit “Pushteti i grave”, ku Helidonin do të shfaqet me rolin e tij më të fundit, ndërsa në projektet e radhës janë role të tjerë që do i besohen në sezonin e ri artistik 2017-2018, pa lënë mënjanë edhe ndonjë rol të mundshëm në ekranin e madh të kinemasë.

Si u bëtë pjesë e Teatrit Kombëtar  dhe cili është roli juaj i parë në këtë teatër?

Helidon Fino: – Roli im i parë në Teatrin Kombëtar ka qenë menjëherë, një vit pas mbarimit të Akademisë, pra në vitin 1995, roli i protagonistit, Lelio Bisognosi, në komedinë “Gënjeshtari” të Goldonit, me regji të Hervin Çulit… dhe, pas dy viteve me kontrata për shfaqet njëra pas tjetrës, bëhem aktor i brendeshëm i Teatrit Kombëtar.

Dramaturgjia e huaj duket sikur ju përshtatet më mirë dhe shpërthimi juaj është aty. Po drama shqipe?

Dramaturgjia e huaj është qindra dhe mijra vjeçare dhe dramaturgët me nacionaletete të ndryshme në bote, kanë bërë një rrugëtim të gjatë dhe mjaft konkurent, duke bërë vepra dhe kryevepra dhe kështuqë, jo vetëm unë, por dhe çdo aktor në botë, gjen një megagamë të madhe rolesh dhe karakteresh, ku mund të shpërthejë dhe të gjenerojë natyrën njerëzore, me të gjitha marrëdhëniet dhe fenomenet shoqërore, në një kënd 360 gradë. Dhe dramaturgjia shqipe ka patur dhe ka gjurmet e saj dhe ngacmon goxha, edhe pse duhet ta pranojmë qe bërballë asaj botërore, në formimin e saj, është akoma “minorene”… por unë jam optimist për zhvillimin dhe frymën që po sjellin dramaturgët tanë të rinj.

Çfarë raportesh keni me shtypin, medien? U mbetet qejfi nga “sulmet”, kritikat, spekulimet?

-Mjaft të mira i kam marrëdhëniet me shtypin dhe mediat… Kështu, mendoj, se i kanë dhe ata me mua… E rëndësishme është që kjo marrëdhënie të jetë korrekte-profesionale. Ndaj “sulmeve” bëhem dhe më i fortë, nga “kritikat” zhvillohem edhe më shumë, ndërsa “spekulimet” i neveris.

Në këtë kuadër, dua të prek regjinë tuaj të parë me pjesën “5 djelomshat”. Edhe ne, për fat të keq, patëm një spekulim me këtë rast. Shfaqja pati sukses dhe gjejmë rastin t’ju kërkojmë ndjesë. Si është e vërteta e shfaqjes suaj?

-Nuk do ta quaja “spekulim” nga ana juaj, por nje “rreshkitje e vogel” si rrjedhojë e mungesës së informacionit… Shfaqa ime, “5djelmoshat”, erdhi në Teatrin Kombëtar si produksion privat, me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës, Digitalb dhe Ministrisë së Kulturës dhe, natyrisht, edhe nga Teatri Kombetar. Shfaqja erdhi në skenën e teatrit, kur u krijua një hapësirë boshe, nga momenti kur u shty tragjedia “Makbeth”, e parashikuar në muajin shkurt nga Teatri Kombëtar.

Mendoj që tek “5 djelmoshat” kryem një proces tejet profesional, impresioni i mbetet publikut.. Megjithatë, ju falënderoj për vëmendjen dhe insistimin, për të qenë korrekt.

Çfarë raportesh kemi me filmin, regjisorët e filmit? Jeni më pak i angazhuar se teatri, por kemi patur sukses te “Oh sa mirë!”

Teatri është vendi ku unë ushtroj profesionin që prej 22 vjetesh, por dhe filmin e dua dhe regjisorët e filmit, shumica, jane miq dhe kolegë, por ashtu siç ndodh me filmin në vendin tonë qe realizimet janë të rralla, edhe une jam një nga ata të “rrallë”.

Si e shikoni teatrin sot? Politika drejtuese dhe shtetërore?

-Unë luaj dhe jam aktiv në teater dhe jo vetëm unë.. dhe e ndjek me vëmendje dhe e shoqëroj dinamikën e teatrit. Këto vitet e fundit ka një intesitet vëniesh në skenë të veprave ndërkombetare dhe kombëtare, regjisorë të shumtë kombëtarë, me përvojë dhe të rinj, gjithashtu dhe rigjisorë të huaj, pjesëmarrje të madhe aktoresh dhe fluks të brezave dhe plot te rinj që, në të terën, mendoj se po arrihet një përballje dhe konkurencë  korrekte profesionale. Politikat drejtuese, në më të shumtën, kanë aplikuar metodikat nga teatrot më të zhvilluara, por mendoj që jemi akoma në fillim. Ka akoma shumë punë për t’u bërë dhe komuniteti duhet dhe do të jetë akoma më aktiv për të përmirësur këto politika. Ndërsa shteti duhet të rrisë me 50% vëmendjen dhe investimin për ta ngjitur me lart stimulin dhe punën e teatrit.

Cilat janë projektet tuaja të afërta ku do t’ju shohë spektatori?

-Së shpejti do shpallet kalendari i teatrit për sezonin që vjen dhe do te njihemi të gjithë.. Jam duke punuar në një shfaqe private, e cila del në tetor në teatër dhe, në shtator Teatri Kombetar shkon ne festivale, në dy qytete të Kinës me “Zbutja e Kryeneçes” dhe ne vazhdim, nëntor – dhjetor, etj. kam projekte të cilave radhën nuk ua di mirë, për momentin.

18596394_828687250639316_68459218_o 18600485_828687203972654_468694817_n2 18601569_828687477305960_218303706_n

Një mesazh për që dëshiron t’ia japësh dikujt?

Për të gjithë kam shumë mesazhe, por po e përmbledh vetëm me EJA NE TEATER! Ju faleminderit! “55”