HEGJEMONIZMI SERB SI IDE DHE KONCEPCION AFATGJATË I POLITIKËS DHE I SHOQËRISË SERBE

Nga ideja deri te realizimi i spastrimeve etnike të shqiptarëve

Shkruan: Akademik Hivzi ISLAMI

Me sa dihet deri tash, projekti i parë, ku janë vënë bazat e idesë së Serbisë Madhe, është “Naçertanije” e Ilija Garashaninit e vitit 1844. Të gjitha hulumtimet e deritashme tregojnë se “Naçertanija” ishte një projekt sekret i Qeverisë së Serbisë së atëhershme, ku në emër të homogjenizimit dhe integrimit të popullit serb, insistonte në krijimin e Serbisë së Madhe, përkatësisht të një shteti të sllavëve të jugut ku do të dominonin dhe sundonin serbët. Që në fillim të projektit theksohet se “themeli i politikës serbe” është se Serbia “nuk mund të ngushtohet në kufijtë e sotëm, veçse ajo synon t’i afrojë e bashkojë të gjithë serbët që e rrethojnë”. Se projekti bazohej në mitet e së kaluarës shihet nga kërkesa për përtëritjen e Mbretërisë Serbe të car Dushanit: “Shteti serb…tabanin e fortë e kishte në mbretërinë serbe të shek. 13 dhe 14 dhe në historinë e pasur e të lavdishme serbe”, sikundër që “Koha jonë e tanishme, pra, nuk do të jetë e këputur nga e kaluara, veçse do të jetë një tërësi e varur, e lidhur, e organizuar, prandaj kombi serb, nacionaliteti i tij dhe jeta shtetërore e tij qëndron në mbrojtjen e së drejtës së shenjtë historike”. Serbia e Madhe, sipas Naçertanisë, do të nënkutponte një shtrirje të gjerë territoriale: Serbia, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi, Sllavonia, Sremi, Banati, Baçka, pjesa më e madhe e Kroacisë së sotme. Ajo do të kishte një ndikim të madh në Bullgari përmes shkollimit e arsimit, letërsisë, librave të lutjeve kishtare dhe të tjera, kuadrit fetar, emisarëve të ndryshëm sekretë, ndërsa përmes propagandës serbe do t’i mbështeste bullgarët në rast rreziku etj. Ndërkaq, përmes lidhjeve tregtare, parashihej një ndikim i madh i Serbisë në Shqipërinë e Veriut, që ishte projektuar si zonë e interesave serbe.
Ndër projektet serbomëdha dhe veprimet e organizuara të bandave çetnike kundër popujve joserbë duhet përmendur edhe organizatën “Crna ruka” (“Dora e zezë”), e cila për nga idetë, qëllimet dhe metodat e veprimit ishte padyshim terroriste dhe kriminele që ishte formuar qysh në vitin 1903 nga strukturat militante dhe kriminele të ushtrisë serbe. Pas një përçarjeje të brendshme, në vitin 1911 “Crna ruka” e ndërron emrin dhe shndërrohet në organizatën “Bashkim ose vdekje”. Mirëpo, për nga orientimi nuk ndërron asgjë, mbetet organizatë sekrete, që merret me komplote, atentate dhe veprime terroriste çetnike.[1] Detyra kryesore e saj, sipas Kushtetutës dhe Rregullores që e kishin, ishte bashkimi i popullit serb në një Serbi të madhe dhe komplotet kundër të drejtave dhe lirive të popujve joserbë në gjithë territorin e ish-Jugosllavisë. Në nenin 1 të Kushtetutës kështu definohej qëllimi i organizatës: “Me qëllim të realizimit të idealeve të popullit – bashkimit të serbizmit – krijohet organizata, anëtar i së cilës mund të jetë çdo serb, pa marrë parasysh gjininë, fenë, vendin e lindjes, si dhe secili që do t’i shërbejë sinqerisht kësaj ideje”. Kushtetuta konsiston në idenë hegjemoniste serbe, sepse gjithë territorin e Jugosllavisë së Parë, në nenin 7, e konsideron serbe: “Përveç anëtarëve nga Mbretëria Serbe, Drejtorinë Supreme Qendrore (DSQ) e përbën edhe nga një delegat i autorizuar i organizatave të të gjitha krahinave serbe: nga Bosnja e Hercegovina, nga Mali i Zi, nga Serbia e Vjetër dhe Maqedonia, nga Kroacia, nga Sllavonia dhe Sremi, nga Vojvodina, nga viset bregdetare”.
Eksperiencat e kësaj organizate dhe e bandave të tjera çetnike në krimet ndaj shqiptarëve janë shfrytëzuar gjatë gjithë shekullit XX.[2] E. Durham, duke iu referuar raporteve të Komisionit Karnexhi, bën me dije se në vitet 1913-1914, pas aneksimit të Kosovës dhe viseve tjera shqiptare nga Serbia më 1912, “masakrat ishin planifikuar dhe ishin kryer nga shoqëria “Dora e Zezë”. Damjan Popoviqi, drejtuesi i bandës së mbretvrasëve, udhëhoqi masakrat në Kosovë. Dhe e gjithë kjo bënte pjesë në planin e parapërgatitur serbomadh…Meqë “Dora e Zezë” është një qeveri brenda qeverisë, por jo zyrtare, Beogradi gjithnjë ngre pretendimin se nuk di gjë për bëmat e saj”.[3] Për mizoritë dhe krimet që i kishin bërë këto organizime serbe dhe ushtria serbe e xhandarmëria më së miri dëshmojnë rrëfimet e dokumentuara trishtuese të Leo Frojndlihut, të bëra publike në Vienë në kohën kur edhe janë kryer (1912-1913), me titull “Golgota shqiptare”.[4]
Krizat dhe luftërat në përmasa botërore dhe rajonale në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX patën si rezultat formimin e shteteve të reja dhe krijimin e raporteve të tjera etnike, demografike dhe sociale në Ballkan. Pas këtyre konflikteve dhe ndryshimeve paraqiteshin shkencëtarët serbë me argumentet, kunkluzionet dhe porositë e tyre, por gjithnjë nga pozitat e hegjemonizmit serb. Ndër ta dallohej veçanërisht Jovan Cvijiqi (1865-1927), një figurë e njohur në shkencën dhe politikën serbe të kohës. Veproi dhe në shumë çështje influencoi në kohën e thyerjeve të rëndësishme historiko-politike, gjeopolitike dhe etnodemografike në Ballkan pas Krizës Lindore dhe Kongresit të Berlinit (1878), përfundimit të sundimit pesëqindvjeçar osman (1912), luftërave ballkanike (1912-1914), copëtimit të tërësisë etnike shqiptare (1913), Luftës I Botërore (1914-1918), krijimit të Jugosllavisë Serbe të Versajës (1919) etj. Serbinë e Madhe si ide dhe aspiratë politike, të përpunuar “shkencërisht” e gjejmë pikërisht në veprat antropogjeografike dhe etnografike të Cvijiqit, por të paraqitur edhe para tij dhe të përsëritur agresivisht shumë herë pas tij.
Për Kosovën dhe shqiptarët Cvijiqi bën fjalë në shkrimet e botuara kryesisht midis viteve 1912 dhe 1921, të cilët i trajton në kuadër të çështjeve mbi Siujdhesën Ballkanike, gjeomorfologjinë, antropogjeografinë dhe etnologjinë e tij, mbi daljen e Serbisë në detin Adriatik etj. Për arsye se këto shkrime gjenden të shkapërderdhura në organe të ndryshme të kohës brenda temave të zëna në gojë dhe më tepër si fragmente në to, këtu edhe nuk mund t’i sjellim si dokumente apo shqyrtime të veçanta. Pikëpamjet e Cvijiqit do t’i analizojmë dhe komentojmë në këtë pjesë të shqyrtimeve tona më hollësisht, duke i cituar besnikërisht nga tekstet e shumta të tij, të publikuara në “Osnove za geografiju i geologiju Makedonije i Stare Srbije”, “Glasnik Srpskog geografškog društva”, “Govori i èlanci”, “Balkansko poluostrvo i južnoslovenske zemlje”, “Etnografski spisi” etj.
Cvijiqi shquhej sidomos në Konferencën e Paqës në Versajë (1918-1919), ku në cilësinë e ekspertit kishte një rol jo të vogël edhe politik në vlerësimin e rrethanave dhe argumenteve “nga terreni” për caktimin e kufijëve midis shteteve dhe bashkësive etnike, ku më së shumti u dëmtuan shqiptarët. Ai ishte shef i delegacionit serb në këtë konferencë dhe drejtonte edhe seksionin etnografiko-historik të saj, ku bëheshin edhe hartat etnike dhe caktoheshin kufijtë. Në shoqërinë e atëhershme serbe, por edhe në qarqe të caktuara evropiane Cvijiqi konsiderohej si njohës më i mirë i Ballkanit, i gjeomorfologjisë së tij, i strukturës shoqërore dhe i marrëdhënieve midis popujve, ndërsa në fillim të shekullit të kaluar do të bëhej shumë i angazhuar edhe në skenën publike të Serbisë (dy herë rektor i Universitetit të Beogradit; shumë vjet kryetar i Akademisë Mbretërore të Shkencave)[5]. Ai kishte themeluar shkollën gjeografike të drejtimit antropogjeografik, në kuadër të të cilit themeloi edicionin “Vendbanimet dhe prejardhja e popullsisë”, brenda të cilit deri më sot dolën dhjetra libra e monografi, ku përveç tjerash, lëndohej rëndë e kaluara, veçoritë antropologjike dhe psikologjike të shqiptarëve, realiteti etnik e demografik i Kosovës dhe i viseve përreth etj. Prandaj, nuk është gjë e rastit që viteve të 80-ta të kërkohej nga qarqet shkencore dhe ortodoksie serbe të ringjallej shkolla antropogjeografike e Cvijiqit.[6]
Në veprat e tij, që kishin të bënin me Siujdhesën Ballkanike, i kishte vënë bazat gjeografike dhe gjeopolitike të synimeve ekspansioniste serbe ndaj vendeve fqinje dhe popujve joserbë, në veçanti josllavë. Me një perfiditet e dinakëri spekulonte me argumentet etnodemografike dhe gjeopolitike në favor të serbëve e në dëm të të tjerëve, duke e hedhur tezën se serbët kanë një shtrirje të gjerë gjeografike në Ballkan dhe në Evropën JL dhe në këtë shtrirje nënkuptonte edhe territoret të cilat serbët, sipas tij, i kishin populluar më herët, por që për shkaqe të ndryshme i kishin braktisur dhe tashmë kishin mbetur pakicë. Se në interpretimet e tij politiko-gjeografike, në emër të shkencës zbatonte kritere joshkencore dhe mbështette e nxitte aspiratat hegjemoniste dhe nacionalshoviniste e raciste serbe shihet më së miri në konstatimin e tij se “serbët janë një popull relativisht i madh, i cili është gjithnjë në rritje. Ne jemi popull me vetëdije më të lartë kombëtare në Ballkan”,[7] duke u kërcënuar se Serbia “në pikëpamje kombëtare-politike është shtet i rrezikshëm”.[8]
Për ta justifikuar ekspansionin territorial të Serbisë dhe të serbëve gjithnjë përpiqej të gjente dhe ofronte argumente dhe përfundime se serbët si historikisht, ashtu edhe në pikëpamje etnografike dhe antropogjeografike, si “popull në rritje” dhe me “vetëdije më të fortë kombëtare”, kanë të drejtë që në shtetin serb të përfshijnë edhe vendet e tjera rreth Serbisë dhe natyrisht të dominonjnë politikisht dhe në aspektin ekonomik. Por duhet theksuar se në këto kërkesa Cvijiqi nuk është krejtësisht origjinal, sepse insistimet mbi ekspansionin e Serbisë edhe jashtë kufijve të saj e gjejmë së pari te I. Garashanini në formulimin “Shteti serb duhet patjetër të zgjerohet dhe forcohet”. Është ky një angazhim i Cvijiqit për “hapësirën jetësore” të serbëve, identike me qëllimet gjeopolitike të qarqeve naciste midis dy luftërave botërore. Kur i duhej t’i arsyetonte kërkesat shtetomëdha dhe ekspansioniste serbe, i shkelte parimet etnografike apo historike që i proklamonte si bazë për “të drejtat historike” të serbëve dhe si argumentim i merrte kriteret gjeopolitike, fiziko-gjeografike dhe përmbajtjet e të ashtuquajturit determinizëm gjeografik. Në raste të tjera bënte të kundërtën. Duke konsideruar të pazgjidhur çështjen serbe, kërkonte madje që edhe “me forcë të zgjidhej problemi serb”. [9]
I mohonte të drejtat historike të popujve të tjerë, veçanërisht të atyre fqinj me Serbinë, madje edhe i nënçmonte përmes glorifikimit të kombit serb, superioritetit dhe idealizimit të tij në Ballkan si “më i vetëdijësuari”, “me tradita të gjalla”, “me moral të lartë kombëtar” etj. Malazezët nuk i pranonte si komb dhe i konsideronte si një fis serb. Bullgarët gjithashtu i konsideronte si komunitet të paqartë në pikëpamje etnike, linguistike e psikologjike, por të afërt, sipas tij, me serbët, ndërsa maqedonasit i quante “masë flotante”, pa vetëdije kombëtare, egoistë, trashanikë e tinzarë, strukturë kombëtare serbo-bullgare[10] dhe Maqedoninë e cilësonte si “Serbi të Vardarit”.[11]
Mirëpo, Cvijiqi me qëndrimet dhe pikëpamjet e tij “shkencore” më së largu shkoi ndaj shqiptarëve: u mohonte qenien politike-kombëtare, i cilësonte si të paaftë për jetë autonome shtetërore dhe për të zhvilluar kulturën popullore, i quante pa traditë historike dhe pa vetëdije kombëtare, pa klasë intelektuale kombëtare, të prirur për dhunë dhe sjellje jokulturore dhe shtypje të egër të të tjerëve, sidomos të serbëve, barbarë, gjakpirës etj.[12] Këto teza, në themel raciste, do të hudhen poshtë nga intelektualë të spikatur të kohës, me prejardhje jugosllave, çfarë ishte p. sh. shkrimtari dhe intelektuali i shquar kroat, Mirosllav Kërlezha.[13]
Cvijiqi ishte ithtar kryesor i ëndrrës dhe i kërkesës së kahmotshme e Serbisë për dalje në detin Adriatik (duke imituar përsëri Garashaninin) dhe atë duke okupuar Bosnjën dhe Shqipërinë. Pas aneksimit të BeH (1908), Cvijiqi në kontekstin e synimeve të formimit të Serbisë së Madhe e arsyetonte kërkesën “që Serbia të marrë një pjesë të konsiderueshme të territorit të banuar me serbë me qëllim të daljes në Detin Adriatik”.[14] Ndërkaq në shkrimin e tij, atëherë shumë aktual në qarqet serbe dhe më gjerë, “Dalja e Serbisë në Detin Adriatik” (1912)[15], ai thekson se “nga aspekti gjeografik Serbia kishte dy mundësi që me zgjerimin e territorit të saj të del në det” dhe atë përmes luginës së Moravës dhe të Vardarit në gjiun e Selanikut (deti Egje) dhe përmes luginës së Drinit dhe Matit që shpie në portet e Durrësit dhe Medovës (deti Adriatik).[16] Ishte e kahmotshme ideja megalomane e Serbisë që këto dy lugina, e Moravës dhe e Vardarit, të bëheshin të lundrueshme përmes një sistemi të komplikuar dhe shumë të shtrenjtë të lundrimit, duke kaluar madje edhe pengesën jo të vogël relievore midis Preshevës dhe Kumanovës! Ai kishte përpunuar edhe idenë për daljen e Serbisë në detin Adriatik përmes ndërtimit të një hekurudhe që duhej të kalonte nëpër luginën e Drinit.[17]
Në shkrimet e tij, Cvijiqi i shkel të gjitha parimet shkencore dhe i ndërron tezat vetëm e vetëm për t’i arsyetuar qëllimet okupuese serbe ndaj hapësirës shqiptare dhe nënvizon “se synimet e Serbisë për bregdetin shqiptar janë të arsyeshme dhe të kushtëzuara jo vetëm gjeografikisht, por kanë edhe një traditë historike” dhe “ kur është fjala për vendet të cilat në traditën historike kanë një rëndësi të madhe, atëherë parimi historik në vetëdijen popullore është më i rëndësishëm se parimi etnografik”.[18] Insistimi i tij veçanërisht në injorimin e realitetit etniko-demografik të popujve joserbë, në këtë rast të shqiptarëve, shihet në konstatimin se “Populli më shumë entuziazmohet me vendin i cili në të kaluarën historike ishte i tij, me traditat e tij, dhe gati nuk i intereson se cili popull sot jeton aty. Territoret e tilla i konsideron si trashëgimi të tyre të veten, në të cilin, për fatkeqësi të tij, është ngulitur një popull tjetër, dhe kjo nuk është pengesë që të ketë të drejtë ta marrë vendin”.[19] Ndërsa, më vonë, në raste të tjera, thoshte: ”Kufiri etnografik është mbi kufirin gjeografik”,[20] por në rastin e zgjerimit territorial të Serbisë, të drejtat e saj për të pushtuar Kosovën dhe Shqipërinë e Veriut, i bazon në tërësinë territoriale natyrore-gjeografike të Serbisë. Mësimet e Cvijiqit i përdorte shkenca dhe politika serbe në vitet e 80-ta e të 90-ta të shekullit të kaluar në ngjarjet e Kroacisë dhe të Kosovës. Në Kroaci kërkonte ta zbatonte parimin etnografik (territoret me shumicë serbe), ndërsa në Kosovë parimin historik (miti mbi Kosovën, shteti mesjetar serb, kishat dhe manastiret)!
Në kohën e luftërave ballkanike dhe veçanërisht pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, Cvijiqi do t’i radikalizon edhe më shumë qëndrimet e tij “shkencore” ndaj shqiptarëve dhe truallit të tyre gjeoetnik, duke u angazhuar haptazi në anën e politikës serbe për okupimin e territorit etnik shqiptar. Në aspiratat për dalje në detin Adriatik dhe uzurpimin e territorit shqiptar kërkon mbështetje edhe në tezën absurde të përzierjes sui generis të shqiptarëve dhe serbëve, duke theksuar se “Serbia për shkak të pavarësisë së saj ekonomike duhet patjetër të del në detin Adriatik dhe në një pjesë të bregdetit shqiptar qoftë me uzurpimin e territorit, qoftë përmes sigurimit të të drejtave ekonomike dhe komunikative për këtë hapësirë. Kjo vërtet do të thotë marrjen e një krahine të huaj etnografike, por që duhet të merret për shkak të interesave të veçanta ekonomike, përkatësisht për shkak të nevojave jetësore. Një uzurpim i tillë ndoshta do të mund të quhej domosdoshmëri antietnografike dhe në këtë formë ai nuk është as kundër parimit të kombësisë. Në këtë rast, një uzurpim i tillë edhe mund të gjejë arsyetim në faktin se shqiptarët e Shqipërisë së Veriut janë produkt i një amalgami shqiptaro-serbësh dhe se aty gjenden gjurmët e popullsisë serbe”![21]
Një nga tezat kryesore të Cvijiqit ishte se shqiptarët janë të ardhur masivisht nga Shqipëria Veriore në territoret “e shpirtit mesjetar serb”, pra në Kosovë e gjetiu dhe kjo kinse paska ndodhur pas “dyndjes masive” të serbëve në drejtim të veriut pas luftërave austriako-turke të viteve 1689-1690 dhe 1737-1739, kur kjo hapësirë na qenka shndërruar në një “vakuum demografik”, të cilën e paskan mbushur shqiptarët, duke i “islamizuar dhe shqiptarizuar” në përmasa të mëdha serbët e mbetur. “Shqiptarët përmes Dukagjinit dhe Kosovës depërtuan në VP deri në Leskovc, ndërsa përmes Karadakut në oaza të vogla deri në Kumanovë…dhe u larguan nga territori i vërtetë etnik i tyre më se 200 km; duket se ky vërshim i shqiptarëve më së shumti ka përparuar në shek. XVII, VXIII dhe në gjysmën e parë të shek. XIX, duke bërë islamizimin dhe shqiptarizimin e serbëve në përmasa të mëdha dhe shpejt”![22] Kjo tezë gjeti shprehje edhe në diskurset politike të serbëve kundër shqiptarëve gjatë viteve të 80-ta e këndej të shekullit XX. Mirëpo, kjo tezë e Cvijiqit dhe e ithtarëve të tij nuk qëndron për shumë arsye, para së gjithash për shkaqe gjeografike dhe demografike: Shqipëria Veriore si territor malor, me resurse të kufizuara ekzistenciale, nuk ka mundur të ketë popullsi kaq të madhe për ta popullzuar gjithë Kosovën dhe viset rreth saj, sepse siç dëshmojnë regjistrimet e përmëndura kadastrale turke, qysh në shek. XV dhe XVI kjo pjesë e Shqipërisë së sotme malore kishte disa herë më pak popullsi dhe vendbanime sesa Rrafshi i Dukagjinit dhe Fusha e Kosovës. Këtë e dëshmon studimi i gjendjes sociale-demografike dhe i pasqyrës etnike, në bazë të të dhënave që i ofron dokumentacioni osman, defterët kadastralë. Në gjysmën e dytë të shek. XV trevat malore të Shqipërisë së Veriut, për shkak të kushteve jo të përshatatshme gjeografike dhe ekonomike, kishin 115 fshatra me 1.799 shtëpi (0,5 shtëpi për një kilometër katror), ndërsa krahinat e Rrafshit të Dukagjinit dhe të Fushës së Kosovës kishin 1.202 vendbanime me 28.141 shtëpi (2-3 shtëpi për një kilometër katror). Ndërkaq, në fund të shek. XVI në trevat malore të Shqipërisë së Veriut popullsia shtrihej në 156 fshatra me 3.201 shtëpi, kurse hapësira e Rrafshit të Dukagjinit dhe e Fushës së Kosovës kishte 1.758 vendbanime me 38.844 shtëpi.[23] Historiani anglez N. Malcolm, duke iu referuar rezultateve të studimeve të M. Tërnavës [24] dhe të S. Pulahës, konkludon se “Popullata e Kosovës gjatë kësaj periudhe ishte më e madhe se popullata e Shqipërisë së Mesme dhe asaj të Veriut, ku nataliteti ishte më i ulët se në Kosovë.[25]
Ndonëse posedonte shumë informacione dhe të dhëna nga terreni, në interpretimin e tyre Cvijiqi ishte joobjektiv, spekulant e konstruktues i konkluzioneve, shovinist e hegjemon. Sipas nevojës së situatave dhe interesave të politikës gllabëruese serbe ai ndërronte tezat dhe kriteret në vlerësimin e dukurive, ngjarjeve, fakteve dhe realitetit hapësinor. Për një të vërtetë shkencore thoshte duhen argumente dhe kritere të qarta e të verifikuara, por në favor të Serbisë e të serbëve i gjente të gjitha argumentet dhe i zbatonte të gjitha kriteret, duke filluar nga ato gjeomorfologjike e gjeografike e deri te faktorët gjeopolitikë, etnodemografikë dhe historikë, ndërkaq për vendet fqinje dhe popujt joserbë argumenetet dhe faktorët e njëjtë i kontestonte. Thoshte p. sh. “Hartat etnografike dhe shkrimet etnografike, sipas rregullit, janë shoveniste: ata që i kanë bërë ose që i kanë shkruar krahinat kalimtare, etnikisht të përziera, kryesisht i kanë konsideruar të kombësisë të cilës vetë i përkisnin”.[26] Por Cvijiqi ishte vetë ai që më së shumti kishte vizatuar harta etnike dhe kishte bërë shkrime etnografike, gjithnjë në favor të serbëve e në dëm të të tjerëve dhe atë pikërisht për territoret e tilla etnikisht të përziera.[27]
Vlerësimet dhe konkluzionet kontraverze dhe natyrisht joshkencore të Cvijiqit kanë pasoja afatgjata negative për vendet fqinje dhe popujt joserbë, veçanërisht sa i përket përkufizimeve territoriale dhe raporteve politike e të tjera midis Serbisë dhe serbëve dhe shteteve e popujve të tjerë, sidomos shqiptarëve. Projekti i regjimit të Millosheviqit i fundit të shek. XX “Të gjithë serbët në një shtet të vetëm” ose britmat e Drashkoviqit se “atje ku është edhe varri i vetëm serb, ajo është tokë serbe”,[28] që në të dy rastet nënkupton formimin e Serbisë së Madhe me mjete të dhunës dhe me metoda gjenocidale, përveç tjerash, bazoheshin edhe në mësimet e Cvijiqit.